Imam Musa Kadhimi a.s.

HADITHET E IMAM MUSA KADHIMIT (A.S.) LIDHUR ME URTËSINË, KËSHILLAT, DEVOTSHMËRINË, ASKETIZMIN DHE MORALIN E BUKUR

  

8.1 KËSHILLAT KUSHTUAR HISHAMIT DHE PËRSHKRIMI I MENDJES

 

Allahu Teala i ka dhënë sihariq zotëruesit të mendjes dhe të perceptimit: Përgëzoji robërit e Mi, të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që Allahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët, janë ata të mençurit. (Zumer,18) O Hisham ibni Hakem Allahu i ka plotësuar dëshmitë e Tij përmes mendjes, argumentet i ka përcjellë përmes lajmërimit (librit hyjnor) dhe përmes udhëzuesve (profetëve) i ka udhëzuar kah ndjenja e nevojës së krijesës ndaj Tij në çdo kohë dhe në çdo vend.

Në lidhje me këtë ka thënë: Zoti juaj është Një, Allahu; nuk ka zot pos Tij; Ai është i Gjithëmëshirshmi Mëshirëplotë. Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det dhe u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon Allahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhap në të nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente (Bekare, 163-164).

 

O Hisham, që të kuptojnë njerëzit se ekziston njëri që i ka krijuar dhe që i udhëheq ata, Allahu ka dhënë këtë dëshmi: 

Dhe për ju, nënshtroi natën e ditën dhe diellin e hënën. Edhe yjet janë të nënshtruar me urdhrin e Tij. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon (Nahl, 12). Ha Mim. Pasha librin sqarues. S'ka dyshim se Ne e bëmë atë Kuran arabisht, në mënyrë që ju ta kuptoni (Zuhruf, 1-3). Nga argumentet e Tij është edhe ajo që ua dëfton vetëtimën edhe si frikë edhe si shpresë, dhe nga qielli lëshon shi e me të e ngjall tokën pas vdekjes së saj. Në këtë ka argumente për një popull që di të mendojë (Rum, 24).

 

O Hisham, pastaj Allahu i ka dhënë këshilla zotëruesve të mendjes duke i drejtuar kah bota e ardhshme, duke u thënë: Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër vetëm se një përjetim e mashtrim. S'ka dyshim se bota tjetër është më e dobishmja për ata që ruhen. A nuk logjikoni? (Enam, 32) Dhe çdo gjë që ju është dhënë juve është kënaqësi dhe shije e kësaj bote, ndërsa ajo që është tek Allahu është shumë më e mirë dhe e përhershme; pra, a nuk mendoni? (Kasas, 60)

O Hisham, pastaj Allahu ka kërcënuar ata që nuk mendojnë: Pastaj të tjerët i rrënuam. E ju me siguri kaloni atypari ditën e natën. Pra, a nuk mblidhni mend? (Saffat,135-137)

O Hisham, pastaj Allahu na bëri me dije se mendja është bashkë me diturinë: Këta janë shembuj që Ne ua sjellim njerëzve, po këta nuk i kupton kush pos dijetarëve (Ankebut, 43).

O Hisham, pastaj Allahu i kritikon ata që nuk mendojnë: E kur u thuhet atyre: Pranoni atë që Allahu e shpalli! Ata thonë: Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë! Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë (ata do t'i pasonin)? (Bekare, 170) Krijesat (gjallesat) më të dëmshme tek Allahu janë ata të shurdhëtit (që nuk dëgjojnë të vërtetën) memecët (që nuk e thonë të drejtën) të cilët nuk logjikojnë . (Enfal, 22) Nëse ti i pyet ata: Kush krijoi qiejt e tokën? Me siguri do të thonë: "Allahu!" Thuaj: "Allahut i qoftë lavdërimi!" Por shumica e tyre nuk dinë (Llukman, 25). Pastaj, Allahu ka kritikuar shumicën, duke thënë: Në qoftë se ju bindesh shumicës që janë në tokë, ata do të të largojnë ty nga rruga e Allahut. (Enam, 116) ...por shumica e tyre nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë (Enam, 37). 

 

O Hisham, pastaj Allahu lavdëron pakicën, duke thënë: ...e nga robërit e Mi, pak janë mirënjohës. (Sebe, 13) ...me përjashtim të atyre që kanë besuar dhe punuar vepra të mira, por të tillë janë pak (Sad, 24). ...po përveç një pakice nuk i kishin besuar atij (Hud, 40).

O Hisham, pastaj Allahu i përmend të mençurit në një mënyrë shumë të bukur dhe i ka zbukuruar me zbukurimet më të mira: Ai ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe, përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush. (Bekare, 269)

O Hisham, Allahu Teala thotë: Në të gjitha këto, për atë që ka mendje të shëndoshë dhe që i ka vënë veshin me vëmendje, ka argumente. (Kaf, 37) Ne i patëm dhënë Llukmanit mençuri të përsosur. (Llukman, 12)

O Hisham, Llukmani e kishte këshilluar djalin e tij: Për t u bërë më i mençuri i të gjithë njerëzve, nënshtrohu ndaj së drejtës. Bota është një det i thellë, shumë njerëz janë fundosur në të. Anija jote në këtë det duhet të jetë devotshmëria, barra që e bart anija duhet të jetë imani, vela e tij mbështetja tek Allahu, kapedani i saj mendja, busulla e saj dituria dhe hekuri (materiali ndërtimor) duhet të jetë durimi . O Hisham, gjithçka e ka shenjën e vet dalluese; shenja e mendjes është të menduarit dhe shenja e të menduarit është heshtja. Gjithçka e ka bartësin e vet, bartësi i mendjes është modestia. Sa i përket paditurisë sate, mjafton të kryesh atë që është e ndaluar.

O Hisham, nëse ke në dorë një arrë dhe njerëzit thonë se ajo është një perlë, nuk do të kesh dobi prej kësaj sepse ti e di se ajo është arra. Nëse ke në dorë një perlë dhe njerëzit i thonë arrë, nuk do të ketë dëm për ty, sepse ti e di se ajo është perla.

O Hisham, Allahu i ka dërguar profetët me qëllim të njohjes së Allahut përmes mendjeve të tyre. Prandaj, ata që e njohin më mirë Allahun, ata e pranojnë më bukur thirrjen e Tij. Ata që e kanë mendjen më të bukur, i njohin më mirë urdhrat e Allahut; pozitat e njerëzve më të mençur janë më të larta në këtë dhe në botën tjetër.

O Hisham, nuk ka asnjë njeri që një engjëll të mos e kapë atë prej tufës së flokëve. Nëse tregon përkulje, Allahu do ta lartësojë atë; nëse tregon mendjemadhësi, Allahu do ta poshtërojë atë.

O Hisham, çdo njeri përmban dy argumente të Allahut mbi vete: Njëra e jashtme dhe tjetra e brendshme. Argumentet e jashtme janë të Dërguarit, profetët dhe Imamët; argumenti i brendshëm është mendja.

 

O Hisham, njeriut të mençur nuk i pengon hallalli në shprehjen e falënderimit të tij ndaj Allahut dhe harami nuk ia largon durimin.

O Hisham, kush brengoset për tri gjëra kundrejt tri gjërave tjera, do të konsiderohet ndër ata që e kanë mbrojtur mendjen e tij prej dhënies mbas epsheve dhe pasioneve: shuarja e dritës së mendimit kundrejt dëshirave të gjata, asgjësimi i fjalëve të urta kundrejt të folurit të shumtë dhe dritën e marrjes së mësimit kundrejt kërkesave të epsheve. Atij që i asgjësohet mendja, do t i prishet feja dhe bota e tij.

O Hisham, si mund të bëhet e pastër vepra jote tek Allahu nëse mendja jote nuk i jep rëndësi urdhrave të Allahut dhe nëse epshet dhe pasionet dominojnë mbi të?

O Hisham, durimi ndaj vetmisë është shenjë e fuqisë së mendjes. Kush mendon në lidhje me Allahun e Lartësuar dhe të Madhëruar, do të largohet prej atyre që janë dhënë mbas kësaj bote dhe  tregojnë respekt ndaj saj, dhe do të drejtohet kah ato gjëra që gjenden tek Zoti i tij. Allahu i bëhet mbrojtësi i tij në gjendjen e frikës dhe shoku i tij në vetmi; do ta bëjë të panevojshëm gjatë varfërisë  dhe ta bëjë të shenjtë mbasi që nuk i takon asnjë fisi.

O Hisham, njerëzit janë krijuar për t u nënshtruar ndaj Allahut; shpëtimi sigurohet përmes nënshtrimit, nënshtrimi përmes diturisë, dituria përmes të mësuarit dhe të mësuarit merret vetëm prej dijetarit fetar; ndërsa, dijetari njihet përmes mendjes.

 

O Hisham, vepra e vogël e një njeriu të mençur do të shumëfishohet tek Allahu, por vepra e madhe e të paditurit dhe e atyre që shkojnë mbas epsheve do të refuzohet.

O Hisham, njeriu i mençur do të tregojë kënaqësi ndaj sasisë së vogël të mallit të kësaj bote; por njeriu që nuk zotëron urtësi nuk do të kënaqet as me mallin e shumtë të kësaj bote. Për këtë arsye, tregtia e njerëzve të mençur do të jetë fitimprurëse.

O Hisham, nëse je i kënaqur me një pjesë të mjaftueshme të kësaj bote, ty do të të mjaftojë gjëja më e vogël (jeta e thjeshtë) e kësaj bote. Por, nëse nuk je i kënaqur me pjesën e mjaftueshme, atëherë asgjë nuk do të të kënaqë ty.

