POROSITË E SHKURTA DHËNË KUMEJL B. ZIJADIT

 

 

O Kumejl, përkujtoje çdo ditë emrin e Allahut duke thënë La havle ve la kuvete il-la bil-lah (Tërë forca dhe fuqia i takon vetëm Allahut) dhe kërko mbrojtjen e Tij. Na përkujto neve, bjeri salavat duke e përmendur emrin tonë dhe këtë përsërite për vete dhe për ato gjëra që u jep rëndësi për mbrojtjen e tyre; inshallah, do të jesh i mbrojtur prej sherrit të asaj dite! O Kumejl, Allahu i lartësuar e edukoi Hz Resulullahun (s.a.a.) dhe ai më edukoi mua. Unë jam ai që i edukon besimtarët dhe që këtë edukatë ua lë trashëgim njerëzve të virtytshëm. 

   

O Kumejl, unë e filloj çdo dituri; të gjitha të fshehtat do t i përfundojë Kaimi (Hz Mehdiu a.s.) O Kumejl, familja e Hz Resulullahut (s.a.a.) dhe Ehli Bejti i tij e kanë prejardhjen e njëjtë. Allahu dëgjon gjithçka dhe i di të gjitha. O Kumejl, diturinë dhe edukatën mund ta pranosh vetëm nga ne dhe, atëherë do të llogaritesh si njëri prej neve.

O Kumejl, shkathtësia (dituria dhe vetëdija) të nevojitet në çdo hap dhe në çdo lëvizje. O Kumejl, para se të fillosh me ngrënien e ushqimit, përmende emrin e Allahut; asnjë sëmundje nuk mund të dëmtojë me emrin e Tij dhe është zgjidhje për çdo brengë.

O Kumejl, ndaje ushqimin tënd me të tjerët dhe mos u bën koprrac, sepse, ti nuk mund ta furnizosh askënd (vetëm Allahu e furnizon çdokënd), dhe si përgjigje për këtë veprim do të fitosh shpërblimin e madh prej Allahut. Sillu këndshëm kur je në sofër; gëzoje shokun e sofrës dhe mos e fajëso shërbyesin.

 

O Kumejl, qëndro më gjatë në sofër, ashtu që shoku yt të ngihet dhe të tjerët ta marrin pjesën e furnizimit të tyre. O Kumejl, mbas ushqimit, falënderoje Allahun për furnizimin e dhënë, bëre këtë me zë që edhe të tjerët ta bëjnë të njëjtën; atëherë do të fitosh më shumë sevape.

O Kumejl, mos e mbush tërë barkun me ushqim, lëre vendin edhe për ujë dhe për ajër; ndërprerje ushqimin ende pa u ngopur, atëherë do ta ndiesh lezetin e ushqimit. Shëndeti i trupit është te ngrënia dhe pirja me sasi më të vogël.

 

O Kumejl, bereqet në mallin e tij do të ketë vetëm ai që e paguan zeqatin, sillet në mënyrë vëllazërore me besimtarët dhe i mirëmban marrëdhëniet me të afërmit e tij. O Kumejl, sillu me mëshirë dhe me butësi ndaj të afërmve që janë besimtarë, ndajua atyre pjesën më të madhe dhe jepu lëmoshë të varfërve. O Kumejl, ai që ta hapë dorën për të kërkuar lëmoshë, mos e kthe duarzbrazët, edhe nëse ke mundësi për të dhënë ndonjë hurmë apo kokërr të rrushit. Me të vërtetë, tek Allahu lëmosha rritet. O Kumejl, stolia e besimtarit është modestia; bukuria e tij është dëlirësia; nderi i tij është hulumtimi dhe kuptimi i fesë; krenaria e tij është largimi nga fjalët e kota dhe boshe.

O Kumejl, në çdo klasë të shoqërisë, çdo grup është më i lartësuar se tjetri; mos hyr ne debate me ata që janë të nivelit më të ulëtë; bëhu prej atyre që përmbahen për ta kthyer fjalën nëse u thonë ndonjë fjalë nënçmuese, sikurse që thotë Kurani: ..e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: Paqe! (Furkan, 63) 

 

O Kumejl, thuaje të vërtetën në të gjitha gjendjet. Bëhu miku i njerëzve të devotshëm; largohu prej mëkatarëve, prej dyfytyrëshave sa më larg dhe mos u shoqëro me tradhtarët dhe ata që nuk janë besnikë. O Kumejl, mos trokit derën e mizorëve me qëllimin e vendosjes së marrëdhënieve miqësore ose tregtare. Mos u shfaqni respekt atyre. Mos merr pjesë në ato mbledhje ku do të fitosh dënimin e Allahut; nëse je i detyruar që të jesh prezent, vazhdimisht përmende Allahun, mbështetu tek Ai dhe kërko mbrojtjen e Allahut prej sherreve të tyre; ule kokën poshtë dhe refuzo me zemër të bërat e tyre. Lartësoje Allahun me aq zë, sa të mund të dëgjojnë ata. Në këtë mënyrë, Allahu të përforcon dhe të mbron prej sherrit të tyre.

