Vullneti i lirë i njeriut

 

 

Hasan Basriu ia shkroi një letër Imam Hasanit (a.s.):  Amma baad (Falënderimi për Allahun dhe përshëndetje për të Dërguarin)! Ju jeni anija e fisit të Beni Hashimit që lundron në detin e gjerë dhe të pafund, shenjat e qarta që përhapin dritë dhe anija e Nuhut që gjendet në brendësinë e çdo besimtari dhe që e arrin shpëtimin. O djali i Resulullahut, këtë letër po e shkruaj sepse kemi rënë në kundërshtim lidhur me çështjen e fatit dhe kemi mbetur të habitur në lidhje me vullnetin e lirë të njeriut. Na informo për pikëpamjen tënde dhe të baballarëve tuaj në lidhje me këtë çështje, sepse, dituria juaj është prej diturisë së Allahut. Ju jeni mbrojtësit e popullit dhe Allahu është mbrojtësi juaj.

Ju jeni trashëgimtarët e njëri tjetrit dhe Allahu dëgjon e sheh çdo gjë . Imam Hasani (a.s.) ia shkroi këtë përgjigje: Bismil-lahir-rahmanir-rahim Letrën e pranova dhe sikur të mos ishit të habitur ju dhe ata para jush, nuk do të isha përgjigjur ndaj pyetjes sate. Amma baad (Falënderimi për Allahun dhe përshëndetje për të Dërguarin)! Është jobesimtar ai që beson se Allahu nuk e di të mbarën dhe sherrin e fatit. Është mëkatar ai që ia atribuon Allahut mëkatet e tij (besimi ndaj detyrimit). Nuk detyrohet për bindje ndaj Allahut ai që i bindet Atij dhe nuk shtrëngohet për të humbur ai që e kundërshton Atë (robi nuk është i detyruar që të nënshtrohet dhe Allahu nuk është i paaftë për të parandaluar kundërshtimin), por, robërit nuk i ka lënë krye në veti.

 

Allahu është pronar i çdo gjëje që u ka dhënë atyre dhe është zotërues i çdo fuqie. (Atëherë, robërit kanë fuqi për të kryer ndonjë vepër pa qenë të detyruar për ta bërë atë; fuqia e tyre është nga Allahu, nuk zotërojnë asgjë nga vetvetja). Allahu i ka ndaluar dhe urdhëruar ata për shkak të zotërimit të vullnetit të lirë. Nëse dëshirojnë të nënshtrohen, nuk ka gjë që i ndal. Nëse drejtohen kah mëkati, sipas mënyrës se si dëshirojnë dhe pa i detyruar, do t i pengojë ata në kryerjen e saj. Edhe nëse nuk i pengon, Ai nuk i detyron as nuk i obligon ata që të kryejnë mëkate. Allahu u ka dhënë fuqinë e aftësisë (dallimit në mes të së mirës dhe të keqes) dhe të mendjehollësisë; i ka bërë të kujdesshëm; u ka urdhëruar (të mirën) dhe u ka ndaluar (të keqen). Në këtë mënyrë u ka dhënë mirënjohje njerëzve. Ata nuk i ka krijuar si engjëj nënshtrues ndaj urdhrave dhe nuk i ka detyruar që të mos u kundërvihen rregullave. Argumenti i qartë është prej Allahut. Nëse dëshiron Ai, mund t ju udhëzojë të gjithëve. Paqja qoftë me ata që i nënshtrohen udhëzimit!