O Hisham, njerëzit e mençur kanë hequr dorë prej mallit të tepërt të kësaj bote. Atëherë, si është e mundur që të mos heqin dorë nga mëkatet? Sepse, heqja dorë nga teprica është virtyt ndërsa heqja dorë nga mëkati është detyrim. 

 

O Hisham, njerëzit e mençur tregojnë asketizëm (përmbajtje) në këtë botë dhe prirje ndaj botës tjetër. Ata kanë kuptuar se kjo dhe bota e ardhshme janë që kërkohen dhe që e kërkojnë.

O Hisham, kush e kërkon botën e ardhshme, kjo botë do ta kërkojë atë dhe ai do ta marrë vetëm pjesën e nevojshme nga kjo botë. Kush e kërkon këtë botë, bota e ardhshme do ta kërkojë atë dhe vdekja do ta arrijë atë duke ia shkatërruar këtë dhe botën e ardhshme.

O Hisham, kush kërkon të bëhet i pasur pa pasuri, ta mbajë larg zemrën e tij nga xhelozia dhe të arrijë shpëtimin në fenë e tij, le të kërkojë nga Allahu përkryerjen e mendjes së tij. Ai që e ka mendjen e përkryer, do të tregojë kënaqësi ndaj sasisë së vogël; kush tregon kënaqësi ndaj sasisë së vogël do të bëhet i pasur; ai që nuk tregon kënaqësi ndaj sasisë së vogël, padyshim që nuk do të arrijë të bëhet i pasur.

O Hisham, Allahu ka thënë: Një popull i shëndoshë, gjatë devijimit të zemrave të tyre dhe gjatë kthimit të tyre kah verbëria dhe shkatërrimi, do të thotë: Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh". (Ali Imran, 8) Ai që nuk e njeh Allahun e tij, nuk frikohet prej Tij dhe në zemrën e tij nuk do të vendoset njohuria për zbulimin dhe vërejtjen e së vërtetës. Asnjëri nuk mund ta arrijë këtë njohje, pa e vërtetuar vepra fjalën e tij dhe pa u përputhur vepra e tij e fshehur me veprën e hapur. Sepse, si argument të mendjes, që është e fshehur dhe e mbuluar, Allahu ka caktuar vetëm shenja të jashtme.

O Hisham, Udhëheqësi i Besimtarëve Aliu (a.s.) ka thënë:  Nuk ka mjet më të mirë sesa mendja, për t i bërë ibadet Allahut

 Asnjë mendje nuk mund të përkryhet pa i zotëruar këto tipare: Të qenët i sigurt prej pabesimit dhe sherrit të tij; të shpresuarit e të mbarës së tij; shpenzimi i mallit të tepërt për hir të fitimit të kënaqësisë së Allahut; të mosfolurit shumë; të mjaftuarit me sasinë e domosdoshme të kësaj bote; kurrë të mos jetë i ngopur për dituri gjatë tërë jetës; t i nënshtrohet Allahut pa u poshtëruar; të preferojë krenarinë e lartësimin në vend të pasimit të të tjerëve në rrugën e gabuar; të preferojë modestinë në vend të qenët i zgjedhur; ta shohë si të madhe mirësinë e vogël të të tjerëve ndërsa mirësinë e vet si të vogël; t i njohë mirë njerëzit; ta shohë veten si më të keqen prej tyre. 

 

O Hisham, është e pastër vepra e atij, gjuha e të cilit e flet të vërtetën; do t i shtohet furnizimi i atij që e ka nijetin e pastër dhe do t i zgjatet jeta e atij që i bën mirësi familjes dhe vëllezërve të tij.

O Hisham, mos ia mëso urtësinë të paditurve, sepse do t i bësh padrejtësi urtësisë; mos e parandalo urtësinë prej atij që është i zoti, sepse, do t i shkaktosh vuajtje atyre.

O Hisham, sikur që të padijshmit jua lënë juve urtësinë, ashtu edhe ju lërjani këtë botë atyre.

O Hisham, ai që nuk ka trimëri, nuk ka as fe; ai që nuk ka mendje, nuk ka as trimëri. Më i vlefshmi prej njerëzve është ai që nuk e sheh këtë botë si një vend për vete. Dijeni që vlera dhe çmimi i trupave tuaj është vetëm xheneti. Prandaj, mos e shitni për asgjë tjetër.

O Hisham, Udhëheqësi i Besimtarëve, Aliu (a.s.) ka thënë:  Në krye të kuvendit mund të qëndrojnë vetëm ata që i zotërojnë këto tri tipare: Që përgjigjet kur ta pyet diçka; që flet kur nuk flasin të tjerët dhe që e parashtron pikëpamjen e përshtatshme për çështjet e atyre që janë prezentë. Ai që nuk zotëron njërën prej këtyre tipareve dhe rri në krye të kuvendit, është i krisur .  Hasan ibni Aliu (a.s.) ka thënë:

 

Nëse dëshironi që t'i zgjidhni çështjet tuaja, shkoni tek ata që i njohin ato çështje .E pyetën: O biri i Resulullahut, kush janë ata? Ata janë që në Kuran përmenden në këtë mënyrë: Vetëm të zotët e mendjes marrin mësim. (Zumer, 9) Ali ibni Hysejini (Imam Zejnel Abidini) (a.s.) ka thënë: Shoqërimi me njerëzit e sinqertë e çon njeriun kah e vërteta, pasimi i tipareve të dijetarëve e shton mendjen e njeriut, bindja ndaj drejtuesve të drejtë është përkryerja e lavdisë, shtimi i mallit përmes tregtisë është përkryerja e trimërisë. Tregimi i rrugës së drejtë atij që konsultohet me ty është zbatimi i të drejtës së dhuntisë. Mosshkaktimi i vuajtjeve ndaj njerëzve është shenjë e përkryerjes së mendjes dhe shkas për rehatinë e trupit.

O Hisham, njeriu i mençur nuk i tregon asgjë atij, prej të cilit frikohet se do ta përgënjeshtrojë; nuk kërkon asgjë prej atij, prej të cilit brengoset se do ta refuzojë; nuk premton për diçka që nuk ka fuqi për ta kryer; nuk shpreh dëshirë për diçka, për të cilën gjë do të kritikohet dhe nuk tenton ta kryejë një punë, për të cilin nuk ka aftësi. Udhëheqësi i Besimtarëve, Aliu (a.s.) u tha shokëve të tij: Ju këshilloj të keni frikë prej Allahut haptas dhe fshehtas, të jeni të drejtë gjatë kohës së gëzimit dhe të zemërimit, të tregtoni dhe të përfitoni gjatë varfërisë dhe pasurisë. Vendosni marrëdhënie me ata që i kanë ndërprerë. Faleni atë që ju bën padrejtësi. Dhuroni atij që është në mjerim. Shikimi juaj le të bëhet pranim mësimi, heshtja mendim, të folurit tuaj, përmendje dhe natyra juaj le të bëhet natyra e bujarit. Asnjë koprrac nuk do të hyjë në xhenet dhe asnjë bujar nuk do të hyjë në xhehenem .

 

O Hisham, Allahu e mëshiroftë atë që është i turpshëm; që e mbron prej ndalesave veten, organet e kokës (syri, veshi, gjuha dhe të tjerë), stomakun dhe gjërat që i ruan stomaku (ngrënia dhe pija); që e përkujtojnë vdekjen dhe kalbjen dhe që e di se xheneti është i rrethuar me vështirësi dhe xhehenemi me kënaqësi e epshe.

O Hisham, në ditën e Kiametit, Allahu do të kalojë mbi gabimet e atij që e ka ruajtur veten prej cenimit të dinjitetit të njerëzve. Kush e parandalon ndonjë zemërim ndaj njerëzve, Allahu do ta parandalojë zemërimin e Tij në ditën e Kiametit. O Hisham, njeriu i mençur nuk gënjen, edhe nëse është kundër tij.

O Hisham, në dorëzën e shpatës së Hz Resulullahut (s.a.a.) shkruante: Tek Allahu, më i padrejti prej njerëzve është ai që e vret tjetrin përmes shpagimit të gjakut dhe që e ka mbytur tjetrin në vend të vrasësit (Në kohën para Islamit, si shpagim gjaku për vrasje, e mbytnin njërin prej fisit të cilit i takonte vrasësi, jo vetë vrasësin. Këtë e ndaloi Islami duke sjellë parimin: Nuk mund të akuzohet tjetri për krimin e tjetrit ). Kush heq dorë prej prindërve të vërtetë dhe i pranon të tjerët për prindër, është bërë jobesimtar ndaj asaj që ka zbritur Allahu dhe i Dërguari i Tij. Kush bën shpifje në fe apo i mbron shpifësit, Allahu nuk do ta falë atë në ditën e Kiametit dhe nuk do të pranojë kurrfarë kundërshpërblimi prej tij.

O Hisham, mjeti ndërmjetësues për afrim tek Allahu, mbas njohjes së Tij, është namazi, pastaj bamirësia ndaj prindërve dhe qëndrimi larg nga xhelozia, pëlqimi i vetvetes dhe lavdërimi. O Hisham, mundohu që t i përmirësosh ditët e tua që i ke përpara; kujdesu për atë se si do të duken ato dhe përgatiti përgjigjet për to. Padyshim që do të përgjigjesh dhe do të japësh llogari. Merr këshilla prej kohës dhe prej njohësve të saj, sepse, koha është edhe e shkurtër, edhe e gjatë. Nëse dëshiron që të shtohet respekti ndaj teje, puno ashtu sikur që je duke vështruar rezultatin e veprës; njihe Allahun. Mendo për ndërrimet e kohës dhe të gjendjeve. 

