TESTAMENTI KUSHTUAR IMAM HASANIT (A.S.)

 

 

Nga prindi i vdekshëm, i cili pranon vështirësitë e kohës, fytyra e të cilit është duke u venitur kundrejt jetëzgjatjes, i cili i është dorëzuar përcaktimit, i cili e qorton këtë botë, i cili udhëton drejt vendbanimit të të vdekurve dhe i cili do ta braktisë nesër këtë botë kushtuar djalit, i cili mëton gjërat e paarritshme, e mban rrugën e atyre që janë zhdukur, është pengu i kohës, shënjestër e shigjetave të fatkeqësisë, robi i botës, tregtuesi i mburrjes, skllavi i vdekjes, shoku i mjerimit dhe i vuajtjeve, i ekspozuar sëmundjeve dhe shkatërrimeve, i pushtuar nga pasionet dhe kalifi i atyre që do të vdesin.

Bota më ktheu kryet kah unë, koha më tregoi mosbindje, ahireti u drejtua kah unë; më bëri që unë të mos mendoj për të tjerët, të mos mendoj për ata që do të mbesin mbas meje dhe të mos u kushtoj rëndësi atyre. Kur më rrethoi brenga ime, jo ajo e popullit, mendimi dhe dëshirat e mia u ndërruan dhe u qartësua për mua realiteti i çështjes; kjo më udhëhoqi mua drejt një të vërtete që serioziteti i saj ishte larg nga shakaja dhe nuk e kishte prekur njolla e gënjeshtrës.

 

Ty të pashë si një pjesë të trupit tim, bile si të tërë; nëse të godet ndonjë vështirësi, është njësoj sikur të më godet mua; nëse ty të vjen vdekja, është njësoj sikur të më vinte mua. Për këtë arsye, problemet e tua filluan të më interesojnë sikur të ishin të miat. Prandaj, edhe nëse vdes ose mbetem i gjallë, vendosa që ta shkruaj këtë testament si një ndihmës nga unë.

Biri im, të këshilloj për devotshmëri ndaj Allahut, bindjen e vazhdueshme ndaj dispozitave të Allahut, meremetimin e zemrës duke e përmendur Atë dhe mbajtjen për litarin e Tij (Kuranin). Nëse mbahesh për atë litar, atëherë nuk do të ekzistojë lidhja më e sigurt në mes teje dhe Allahut! Ngjalle zemrën tënde me këshilla; mbyte përmes asketizmit; forcoje me bindje të sigurt; bëre të përvuajtur duke kujtuar vdekjen; nxite të pranojë se është e kalueshme; mundësoji t i vërejë vuajtjet e kësaj bote; ruaje nga sulmet e kohës dhe nga ndryshimet e këqija të ditëve dhe të netëve.

 

Njoftoje me lajmet e atyre që kanë shkuar; përkujtoja atë që u ka ndodhur atyre të cilët kanë qenë para teje; vizitoji vendbanimet dhe gjurmët e tyre dhe shiko se çka kanë bërë, ku janë vendosur dhe prej ku janë zhvendosur. Do të shohësh se ata janë ndarë prej miqve të tyre dhe janë vendosur në vendin e huaj. Kur të shkosh në vendin e tyre, thuaj: O vend i heshtur, ku i ke banorët? Pastaj shko në varrezat e tyre dhe thuaj: O ju trupat e kalbur dhe organe të ndara njëri nga tjetrit, si e keni gjetur këtë vendbanim në të cilin gjendeni tani?

O biri im, së shpejti edhe ti do të bëhesh sikur njëri prej tyre, prandaj përgatite vendin e qëndrimit tënd dhe mos e shit botën e ardhshme për këtë botë. Largohu prej diskutimit për atë që nuk ke dituri dhe mos fol nëse nuk ke nevojë të flasësh. Largohu nga ajo rrugë që frikohesh se mos po të çon në humbje, sepse, të përmbajturit është më mirë sesa devijimi dhe përzierja në punët e rrezikshme. Urdhëro për punë të mira, për t u bërë nga të mirët. Parandaloje veprën e keqe përmes dorës dhe gjuhës, dhe përpiqu të jesh sa më larg prej atij që bën keq.

 

Lufto duke iu përmbajtur rrugës së Allahut në mënyrë të sinqertë dhe mos të të pengojë ty asnjë qortim i qortuesit në këtë rrugë. Kudo që të jesh, sulmoji pa u frikuar vështirësitë më të rrezikshme për hir të së Vërtetës; mësoja durimin shpirtit tënd. Mbështetu tek Allahu në të gjitha punët, sepse në këtë mënyrë do të mbështetesh në ndihmuesin më të mirë dhe mbrojtësin më të sigurt. Kur të kërkosh diçka prej Zotit tënd, bëhu i sinqertë, sepse dhënia dhe mosdhënia është në dorën e Tij. Kërko të mirën sa më shumë, mundohu ta kuptosh këtë porosi sa më mirë dhe mos e lër mbrapa shpine, sepse, fjala më e mirë është ajo që të sjellë dobi dhe, dije se nuk ka të mbarë në diturinë e padobishme, dhe nuk ka dobi prej diturisë e cila nuk tregohet haptas. (Në Nehxh ul Belaga është regjistruar: Nga dituria që nuk është në pajtim me të vërtetën)

 

Biri im, ti e arrite pjekurinë ndërsa dobësia ime çdo ditë po shtohet, por, pa i treguar ato që kam në zemër para se të më arrijë vdekja, para se të më dobësohen pikëpamjet ashtu sikur më dobësohet trupi, para se të të kaplojnë ty epshet dhe tundimet e kësaj bote dhe ti pastaj të bëhesh si një deve kokëfortë, vendosa ta përpiloj këtë amanet ku i përmblodha këshillat kryesore, sepse, zemra e të riut i përngjan arrës së pambjellë, në të cilën mbin çka do që ta mbjellësh.

Para se të ngurtësohet zemra dhe para se të angazhohet mendja, nxitova në mënyrë që t i pranosh përvojat e të tjerëve dhe t i pranosh realitetet me një vendosmëri të prerë. Në këtë mënyrë, do të kursehesh nga kalimi nëpër këto përvoja të njëjta dhe do të kursehesh nga vështirësitë e përpjekjeve. Me këtë, do të fitosh njohuri për atë që ne kemi përjetuar dhe ndoshta do të kuptosh edhe atë që ne e kemi lëshuar.

