Vizita e Naxhafit

 

Një mbrëmje miku më tha se, në dhashtë Zoti, nesër do të shkojmë në Naxhaf. Kur kuptoi se ky emër për mua ishte i panjohur, ai sqaroi:

- Ky është një qendër shkencore, por gjithashtu, në atë vend ndodhet edhe kaburi i Ali ibn Abu Talibit. a.s.

Isha i habitur nga ajo që dëgjova, nga se çdonjëri nga Shejhët tanë pohonte se nuk dihet vendi i varrimit të hazreti Aliut. a.s.

Hipëm në autobus, me të cilin së pari arritëm në Kufa, ku pushuam pak për të vizituar Kufa-xhaminë. Miku më tregoi të gjitha vendet e njohura historike dhe më dërgoi në xhaminë e Musliut ibn Akilit dhe Hani ibn Urves, duke më përshkruar si kishin vdekur.

 

Më tregoi gjithashtu edhe mihrabin në të cilin hazreti Aliu a.s. ishte plagosur. Pastaj vizituam shtëpinë në të cilën Aliu kishte jetuar bashkë me dy bijtë, Hasanin a.s. dhe Hysenin. a.s. Në oborr shikova burimin nga kishin shuar etjen dhe kishin marre abdest.

 

Në shpirt përjetoja çastet në të cilat harroja botën për rreth duke përfytyruar asketizmin dhe modestin e Imamit. Nuk guxoj të harroj mikëpritjen dhe sjelljen e mire të njerëzve në Kufa: sa herë kalonim pranë ndonjë grupi njerëzish, ata ngriteshin dhe na përshëndetnin.

Më dukej se miku njifte shumicën nga ata. Aty takuam edhe drejtorin e Institutit të Kufa-s, i cili na ftoi në shtëpi ku njoftuam familjen e tij dhe kaluam një mbrëmje të bukur. Ndjeja veten si ne familjen time dhe në popullin tim. Kur bënin fjalë për sunitët gjithënjë fillonin me "vëllezërit tanë sunitë" që më pëlqente, mirëpo megjithatë ua bëra disa pyetje për të provuar sinqeritetin e tyre.

 

Të nesërmen vazhduam rrugën për Naxhaf që ishte rreth dhjetë kilométra nga Kufa. Kur arritëm m'u kujtua Kazimi xhamia në Bagdad, sepse edhe këtu shikoja minare të ngjashme që ngriteshin rreth kupolës së veshur me ar, e cila shkëlqente në dritën e diellit. Hyrëm në mauzole, pasi lexuam një mbishkërim që është zakon te vizitorët shiitë. Në brendi shikova më shumë gjëra mahnitése se në xhaminë e Musa Kazimit. a.s.

 

Qëndrova para kaburit duke lexuar fatihën dhe duke pyetur veten a është në të njëmend trupi i Imamit. Modestia e shtëpisë në të cilën Imami kishte jetuar më kishte lënë përshtypje të madhe sa që mendoja: Ruana Zot! Hazreti Aliu a.s. kurrë nuk do të pranonte tërë këtë ari dhe argjend, kur në bote me mija Muslimanë vdesin nga uria. Me sytë e mi kisha parë njerëz të varfër që lypnin jashtë xhamisë.

 

Pastaj fola me vetë:

O shiitë! Sa jeni gabim! Se paku duhet të pranoni se jemi gabim, nga se i dërguari Muhammed s.a.a., e ka obliguar hazreti Aliun a.s. të rrënojë varrezat. Ç'janë atëherë këto varreza tuaja të stolisura me argjend dhe ari, pos shirk të cilin islami e ndalon rreptësisht.

 

Miku më pyeti mos dëshiroja të falem duke me zgjatur një copë të rrumbullakët në forme pllake të argjilit të ngurtësuar. Une iu përgjigja ashpër:

- Na nuk falemi në afërsi të kaburit.

- Atëherë pritni gjersa të kryej namazin.

 

Gjersa e prisja lexova mbishkrimin e skalitur në tabelën e cila ishte varur në kabur. Shikova nëpër parmakët e mbështjellur me argjend e ar dhe vërejta shumë monedha metalike me vlerë të ndryshme që ishin hedhur nga vizitorët. Përmes tyre financoheshin akcione të ndryshme humanitare të cilat i ndërmerrte drejtoria e mauzoleut. Për shkak të sasisë së madhe të parave më shkoi mendja se kalojmë muaj të tërë mes dy mbledhjeve. Mirëpo, u hamenda kur më thanë se monedhat mblidhen çdo mbrëmje pas jacisë.

 

Dola pas mikut i hutuar nga ajo që kisha pare. Dëshiroja të më jepnin pak nga ato para ose t'ua ndajnë skamnorëve të shumtë. Shikova për qark dhe vërejta shumë njerëz duke u falur. Disa ishin tubuar rreth oratorëve të cilët qëndronin në platformat e ngritura. Pastaj shikova një grup njerëzish të cilët qanin dhe goditnin veten në gjoks. Mu kur desha ta pyes mikun perse bëjnë kështu, vërejta xhenazen që kalonte pranë dhe si disa njerëz hoqëm mbulesën nga një pllake mermeri për ta lëshuar xhenazen. Ma mori mendja se qanin për shkak të humbjes se personit të dashur.