     

E ardhmja e botës i përngjan të kaluarës së saj; prandaj, merr mësim nga e kaluara. Ali ibni Hysejin (Imam Zejnel Abidini) (a.s.) ka thënë: Vlera e atyre që janë të afërmit e Allahut kundrejt tërë sipërfaqes së tokës, lindjes e perëndimit, fushës dhe çdo vendi malor ku arrin drita e diellit, është sa vlera e hijes së diellit që lajmërohet pasdreke dhe që humbet fill . Pastaj, vazhdoi: A nuk ka një njeri të lirë që do t'ia dorëzojë këtë botë atij që është i dhënë mbas saj? Çmimi i shpirtit tuaj është vetëm xheneti, mos e shitni atë për diçka tjetër. Kush tregon kënaqësi vetëm ndaj kësaj bote, prej të gjitha dhuntive të Allahut, ka treguar kënaqësi ndaj një gjëje të pavlefshme .

O Hisham, të gjithë njerëzit i vërejnë yjet; por përmes yjeve rrugën mund ta gjejnë vetëm ata që i dinë trajektoret dhe vendet e kthimit të tyre. Ngjashëm, edhe ju jeni duke e mësuar urtësinë, por udhëzimin mund ta arrijnë vetëm ata që veprojnë sipas saj.

O Hisham, Hz Isa (a.s.) u ka thënë havarijunve të tij: O ju që keni prirje kah e keqja, ju po frikoheni prej lartësisë së pemës së hurmës; duke menduar për ferrat dhe ngjitjen e vështirë, po i harroni frutat e saj të ëmbla dhe pjesët e dobishme të saj. Kështu që, ju jeni duke menduar për veprimin tuaj për botën e ardhshme si dhe për vështirësitë e saj, rruga e botës së ardhshme po ju duket e largët dhe e gjatë dhe, po i harroni dhuntitë, frytat dhe bukuritë që do t i arrini në botën e ardhshme.

 

O robërit e ligë, për të arritur shijen e grurit dhe për ta sjellë atë në gjendjen e shijshme, duhet ta pastroni dhe ta zbutni; nëse dëshironi ta shijoni shijen e imanit dhe të përfitoni prej frytit të tij, duhet ta sillni atë në gjendjen e pastër dhe të përkryer. Është një e vërtetë kur them se, sikur të kishit gjetur një copë druri prej rrëshire që digjet përmes katranit në errësirën e plotë të natës, era e keqe e saj nuk do t ju parandalojë nga përfitimi i të dritës prej saj. Në këtë mënyrë, pranojeni urtësinë kudo që ta gjeni atë, mos t ju paraqesë pengesë mangësia e dinjitetit të atij personi nga i cili e merrni urtësinë.  

 

O robërit e kësaj bote! Ju them me të drejtë: Nderin e botës së ardhshme do ta arrini vetëm me heqjen dorë prej gjërave të dashura për ju. Mos e pritni të nesërmen për t u penduar, sepse, para të nesërmes ekziston një natë dhe një ditë; ndërsa, përcaktimi i Allahut rrjedh çdo ditë dhe çdo natë. Kjo është një e vërtetë: Është më i lumtur dhe më pak i brengosur ai që nuk ka borxh sesa ai që ka borxh, edhe nëse ka mundësi për ta paguar atë në mënyrë të bukur. Ngjashëm, ai që nuk kryen mëkate është më i rehatshëm sesa ai që i kryen ato, edhe pse kërkon pendim të bukur për to. Mëkatet e vogla janë kurthet e shejtanit.

Shejtani ju bën që t i shihni ato si të vogla, ndërsa në ndërkohë ai i mbledh ato me qëllim të rrethimit tuaj. Këtë të vërtetë duhet ta dini: Sa i përket urtësisë, njerëzit ndahen në dy grupe: Njëri e shpjegon atë bukur përmes gjuhës dhe e dëshmon përmes veprës, ndërsa tjetri e vë në pah përmes gjuhës por e humb përmes veprës. Sa dallim i madh ekziston në mes këtyre dy grupeve. Lum për atë që vepron sipas diturisë dhe turp të kenë ata që dituria e tyre nuk u kalon përtej gjuhëve të tyre. O ju që keni prirje kah e keqja! Shndërroni në kala xhamitë e Zotit tuaj, trupat dhe ballët tuaj; zemrat tuaja shndërroni në shtëpi të devotshmërisë; mos i shndërroni në fole të epsheve. Mostregimi i durimit ndaj fatkeqësive është shenjë e dashurisë ndaj kësaj bote.

 

Tregimi i durimit ndaj fatkeqësive është shenjë e përmbajtjes nga kjo botë. O ju që keni prirje kah e keqja! Mos ia përngjani veten sorrës që plaçkit dhe ikën, dhelprës tinëzake, ujkut të pabesë dhe luanit sulmues. Mos u sillni kundër njerëzve sikur ata që sillen kundër gjahut të tyre kur shkojnë për të gjuajtur. Mos shkoni në gjah kundër një grupi, duke i bërë pabesi një grupi tjetër dhe duke e mashtruar një grup tjetër. Mos t ju bëhet trupi juaj, i shëndoshë nga jashtë dhe i kalbur përbrenda; zemra e kalbur nuk do të ketë dobi as për trupin as për shëndetin e trupit. Nëse zemrat tuaja janë të papastra, çfarë dobie do të keni prej pastrimit të lëkurës suaj?

Mos u bëni sikur shosha që e lëshon miellin e pastër dhe të bukur, ndërsa i mban krundet; edhe ju e nxirrni jashtë urtësinë përmes gojës, por në zemrat tuaja mbetet zilia. O robërit e botës! Ju i përngjani drurit të rrëshirës që e djeg veten dhe u bën dritë njerëzve! O bijtë e Israilit, mbusheni kuvendin e dijetarëve edhe nëse jeni të detyruar që të ecni zvarrë. Sikur që e ringjall Allahu tokën e tharë përmes pikave të mëdha të shiut, ashtu edhe zemrat tuaja do t i ringjallë përmes dritës së urtësisë.

 

O Hisham, në Bibël shkruan: Lum për ata që i dhimbsen njëri tjetrit; në ditën e Kiametit, ata do ta arrijnë mëshirën. Lum për ata që ndërmjetësojnë në mes të njerëzve; në ditën e Kiametit ata do të jenë afër Allahut. Lum për ata që i kanë zemrat e pastra; në ditën e Kiametit ata do të jenë prej të lumturve. Lum për ata që janë modestë; në ditën e Kiametit ata do të jenë në fronet e sulltanëve .

O Hisham, të folurit e paktë është një urtësi. Prandaj, heshtni (flisni pak), sepse, heshtja është rehati dhe bëhet shkaktare e zvogëlimit të fajit dhe e lehtësimit të mëkatit.  Forcojeni derën e fortesës së pjekurisë dhe të maturisë. Allahu nuk i do ata që qeshin pa nda, pa ndonjë arsye dhe njeriun që ecën pa ndonjë qëllim.

 

Udhëheqësi duhet të bëhet sikur një bari; mos të bëhet i pavëmendshëm ndaj njerëzve dhe të mos lejojë mendjemadhësinë për ata. Sikur që turpëroheni publikisht para njerëzve, ashtu edhe turpërohuni fshehtas para Allahut. Dijeni që fjala e urtë është malli i humbur i një besimtari. Përvetësojeni diturinë para se t ju dalë nga dora; dituria ju del nga dora me humbjen e dijetarit prej mesit tuaj (me vdekjen e tij). O Hisham, mëso diturinë e panjohur për ty dhe mësoje të paditurin me atë dituri. Trego respekt për dijetarin për hir të diturisë së tij dhe ruaju nga polemika me të. Të paditurin vështroje si të vogël për shkak të paditurisë së tij, por mos e largo prej vetes; afroje afër teje dhe mësoje.

O Hisham, çdo dhunti për të cilën nuk është shprehur falënderimi është sikur mëkati për të cilën do të përgjigjesh. Udhëheqësi i besimtarëve Aliu (a.s.) ka thënë: Janë disa robër të Allahut që frika e Allahut ua ka thyer zemrat e tyre; edhe pse janë të mençur dhe oratorë, frika e Allahut ua ka mbyllur gojën atyre.

Me vepra të pastra vrapojnë kah Allahu. Veprat e kryera që janë tek Allahu, nuk i shohin të shumtë. Edhe pse janë të mirë, e shohin veten si të keq. Këta janë njerëzit e mençur e të mirë . O Hisham, turpi buron prej imanit, e imani prej xhenetit. Ndërsa, fjala e shëmtuar buron prej padrejtësisë, e padrejtësia prej xhehenemit. O Hisham, ekzistojnë tri grupe të oratorëve: Që përfitojnë, që mbesin të sigurt dhe që shkatërrohen. Përfituesit janë ata që e përmendin Allahun; që mbesin të sigurt janë ata që heshtin; që janë shkatërruar janë ata që kanë shkuar mbas të pavërtetës. Allahu u ka ndaluar xhenetin atyre që flasin fjalë të shëmtuara, që e kanë gjuhën e keqe dhe atyre që janë të paturpshëm e që nuk i kushtojnë rëndësi asaj që flasin vetë dhe të tjerët. 