Biri im, edhe pse nuk e arrita moshën e atyre që jetuan para meje, megjithatë, i shqyrtova veprat e tyre, mendova në lidhje me lajmet që i mora nga jeta e tyre dhe i ndoqa gjurmët e tyre. Kështu që, u bëra njëri prej tyre, në të vërtetë, përmes lajmeve që më arritën për jetën e tyre, u bëra sikur të kem jetuar me ata që nga fillimi deri në fund. Si përfundim, ia arrita të dalloj të pastrën nga e turbullta dhe të dobishmen nga e dëmshmja. Për ty kam zgjedhur më të shkëlqyeshmen dhe më të bukurën nga punët; e largova prej tyre të paqartën. Meqenëse e kuptoj gjendjen tënde si një prind i mëshirshëm dhe meqë dëshiroj të mësoj, vendosa që kjo duhet të jetë në kohën kur je ende i ri dhe derisa zotëron një zemër të çiltër dhe qëllimin e sinqertë, në këtë drejtim, vendosa që të filloj së pari me Librin e Allahut dhe shpjegimin e tij, pastaj me ligjet dhe rregullat e Islamit, për të ndaluarën dhe të lejuarën, dhe pastaj me temat tjera. Mandej, u frikova të mos ngatërrohesh me kundërshtimet dhe paqartësitë e shkaktuara nga epshet dhe dëshirat, sikurse që janë ngatërruar të tjerët. 

 

Për mua ishte më i pëlqyer paralajmërimi për këtë çështje dhe sforcimi i dritës sate, sesa të të lërë në pozitë në të cilën nuk jam i sigurt se nuk do të biesh në humnerë. Të uroj që Allahu të të ndihmojë në arritjen e suksesit gjatë kërkimit të rrugës së drejtë dhe arritjes së qëllimit. Prandaj, po e shkruaj për ty këtë testament duke dëshiruar që të bëhesh i sigurt për këtë çështje.

Biri im, pjesa më e dashur e këtij testamenti, sipas meje është pjesa që ka të bëjë me ruajtjen nga Allahu, zbatimi i obligimeve hyjnore dhe ndjekja e rrugës së atyre që kanë jetuar para teje, të parëve tuaj dhe atyre që kanë qenë të devotshëm  në fe, sepse, njëjtë sikur që ti kujdesesh për gjendjen tënde, edhe ata janë kujdesur për gjendjen e tyre; ashtu si je duke menduar, edhe ata kanë menduar; pastaj erdhën në përfundim se duhet të pranojnë atë që e kanë mësuar të parët e tyre dhe të përmbahen prej gjërave që nuk janë bërë obligim për ta.

 

Nëse nuk mund t i pranosh traditat e tyre pa i njohur sikur që i kanë njohur ata, atëherë mundohu që këto dituri t i përvetësosh përmes të  kuptuarit dhe të të mësuarit, e jo duke u zhytur në dyshime dhe duke i shtuar armiqësitë. Para se t i hysh kësaj pune, kërko ndihmën e Allahut; drejtohu tek Ai për të qenë i suksesshëm; largohu  nga çdo punë që të shpie në dyshim dhe çdo punë të dyshimtë që të shpie në devijim. Kur ta arrish pastërtinë e zemrës dhe të bëhesh gati për ta pranuar, kur mendimi yt ta arrijë përkryerjen dhe kur të bëhesh i sigurt se në këtë rrugë ekziston vetëm një qëllim, atëherë shikoji ato që t i kam shpjeguar.

Nëse ende nuk e ke të pastër mendimin dhe nuk të fle në zemër ashtu si dëshiron ti, atëherë duhet të dish se je duke bredhur pa dituri në errësirën e mesnatës, ku nuk shihet asgjë nga terri. Ai që lëviz pa dituri dhe e ngatërron të vërtetën me të pavërtetën, nuk është nga ata që e kërkojnë fenë. Në këtë gjendje, më mirë është të hiqet dorë nga kjo. Në lidhje me këtë, fjala ime e parë dhe e fundit është kjo: Ty të këshilloj që Zotin tim, Zotin tënd, Zotin e baballarëve të parë dhe të fundit, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës, ta falënderosh ashtu si e meriton Ai dhe pozita e Tij.

 

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të Dërguarin, Ehli Bejtin e tij dhe të gjithë të dërguarit. Allahu i mëshiroftë të gjitha ata që i dërgojnë përshëndetje të Dërguarit dhe i lutem Allahut që ta përkryejë begatinë e Tij ndaj nesh, duke na bërë neve të tillë, që t'i drejtohemi Atij me lutje. Sepse, punët e sinqerta plotësohen përmes dhuntive të Tij. Biri im, kuptoje mirë këtë porosi! Dije që zotëruesi i vdekjes është edhe zotëruesi i jetës; krijon dhe bën që të vdesin; i shkatërron  dhe pastaj prapë i ringjall; jep brenga dhe i largon brengat.

Bota nuk është asgjë tjetër veçse një vend ku përfitohen begatitë e Allahut dhe sprovohet, pastaj për këtë shpërblehet në Ditën e gjykimit, dhe vendi i caktimit të disa gjërave të panjohura për nesh nga ana e Allahut. Nëse të vjen rëndë ndonjëra prej tyre (nëse nuk mund të dëshmosh për to), atëherë hidhja këtë padijenisë sate, sepse, ti je krijuar i padijshëm dhe pastaj u bëre zotërues i diturisë. Sa e sa gjëra ekzistojnë që nuk mund t i kuptosh, të cilat ta pështjellojnë mendjen, të cilat nuk i sheh syri, por më vonë i sheh dhe i kupton. Mbështetu tek Ai i cili të krijoi, të furnizoi dhe pastaj krijimin tënd e plotësoi në një gjendje të baraspeshës. Shpresa dhe frika jote le të jenë nga Ai.

 

Dije që askush tjetër, përveç të Dërguarit tanë (s.a.a.), nuk ka rrëfyer në mënyrë më të mirë për Allahun, i cili është i pastër nga atributet e mangëta. Prandaj, bëhu i kënaqur me të si prijës e udhëheqës shpëtimtar dhe pranoje atë me zemër. Unë nuk po gaboj duke t i dhënë këto këshilla; dhe, sado që të mundohesh, ti nuk do të mund të kuptosh çka është e mbarë për ty siç e kuptoj unë. Dije mirë këtë, sikur Zoti yt të kishte shok, do të kishin ardhur edhe të dërguarit e tij; do të kishe vërejtur gjurmët e pushtetit dhe të fuqisë së tij dhe do të kishe njohur atributet dhe veprat e tij. Por, Ai është Allahu, një dhe i vetmi, ashtu si e ka përshkruar Veten.

