Fjalët e shkurtra

 

 

1. Duke shkuar për në Kerbela, ka thënë: Në të vërtetë, kjo botë është ndryshuar, është bërë e panjohur dhe ia ka kthyer shpinën të gjitha të mirave. Në të është bërë aq e poshtëruar jeta e kullotës në një vend me ajër të rëndë dhe e ujit që ka mbetur në fundin e enës. A nuk po vëreni se nuk po veprohet sipas së vërtetës dhe nuk po largohet nga e pavërteta? Në një gjendje të tillë, është i drejtë kërkimi i vdekjes nga ana e besimtarit. Unë këtë vdekje e pranoj si lumturi ndërsa këtë jetë me mizorët e pranoj si poshtërim.  Njerëzit janë robërit e kësaj bote, ndërsa feja është një govatë për gjuhët e tyre. Përderisa e sigurojnë jetesën përmes fesë dhe e mbrojnë atë, por kur të sprovohen me vështirësi, zvogëlohet numri i njerëzve fetar. (Këtë fjalim të shkurtrër e mbajti rrugës për në Kerbela ) 

 

2. Një ditë afër Imamit (a.s.) ndodhej një person që e përgojonte një person tjetër. Imami (a.s.) i tha atij: O njeri! Ruaju nga përgojimi, sepse përgojimi është ushqimi i qenve të xhehenemit .  

 

3. Një person që ndodhej afër Imamit (a.s.) i tha: Nëse i bën bamirësi një personi që nuk e meriton atë, do të bëhet i humbur . Imami (a.s.) iu përgjigj: Jo, nuk është ashtu. Bamirësia është sikur shiu që bie mbi të mirët dhe të këqijtë .  

 

4. Kur Allahu ia merr fuqinë e ndonjërit, nuk do të kërkojë prej tij bindje dhe njëkohësisht do ta largojë edhe barrën e sjelljes së vendimeve prej tij.  

 

5. Disa e adhurojnë Allahun duke shpresuar ndonjë gjë prej Allahut, ky është adhurimi i tregtarëve. Disa të tjerë prej frikës,  ky është adhurimi i skllevërve. Dhe, disa të tjerë e adhurojnë për të 

falënderuar Allahun, ky është adhurimi i njerëzve të lirë dhe ky është adhurimi më i virtytshëm.  

 

6. Një person erdhi tek Imami (a.s.) dhe pa e përshëndetur, i tha: Si jeni? Allahu ju bëftë mirë! . Imami (a.s.) iu përgjigj: Së pari përshëndetja (selam) dhe pastaj fjala (kelam). Edhe ty të bëftë mirë Allahu! Dhe pastaj shtoi: Mos i jepni askujt leje për të folur pa ju përshëndetur .  

 

7. Kur Allahu dëshiron ta bëjë të pavetëdijshëm robin e vet, i jep shumë dhunti dhe pastaj robi nuk arrin ta falënderojë Atë (do të jetë i zënë me dhuntitë dhe do të harrojë ta përmendë Atë).  

 

8. Kur Abdulla ibni Zubejri (Abdulla ibni Zubejri e arriti kalifatin në vitin 65 H, d.m.th 5 vjet mbas ngjarjes së Kerbelasë. Kështu që, gjasa e shkrimit të kësaj letre nga ana e Imam Hysejnit është e vogël. Më shumë është e mundshme që letra është shkruar nga ana e Imam Sexhadit (a.s.). Vendi i internimit të Abdulla ibn Abbasit ishte Taifi dhe jo Jemeni. Kjo është regjistruar në librat e historisë dhe është përkrahur përmes hadithit të lartpërmendur.) e internoi Abdulla ibni Abbasin për në Jemen, Imami (a.s.) i shkroi një letër Abdulla ibni Abbasit: Mbas falënderimit të Allahut dhe përshëndetjes për të Dërguarin (s.a.a.): Më erdhi lajmi i internimit tënd për në Taife nga ana e ibni Zubejrit. Nëpërmes kësaj Allahu të ka lartësuar emrin tënd dhe të ka falur mëkatin. Padyshim që njerëzit e sinqertë përfshihen nga vështirësitë dhe fatkeqësitë. Sikur të kishte shpërblyer Allahu vetëm për veprat e mira, sevapi yt do të ishte i vogël. Allahu na mundësoftë të durojmë gjatë fatkeqësive dhe të falënderojmë gjatë dhuntive, dhe mos e gëzoftë armikun për shkak të fatkeqësive që na kaplojnë.  

 

9. Një njeri erdhi për të kërkuar ndihmë prej Imamit (a.s.) dhe ai i tha: Nuk është e drejtë hapja e gojës përveç nëse ke ndonjë borxh të rëndë, ndonjë kompensim të rëndë që e tejkalon fuqinë tënde ose je nën varfërinë poshtëruese . Ky njeri i tha: Gjendja ime është njëra prej këtyre . Atëherë Imami (a.s.) ia dha njëqind dinarë.  

 

10. Imami (a.s.) i tha djalit të tij Sexhadit: O biri im! - Ruaju nga të bërit padrejtësi atij që nuk ka ndihmës tjetër përveç Allahut .  