 

Ebu Zerri thotë: O ti njeri që po kërkon dituri, kjo gjuhë është çelësi i të mbarës dhe i sherrit; sikur që e mbyll arin e argjendin, ashtu edhe mbylle gojën tënde . O Hisham, sa i keq është robi me dy fytyra dhe dy gjuhë. Kur është në praninë e vëllait, e lëvdon atë; kur nuk është në praninë e tij, ia ha mishin e tij (e përgojon atë). Kur t i jepet vëllait të tij ndonjë dhunti, e xhelozon dhe kur të hasë në vështirësi vëllai i tij, e braktis atë. Sevapi që arrin më së shpejti te robi është sevapi i bamirësisë. Mëkati që arrin më së shpejti është mëkati i padrejtësisë. Robi më i keq është ai prej të cilit ikin njerëzit për shkak të gjuhës së tij të ligë. Athua njerëzit i fut në zjarr gjuha dhe prodhimet e saj (fjalët) apo diçka tjetër? Largimi prej fjalëve të kota është treguesi i bukurisë së fesë të një personi.

O Hisham, nuk është besimtar ai që nuk është brenda frikës dhe shpresës. Nuk është brenda frikës dhe shpresës ai që nuk punon për atë gjë që shpreson dhe që i frikohet. O Hisham, Allahu Teala ka thënë: Betohem në famën, lartësinë madhështinë, shkëlqimin dhe lartësinë e pozitës Sime se do ta bëjë të panevojshëm (të mos ndiejë nevojë për asgjë) atë person që e preferon dëshirën Time ndaj dëshirës së tij; do të bëjë që përpjekja e tij të bëhet për botën e ardhshme; do ta bëjë të suksesshëm në punën e tij, do t ia garantojë furnizimin në qiej dhe në tokë dhe do ta bëjë që të përfitojë në çdo tregti me tregtarët tjerë .

O Hisham, zemërimi është çelësi i sherrit. Më i përkryeri prej besimtarëve për nga imani është ai që e ka moralin më të bukur. Mundohu që të bëhesh më i miri prej atyre që kontaktojnë me njerëzit me qëllim të vendosjes së marrëdhënieve ndërmjet njerëzve dhe të komunikimit me ta. O Hisham, gjithmonë sillu but me njerëzit. Sepse, butësia sjell fatmirësinë; vrazhdësia sjell fatkeqësinë. Butësia, bamirësia dhe morali i bukur e shtojnë furnizimin dhe i përmirësojnë qytetet.

O Hisham, urdhri i Allahut: A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diç tjetër, pos të së mirës! (Rahman, 60). Është i vlefshëm për të gjithë besimtarët dhe jobesimtarët, si dhe për njerëzit e mirë dhe të ligë. Atij që i bëhet mirë, duhet ta kompensojë atë. Dhe, dije që nuk do të llogaritet si epërsi në kompensimin e mirësisë nëse nuk ia bën një mirësi më të madhe, duke ia kthyer vetëm në mënyrën e 

njëjtë. Epërsia në kompensimin e mirësisë qëndron në atë se kush e bën atë mirësi i pari. O Hisham, bota i përngjan një gjarpri që anën e jashtme e ka të butë ndërsa, në brendësi përmban helmin vdekjeprurës; njeriu i mençur ruhet, ndërsa fëmija zgjat dorën.

 

O Hisham, duro ndaj nënshtrimit të Allahut! Ruaju nga kundërshtimi i Allahut! Bota përbëhet vetëm prej një periudhe të shkurtër kohore; të kaluarës nuk mund t'ia shijosh as gëzimin, as pikëllimin, ndërsa të ardhmen nuk mund ta parashikosh. Prandaj, trego durim ndaj kësaj kohe në të cilën gjendesh (në mënyrë që të përfitosh prej saj).

O Hisham, kjo botë i përngjan ujit të detit; sado që ta pijë ai që është i etshëm, nuk do të mund ta shuajë etjen, përkundrazi do t ia shtojë etjen përderisa ta çojë në vdekje. O Hisham, ruaju nga mendjemadhësia. Nuk do të mund të hyjë në xhenet ai, që zemra e të cilit përmban edhe një sasi më të vogël të mendjemadhësisë. Madhështia është veshja e Allahut; kush shtyhet me Allahun në lidhje me veshjen e Tij, do të hyjë në xhehenem.

 

O Hisham, nuk është ndër ne ai që nuk kërkon llogari prej vetes çdo ditë. Nëse ka bërë ndonjë punë të mirë, duhet ta shtojë atë punë; nëse ka bërë ndonjë punë të keqe, duhet të kërkojë falje prej Allahut dhe të pendohet duke iu drejtuar Allahut. O Hisham, kjo botë iu paraqit Hz Isës (a.s.) në formën e një gruaje me sytë e kaltër. Hz Isa (a.s.) e pyeti atë: Sa herë je martuar deri më sot? - ajo i tha: Shumë herë . Pastaj Hz Isa (a.s.) e pyeti: A të kanë shkurorëzuar të gjithë? - ajo u përgjigj: Jo, të gjithë i kam mbytur . Atëherë, Hz Isa (a.s.) tha: Turp të kenë ata që do të martohen me ty; si nuk po marrin mësim prej të parëve?

 O Hisham, ndriçimi i trupit është i lidhur me syrin. Nëse syri është i ndriçuar, tërë trupi do të jetë i ndriçuar. Ndriçimi i shpirtit është i lidhur me mendjen; nëse robi është i mençur do ta njohë Zotin e tij dhe kur ta njohë Zotin e tij do të mësojë fenë e tij; nëse nuk e njeh Zotin e Tij, nuk do të njohë as fenë e tij. Sikur që trupi qëndron në këmbë përmes shpirtit, ashtu edhe feja qëndron në këmbë përmes nijetit të pastër. Nijeti i pastër do të fitojë qëndrueshmëri përmes dritës së mendjes.

O Hisham, bujqësia punohet në tokën e butë, jo mbi shkëmb. Edhe urtësia vendoset në zemrën e modestit, jo te zemra e vrazhdë. Allahu Teala, modestinë e ka caktuar si mjet të mendjes, ndërsa mendjemadhësinë si mjet të paditurisë. A nuk e di se ai që e mban kokën drejt, do t ia mëshojë tavanit me kokë dhe do t i çahet koka, ndërsa ai që përulet do të përfitojë nga hija e tavanit? Edhe Allahu e lartëson modestin dhe e poshtëron mendjemadhin.

 

O Hisham, sa e keqe është varfëria mbas pasurisë dhe mëkati mbas ibadetit. Më e keqe se kjo është heqja dorë nga ibadeti e një robi që i bën ibadet Allahut. O Hisham, kjo jetë është e mbarë vetëm për dy vetë: Ai që dëgjon e kupton dhe dijetari që flet

 O Hisham, nuk i është ndarë robërve një gjë më e lartësuar se mendja. Gjumi i njeriut të mençur është më i lartësuar se ibadeti i të paditurit, që e kalon natën në ibadet. Të gjithë të dërguarit, Allahu i ka dërguar përmes mendjeve më të lartësuara në popull dhe asnjëri nuk ka mundur t i arrijë mendjet e tyre përkundër përpjekjeve të shumta që kanë bërë. Asnjë rob nuk mund t i zbatojë obligimet e Allahut, pa e përfshirë atë përmes mendjes.

O Hisham, kur ta shohësh besimtarin duke heshtur, afrohu tek ai, sepse, ai flet fjalë të urta. Besimtari flet pak dhe vepron shumë. Dyfytyrëshi flet shumë dhe vepron pak. O Hisham, Allahu Teala i ka shpallur Hz Daudit: O Daud, thuaju robërve të mi që të mos ndërmjetësojnë tek unë përmes një dijetari që është mashtruar mbas kësaj bote. Sepse, dijetari i tillë do t i pengojë ata në përmendjen, lutjen dhe dashurinë ndaj Meje. Dijetarët e tillë e ndërpresin rrugën e robërve të Mi. Ndëshkimi më i vogël për ata është nxjerrja e dashurisë dhe e shijes së ndjenjës së kënaqësisë prej zemrave të tyre, të cilën e ndien njeriu gjatë lutjes .

O Hisham, do ta mallkojnë engjëjt e tokës dhe të qiellit atë që bëhet kryelartë. Ka kundërshtuar Allahun ai që tregon kryelartësi dhe epërsi ndaj vëllezërve të tij. Kush përpiqet për të treguar një epërsi, të cilin nuk e zotëron, e ka harxhuar mundin e tij në një gjë të kotë. O Hisham, Allahu Teala i ka shpallur Hz Daudit: O Daud, largoji sahabet e tua prej dashurisë ndaj epsheve dhe frikoji prej përfundimeve të veprave të tilla. Padyshim që zemrat e lidhura me epshet e kësaj bote janë larg prej Meje .

O Hisham, ruaju nga lavdërimi përmes diturisë dhe tregimi i mendjemadhësisë ndaj miqve, ngase, nëse vepron në këtë mënyrë, do të të ndëshkojë Allahu. Dhe, kur të të ndëshkojë Allahu, nuk do të kesh më dobi as në këtë, as në botën e ardhshme. Bëhu sikur ai që rri  në një shtëpi që nuk është e tij dhe që në çdo çast është duke pritur që të migrojë. Nderi i kësaj dhe i botës së ardhshme është shoqërimi me njohësin e fesë. Konsultimi me një njeri që e do mirësinë është bereqet, fatmirësi, maturi dhe një sukses hyjnor. Mos e kundërshto këshilluesin e mençur dhe atë që e do mirësinë, sepse,  ky qëndrim do të të shkaktojë shkatërrimin tënd.

 

O Hisham, mos u shoqëro dhe mos vendos miqësi me çdokënd. Nëse e gjen ndonjë person të besueshëm, miqësohu me të, përndryshe ik (prej të pabesueshmëve) sikur që ikën prej bishave gjakatare. Një njeri i mençur, kur të bëjë një punë të padashur, duhet të turpërohet prej Allahut dhe disa dhunti që ia ka caktuar Allahu, duhet t'i ndajë me të tjerët. Nëse përballesh me dy punë dhe nuk di se cila është më e mbara për ty, atëherë vështro se cila po i përshtatet më tepër epsheve dhe pasioneve të tua dhe largohu prej saj.