Nuk ekziston një qenie tjetër që do ta kundërshtojë Atë në fuqinë dhe hyjninë e Tij; Ai është krijues i çdo qenieje. Pozita e hyjnisë së Tij është shumë lart nga të shikuarit e syrit dhe të njohurit e zemrës. Kur ta kuptosh këtë, do të kesh të qartë se si duhet të veprojë një i ngjashëm si ti, me mundësi të vogla, me fuqi të vogël, paaftësi të madhe dhe me nevojë të madhe për Zotin tënd. Pra, bindu për Atë, frikohu nga Ai dhe ruaju nga dënimi i Tij. Sepse, Ai nuk ka urdhëruar për asgjë tjetër pos asaj që është e bukur për ty dhe nuk ka ndaluar asgjë, përveçse të shëmtuarës. Biri im, ty të kumtova lajmet për botën, gjendjen e saj, tatëpjetën e saj dhe kalueshmërinë e saj (ndërrimin e gjendjeve të banuesve të saj).

Pastaj, të kam lajmëruar edhe për botën tjetër dhe për atë që është përgatitur për banuesit e saj; të kam paraqitur shembujt e saj, në mënyrë që të nxjerrësh mësime prej tyre. Shembulli i atyre që e kanë kuptuar këtë botë është, sikur i udhëtarëve që nisen nga një vend i rrënuar dhe i goditur nga thatësia, për në një vend më pjellor dhe me klimë më të mirë.

 

Ata i pranojnë vështirësitë e rrugës, ndarjen nga miqtë, vuajtjet e pagjumësisë dhe të ushqyerit e dobët gjatë rrugës. Ata nuk ndiejnë kurrfarë dhimbje dhe kurrsesi nuk pranojnë si dëm dhe pësim shpenzimet e rrugës. Të gjitha këto vetëm për të arritur te viset e gjelbëruara dhe pjellore ku shtëpitë janë më të bukura dhe më të gjera. Asgjë nuk i gëzon ata më shumë sesa mendimi se janë duke u afruar te vendqëndrimi i tyre. Ndërsa, shembulli i atyre që mashtrohen ndaj kësaj bote është sikur i atyre që kanë vise të gjelbëruara, me plot begati dhe që shkojnë në vise të goditura nga thatësira. Për ata, nuk ka gjë më të urryer dhe frikësuese sesa të lëshuarit e vendit ku banojnë, për të shkuar në një vend të tillë ku do të arrijnë befas.

Unë të kritikova paraprakisht për padituritë e shumta, në mënyrë që të mos e mbash veten të ditur dhe, nëse ballafaqohesh me ndonjë gjë të ditur, mos ta konsiderosh atë si diçka të madhe. Dijetari e konsideron të vogël atë çka di në krahasim me atë që nuk di. Për këtë arsye, ai që e konsideron veten të padijshëm, mundohet më shumë që ta arrijë diturinë; gjithmonë e dëshiron atë, tregon interesim për të dhe gjithmonë është në kërkim të saj; përpara zotëruesit të diturisë është i përulur dhe modest; e përqafon heshtjen, përmbahet nga të gabuarit dhe turpërohet nga ajo. Kur të ballafaqohet me diçka që nuk ka njohuri për të, nuk e refuzon atë, sepse, veç ka pranuar më herët për atë se ka qenë i padijshëm.

Njeriu i padijshëm e mban veten dijetar, me gjithë padijeninë e tij; gjykimin e vet e sheh si të mjaftueshëm; gjithnjë rri larg dijetarëve; çdoherë i turpëron ata dhe i largon ata që polemizojnë me të, duke u thënë se janë duke gabuar; për çdo gjë që nuk di, thotë se është devijim; kur të përballet me një çështje që nuk e njeh, e refuzon dhe e kundërshton atë për shkak të padijenisë. Ai do të thotë: Unë nuk e di atë që është ashtu si thua ti, nuk besoj se është ashtu, prej nga na doli kjo? .

 

Të gjitha këto i thotë duke u bazuar në pikëpamjen e vet dhe duke mos e njohur padijeninë personale. Në këtë mënyrë, duke bërë gabime për shkak të mosnjohjes së çështjeve, mbetet në padijeni gjithmonë dhe është në kërkim të paditurive të reja; e refuzon të vërtetën, dhe duke u krekosur largohet nga hulumtimi i diturisë.  

Biri im, kuptoje mirë këtë porosi dhe bëre veten masë në mes teje dhe të tjerëve; atë që e dëshiron për vete, dëshiroje edhe për të tjerët, atë që e urren për vete, mos ua dëshiro të tjerëve. Sikur që vet nuk e pëlqen dhunën, ashtu edhe ti mos e përdor dhunën ndaj të tjerëve. Sikur që ke dëshirë që të të bëjnë mirë, ashtu edhe ti bën mirë për të tjerët. Atë që e konsideron si të shëmtuar për të tjerët, konsideroje të njëjtën edhe për vete. Ashtu si sillesh ndaj të tjerëve, kënaqu me sjelljen e të tjerëve ndaj teje. Mos diskuto për atë që nuk ke njohuri, madje edhe mos i trego të gjitha që i di. Atë që nuk ke dëshirë të thonë për ty, mos u thuaj të tjerëve.

 

Dije që pëlqimi i vetes është në kundërshtim me të vërtetën dhe në të njëjtën kohë është shkatërrim për mendjet. Kur të udhëzohesh në rrugë të drejtë, përkulu sa më shumë para Zotit tënd. Dije se para teje qëndron një rrugë shumë e gjatë, shumë e vrazhdë dhe shumë frikuese; nuk mund të shmangesh nga përgatitja për atë rrugë. Pajisu sa të kesh mundësi dhe lehtësoje barrën tënde nga shpina. Mos e ngarko veten, përveç me atë që mund ta bartësh. Nëse ngarkohesh tej mase, ajo do të jetë barrë dhe vuajtje për ty.

