PJESË TË FJALIMIT TË FAMSHËM TË ASHTUQUAJTUR  FJALIMI VESILE (MJET)

 

 

Falënderimi qoftë për Allahun, i cili u ka vënë pengesë iluzioneve që ta perceptojnë ekzistencën e Tij dhe mendjeve për ta parafytyruar Zat-in (Esencën) e Tij. Sepse, është e pamundur të gjendet diçka e ngjashme me Esencën e Tij. Në Esencën e Tij të shenjtë nuk ka vend për ndryshime; në përkryerjen e vetive të Tij, nuk ka ndarje siç ndahen (pjesëtohen) numrat. Është ndarë nga çdo gjë, por jo me ndarje sipas distancës dhe vendit; është në çdo gjë, por jo si përzierje. Zotëron dijeni për gjithçka, por jo përmes syrit, veshit dhe organeve. Ndërmjet Tij dhe asaj që e di nuk është ndërmjetësues dituria e tjetërkujt.

Nëse thuhet, ka ekzistuar , kjo do të thotë se ekzistenca e Tij është e amshueshme. Nëse thuhet, është i përhershëm , kjo do të thotë dëbimi i asgjësimit nga Ai. Është shumë i lartë dhe i pastër nga fjala e atij që thotë se do të zgjedh një hyjni tjetër për të adhuruar.  E falënderojmë Atë në mënyrën me të cilën është i kënaqur nga ana e krijesës, të cilën mënyrë e pëlqeu dhe e pranoi për Vete. Deklaroj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, është i Vetmi dhe i pashoq dhe deklaroj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij.

Këto dy deklarata e lartësojnë fjalën dhe e ulin poshtë veprën (në peshojën e veprave). Nëse largohen këto dy deklarata nga çfarëdo peshoje, ajo peshojë do të lehtësohet. Në çfarëdo peshoje që të vendosen, ajo peshojë do të rëndohet. Me këto dy deklarata përfitohet xheneti, shpëtohet nga xhehenemi dhe mundësohet kalimi i urës së Siratit. Me këto dy deklarata do të hyni në xhenet, dhe duke bërë salavate (kërkuar mëshirë) për Të Dërguarin (s.a.a.) do të arrini te Mëshira e Allahut. Atëherë bëni salavat për Të Dërguarin (s.a.a.): Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhëri e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke bërë salavat) dhe përshëndeteni me selam. (Ahzap, 56)

 

O ju njerëz, nuk ka nder më të madh se Islami, virtyt më të bukur se devotshmëria, fortesë më të sigurt se të përmbajturit nga gjërat e dyshimta, ndërmjetësues më të epërm se pendimi, rroba më të mira se shëndeti dhe pasuri si modestia dhe kënaqësia që e largojnë më së shumti varfërinë. Ai që kënaqet vetëm me ushqimin e mjaftueshëm për jetesë, e ka siguruar rehatinë. Lakmia është çelësi i vështirësive. Rritja e panevojshme e çmimeve është mjeti bartës i vuajtjeve.

Xhelozia është shkatërrim për religjionin. Dëshira e tepërt të çon drejt kryerjes së mëkatit dhe kryerja e mëkatit të çon në humbje. Zullumi është shkaktari i shkatërrimit. Pangopësia dhe mendjemadhësia i përfshin të gjitha gjërat e turpshme. Sa e sa lakmi janë që nuk sjellin fitim; sa e sa dëshira janë që bëhen gënjeshtra; sa e sa shpresa janë që njeriun e shpijnë në disfatë, dhe, sa e sa tregti janë që përfundojnë me humbje. Ai që i hyn një pune pa e menduar mirë përfundimin, do t'i  nënshtrohet turpit të fatkeqësisë. Borxhi (sipas librit të Vafiut mëkati) për besimtarin është një qafore e shëmtuar.

 

O ju njerëz, nuk ka thesar më të mirë se dituria, krenari më të dobishme sesa pjekuria, prejardhje më të përkryer se morali, vuajtje më të madhe se dënimi, bukuri më të mirë se mendja, shok më të keq se padituria, veçori më të shëmtuar se gënjeshtra, mbrojtës më të mirë se heshtja dhe fshehtësi më të afërt se vdekja.  O ju njerëz, ai që merret me turpin e vet, nuk mund të jetë i zënë me shikimin e turpit të tjetrit. Ai që shpreh kënaqësi ndaj furnizimit të dhënë nga ana e Allahut, nuk pikëllohet kur të shohë diçka në dorën e tjetrit.