Shumica e punëve të mbara janë në kundërshtim me epshet dhe pasionet. Ruaju që urtësia e përvetësuar të mos kalojë në duart e të padijshmëve. Hishami e pyeti Imamin (a.s.): Si të veprojë nëse takohem me njërin që është në kërkim të urtësisë por nuk ka fuqi mendore për t i kapluar fjalët e folura? . Imami (a.s.) iu përgjigj: Këshilloje në mënyrë të butë; nëse edhe kjo ia shtrëngon zemrën, atëherë mos ia nënshtro veten nxitjes. Frikohu prej mohimit të mendjemëdhenjve. Nuk do të ketë vlerë ajo dituri që u shpjegohet atyre përderisa janë në gjumë.

Pastaj, Hishami pyeti: Si të veprojë nëse nuk mund të gjejë njërin që nuk di të parashtrojë pyetje? - Imami (a.s.) u përgjigj: Duhet të dish për begati shpëtimin nga e keqja e të folurit dhe të refuzimit të fjalëve (mos insisto në shpjegimin e fjalëve të urta ndaj atij që nuk ka aftësi kuptimi). Dije që, Allahu i lartëson modestët, jo sipas sasisë së modestisë, por sipas asaj se sa i përshtaten fisnikërisë dhe bujarisë së tyre. Atyre që frikohen, u dhuron siguri për aq sa mbështeten në fisnikërinë dhe mirësinë e tyre. Dhe, atyre që janë të pikëlluar u dhuron rehati sipas asaj sesa i përshtaten mëshirës dhe dhembshurisë së tyre.

 

Allahu Mëshirëplotë dhe Falës nuk e kursen mëshirën e Tij as prej atyre që i mundojnë të afërmit e Tij, prandaj, mendo mirë se si do të sillesh ndaj robërve që janë të shtypur e torturuar në rrugën e Tij! Allahu është Pranuesi i pendimit dhe të atyre që i bëjnë armiqësi Atij; prandaj, mendo se si do të sillesh ndaj atyre që mundohen për të fituar kënaqësinë e Tij dhe që u janë ekspozuar armiqësisë së njerëzve për hir të Tij! O Hisham, kush e dashuron këtë botë, nga zemra e tij do të dalë frika e botës së ardhshme. Nëse një robi i jepet dituria dhe i shtohet dashuria ndaj kësaj bote, do të rritet distanca e largimit të tij prej Allahut dhe do të shtohet ndëshkimi i Allahut ndaj tij.

O Hisham, i mençuri do të heqë dorë prej një pune për të cilën nuk ka fuqi. Shumica e punëve të drejta janë në kundërshtim me dëshirat e epshit. Është e keqe vepra e atij që i ka dëshirat e gjata. O Hisham, sikur të kishe parë ardhjen e vdekjes, do të kishe braktisur dëshirat e gjata. O Hisham, ruaju nga lakmia. Mos ua vë syrin gjërave që gjenden në duart e të tjerëve. Mos shpreso asgjë prej njerëzve, këtë fshije prej mendjes, sepse, vënia e syrit ndaj ndonjë gjëje është çelësi i poshtërimit dhe ky qëndrim e asgjëson mendjen, e kalb trimërinë, e njollos nderin dhe e humb diturinë. Mos harro strehimin dhe mbështetjen tek Allahu.

 

Lufto kundër epshit tënd, me qëllimin e heqjes dorë prej dëshirave të tij. Është obligim lufta kundër epshit, njëjtë sikur kundër armikut. Hishami thotë: E pyeta Imamin: Kundër cilit armik është më obliguese lufta? Imami (a.s.) u përgjigj: Më detyruese është lufta kundër armikut që është më i afërt, më i dhunshëm, më i rrezikshëm, dhe që e ka armiqësinë më të madhe ndaj teje; bashkë me afërsinë ndaj teje edhe me fshehtësinë (që e fsheh armiqësinë) e tij dhe me nxitjen e armiqve tjerë kundër teje. Pra, lufta më detyruese është lufta kundër shejtanit, që ka marrë përsipër detyrën e futjes së vesveseve në zemrat e njerëzve.

Lufta jote kundër shejtanit duhet të jetë më e vrullshmja; ai mundohet që të bëhet sa më i ashpër ndaj teje në mënyrë që të të shkatërrojë ngase, përkundër asaj që shejtani është i fortë, ai është më i dobët se ti; edhe pse është i sherrit, dëmi që mund të shkaktojë është më i vogël se yti. Nëse mbështetesh tek Allahu, do ta gjesh rrugën e drejtë.

O Hisham, kujt ia ka dhuruar Allahu tri gjëra, është gjetur në mirësi ndaj tij: Mendja që i lufton epshet dhe pasionet, dituria që fiton mbi paditurinë dhe pasuria që i mjafton për ta mposhtur frikën e varfërisë . O Hisham, frikohu prej kësaj bote dhe atyre që janë dhënë mbas saj. Njerëzit e kësaj bote ndahen në katër grupe: Njerëzit e pavendosur që i pasojnë epshet e pasionet e tyre; njerëzve që u shtohet 

mendjemadhësia me shtimin e diturisë (dituria e përvetësuar e të cilëve u siguron një epërsi ndaj të tjerëve); fetarët e padijshëm që i ofendojnë të tjerët, ibadetet e të cilëve janë më të pakta sesa të të tjerëve dhe që kërkojnë që të respektohen nga ana e tyre dhe, ai që e njeh rrugën e drejtë dhe që dëshiron të veprojë në atë drejtim, por (për shkak të arsyeve të ndryshme) nuk ka mundësi dhe aftësi për ta bërë këtë dijetari që nuk ka fuqi për të zbatuar diturinë e tij në mesin e njerëzve dhe për këtë arsye rri i pikëlluar e i brengosur ky është personi më fisnik dhe më i lartësuar i kohës.

 

O Hisham, nëse dëshiron që të bëhesh prej atyre që e kanë njohur udhëzimin, njihe diturinë dhe ushtarët e tij, si dhe paditurinë dhe ushtarët e tij. Hishami i tha: Të qoftë kurban shpirti im për ty, ne nuk dimë asgjë përveç asaj çka na mëson . Atëherë Imami (a.s.) tha:

O Hisham, prej krijesave shpirtërore, Allahu më së pari e krijoi mendjen prej dritës së Tij. Pastaj, i tha atij kthehu mbrapa dhe ai u kthye, pastaj i tha afrohu dhe ai u afrua. Atëherë, Allahu tha: Të kam krijuar si një krijesë të lartësuar prej të gjitha krijesave tjera . Pastaj, e krijoi paditurinë prej një deti të errësuar e të hidhur. Kur i tha paditurisë që të kthehet mbrapa, ai u kthye por kur e thirri të afrohet, nuk u afrua.  Atëherë, Allahu i tha: Ke treguar mendjemadhësi dhe e mallkoi atë. Pastaj, caktoi 75 ushtarë për mendjen. Kur e pa padituria se çka i kishte dhuruar Allahu mendjes, filloi ta lakmojë atë dhe tha: O Zoti im, edhe ai është një krijesë sikur unë. Atë e krijove, u gjende në dhurim ndaj tij dhe e përforcove; ndërsa, unë jam e kundërta e saj dhe nuk kam fuqi kundër saj. Më jep edhe mua ushtarë, aq sa i ke dhënë asaj .

 

Allahu tha: Ta plotësova dëshirën dhe nëse më kundërshton edhe mbas kësaj, do të të dëbojë nga mëshira Ime . Padituria i tha: Ashtu le të bëhet . Allahu ia caktoi edhe paditurisë 75 ushtarë. Ndihmësi i mendjes është e mbara, që është njëri prej 75 ushtarëve të mendjes. Allahu e krijoi sherrin si të kundërtën e të mbarës, dhe ai është ndihmësi i paditurisë.    

 

8.2 USHTARËT E MENDJES DHE TË PADITURISË 

 

O Hisham, të gjithë këta ushtarë mund të gjenden në një vend vetëm te zemrat e profetëve e të trashëgimtarëve të tyre apo te zemra e një besimtari të cilin Allahu e sprovon përmes besimit. Por, përderisa mendja e një besimtari ta arrijë përkryerjen dhe përderisa të shpëtojë prej ushtarëve të paditurisë, mund të zotërojë vetëm disa prej ushtarëve të mendjes. Kur të shpëtojnë prej ushtarëve të paditurisë, do të jenë bashkë me profetët dhe trashëgimtarët e tyre në pozitat e tyre të larta. Allahu na mundësoftë që t'i nënshtrohemi Atij.  

 

8.3 DISA PREJ FJALËVE TË URTA  

 

Namazet e natës janë mjete të afrimit tek Allahu për çdo besimtar. Haxhi është xhihadi i çdo të pafuqishmi. Çdo gjë e ka zeqatin e tij; zeqati i trupit është agjërimi i preferuar. Mbas njohjes së Allahut, ibadeti më i madh është pritja e çlirimit (Imam Mehdiut a.s.) Ai që i lutet Allahut, pa e filluar lutjen me falënderim ndaj Allahut dhe pa i dërguar përshëndetje të Dërguarit, i përngjan atij që e gjuan shigjetën përmes harkut që nuk ka fije. Ai që beson bindshëm në shpërblimin e Allahut, do të dhurojë me zemërgjerësi. Ai që vepron në mënyrë të matur, nuk do të ndiejë nevojë. Masa paraprake është gjysma e jetesës. Të bërit të dashur veten ndaj njerëzve është gjysma e mendjes. Vuajtjet e shumta sjellin plakjen. Ngutësia është vetë padituria.