Nëse e takon një person që është i nevojshëm por që pranon ta bartë barrën tënde deri sa të ta rikthejë ty në Ditën e gjykimit, atëherë pranoje këtë si një rast të mirë. Nëse të kërkon hua ndonjë person, përderisa je në gjendje të mirë, pranoje këtë si rast të mirë; kohën e kthimit të huas, vazhdoje deri në kohën kur të jesh ngushtë për të.

 

Dije që përpara teje ekziston një përpjetës e mundimshme; me apo pa dashje, do ta kalosh këtë dhe do të drejtohesh kah xheneti apo xhehenemi. Ai me barrë të lehtë do ta kalojë më lehtë këtë rrugë në krahasim me atë që e ka barrën e rëndë; atëherë, përgatite vendin para se të arrish atje. Dije se, Ai që ka në pushtet thesaret e kësaj bote dhe të Ahiretit, të ka lejuar që t i lutesh Atij dhe të ka premtuar pranimin e lutjes. Ai ka urdhëruar që të kërkojmë prej Tij, në mënyrë që të na i plotësojë kërkesat; Ai është zotërues i dashurisë. Ai nuk ka caktuar ndonjë përkthyes ndërmjet teje dhe Atij, dhe nuk ka vendosur perde ndërmjet teje dhe Atij.

Ai nuk të ka detyruar të sigurosh ndonjë ndërmjetësues në mes teje dhe Atij. Nëse kryen ndonjë vepër të keqe, nuk të ka ndaluar që të pendohesh; nuk të qorton nëse pendohesh; nuk nxiton për të të dërguar dënimin kur të gabosh. Ai nuk të turpëron në atë vend ku e meriton turpërimin. Nuk të ka kritikuar dhe nuk të ka munduar për shkak të gabimit të kryer. Nuk të ka bërë të pashpresë për mëshirën e Tij; nuk të kushtëzon gjatë pranimit të pendimit; largimin tënd nga mëkati e llogarit si vepër të mirë; një të keqe e llogarit si një mëkat, ndërsa për një vepër të mirë llogarit dhjetë herë më shumë. Portën e pendimit dhe të rifillimit të punës e ka lënë të hapur.

 

Ai e dëgjon thirrjen tënde në çdo kohë. Ai dëgjon edhe thirrjen tënde të fshehtë. Shfaqi kërkesat e tua para Tij, hape zemrën para Tij, ankoju Atij për hallet e tua, kërko ndihmën e Tij në punët e tua, tregoji Atij sekretet e Tua që i fsheh nga njerëzit. Çelësat e thesareve janë në duart e tua. Atëherë, insisto duke u lutur, sepse, duke dhënë leje për lutje, Ai ka lënë të hapur portën e Mëshirës së Tij. Në çdo kohë që dëshiron, mund ta hapësh përmes lutjes portën e thesarit të Mëshirës së Tij. Nëse është ashtu, kërko me ngulm; nëse vonohet dhënia, mos e humb shpresën, sepse, dhënia bëhet sipas kërkesës.

Ndonjëherë, plotësimi i kërkesës vonohet me qëllim të shtimit të asaj që kërkohet. Ndonjëherë, diçka kërkon dhe nuk të jepet, por së shpejti ose pas një kohe, të dhurohet diçka më e mirë se kjo; Ose, për të dhënë diçka më të mirë se ajo që kërkon, nuk të dhurohet ajo të cilën je duke e kërkuar. Sa e sa gjëra ekzistojnë, që nëse të dhurohen, do të paraqesin dëm për besimin tënd. Për këtë arsye, kërkoji ato gjëra që janë në dobinë tënde, që bukuria e tyre do të mbetet te ti dhe mëkati i të cilit do të largohet nga ti. Pasuria nuk do të të mbetet ty dhe ti nuk do jesh pronar i pasurisë përgjithmonë. Për një kohë shumë të shkurtër, do ta gjesh para vetes përfundimin e çdo pune të mirë apo të keqe, përpos asaj që ta falë Allahu. Dije, biri im, se je krijuar për botën tjetër, jo për këtë. Je krijuar për të amshueshmen, jo për të kalueshmen; për vdekje e jo për jetë.

 

Ti ndodhesh në një shtëpi nga e cila do të shkosh papritmas dhe ke nevojë të përgatitesh sa më shumë, dhe je në një rrugë që të çon në botën e ardhshme. Ti je një gjah i vdekjes, prej të cilit nuk mund të ikësh dhe herët apo vonë do të mposhtesh nga ai. Nëse je duke bërë një punë të keqe, pendohu sa më shpejt për atë punë, sepse, duke mos pasur kohë për t u penduar për atë punë, do të vijë befas vdekja dhe do të të hyjë në mes teje dhe pendimit.

Pas kësaj ti do të shkatërrohesh.  O biri im, përmende shumë vdekjen; mendo për gjendjen që do të vijë pas vdekjes. Të kesh parasysh gjithnjë këtë, në mënyrë që kur të vijë papritur vdekja, të të gjejë ty të përgatitur dhe të armatosur si ushtari i përgatitur për luftë. Mos lejo që të të takojë vdekja në gjendjen e pakujdesisë. Përmende shumë ahiretin, begatitë e tij, dënimet e tij të ashpra. Sepse, kjo do të të ndihmojë në largimin e prirjes së shpirtit tënd ndaj kësaj bote dhe zvogëlimin e vlerës së saj në sytë e tu. Allahu të ka njoftuar ty me botën.

Edhe bota të ka njoftuar ty me cilësitë e saj dhe të ka zbuluar ligësitë e saj. Mos lejo të të mashtrojnë ty ata që janë të dhënë pas kësaj bote. Ata që janë të dhënë pas kësaj bote, janë bërë sikur qentë që lehin dhe vrapojnë pas gjahut, ose, sikur bishat e egra që e sulmojnë njëri tjetrin për shkak të ndonjë cofëtine. I forti e ha të dobëtin dhe i madhi, të voglin.

 

Bota i ka larguar adhuruesit e saj nga rruga e drejtë, i ka drejtuar në rrugën e verbërisë; ua ka mbuluar sytë, që të mos e shohin rrugën e drejtë. Në këtë mënyrë, kanë mbetur të habitur mbas çoroditjeve të kësaj bote, janë fundosur në intrigat e saj, e kanë bërë atë Zot të vetin dhe ajo luan me ata. Dhe kështu, duke lozur me këtë botë kanë harruar atë të ardhshmen.  O biri imi, mos u bën si ata që janë shëmtuar duke u dhënë mbas turpeve të kësaj bote. Një pjesë e tyre i kanë këmbët e lidhura; të tjerët janë sikur kafshët kokëboshe që lëvizin lirë.