 

11. E pyeti njëri për komentimin e ajetit Por për dhuntitë e Zotit tënd prediko pandërprerë (Duha, 11), dhe Imami (a.s.) iu përgjigj: Allahu ka urdhëruar të Dërguarin që të predikojë pandërprerë për dhuntitë e Allahut që ia ka dhënë të Dërguarit (s.a.a.) në lidhje me fenë .  

 

12. Njëri prej Ensarëve erdhi te Imami (a.s.) për të kërkuar ndihmë në lidhje me problemin e tij. Imami (a.s.) iu përgjigj: O vëllai im Ensar! - Mos e humb respektin tënd. Kërkesën tënde shkruaje në një letër dhe unë do të të bëj një gjë që do të të gëzojë ty . Ensari shkroi në këtë mënyrë: Ja Eba Abdillah! - unë i kam borxh njërit 500 dinarë dhe po më shtrëngon për të bërë pagesën; bisedo me të për shtyrjen e borxhit përderisa të më rregullohet gjendja . Imami (a.s.) e lexoi letrën dhe pastaj shkoi në shtëpi për të marrë 1000 dinarë, dhe i tha: Me këto 500 dinarë paguaje borxhin tënd, ndërsa me 500 të tjera siguroje jetesën tënde. Mos ia hap gojën askujt, përveç njeriut fetar, të fuqishmit dhe atij që i takon fisit të njohur, sepse, njeriu fetar të ndihmon për të mbrojtur fenë e tij, të fuqishmit i vjen turp nga fuqia e tij për të të mos plotësuar nevojën tënde dhe ai që është prej fisit të njohur nuk do të të kthejë duarzbrazët sepse do të mbrojë dinjitetin e tij .  

 

13. Ekzistojnë katër lloje të vëllezërve: I pari, që ka dobi për ty dhe për vete;  i dyti, që ka dobi për ty; i treti, që është në dëmin tënd dhe, i katërti, që nuk ka dobi as për ty as për vete. E pyetën për kuptimin e tyre, ai u përgjigj: Vëllai që ka dobi për ty dhe për vete është vëllai që mundohet për të vazhduar vëllazërinë përmes sjelljeve të mira dhe tenton që të mos përfundojë ajo. Këtu ka dobi për të dytë, sepse nëse vazhdon një vëllazëri e tillë do të ëmbëlsohet jeta e të dyve;  nëse prishet vëllazëria e tillë atëherë, të dytë do të dëmtohen. Vëllai që është i dobishëm për ty është vëllai që e ka larguar veten prej koprracisë dhe tregon intereson për ty vetëm për hir të vëllazërisë dhe pa pasur ndonjë interes botëror prej teje. Vëllai i tillë është plotësisht në dobinë tënde. Vëllai që është në dëmin tënd është ai vëlla që pret rënien tënde në fatkeqësi apo brengë, që i hap sekretet e tua, që shpif për ty gënjeshtrat në mesin e fiseve dhe që të shikon në fytyrë si njeri xheloz. Mallkimi i Allahut qoftë për këtë vëlla! Vëllai që nuk ka dobi për ty dhe për vete është vëllai që Allahu ia ka mbushur trupin me pamendësi dhe që e ka larguar prej mëshirës së Tij. Një njeri i tillë do të afrohet te ti dhe do të shikojë me syrin e koprracisë.

 

14. Njëra prej shenjave të pranimit është të ndenjurit me njerëzit e diturisë. Argumentimi me të tjerët, pos jobesimtarëve, është njëra prej shenjave të paditurisë. Njëra prej shenjave të dijetarit është të qenët i informuar për komentet ndaj fjalëve të tij dhe për të vërtetën e pikëpamjeve të kundërta.  

 

15. Vendstrehimi i besimtarit është Allahu, ndërsa fjalën e Tij e bën pasqyre për vete. Besimtari ndonjëherë vështron vetitë e besimtarëve dhe ndonjëherë vetitë e njerëzve të vrazhdë; i analizon vetitë e tyre dhe si rezultat i kësaj analize arrin ta njohë vetveten më mirë, arrin shkallën e bindjes së sigurt përmes inteligjencës së lartë dhe bëhet më i fuqishëm duke e pastruar epshin e tij.

 

16. Ruaju nga veprimi që përfundon me kërkimin e faljes, sepse, besimtari nuk kryen krime dhe nuk e bie veten në situatë për të kërkuar falje; dyfytyrëshi kryen krime çdo ditë dhe kërkon falje.

 

17. Përshëndetja (selami) i ka shtatëdhjetë sevape: - gjashtëdhjetë e nëntë i takojnë atij që përshëndet (që e jep selamin) dhe njëri shkon tek ai që e pranon përshëndetjen.  

 

18. Koprraci i vërtetë është ai që bën koprraci në dhënien e përshëndetjes.

 

19. Ai që pretendon për të arritur diçka duke i bërë padrejtësi Allahut, do të largohet nga ajo që shpreson dhe do t'i afrohet asaj që i frikohet.