Numri i vogël i anëtarëve të familjes është njëra prej dy lehtësive (e dyta është pasuria). Kush i ka pikëlluar prindërit, ka bërë revoltë ndaj tyre. Kush ia mëshon njërës dorë me dorën tjetër ose prehrit gjatë fatkeqësive, do të privohet nga shpërblimi. Shpërblimi i fatkeqësisë do të arrihet vetëm përmes durimit dhe përmes thënies Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun (Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi) gjatë kohës së fatkeqësisë.

 

Bamirësia do të llogaritet bamirësi vetëm nëse i bëhet ndaj njeriut të ndershëm. Allahu ndihmon sipas sasisë së nevojës dhe jep durim sipas llojit të fatkeqësisë. Do t i mbetet e përhershme dhuntia e atij që ruhet nga të tepruarit dhe tregon kënaqësi me të paktën. Do t i asgjësohet dhuntia e atij që bëhet shkapërderdhës dhe që harxhon pa nevojë. Kthimi i amanetit dhe zbatimi i drejtësisë sjellin furnizim. Pabesia dhe gënjeshtra sjellin varfëri dhe grindje. Nëse dëshiron Allahu ta ballafaqojë milingonën me një fatkeqësi, do t i dhurojë dy krahë, milingona do të fluturojë dhe do të bëhet ushqim për zogjtë. Bamirësia do të përkryhet vetëm përmes tri kushteve: Llogaritja e saj si e vogël, fshehja e saj dhe ngutja gjatë kryerjes së bamirësisë. Ai që e konsideron bamirësinë si të vogël, e ka zmadhuar vëllanë e tij; ai që e konsideron bamirësinë si të madhe, e ka zvogëluar vëllanë e tij. Kush e fsheh bamirësinë e kryer, puna e tij do të fitojë në vlerë. Kush ngutet në zbatimin e fjalës së dhënë, gjëja e dhënë do të bëhet më e këndshme.  

 

8.4 NJË PJESË E BISEDËS SË GJATË ME HARUN RESHIDIN

 

Harun Reshidi urdhëroi burgosjen e Imam Musa ibni Xhaferit (a.s.) në bazë të disa informatave të rrejshme që arritën deri tek ai. E sollën Imamin (a.s.) para kuvendit të Harunit dhe kuvendarët filluan ta fajësojnë për vepra të pahijshme. Ia dorëzuan një ankesë të gjatë, të cilën e lexoi kalimthi Imami (a.s.) dhe pastaj i tha Harunit: -O prijësi i besimtarëve, ne jemi një familje që vazhdimisht sprovohemi përmes shpifjeve që na etiketohen. Zoti ynë është falës dhe mbulues i sekreteve. Ai nuk ka dashur t i zbulojë të vërtetat deri te koha e dhënies së llogarisë; atë ditë nuk do të sjellin dobi as fëmijët as malli; do të kenë dobi vetëm ata që vijnë me një zemër të pastër para Allahut- Pastaj, Imami (a.s.) vazhdoi: -Më ka treguar babai, i cili ka transmetuar prej babait të tij dhe ky prej Aliut (a.s.), ndërsa Aliu (a.s.) prej të Dërguarit (s.a.a.): Para se të takohen dhe t i japin dorën njëri tjetrit dy të afërm, në mes tyre do të paraqitet vështirësia. Mbasi që të takohen, vështirësia do të zbutet. 

 

Nëse kalifi e sheh të arsyeshme, le të takohet me mua duke i shtrënguar duart. Haruni zbriti prej fronit dhe ia zgjati dorën e djathtë Imamit (a.s.) dhe u takuan. Pastaj, e përqafoi dhe e uli në anën e djathtë të tij, duke thënë: -Dëshmoj se ti e flet të vërtetën, edhe babai yt fliste të vërtetën si dhe gjyshi dhe Resulullahu (s.a.a.). Kur hytë brenda, isha i zemëruar shumë prej lajmeve që i kisha marrë në lidhje me ty. Por, mbas fjalës që e thatë dhe të shtrëngimit të dorës me ju, më doli prej zemrës zemërimi ndaj jush dhe në vend të tij hyri kënaqësia.

- Pastaj, Haruni heshti për një çast dhe tha:

-Dëshiroj të pyes në lidhje me Abbasin dhe Aliun.

Abbasi ishte axha i Resulullahut dhe vëllai i babait të Resulullahut. Pse Aliu të ketë përparësi në trashëgiminë e Resulullahut?

- Imami (a.s.) tha: -Më liro nga dhënia e përgjigjes në këtë pyetje

-. Por, Haruni tha: -Vallahi, nuk të liroj nga dhënia e përgjigjes

-. Atëherë, Imami (a.s.) tha:

-Nëse nuk më liron, atëherë më garanto siguri

-. Haruni tha:

-Të garantoj siguri

-. Atëherë, Imami (a.s.) tha:

-Resulullahu (s.a.a.) ka privuar nga trashëgimia atë person që ka pasur mundësi për të migruar, por nuk ka migruar. Babai yt besoi, por nuk migroi. Por, Aliu (a.s.) besoi dhe migroi. Allahu në Kuran thotë: Ata që besuan por nuk u shpërngulën, ju nuk keni përkujdes as ndihmë për ta derisa të shpërngulen edhe ata (Enfal, 72)

 

Ngjyra e fytyrës së Harunit iu ndërrua, dhe tha:

-Pse ju e lidhni prejardhjen tuaj me Resulullahun përmes nënës (vajzës së Resulullahut) dhe jo përmes babës (Hz Aliut) dhe thoni se jeni djemtë e Resulullahut?

-. Imami (a.s.) u përgjigj:

-Allahu Teala Hz Isën (a.s.) e lidh me trashëgimtarët e profetit Hz Ibrahim (a.s.) përmes një gruaje të cilën nuk e ka prekur asnjë mashkull, Hz Merjemen (a.s.). Allahu Teala në Kuran thotë: Ne atij (Ibrahimit) i falëm Is'hakun dhe Jakubin dhe secilin prej tyre e udhëzuam. Më parë edhe Nuhun e patëm udhëzuar. E nga pasardhësit e tij (të Ibrahimit) udhëzuam Davudin, Sulejmanin, Ejjubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë bamirësit. Edhe Zekerijanë, Jahjanë, Isain, Ilijasin të gjithë prej të mirëve (Enam, 84-85). Hz Isën (a.s.) e lidh me Hz Ibrahimin (a.s.) vetëm përmes nënës së tij. Ndërsa, Daudi (a.s.), Sylejmani (a.s.), Ejubi (a.s.), Musa (a.s.) dhe Haruni (a.s.) lidhen përmes babait me Hz Ibrahimin (a.s.).

 

Lidhja e Hz Isës (a.s.) me Hz Ibrahimin (a.s.) vetëm përmes nënës së tij është një gradë dhe virtyt. Allahu, në tregimin për Hz Merjemin, thotë: Përkujto kur engjëjt i thanë: "Oj Merjeme, Allahu të zgjodhi ty, të pastroi dhe të lartësoi mbi gratë e botës" (Ali Imran, 42). Kjo epërsi është bërë përmes Hz Isës (a.s.). Në këtë mënyrë Allahu e zgjodhi edhe Hz Fatimen, e pastroi atë dhe përmes të rinjve të xhenetit, Hasanit dhe Hysejnit, e lartësoi mbi të gjitha gratë e botës-. Haruni u shqetësua shumë kur i dëgjoi këto fjalë, dhe tha: -Prej nga e keni nxjerrë rregullën se nëse njeriu nuk ia jep humusin atij që i takon, do të paraqiten mangësitë te fëmijët e tyre?- Imami (a.s.) tha: -Kjo është një çështje e tillë, që asnjë sulltan para teje nuk e ka parashtruar këtë pyetje. O Prijësi i Besimtarëve, këtë nuk e kanë kërkuar as Tejmi as Adiji (Ymeri dhe Ebu Bekri) dhe asnjëri prej Emevitëve.

 

Mos kërko nga unë shpjegimin e këtij sekreti.  -Nëse e kuptoj se sekreti është përhapur nga ana jote, do ta marr mbrapa garantimin. -E pranoj këtë- Pastaj, Haruni tha: -Është shtuar numri i atyre që nuk i besojnë Allahut dhe botës së ardhshme (ateistë). Sipas informatave të pranuara, ata gjenden në mesin tuaj; sipas jush kush është ateistë?-Imami tha: -Ateist është ai që e mohon Allahun dhe të dërguarin e Tij, në të vërtetë që i tregon armiqësi Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Allahu thotë: Nuk gjen popull që e beson Allahun dhe ditën e gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre . (Muxhadele, 22) Mulhid është personi që është kthyer prej njësisë së Zotit kah pafeja. Haruni tha: -Na trego pra, kush është ateisti dhe mulhidi i parë?- Imami tha: -Ateisti dhe mulhidi i parë në qiellë është shejtani i mallkuar; ai tregoi kryelartësi kundër robit të zgjedhur të Allahut duke thënë: Unë jam më i vlefshëm se ai, më krijove mua nga zjarri, e atë e krijove nga balta! (Araf, 12). Shejtani u largua prej urdhrit të Allahut dhe u bë mulhid. Pasardhësit e tij e vazhduan këtë kundërshtim deri në ditën e Kiametit-. Haruni pyeti me habi: -A edhe shejtani i ka pasardhësit e tij? -Po, a nuk e ke dëgjuar këtë fjalë të Allahut: (Përkujto) Kur u thamë engjëjve: "Përuluni Ademit,  ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet". Vallë, a në vend Timin do ta merrni për miq atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiqtë tuaj?" Sa këmbim i shëmtuar është ai i jobesimtarëve! Unë nuk ua prezantova krijimin e qiejve e të tokës atyre që po i adhuroni e as krijimin e vetë atyre, e as nuk mora ndihmëtarë të humburit (Kehf, 50-51).