O Kumejl, nënshtrimi më i mirë mbas pranimit të nënshtrimit ndaj Allahut dhe udhëheqjes së të afërmve të tij, është dëlirësia dhe durimi. O Kumejl, kur ke vështirësi financiare, mos e shfaq atë; mbaje të fshehtë me qëllim të mbrojtjes së krenarisë së egos dhe duro për hir të Allahut.

O Kumejl, nuk ka të keqe në shfaqjen e të fshehtës vëllait tënd, por a e di se kush është vëllai yt? Është ai që kur je në vështirësi, nuk të lë vetëm; nëse të kërkohet shpagimi i të hollave për gjak, ai nuk tërhiqet në një skaj; kur ke ndonjë nevojë, të ndihmon pa i kërkuar ndihmë dhe vazhdimisht është i interesuar për gjendjen tënde. Nëse vëllai yt mundohet që të të largojë nga rruga e drejtë, mundohu që ta përmirësosh atë.

O Kumejl, besimtari është pasqyra e besimtarit; ia plotëson nevojën dhe ia zbukuron gjendjen. O Kumejl, besimtarët janë vëllezër, vëllai nuk preferon asgjë tjetër në vend të vëllait. O Kumejl, nëse nuk e do vëllanë tënd, atëherë nuk je vëllai i tij. Besimtari i vërtetë është ai, i cili flet atë çka flasim ne; nëse e kundërshton fjalën tonë, do të mbetet mbrapa; ai që mbetet mbrapa nesh, nuk mund të na arrijë; ai që nuk është afër nesh, ai është në shtresën e fundit të xhehenemit.

 

O Kumejl, ai që ka brengë në gjoksin e tij, do të pështyjë gëlbazë (ai që e mban sekretin në zemrën e tij, do ta derdhë te gjuha e tij). Nëse ndokush të tregon ndonjë fshehtësi në lidhje me ne dhe kërkon të mos i tregosh askujt, mos ia shfaq atë askujt. Në të kundërtën, nuk do të pranohet pendimi yt dhe, stacioni yt i fundit do të jetë zjarri i xhehenemit. O Kumejl, nuk mund të durohet shfaqja e sekretit të Hz Resulullahut (s.a.a.) dhe të Ehli Bejtit të tij; atij që e bën këtë, nuk do  t i pranohet pendimi. Këto që po t i tregoj, mos i trego askujt përveç besimtarit me bindje të sigurt. O Kumejl, kur të përballesh me ndonjë vështirësi, thuaj: La havle ve la kuvete il-la bi-llah , dhe kjo do të mjaftojë. Kur ta arrish ndonjë dhunti, thuaj Elhamdulil-lah ,do të shtohet edhe më shumë furnizimi. Nëse të vonohet furnizimi, kërko falje nga Allahu, në mënyrë që ta arrish bollëkun.  O Kumejl, ruaje mallin dhe fëmijët nga ortakëria me shejtanin, duke e pranuar udhëheqjen tonë.

 

O Kumejl, imani ekziston dhe është i vendosur në zemrat e njerëzve, por ka edhe iman që vendoset në zemra si huazim. Mos u bën ndër ata që e huazojnë imanin. Nëse dëshiron që imani të mos dalë nga zemra jote, këtë mund ta arrish vetëm nëse nuk ndahesh nga rruga kryesore (udhëheqja e Ehli Bejtit), e cila rrugë nuk të devijon dhe nuk të shmang asnjëherë.  O Kumejl, sikurse që nuk tolerohet moskryerja e asnjërit prej obligimeve (farz), ashtu edhe asnjë vepër joobliguese (synet) nuk e ka ndëshkimin (Nuk është patjetër kryerja e saj).  

O Kumejl, dije që gjithmonë mëkatet e tua janë më të shumta se mirësitë e tua; pavëmendja është më e madhe sesa përkujtimi i Allahut dhe dhuntitë e Allahut janë më të shumtë në krahasim me veprat e tua të kryera. O Kumejl, ti je duke përfituar vazhdimisht nga dhuntitë dhe nga mirësitë e Allahut, prandaj mbaje veten të zënë vazhdimisht me falënderim, lartësimin dhe të madhëruarit e Tij.

