TESTAMENTI I BËRË DJALIT TË TIJ IMAM HASANIT (A.S.) GJATË MOMENTEVE TË FUNDIT TË JETËS

(Këtu është përcjellë vetëm një pjesë e këtij testamenti)

 

Ky është testamenti i Ali ibn Ebu Talibit. U lë porosi besimtarëve që të dëshmojnë se nuk ka adhurues tjetër përveç Allahut, është tek dhe i pashoq, dhe Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij; edhe nëse nuk e pëlqejnë këtë jobesimtarët, atë e ka dërguar si fitues mbi të gjitha religjionet dhe udhëzues të rrugës së drejtë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për Muhamedin (s.a.a.)! Namazi im, adhurimi im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e të gjithë botëve; nuk ka shok dhe të ngjashëm, kjo më është urdhëruar mua dhe unë jam i pari prej atyre që i dorëzohen Atij. O Hasan! - Të lë porosi ruajtjen nga Allahu, ty, gjithë fëmijëve, Ehli Bejtit dhe gjithë atyre deri tek të cilët mbërrin ky shkrim. Vdisni si mysliman, përqafojeni bashkërisht litarin (Kuranin) e Allahut dhe mos u përçani. Kam dëgjuar prej Resulullahut (s.a.a.) të thotë: Pajtimi i dy njerëzve përmban më shumë virtyt sesa të gjitha namazet dhe agjërimet .

Morali shkatërrues dhe asgjësuesi i fesë nga themeli është intriga dhe ngatërresa. Nuk ka fuqi dhe forcë përveç Allahut. Nëse dëshironi që në ditën e Kiametit të keni llogarinë më të lehtë, mirëmbajini marrëdhëniet familjare me të afërmit.  Për hir të Allahut, për hir të Allahut, mbrojini jetimët; mos lejoni që para syve të shkelen të drejtat e tyre.

Unë kam dëgjuar prej Resulullahut (s.a.a.): Kush u ofron mbrojtje jetimëve deri në moshën kur mund të kujdeset për vete, Allahu do ta obligojë atë me xhenet, ndërsa, kush e ha pasurinë e jetimit, atij do t i bëhet obligim xhehenemi. Për hir të Allahut, për hir të Allahut, respektojeni Kuranin; mos të kalojnë të tjerët para jush në të kuptuarit e tij.(Në Nehxh ul Belaga shkruan: Në të vepruarit sipas tij) Për hir të Allahut, për hir të Allahut, jepuni të drejtat e fqinjëve. Këtë na ka këshilluar Resulullahu (s.a.a.). Aq shumë na ka këshilluar në lidhje me fqinjët, sa që kujtonim se ata do të marrin hise në trashëgiminë tonë. 

                                                

 

Për hir të Allahut, për hir të Allahut, mos e braktisni vizitën e shtëpisë së Allahut (haxhin). Përderisa të jeni gjallë, mos e leni të zbrazët atë shtëpi, sepse, nëse hiqet dorë nga ajo shtëpi, do të zbresë dënimi i Allahut pa ju dhënë afat apo pa e vonuar atë. Dhurata më e vogël e atij që e viziton atë shtëpi është falja e të gjitha mëkateve të kaluara.  Për hir të Allahut, për hir të Allahut, mos e braktisni namazin; namazi është vepra më e mirë dhe shtylla e fesë. Për hir të Allahut, për hir të Allahut, jepini zeqatin; zeqati e zbut dënimin nga ana e Allahut.

Për hir të Allahut, për hir të Allahut, agjëroni muajin e Ramazanit, sepse është mburojë kundër zjarrit. Për hir të Allahut, për hir të Allahut, kujdesuni për të varfrit dhe nevojtarët; pranoni ata për ortakë të jetës suaj. Për hir të Allahut, për hir të Allahut, luftoni drejt rrugës së Allahut përmes jetëve, pasurive dhe gjuhëve tuaja. Vetëm dy persona mund të luftojnë në rrugën e Allahut: Prijësi që ka arritur pozitën e udhëheqjes (Imami) dhe ai që i nënshtrohet dhe e pason atë. Për hir të Allahut, për hir të Allahut, ruajeni të drejtën e fëmijëve të Resulullahut (s.a.a.); mos lejoni që duke pasur mundësi për të mbrojtur të drejta e tyre, ta përjetoni padrejtësinë në mesin tuaj. Për hir të Allahut, për hir të Allahut, vështrojeni atë sahabe që i bën shpifje Pejgamberit dhe që i bëjnë mbrojte shpifësit.

 

Resulullahu (s.a.a.) ka këshilluar në lidhje me sahabet dhe i ka mallkuar shpifësit dhe ata që i mbrojnë shpifësit.  Për hir të Allahut, për hir të Allahut, jepni të drejtat e grave, skllevërve dhe skllaveve që janë nën kujdesin tuaj. Fjalët e fundit të Resulullahut (s.a.a.) ishin këto: Ju këshilloj për dy grupe të pafuqishmëve: Gratë dhe skllevërit e skllavet tuaja . Namazi, namazi, namazi! Mos u frikohuni nga fajësimet e asnjërit në lidhje me të drejtat tuaja ndaj Allahut. Allahu ju mbron nga sherri i atyre që jua donë të keqen dhe që ju bëjnë padrejtësi.

Bisedoni me njerëzit ashtu si ka urdhëruar Allahu, me një gjuhë të bukur. Mos e braktisni urdhërimin ndaj punëve të mira dhe ndalimin prej punëve të këqija, sepse, nëse nuk e bëni këtë, Allahu do t ju sjellë udhëheqës të padrejtë që do t'ju sundojnë juve. Pastaj, do të luteni për mbrojtje nga sherret e tyre por nuk do t ju pranohen lutjet.  O fëmijët e mi! - Le të jenë marrëdhëniet e mira ndërmjet jush. Vizitoni njëri tjetrin, plotësojini nevojat e njëri tjetrit, mos u ndani njëri nga tjetri, mos ia ktheni fytyrën njëri tjetrit dhe mos u përçani. 

 

Ndihmoni njëri tjetrin në kryerjen e punëve të mira dhe ndalesën prej të këqijave, mos u ndihmoni për të bërë krim apo armiqësi dhe frikohuni nga Allahu; padyshim që dënimi i Allahut është i rëndë. Allahu ju mbrojt Ehli Bejti dhe Allahu i mbrojt gjurmët e Resulullahut s.a.a.) përmes jush. Ju lë amanet ndaj Allahut. Ju uroj që mëshira dhe bereqeti i Allahut të jenë për ju. Pastaj thoshte pandërprerë: La ilahe ilallah , përderisa e lëshoi këtë botë.