 

Ata janë duke i devijuar pasardhësit e Ademit përmes gënjeshtrave dhe shkëlqimeve të rrejshme dhe krahas kësaj dëshmojnë njësinë e Allahut. Ndërsa, Allahu u ka thënë atyre: Nëse ti i pyet ata: Kush i krijoi qiejt e tokën? Me siguri do të thonë: "Allahu!" Thuaj: "Allahut i qoftë lavdërimi!" Por shumica e tyre nuk dinë (Llukman, 25). Përgjigjja e tyre është vetëm një frymëzim, adet dhe diçka që flitet përmes gjuhës. Edhe nëse dëshmon njëri që nuk ka dituri, prapë do të mbetet në mesin e dyshimit, xhelozisë dhe inatit.

Për këtë arsye arabët thonë: Njeriu bëhet armik i asaj, për të cilën nuk ka dituri. Ai që braktis diçka prej paaftësisë së tij për të kuptuar, do ta përgënjeshtrojë dhe do ta mohojë atë , kjo buron prej paditurisë së tij. -Për hakun e nderit të baballarëve tuaj, na trego disa fjalë në lidhje me rrjedhshmërinë e punëve tona (fjalë që mund të jenë zgjedhje për problemet tona të përgjithshme). Imami tha: -Po, bën. Më sillni letër dhe laps.- dhe Imami (a.s.) filloi të shkruajë:  

Bismil-lahir-rahmanir-rahim Të gjitha çështjet e religjioneve ndahen në katër grupe:  

1- Çështjet që nuk janë kundërshtuese, që janë të domosdoshme për popullin dhe që pajtohen të gjithë në nevojën e ekzistimit të tyre (çështjet e prera dhe të qarta).  

2- Hadithet për të cilat është arritur pajtimi unanim, që është përkushtimi për prezantimin e të gjitha dyshimeve dhe prej nga nxirren dispozitat për të gjitha çështjet. Këto janë çështjet e pranuara nga ana e popullit në mënyrë unanime.  

3- Çështjet që kanë mundësinë e dyshimit dhe të mohimit të tyre, dhe që sqarimet për këto çështje duhet kërkuar prej atyre që i njohin mirë këto çështje. Ai që dëshiron ta paraqesë pikëpamjen e tij në lidhje me këto çështje, duhet të sjellë argumente prej librit të Allahut apo traditës së pakontestueshme, në shpjegimin dhe interpretimin e të cilëve është arritur pajtimi i plotë.  

4- Rregulla apo norma, të cilën e konfirmojnë mendjet dhe të cilën e pranon populli pa pasur ndonjë dyshim apo mohim ndaj saj.  

Këto dy çështje (çështjet e prera dhe unanime dhe çështjet e dyshimta) përfshijnë të gjitha çështjet që fillojnë prej shpagesës së kullosës e deri te njësia e Allahut. Prandaj, pranoje çdo çështje fetare me të cilën ballafaqohesh argumenti i së cilës është i qëndrueshëm për ty dhe, refuzoji ato çështje të cilat e kanë të fshehur të vërtetën. Kush i drejtohet njërës prej këtyre tri çështjeve (çështjet e prera, tradita unanime dhe rregullat që i konfirmon mendja) për të vërtetuar fjalën e tij, është drejtuar kah një argument i qartë e i hapur. Allahu i ka thënë Resulullahut (s.a.a.): Thuaj: "Allahu ka argumentin më të plotë dhe sikur të donte Ai do t'ju vinte në rrugë të drejtë të gjithëve" (Enam, 149).

 

Nëse i prezantohet një të padituri një argument i qartë, sikur që e kupton dijetari me diturinë e tij ashtu edhe i padituri do ta kuptojë me paditurinë e tij (të gjitha argumentet që përputhen me natyrën e pastër të njeriut, do të pranohen dhe dëshmohen nga ana e të gjithë njerëzve). Sepse, Allahu është i drejtë, nuk bën padrejtësi; robërve u sjell dëshmi përmes asaj që është e njohur për ata dhe ata i thërret kah ajo që është e kuptueshme për ata; jo për gjërat e panjohura dhe të pakuptueshme. Mbas kësaj Haruni e shpërbleu Imamin (a.s.) dhe e ktheu mbrapa.

 

8.5 FJALËT LIDHUR ME KËSHILLAT, URTËSINË, ASKETIZMIN  DHE DEVOTSHMËRINË  

 

1- Ai që e njeh Allahun dhe që nuk di se Allahu e vonon dhënien e furnizimit, nuk duhet ta fajësojë Atë në lidhje me caktimin dhe paracaktimin e tij.  

2- E pyetën: Çka është bindja e sigurt? - Imami (a.s.) u përgjigj: Mbështetja në Allahun, dorëzimi ndaj Tij, tregimi i kënaqësisë për caktimin dhe paracaktimin dhe lënia e të gjitha punëve në dorën e Allahut . 

3- Abdulla ibn  Jahja rrëfen: Në një letër që ia dërgova Imamit (a.s.), në mes tjerash shkrova: Falënderimi qoftë për Allahun sipas sasisë së fundme të diturisë së Tij , ndërsa në përgjigjen e tij shkruante: Mos thuaj sipas sasisë së fundme të diturisë së Tij, sepse, dituria e Allahut është e pafundme dhe e pakufishme, por thuaj sipas sasisë së fundme të kënaqësisë së Tij.  

4- E pyeti një person Imamin (a.s.): Kush është bujar? - ai e dha këtë përgjigje: Pyetja përmban dy alternativa: Nëse pyetja ka të bëjë me krijesat, atëherë bujar është ai që e paguan atë çka ka bërë obligim Allahu për të paguar. Ndërsa, koprrac është ai që nuk e paguan atë. Nëse pyetja jote ka të bëjë me Allahun, atëherë Allahu është bujar, edhe nëse dhuron, edhe nëse nuk dhuron; edhe nëse jep, edhe nëse nuk jep. Nëse ka dhuruar, nuk i ka dhuruar atij që nuk e ka merituar; edhe nëse nuk ka dhuruar, nuk e ka bërë këtë për arsye se nuk e ka merituar.  

5- Njërit prej miqve i tha: O burrë, frikohu nga Allahu. Thuaje të vërtetën edhe nëse bëhet shkaktare e shkatërrimit tënd. Me të vërtetë, aty është shpëtimi. O burrë, frikohu nga Allahu; braktise të pavërtetën, edhe nëse është shkaktare e shpëtimit tënd, sepse, aty është shkatërrimi yt.  

6- Përfaqësuesi i Imamit (a.s.) i tha Imamit (a.s.): Vallahi, unë nuk ju tradhtova , ndërsa Imami (a.s.) ia ktheu: Për mua është njëjtë tradhtia apo mosruajtja e mallit (sepse, në të dy rastet malli është i humbur në dorën tënde), por, tradhtia është shumë e keqe për ty . 7- Mos e kurse mallin në rrugën e nënshtrimit ndaj Allahut, sepse, do ta harxhosh dyfishin e tij në rrugën e mëkatit ndaj Tij.  

8- Besimtari është sikur peshorja me dy tase: Me shtimin e imanit do të shtohen mundimet.  

9- Imami (a.s.) u ndal afër një varri dhe tha:  

 

Nuk duhet të lidhemi me shpirt për një gjë (jeta e kësaj bote), fundi i të cilit është ky. Duhet të frikohemi prej fundit të një gjëje (ahiretit), fillimi i të cilit është ky.  

10- Kush flet për qenien e Allahut, do të shkatërrohet. Kush kërkon pozita udhëheqëse, do të shkatërrohet. Dhe, kush kaplohet nga egoizmi, do të shkatërrohet.  

11- Është vështirësuar puna për fe dhe për këtë botë: Sa i përket kësaj bote, pa zgjatur dorën kah ajo, do të vëresh se atë e ka zotëruar një tregtar para teje. Sa i përket furnizimit të botës së ardhshme, nuk do të mund të gjesh një ndihmës për ta përvetësuar atë.  

12- Katër gjëra burojnë prej vesveses (mundimet shpirtërore të cilat i shkakton shejtani dhe epshi i njeriut): Ngrënia e dheut, luajtja me baltën, prerja e thonjve përmes dhëmbëve dhe futja e mjekrës në gojë.   

Tri gjëra e ndriçojnë syrin e njeriut: Vështrimi i gjelbërimit, i ujit të rrjedhshëm dhe të fytyrës së bukur.  

13- Fqinjësia e mirë, nuk është mosshkaktimi i mundimeve ndaj fqinjit; fqinjësia e mirë, është durimi ndaj mundimeve.  

14- Mos e humb tërë respektin në mes teje dhe vëllait; një pjesë bëre të përhershëm, eepse, asgjësimi i respektit është asgjësimi i turpit.  

15- Njërit prej fëmijëve i tha: O biri imi, ruaju nga Allahu që të të mos shohë ty në veprën e ndaluar dhe në mosbindjen e urdhëruar ndaj Tij. Bëhu serioz dhe prej atyre që tregojnë përpjekje në robërimin ndaj Allahut. Mos e konsidero veten si pa të metë në ibadetin dhe nënshtrimin tënd ndaj Allahut. Nuk është i mundur adhurimi i Allahut në mënyrë të duhur. Ruaju nga bërja e shakasë. Shakaja e shuan dritën e imanit dhe e lehtëson trimërinë. Ruaju nga përtacia dhe mërzia, ngase, të parandalojnë prej pjesës së kësaj dhe të botës së ardhshme.  