 

O Kumejl, mos u bën ndër të mbrapshtët, sikur që i përshkruan Kurani: Mos u bëni si ata që e harruan Allahun dhe Ai i bëri të harrojnë vetveten. Ata janë të mbrapshtë (Hashr, 19) O Kumejl, nuk është e rëndësishme vetëm falja e namazit, agjërimi dhe dhënia e lëmoshës; më e rëndësishme se kjo është falja e namazit (si dhe kryerja e veprave tjera) me zemër të pastër, duke përfituar kënaqësinë e Allahut dhe prezencën përpara Allahut duke qenë në gjendjen në mes dashurisë dhe frikës ndaj Allahut. Ki kujdes për vendin dhe mbi çka po e fal namazin; nëse këto nuk i ke të fituara në mënyrë të lejueshme (hallall), nuk do të pranohet namazi i falur.

O Kumejl, ajo që është në zemër do të rrjedhë te gjuha; zemra do të fitojë gjallëri përmes furnizimit që e pranon. Ki kujdes për ushqimin e zemrës dhe të trupit, nëse nuk është e lejuar nuk do të pranohet falënderimi dhe lartësimi yt. 

                                               

O Kumejl, dije dhe kuptoje se ne nuk i kemi dhënë leje askujt për moskthimin e amanetit të popullit. Kush transmeton ndonjë thënie të tillë nga unë, ka folur të pavërtetën dhe dënimi për këtë gënjeshtër është zjarri i xhehenemit. Betohem se para se të ndërrojë jetë Hz Resulullahu (s.a.a.) më porositi tri herë: O Eba l Hasan, amanetin ktheja pronarit, qoftë njeri i mirë apo i mbrapshtë dhe qoftë amaneti i vogël apo i madh, madje edhe nëse ajo është gjilpëra ose pena .

O Kumejl, xhihadi është i lejuar vetëm me Imamin e drejtë dhe plaçka e luftës do të bëhet hallall vetëm përmes Imamit të virtytshëm. O Kumejl, sikur Allahu të mos kishte dërguar pejgamber dhe në sipërfaqen e Tokës të ekzistonte një besimtar i vetëm! Nëse ky besimtar e ngarkon veten me misionin e pejgamberit për t i bërë thirrje popullit, athua sipas teje, vepra e tij është e drejtë apo jo? Vallahi, nëse Allahu nuk e ka caktuar atë për këtë punë dhe nëse nuk e meriton këtë, ai nuk ka të drejtë ta bëjë atë punë.  (Detyrat dhe përgjegjësitë hyjnore, si udhëzimi dhe kumtimi, janë obligime që mund t i ngarkojë vetëm Allahu personave të caktuara)

 

O Kumejl, feja është e Allahut; Ai nuk i jep leje askujt që ta drejtojë atë, përveç resulit, nebiut dhe vasiut.(Resul - I dërguari i Allahut që i vë themelet e fesë së Allahut përmes shpalljes; Nebi I dërguari i Allahut që punon sipas ligjeve (sheriat) të fesë së themeluar nga Resuli, dhe grada e tij është më e ulët sesa e Resulit; Vasi  kalifi që e cakton Allahu për ta mbrojtur fenë ) O Kumejl, pozita e udhëzimit është e kufizuar vetëm me nubuvet, risalet dhe imamet (nebi, resul dhe imam), të tjerët ose i binden këtyre ose bëhen të devijuar dhe prej atyre që shpifin (bidat). Allahu pranon vetëm nga të sinqertët (Maide, 27) O Kumejl, Allahu është Fisnik, I Butë (nuk ngutet me dhënien e dënimit), Përcaktues dhe I Mëshirshëm. Ai na ka njoftuar me moralin (ahlak) e Tij dhe na ka urdhëruar që të atribuohemi sipas Tij dhe ta udhëzojmë popullin në atë drejtim. Dhe, ne e kemi zbatuar këtë urdhër pa e kundërshtuar fare; e ekzekutuam pa shfaqur asnjë përçarje; e miratuam pa e përgënjeshtruar dhe e pranuam pa dyshuar fare. O Kumejl, as nuk bëj lajka për t u bindur, as nuk dal nga fjala e dhënë përmes premtimeve të kota dhe as nuk i jap rëndësi ushqimit të nomadëve për të fituar titullin Urdhërues i Besimtarëve. O Kumejl, ai që ka fituar ndonjë pozitë apo ndonjë mall, ai ka fituar botën kalimtare. Ndërsa ne kemi fituar ahiretin e përjetshëm. 

                                                  

O Kumejl, çdokush është duke udhëtuar kah ahireti. Ajo që ne i japin rëndësi ahiretit, është kënaqësia e Allahut dhe gradat e larta të xhenetit që u janë premtuar të devotshmëve. O Kumejl, përgëzoje me dënim dhe përulje të vazhdueshme atë që nuk e ka vendin në xhenet. O Kumejl, unë në çdo gjendje e falënderoj Allahun për ndihmën e Tij ndaj meje.