Këta i kanë humbur mendtë, gjenden në një luginë të thiktë dhe shkojnë pa ndonjë çoban rrugës së shkatërrimit. Po qe se do të presësh edhe pak, do të vëresh se si errësira është duke u zhdukur (duke u afruar vdekja), në largësi po vërehet karvani dhe ata që nxitojnë, do të arrijnë së shpejti. Dije, që do të bartet ai që për mjet bartës e ka ditën dhe natën, edhe në qoftë se nuk lëviz. (Do të lëvizësh, edhe nëse qëndron në vend). Allahu dëshiron rrënimin e kësaj bote dhe ndërtimin e botës së ardhshme. Biri im, tregohu i përmbajtur ndaj gjërave të kësaj bote, për të cilat Allahu dëshiron që shpirti yt të mos anojë kah ato, përndryshe, kjo botë meriton një gjë të tillë.

 

Nëse nuk e pranon këshillën time lidhur me botën, dije se nuk do t ia arrish qëllimit dhe nuk do të mund t i ikësh afatit tënd të caktuar; ti je në rrugën e atyre që e kanë kaluar këtë rrugë para teje. Prandaj, pakësoji dëshirat tuaja, zbukuroje fitimin (veprat), sepse, ekzistojnë shumë dëshira që e varfërojnë njeriun. Sikur që çdokush nuk mund ta gjejë atë që kërkon, ashtu edhe ai që e mban mesin, nuk do të ketë nevojë për asnjërin.

Mbaje epshin tënd të lartësuar nga të gjitha gjërat e ulëta, edhe nëse të tërheq kah dëshirat e tua, sepse, asgjë nuk mund ta kompensojë krenarinë e humbur të personalitetit tënd. Allahu të ka krijuar të lirë, mos u bën rob i askujt. Nuk ka të mbarë në të mbarën që fitohet përmes sherrit dhe, lehtësia e arritur përmes vështirësive, nuk është lehtësi. Ruaju nga udhëtimi përmes mjetit bartës të lakmisë, sepse, të çon drejt vendit të ujit të shkatërrimit. Mundohu sa më shumë që në mes teje dhe Allahut të mos ndërmjetësojë ndonjë zotërues i dhuntisë, sepse, ti do ta marrësh pjesën tënde që të takon dhe ajo do të arrijë te ti.

 

Duke ditur se gjithçka është nga Allahu, më e vlefshme është e pakta nga Allahu, sesa e shumta nga krijesat e Tij. Në të vërtetë, nuk krahasohet asgjë me Të, por, nëse e krahason dhuratën e sulltanëve me atë që kërkon prej të poshtërve, do të vëresh se dhurata e sulltanëve është nder dhe madhështi, ndërsa, ajo që do të pranosh nga të poshtrit, do të jetë turp për ty. Në punë bëhu i përmbajtur, në mënyrë që të të lëvdojnë në fund. Mos e shit as pjesën më të vogël të fesë dhe të nderit tënd  kundrejt çfarëdo vlere. I mashtruari i vërtetë është ai që është mashtruar gjatë pranimit të hises që i takon nga Allahu.

Ajo që të vjen nga bota, merre dhe largohu nga ai që ta kthen fytyrën gjatë kërkimit. Nëse nuk e bën këtë, atëherë së paku vepro bukur gjatë kërkimit. Mos qëndro me ata, nga të cilët ke frikë për humbjen e fesë. Rri larg nga sulltani. Thuaj vetes: "do të rri larg nga ajo që më duket e keqe", në mënyrë që të bëhesh i sigurt nga mashtrimet e shejtanit, sepse, shumë myslimanë para teje janë shkatërruar edhe pse kanë besuar në Ditën e Kiametit.

 

Sikur t'u kishe thënë atyre: "shiteni ahiretin për këtë botë", nuk do ta kishin pranuar këtë kurrë. Por, ndonjëherë shejtani e mashtron njeriun për një vlerë të vogël të kësaj bote dhe e çon në shkatërrim. Duke bërë që njeriu të humb shpresën prej mëshirës së Allahut, e çon atë prej një të keqeje në tjetrën. Dhe, në fund njeriu mundohet të gjejë arsyetime të ndryshme për t i mbuluar kundërshtimet e tij në lidhje me Islamin dhe ligjet e tij. Nëse shpirti yt insiston për t iu afruar kësaj bote dhe sulltanit, dhe nëse ti i kundërshton këto ndalesat e mia, atëherë së paku ruaje gjuhën, sepse, nuk mund të besohet në drejtësinë e sulltanëve kur të nervozohen.

Mos trego interesim për lajmet e tyre, mos i hulumto punët e tyre, mos i trego sekretet e tyre; mos u përziej shumë në punët e tyre. Nuk do të ndiesh pendim nga heshtja. Shumë më lehtë do ta kompensosh humbjen e asaj që ke heshtur sesa humbjen e asaj që ke folur. Mbyllja e gojës dhe ruajtja e asaj që ke në dorë, është më e këndshme sesa kërkimi i asaj që gjendet në dorën e tjetrit. Mos e përcill fjalën e atij që nuk mund t i besohet, ngase do të të shpallin mashtrues, ndërsa, mashtrimi është poshtërsi. Më e mjaftueshme për ty është qëndrueshmëria me furnizimin e mjaftueshëm, sesa malli i harxhuar pa llogari.

 

Një humbje e shpresës në mënyrë të pjekur është më e mirë sesa të kërkosh diçka nga njerëzit. Është shumë më e mirë puna në çfarëdo profesioni dhe mbijetesa përmes punës së tillë, sesa përfshirja në ngatërresa dhe turbullira të ndryshme. Çdokush e ruan më së miri sekretin e vet. Sa e sa punëtorë janë që, puna e tyre u sjell vetëm dëm.  Kush flet shumë, do të flasë përçart (jerm). Kush mendon do të arrijë mprehtësi. Një nga lumturitë e njeriut është shoku i sinqertë. Shoqërohu me njerëzit e mbarë, që të bëhesh edhe ti i tillë. Përmbaju nga ata që janë të këqij, në mënyrë që të jesh larg tyre. 