Ai që e nxjerr shpatën e zullumit nga këllëfi, me të do të mbytet. Kush ia hap gropën vëllait, vetë bie në atë gropë. Kush e hap turpin e tjetrit, do t i hapet turpi i familjes së tij. Kush e harron gabimin e vet, e sheh për të madhe gabimin e tjetërkujt. Kush e pëlqen mendimin e vet, do të devijojë. Kush e sheh mendjen e vet si të mjaftueshme, do të rrëshqasë. Ai që tregohet mendjemadh para popullit, do të poshtërohet. Ai që rri me dijetarët, do të fitojë respekt. Ai që përzihet me ata të nivelit të ulët, do të nënçmohet. Ai që ngarkohet me punë të rënda (pa pasur ndonjë arsye), do të shkatërrohet. O ju njerëz, nuk ka mall më të vlefshëm se mendja, varfëri më të ashpër se padituria, predikues më të përkryer se nijeti i pastër, mendje më të mirë se largpamësia, ibadet më të mirë se të menduarit, ndihmës më të mirë se konsultimi, vetmi më të trishtuar se egoizmi, asketizëm më të mirë se përmbajtja nga mëkatet dhe butësi më të mirë se durimi dhe heshtja.

 

O njerëz, gjuha e njeriut i vë në pah dhjetë veçori: Gjuha është një dëshmitar që na informon në lidhje me zemrën; është një gjykatës që gjykon; është zëdhënës që jep përgjigje; mjet ndërmjetësues që e mirëpret nevojën; mjet përshkrues i objekteve; komandant që urdhëron për vepra të mira; predikues që largon nga punët e liga; zbutës i pikëllimeve dhe ngushëllues; lavdërues që i zbut urrejtjet dhe argëtues që i zbavit veshët. O njerëz, sikur që nuk ka të mbarë në të preferuarit e heshtjes në vend të të folurit e të urtësisë, ashtu edhe në të folurit pa dije nuk ka të mbarë.

 

O njerëz, ta dini se kush nuk mund ta përmbajë gjuhën, do të pendohet. Ai që nuk mëson dituri, do të mbetet i padijshëm. Ai që nuk është i durueshëm, nuk është i butë; ai që nuk heq dorë nga puna e ligë, nuk do të bëhet i mençur; ai që nuk është i mençur, është i dobët dhe i shkujdesur; ai që është i dobët dhe i shkujdesur nuk respektohet. Do të shpëtojë ai që është i devotshëm. Ai që fiton në mënyrë të ndaluar (haram), do ta harxhojë atë në një punë ku nuk ka shpërblim. Ai që nuk heq dorë nga e liga përmes respektit, do të heqë dorë përmes fajësimit. Ai që nuk dhuron gjatë rehatisë, do të vihet pas dore kur është në gjendjen e vështirë. Ai që kërkon madhështi në mënyrë të padrejtë, do të poshtërohet.

Ai që e kundërshton të vërtetën, do të bjerë në dobësi. Ai që e mëson ligjin fetar, do të respektohet. Ai që tregon mendjemadhësi, do të poshtërohet. Ai që nuk bën mirësi, nuk do të lëvdohet. O njerëz, më e mirë është vdekja sesa jeta me poshtërime; më mirë është të kryesh llogarinë tënde para se të shohësh dënimin sesa të futesh në dhe i poshtëruar. Varri është më i mirë në krahasim me varfërinë e rëndë (Në shumë hadithe, varfëria është kritikuar sepse duke punuar për të siguruar jetesën, njeriu nuk ka kohë për të menduar për Allahun dhe për të kryer ibadetet. Për këtë arsye, besimtari duhet të punojë dhe të shpëtojë nga varfëria. ), verbërinë dhe nga disa shikime.

 

Koha përbëhet prej dy ditëve: E para është në dobinë tënde dhe e dyta në dëmin tënd; atëherë, bëhu i durueshëm sepse me të dyja je duke u sprovuar. O njerëz, pjesa më e çuditshme e trupit të njeriut është zemra, sepse është burimi i gjërave që janë në favor të urtësisë dhe kundër urtësisë. Kur të shpresojë njeriu, lakmia do ta poshtërojë atë; kur ta nxisë lakmia, dëshira e madhe do ta shkatërrojë. Nëse e humb shpresën, pikëllimi e mbyt atë; nëse goditet me dënim, do t i shtohet hidhërimi. Kur të ngazëllohet, harron ta ruajë veten nga gjërat e rrezikshme.

Kur të ballafaqohet me një situatë frikuese, rrethohet prej brengave nga të gjitha anët. Kur gjendet në situatën e sigurisë dhe të mbrojtjes, bëhet i pakujdesshëm ndaj armikut. Nëse e arrin ndonjë dhunti të re, lëvdohet. Nëse zotëron ndonjë pasuri, pasuria do ta ngrejë atë në ngatërresë. Nëse varfërohet, do të merret me shqetësime dhe probleme.