16- Në kohën kur të fitojë padrejtësia mbi drejtësinë, asnjëri të mos gjendet në supozimin e mirë ndaj tjetrit - përderisa të shohë ndonjë të mirë tek ai. 

 

17- Nuk është e lejuar puthja në gojë e asnjërit përveç bashkëshortes dhe fëmijëve të vegjël.  

18- Mundohuni që kohën ta ndani në katër pjesë: Një pjesë për lutje ndaj Allahut; një pjesë për të siguruar jetesën; një pjesë për vëllezërit që të informojnë për turpet e tua dhe për njerëzit e besueshëm, që në zemrat e tyre përmbajnë sinqeritet ndaj jush; dhe një pjesë për kënaqësitë e lejuara. Me këtë pjesë (të fundit) do të jeni në gjendje për t i plotësuar ato tri pjesë të para. Mos i sugjeroni vetes varfërinë dhe jetën e gjatë, sepse ai që ia sugjeron vetes varfërinë do të bëhet koprrac dhe ai që sugjerohet me jetë të gjatë, do të bëhet lakmues. Ndajeni për vete një pjesë të trimërisë, aq sa nuk do t ju njollosë dhe që do t ju mundësojë përfitimin e dobisë nga gjërat e lejuara të kësaj bote, por duke mos tepruar, dhe këtë shfrytëzojeni si ndihmës për çështjet fetare. Është transmetuar një hadith i tillë: Nuk është ndër ne ai që heq dorë prej kësaj bote për hir të fesë dhe që heq dorë prej fesë për hir të kësaj bote.  

19- Bëhuni ndër ata që e kuptojnë mirë fenë. Njohja e fesë është çelësi i mendjemprehtësisë, përkryerja e ibadetit dhe një mjet për arritjen e pozitave dhe gradave të larta në fe dhe në këtë botë. Epërsia e njohësit të fesë ndaj atij që i bën adhurim Allahut është sikur epërsia e diellit ndaj yjeve. Kush nuk e njeh mirë fenë, Allahu nuk do t i pëlqejë veprat e tij.  

20- Ali ibni Jaktinit i tha: Sadakaja e punimit afër sulltanit është të ndihmuarit vëllezërve besimtarë.  

21- Kur njerëzit i zbulojnë dhe i kryejnë mëkatet e reja, Allahu do t ua dërgojë fatkeqësitë e papara dhe të panjohura më herët.  

22- Kur të bëhet i drejtë udhëheqësi, do të fitojë shpërblim tek Allahu; ti duhet të falënderosh. Nëse është udhëheqësi i padrejtë, do të fitojë mëkate; ti duhet të durosh.  

23- Ebu Hanife thotë: Në kohën e Xhafer Sadikut shkova në haxh. Kur mbërrita në Medine, shkova në shtëpinë e Imam Sadikut për vizitë. Hyra në sallon dhe isha duke pritur lejen për hyrje. Duke pritur, 

 

u hap dera dhe doli një fëmijë që sapo kishte filluar të ecë. I thashë: O fëmijë, ku mund të shkojë një i huaj në këtë  qytet? Fëmija më tha: Me leje , shkoi dhe u ul, duke u mbajtur për muri, dhe më tha: Ruaju prej brigjeve të lumit, prej vendit ku bien frutatt e pemëve, oborreve të xhamive dhe prej mesit të rrugës. Shko mbas një muri, ngriti teshat lart, mos e kthe fytyrën apo shpinën kah Kibla dhe ulu ku të dëshirosh . Fjalët e fëmijës më habitën dhe e pyeta: Si e ke emrin, o fëmijë? - ai m u përgjigj: Unë jam Musa i biri i Xhaferit, i biri i Muhamedit, i biri i Aliut, i biri i Hysejnit, i biri i Aliut, i biri i Ali Ebi Talibit . Pastaj, e pyeta: O fëmijë, prej kujt është mëkati? - ai u përgjigj: Mëkati mund të jetë prej njërit nga këto tri raste: Ose është prej Allahut, e që nuk është prej Tij, sepse, nuk i ka hije Allahut ta dënojë një rob për shkak të një vepre që nuk e ka bërë. Ose është edhe prej Allahut edhe prej robit, e që nuk është edhe kështu, sepse, nuk ka hije ortakut të fortë t i bëjë padrejtësi ortakut të dobët. Ose është prej robit, e që kjo është e vërteta; nëse e fal Allahu, Ai është falës e bujar. Por, nëse e dënon robin, atëherë kjo është për shkak të mëkatit dhe fajit të robit . Ebu Hanife tha: Më nuk kisha nevojë të takohesha me Imam Sadikun, dhe dola prej aty .  

24- Ebu Ahmed el-Horasani e pyeti Imam Kadhimin (a.s.): A është më i vjetër pabesimi apo politeizmi (përshkrimi i ortakut ndaj Allahut)? - ai më tha: Çka po synon me këtë pyetje? Nuk është vendosur për polemikën tënde me njerëzit . Pastaj, i thashë: Hisham ibni Hakemi më ka urdhëruar t jua parashtroj këtë pyetje . Atëherë Imami (a.s.) më tha: Thuaj atij: Pabesimi është më i vjetër se politeizmi; pabesimtari i parë ishte Iblisi. Në Kuran thuhet: Ai refuzoi, tregoi kryelartësi dhe u bë pabesimtar (Bekare, 34). Pabesimi është një gjë; por politeizmi ka të bëjë me dëshminë e Allahut duke i përshkruar ortak Atij.

25- Imami (a.s.) dëgjoi dy persona duke e sharë njëri tjetrin, dhe u tha atyre: I pari që e fillon sharjen është më i padrejti; mbi do të jetë mëkati i tij dhe i shokut të tij, nëse i dyti nuk e kalon kufirin .  

26- Në Ditën e Kiametit, njëri do të thërrasë me zë të lartë: O njerëz, le të zgjohen në këmbë ata që shpërblimi i tyre iu përket Allahut . Asnjëri nuk do të ngrihet në këmbë, përveç atyre që i kanë 

 

falë të tjerët dhe që e kanë përmirësuar veten. Të tillët janë ata që shpërblimi i tyre i përket Allahut.  

27- Njeriu bujar me moral të bukur është nën strehën e Allahut; Allahu nuk do të heqë dorë prej tij përderisa ta vendosë në xhenet. Allahu nuk ka dërguar asnjë të dërguar që nuk ka qenë bujar. Përderisa ndërroi jetë babai im, gjithnjë më ka këshilluar që të bëhem bujar dhe me moral të bukur.  

28- Sindi ibn Shakiki (personi që ishte i detyruar nga ana e Harun Reshidit ta mbajë nën kontroll Imamin (a.s.) gjatë kohës sa ishte në burg) shkoi tek Imami (a.s.) në kohën para ndërrimit jetë të tij, dhe i tha: Më lejoni që qefinin ta blej unë? - Imami (a.s.) i tha: Ne jemi një familje e tillë që haxhi i parë, shpërblimi i dhënë gjatë martesës dhe qefinët duhet të jenë prej mallit më të pastër .  

29- Imam Musa Kadhimi (a.s.) i tha Fazl ibni Junusit: Përcille të mbarën, thuaje fjalën e mbarë dhe mos u bën imitues . Fazli e pyeti Imamin (a.s.): Çka do të thotë imitues? - ai u përgjigj: Mos thuaj edhe unë jam me njerëzit dhe jam njëri prej tyre (mundohu të mendosh në mënyrë të pavarur). Resulullahu (s.a.a.) ka thënë: O njerëz, ekzistojnë dy rrugë: Rruga e së mbarës dhe e sherrit. Mos t ju pëlqejë më tepër rruga e sherrit sesa ajo e së mbarës.

30- Rrëfehet se një ditë Imam Musa Kadhimi (a.s.) u takua me një skllav të zi e të shëmtuar. U ndal, i dha selam dhe filluan të bisedojnë me të. Para se të ndaheshin Imami (a.s.) i tha që nëse ndien ndonjë nevojë, do të vijë të kërkojë ndihmë prej tij. Një person, që e vështronte këtë ngjarje, i tha Imamit (a.s.): O biri i Resulullahut, ju po kërkoni ndihmë prej një personi të tillë, ndërsa ai është më i nevojshëm për ndihmën tuaj . Imami (a.s.) iu përgjigj: Ai është njëri nga robërit e Allahut, është një vëlla prej librit të Allahut, një fqinj prej pronës së Allahut, ne e kemi të përbashkët fenë më të lartësuar, Islamin, dhe babanë më të mirë, Hz Ademin (a.s.). Koha mund të bëjë që ndonjë ditë të përulemi para tij dhe të kërkojmë ndihmë prej tij, nëse tregojmë kryelartësi ndaj tij . Pastaj, shtoi: Ne lidhim marrëdhënie me ata që nuk janë të denjë për një gjë të tillë, vetëm sa për të mos mbetur pa shok .  

 

31- Nuk është e përshtatshme hapja e gojës ndaj tjetrit, vetëm në tri raste: Shpagesa e gjakut për të cilën nuk ka mundësi për ta paguar, borxhin e rëndë dhe nevoja që shkakton mjerim.  

32- Sadakaja më e mirë është ndihma ndaj të dobëtit.  

33- Më shumë çuditet i padijshmi ndaj sjelljeve të të diturit sesa i dituri ndaj të padijshmit.  

34- Fatkeqësia është një për njeriun që duron, ndërsa dy për njeriun që nuk duron.  

35- Vështirësinë e padrejtësisë e kupton vetëm ai, ndaj të cilit është bërë padrejtësia.