 

Mos lejo që të të pushtojë mendimi i keq, sepse nuk do të mbetet dashuria dhe paqja ndërmjet teje dhe mikut tënd. Ndonjëherë, supozimit të keq (su-i zan) i thuhet të qenët i kujdesshëm, por mendimi i keq është ushqimi shumë i keq. Padrejtësia më e madhe është padrejtësia ndaj të pafuqishmit. Puna e keqe, është e keqe sikur vetë emri i saj. Përulja para shkatërrimit (punëve të papëlqyera) është treguesi i dobësisë së zemrës.

Aty ku butësia konsiderohet ashpërsi, aty edhe ashpërsia shndërrohet në butësi. Në shumë raste, ilaçi bëhet sëmundje dhe brengë, ndërsa brenga bëhet ilaç dhe shërim. Mund të ndodh që të të këshillojë ai që nuk di të këshillojë, ndërsa këshilla e këshilluesit ta mashtrojë atë që kërkon këshillë. Ruaju nga mbështetja tek ata që janë të kapluar nga dëshirat, sepse, mbështetja tek ata është mbështetja në kapitalin e njerëzve të pamend që e largojnë zotëruesin nga të mirat e kësaj dhe botës së ardhshme. Sikur që pastrohet druri përmes flakës, ashtu edhe shpirtin pastroje me edukatë. Mos u bën sikur ai që mbledh dru në errësirën e natës ose sikur plehu të cilin e lëviz era andej-këndej. Është poshtërim të mos falënderohesh ndaj dhuntisë.

 

Shoqërimi me të padijshmin është fatkeqësi. Mendje, do të thotë përfitimi dhe mbajta në mend e përvojave. Përvoja më e mbarë është përvoja që të këshillon. Natyra e butë e njeriut është nga prejardhja fisnore dhe nga madhështia. Shfrytëzoje rastin para se të bëhet shkaktare e pikëllimit. Vendosmëria dhe vullneti rrjedhin nga largpamësia. Plogështia është shkaktare e humbjes. Çdo kërkues nuk mund të përvetësojë atë që kërkon dhe nuk do të kthehet çdokush që shkon (në kurbet). Humbja e furnizimit është nga ngatërresa.

Çdo gjë e ka fundin e vet. Gjërat e bereqetshme dhe të frytshme janë më të pakta. Do të arrijë ajo çka është e përcaktuar për ty. Ai që ka hyrë në tregti, është futur në rrezik. Prej ndihmësit të pavlefshëm dhe të pasigurt nuk ka të mira. Mos e merr për bazë të punës mashtrimin dhe hilen. Ai që e gjen urtësinë do të rritet. Do t i rritet dituria e atij që mundohet të kuptojë. Vizita e njerëzve të mbarë është ringjallje për zemra. Merre hisen e kohës, kur ajo të bëhet e përshtatshme për ty. Kur të kryen ndonjë mëkat, menjëherë asgjësoje atë me pendim.  

Nëse të tradhton ndonjëri i cili të konsideron ty si të besueshëm, mos e tradhto ti atë; edhe nëse ta zbulosh sekretin, ti mos ia zbulo atij. Mos humb nga dora diçka të vogël, duke shpresuar se do të shumohet. Jotja është të kërkosh, ndërsa, do të të arrijë pjesa jote. Merr më tepër sesa që ke nevojë dhe shpërndaje atë në një mënyrë të bukur duke dhuruar. Me njerëzit mundohu të flasësh vetëm fjalë të mira.

Sa e urtë është kjo fjali, përmban pak fjalë, por e ka kuptimin e madh: Atë që e dëshiron për vete, të njëjtën dëshiroje edhe për të tjerët; atë që urren për vete, urreje edhe për të tjerët. Nëse ngutesh lidhur me vlerësimin e ndonjërit, në të shumtën e rasteve do të bëhesh pishman. (Ruaju nga veprimet e ngutshme që rezultojnë me pendim).  Dije se mbajtja e fjalës së dhënë dhe mbrojtja e familjes është bujari dhe fisnikëri. Kthimi i kokës është shenjë e urrejtjes; arsyetimi i shumtë është shenjë e koprracisë. Ndonjëherë është më mirë të mos i japësh diçka vëllait tënd duke buzëqeshur, sesa të japësh diçka me fytyrë të mërrolur.

 

Vizita e të afërmeve dhe të bërit mirësi ndaj tyre, rrjedh nga bujaria. Nëse ti i ndërpret lidhjet me të afërmit e tu, kush mund të shpresojë në ty ose mund të mbështetet në ty? Ndërprerja e dhurimit është shenjë e ndërprerjes së marrëdhënieve.  Nëse vëllai yt i ndërpret marrëdhëniet më ty, ti mundohu që ta ripërtërish këtë; nëse ta kthen fytyrën, mundohu që të afrohesh dhe të gjendesh në lutje; kur të tregohet koprrac, ti mundohu të tregohesh bujar; nëse të largohet, ti afrohu; nëse sillet vrazhdë me ty, ti sillu but; nëse të ofendon, ti bëhu sikur të jesh skllavi i tij e ai zotëruesi yt, dhe detyroje që të kërkojë falje.

Dhe, ruaju që këto të mos i praktikosh në vendin e gabuar dhe te njeriu i gabuar (që nuk meriton një gjë të tillë). Mos u miqëso me armikun e mikut tënd, sepse do të bëhesh armiku i mikut tënd. Mos bën hile, sepse kjo është natyra e njeriut të ulët. Kërko të mbarën e vëllait tënd, qoftë ai i kënaqur me ty apo jo. Ndihmoji atij në çdo gjendje, kudo që të shkojë edhe ti shko me të; edhe nëse të gjuan me dhe në gojë, mos e dëno atë.

Me armikun sillu me fisnikëri dhe fale atë, kjo i përshtatet më tepër arritjes së fitores. Shpëtoje veten nga sherri i popullit përmes moralit të bukur. Gëlltite zemërimin, sepse, sa i përket përfundimit, nuk kam gjetur asgjë më të ëmbël dhe më të lezetshëm sesa ky veprim. Mos e ndërprit marrëdhënien tënde me vëllanë tënd në bazë të dyshimit; mos e largo prej zemrës tënde përgjithmonë. Nëse sillet vrazhdë ndaj teje, ti sillu butë ndaj tij; ndoshta edhe ai do të zbutet.

 

Sa e keqe është ndërprerja e marrëdhënies pas vendosjes së saj, t ia shkaktosh dhimbjen pasi që je vëllazëruar me të; armiqësia pas miqësisë; tradhtia pas besimit; humbja e shpresës së atij që shpreson dhe bërja hile atij që beson. Nëse je i detyruar që të ndahesh nga vëllai yt, dhuroja atij një mirësi nga vetja, në mënyrë që nëse dëshiron një ditë të kthehet, të mund ta bëjë këtë pa vështirësi. Nëse ndokush ka ndonjë mendim të mirë për ty, bëre atë mendim realitet. Mos ia ceno të drejtën e vëllait tënd duke e shfrytëzuar miqësinë që keni ndërmjet jush, sepse, nëse ia dëmton të drejtën, atëherë më nuk është vëllai yt.

 

Mos u bën person i vrazhdë ndaj anëtarëve të familjes. Mos trego interesim për atë që nuk tregon interesim për ty. Nëse ndokush lidhet me zemër për ty dhe nëse është i përshtatshëm për bisedë shoqërore, mos ia kthe shpinën atij. Mos lejo që vëllai yt të jetë më i vendosur në ndërprerjen e marrëdhënies sesa që je ti i vendosur për vendosjen e marrëdhënieve me të; që forca e tij për të vepruar keq të jetë më e madhe sesa forca jote për të vepruar mirë; fuqia e tij në koprraci, të tejkalojë fuqinë tënde bujare, dhe, forca e tij për të bërë keq të jetë mbi forcën tënde për të bërë mirë. Mos të të rritet në sytë e tu padrejtësia e të padrejtit, sepse ai punon në dëm të vetes dhe në të mirën tënde. Nuk është punë me vend bërja keq atij që të bën të lumtur.

Furnizimi është i dyllojshëm: Njëri është ai të cilin e kërkon ti, ndërsa tjetri është ai që të kërkon ty; edhe nëse nuk afrohesh ti tek ai, ai do të vijë tek ti.  O biri im, dije se koha është e mbushur me kalime prej një gjendjeje në tjetrën dhe ndodhi të shumta. Mos u bën si ata që janë të vrazhdë gjatë tërheqjes së vërejtjes dhe që kërkojnë shumë pak falje nga njerëzit. Sa e shëmtuar është përulja gjatë vështirësisë dhe lazdrimi gjatë pasurisë. Nga kjo botë duhet të zotërosh vetëm aq sa mund ta rregullosh botën e ardhshme.

Atëherë, shpenzoje me vend dhe mos u bën ruajtësi i mallit për të tjerët. Nëse pikëllohesh për atë që të ka dalë nga dora, atëherë pikëllohu edhe për atë që nuk të ka arritur fare. Ajo që ende nuk ka ndodhur, mësoje nga ajo që ka ndodhur në të kaluarën, sepse punët gjithmonë i përngjajnë njëra tjetrës. Mos u bën si ata që nuk falënderojnë për asnjë begati, sepse, mosfalënderimi është shkalla më e ulët e pabesimit.

 

Bëhu nga ata që e pranojnë faljen. Mos u bën si ata që nuk marrin mësim pa rënë në kurth dhe që nuk përfitojnë nga këshillat. Njeriu i mençur merr mësim përmes edukimit, ndërsa kafsha, përmes kamxhikut. Njihja të drejtën e atij, të cilit i njihet dhe pranohet e drejta, qoftë i vogël apo i madh. Largoji brengat nga vetja përmes durimit, besimit të pastër dhe mbështetjes. Ai që nuk mund të përmbahet, do të humbasë rrugën. Modestia është një lumturi e bukur për njeriun. Njëri ndër shokët më të këqij të njeriut është lakmia.

Në humbjen e shpresës ka të meta (njeriu i pashpresë heq dorë shpejt nga puna). Koprracia e hap rrugën e fajësimit. Shoku dhe miku është farefisi. Miku është ai që e përmbush kushtin e miqësisë edhe atëherë kur ti nuk je prezent; epshi dhe pasioni janë ortakë me verbërinë (që të dyja janë pengesa për identifikimin e së vërtetës). Përmbajtja në gjendjen e pamendes, është një lloj i suksesit. Bindja e sigurt është diçka që e largon pikëllimin shumë bukur. Fundi i gënjeshtrës, është fajësimi. Përfundimi i mbarë (shpëtimi) është në drejtësi; përfundimi i gënjeshtrës është përfundimi më i keq. Sa të largët ka, që janë më të afërt se të afërmit dhe sa të afërm ka, që janë shumë të largët se të largëtit.  

 

I huaj është ai që nuk ka asnjë mik. Supozimi i keq t i humbë miqtë. Ai që e ruan epshin nga gjërat e dëmshme, do të gjejë shërim. Ai që largohet nga e vërteta, do të has në vështirësi. Ai që e di kufirin e vet, nuk do ta humbë asnjëherë vlerën. Dhurimi është një prirje e bukur. Më i poshtëri është ai që bën padrejtësi kur është i fortë. Turpi është mjeti i arritjes së çdo gjëje të bukur. Dorëza më e sigurt është frika nga Allahu. Lidhja më e fortë është lidhja ndërmjet teje dhe Allahut. Je i obliguar ndaj atij që ta largon shqetësimin. Mos tepro me fajësim, sepse e nxit zjarrin e inatit. Sa të sëmurë kanë shpëtuar dhe sa të shëndoshë kanë vdekur.

Aty ku lakmia e shkatërron njeriun, aty fiton humbja e shpresës. Çdo turp nuk hapet dhe çdo rast nuk mund të shfrytëzohet. Shumë nga ata që shohin, kanë humbur rrugën dhe shumë të verbër e kanë gjetur rrugën e drejtë. Nuk do të gjejë çdokush që kërkon dhe nuk do të shpëtojë çdokush që është i kujdesshëm. Të keqen vonoje gjithmonë, sepse atë mund ta kryesh në çdo kohë që dëshiron. Nëse të pëlqen mirësia e dikujt e bërë ndaj teje, atëherë gjendu në mirësi ndaj të tjerëve. Pranoje vëllanë tënd me gjithë tiparet dhe të metat e tij që i zotëron.

Mos fajëso shumë, sepse fajësimi të shpjerë në urrejtje dhe mosdurim ndaj tjetrit. Kërko falje prej personit nga i cili shpreson se do të të falë. Qëndrimi larg nga i padijshmi është baras me të afruarit kah i dituri. Sjellja serioze rrjedh nga fisnikëria. Do të shkatërrohet ai që inatoset dhe e kundërshton kohën në të cilën jeton. Do të zemërohet ai që fajësohet. Ai që hakmerret, është shumë afër atij që bën padrejtësi. Ai që bën hile, është shumë afër tradhtarit. Nëse rrëshqet ai që sillet me kujdes, do të rrëshqet furishëm.

 

Sëmundja e gënjeshtrës, është një sëmundje më e shëmtuar nga të gjitha sëmundjet. Ngatërresa shkatërron shumë pasuri; kursimi e shton të paktën. E pakta (vetmia ose varfëria) është poshtërsi. Bamirësia ndaj prindërve rrjedh nga madhështia e karakterit. Rrëshqitja shkon bashkë me nxitimin. Nuk ka lezet në të mirën që përfundon me pendim. Njeriu i mençur është ai që merr mësim nga përvojat.  

Rruga e drejtë e largon verbërinë e zemrës. Gjuha është përkthyesi i mendjes. Nuk arrihet marrëveshja përmes kundërshtimeve. Fqinjësi e mirë do të thotë, të pyesësh gjendjen e fqinjit. Ai që e mban mesin, nuk do të shkatërrohet. Ai që përmbahet nga kjo botë, nuk do të varfërohet. E fshehta (brendësia) e njeriut, e njofton njeriun me vetveten. Sa shumë njerëz ka që i hapin varrin vetvetes (shkojnë drejt vdekjes). Mos e zëvendëso sigurinë me shpresën.

Nuk të dëmton çdo gjë nga e cila frikohesh.  Sa shaka janë që shndërrohen në seriozitet. Ai që bëhet i sigurt nga koha, do të zhgënjehet nga ajo. Ai që bëhet mendjemadh ndaj kohës, do të poshtërohet prej saj. Ai që zemërohet ndaj kohës, do ta shikojë veten të zvarritur dhe të pavlerë. Ai që mbështetet te koha, do të mbetet pa ndihmës. Çdo shigjetë nuk e arrin cakun.

 

Kur ndërrohet udhëheqësi, do të ndërrojë edhe koha. Më të mirët në familje, janë ata që të mjaftojnë. Të bërit shaka, lind urrejtjen. Sa dëshira ekstreme ekzistojnë që nuk do të arrijnë qëllimin. Gjendja e bindjes së sigurt për fenë, është ndër gradat më të larta. Përkryerja e sinqeritetit, është largimi nga mëkatet. Fjala më e bukur, është fjala që e dëshmon veprën. Shpëtimi, është bashkë me drejtësinë. Lutja është çelësi i mëshirës. Para se të nisesh në rrugë, zgjidhe shokun e rrugës dhe para se ta blesh shtëpinë, zgjedhe fqinjin. Botën dije si një vend nga i cili do të migrosh. Duro ndaj atij që të kundërshton.

Pranoje kërkimin e faljes të atij që kërkon falje. Mos ia komuniko askujt lajmin e papëlqyeshëm. Respektoje vëllanë tënd edhe nëse të bën padrejtësi; afroju atij edhe nëse largohet prej teje. Mësoje veten me bujari. Zgjidhi karakteret më të mira për vete, sepse e mbara është një adet. Mos fol fjalë të shëmtuara dhe qesharake, qofshin ato edhe fjalët e të tjerëve. Jepe hakun, para se ai të merret nga ti. Mos u këshillo me gratë, sepse, opinionet e tyre janë të dobëta dhe vendosmëria e tyre nuk është e qëndrueshme.

Mbuloji shikimet e gruas (me mbulesë) nga këshillimet me të huajt (namahrem), sepse mbulesa është më e mirë për ty dhe për të tjerët. Nuk është më e keqe dalja e tyre jashtë shtëpisë sesa pranimi i njerëzve të  pabesueshëm në shtëpinë tënde. Nëse mund t ia arrish që të mos njohin askënd tjetër përveç teje, bëje këtë. Mos e angazho në ndonjë punë që i tejkalon mundësitë e saja, kjo do të jetë shumë më e përshtatshme për gjendjen e saj. Në këtë mënyrë do ta ruajë qetësinë e saj, zemra do t i qetësohet dhe bukuria e saj do të zgjasë më tepër. Gruaja është një lule, asaj i merret era dhe ajo nuk është një hero.

 

Mos e lartëso gruan, përpos me lartësinë e vet që e ka. Mos e bën atë ndërmjetësues, sepse do të të ofendojë gjatë arritjes së qëllimit. Mos rri shumë gjatë me gratë, sepse të bezdisin ose bezdisen prej teje. Mos e përdor tërë fuqinë kundër tyre, sepse, kur të të shohin të fuqishëm, do të kërkojnë prej teje që të heqësh dorë nga gabimet e tyre; në vend të kësaj, më mirë le të të shohin ty si të dobët. Mos xhelozo vend e pa vend, sepse, xhelozia pa vend mund ta lakojë edhe gruan e drejtë; punën e saj bëre të sigurt (mos e lër atë krye në veti).

Kur të vëresh ndonjë mëkat, qoftë i madh apo i vogël, tërhiqja vërejtjen asaj; ruaju nga ndëshkimi i saj, sepse do ta zvogëlosh vlerën e qortimit dhe do ta bësh të madhe mëkatin. Edukoji mirë shërbëtorët e tu, zemërohu më pak ndaj tyre, mos i fajëso për tjetër veçse për mëkatet e kryera. Te njeriu i mençur falja do të ndikojë më shumë sesa rrahje. Rri larg nga njerëzit e padijshëm dhe nga përfundimet të cilat arrihen përmes krahasimeve logjike.

 

Shërbëtorët ngarkoji me punët që mund t i kryejnë, sepse do të ngarkojnë njëri-tjetrin me atë punë. Gjendu në mirësi ndaj  miqve, sepse ata janë krahët e tu fluturues dhe esenca e kthimit tënd; me ata do t i sulmosh armiqtë dhe ata do të bëhen furnizimi yt gjatë ditëve të varfërisë. Prandaj, bëju mirë atyre, vizitoji të sëmurët e tyre, bëhu ortak në punët e tyre, lehtësoji gjatë vështirësive. Kërko ndihmën e Allahut në çdo punë, Ai të mjafton si ndihmës. Të lë në amanet të Allahut, në punët e fesë dhe të botës. Të dëshiroj të mbarën, në këtë dhe në botën tjetër. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ty!