Kur të përballet me ndonjë fatkeqësi, padurimi do ta turpërojë; kur ta rëndojnë problemet, do të moliset. Kur të teprojë me ushqim, do të hajë deri në atë masë sa t i vështirësohet frymëmarrja. Pra, çdo teprim për njeriun është i dëmshëm dhe shkatërrues.  O njerëz, koprraci do të poshtërohet. Ai që dhuron, do të lartësohet. Ai që ka shumë pasuri, lëvdohet me të. Ai që zotëron pjekuri, fiton respekt. Ai që mendon për Esencën e Allahut, do të dalë  nga feja. Ai që punon shumë ndonjë gjë, do të njihet përmes saj. Ai që bën shaka shumë, do të përbuzet. Ai që qesh shumë, do ta humbë dinjitetin. Ai që nuk ka edukatë, do t i prishet familja. Puna më e mirë është mbrojtja e personalitetit duke shitur mallin (pronën). Ai që shoqërohet me të padijshmin, nuk është i mençur. Ai që shoqërohet me të padijshmin, le të përgatitet me përballjen e thashë e thënave. Nuk mund të shpëtojë nga vdekja i pasuri me pasurinë e tij si dhe i varfëri me varfërinë e tij.

 

O njerëz, padyshim se ekzistojnë dëshmitarët e zemrës që ndihmojnë në largimin e zemrës nga ndikimi i atyre që gabojnë. Të qenët i zgjuar në pranimin e këshillave, e shpie epshin në përmbajtjen ndaj gabimeve. Epshet dhe dëshirat ndonjëherë depërtojnë deri te zemra, por mendja parandalon duke i vendosur pengesat. Përvojat përmbajnë dituritë e reja. Nxjerrja e mësimit e shpie njeriun në rrugën e drejtë. Mjafton për ty mësimi në atë, që e vëren te të tjerët dhe nuk e pëlqen. E drejta e vëllait tënd ndaj teje është e njëjtë sikur e drejta jote ndaj tij. Ai që është i kënaqur vetëm me pikëpamjen e vet, është duke e hedhur veten në rrezik.

Ndërmarrja e masës paraprake e parandalon pendimin. Ai që i hulumton pikëpamjet e ndryshme, mund të zbulojë gabimet. Pikëpamja e personit që largohet nga fjalët e kota, do t i përshtatet të gjitha mendjeve. Kush e kufizon epshin e vet, është duke e mbrojtur dhe çmuar vlerën e tij. Kush e mbron gjuhën e tij, populli do t i besojë atij dhe do ta arrijë qëllimin.

Gjatë ndërrimit të kushteve dhe gjendjeve, do të dalë në shesh natyra e vërtetë e njeriut. Koha do t i zbulojë sekretet e fshehta për ty. Për personin që është zhytur në errësira, nuk do t i ndihmojë drita e vetëtimës. Ai që është i zënë me urtësinë, duhet të shikohet me syrin e dinjitetit. Pasuria më e bukur është heqja dorë nga dëshirat. Durimi është një mburojë ndaj varfërisë. Dëshira e tepërt është shenjë e varfërisë. Koprracia është veshmbathja e plogështisë. Miqësia është një afërsi e fituar. I varfëri bujar është më i mirë se i pasuri me zemër të vrazhdë. Këshilla është një vendstrehim për atë që e pranon. Kush e lëshon të lirë shikimin, do të ketë shumë pikëllime.

 

Kush e ka moralin e dobët, do të mërzitet familja nga ai. Kush e arrin qëllimin (pasurinë apo pozitën), do të bëhet mendjemadh. Dëshira të flasë shumë pak për realitetin (zakonisht dëshirat janë mashtruese). Modestia është veshmbathja e dinjitetit. Morali i bukur është thesari i furnizimit. Kush i vesh rrobat e turpit, do t i mbulohen turpet përpara popullit. Mundohu të flasësh në mënyrë të matur, sepse ai që flet në këtë mënyrë do t i lehtësohet barra. Pjekuria e epshit varet nga kundërshtimi i tij. Ai që e njeh kohën nuk është i pavëmendshëm ndaj përgatitjes për migrim. Në çdo gllënjkë të ujit dhe kafshatë të bukës ekziston rreziku i zënies së frymëmarrjes.

 

Pa dalë një dhunti nga dora, nuk do të vijë tjetra. Sikur që çdo gjallesë e ka furnizimin e vet, ashtu edhe çdo kokërr e ka ngrënësin e vet. Dhe, ti je ushqimi i vdekjes. O njerëz, dijeni që çdo gjallesë që lëviz mbi tokë, do të varroset nën tokë. Dita dhe nata, thuajse janë duke garuar për harxhimin e jetëve. O njerëz, jofalënderimi është poshtërsi. Të shoqëruarit me të padijshmin është fatkeqësi. Të folurit e butë është nga madhështia. Ruaju nga hileja, sepse është vetia e njerëzve të ulët. Çdokush që kërkon, nuk e gjen; çdonjëri që shkon në rrugë, nuk kthehet.

Mos trego interesim për atë që sillet në mënyrë të ftohtë ndaj teje. Sa të largët janë, që janë më të afërt se të afërmit. Para se të nisesh për rrugë, zgjidhe shokun e rrugës dhe para se ta blesh shtëpinë, zgjidhe fqinjin. Mbuloje turpin e shokut, të cilin e ke edhe ti. Bëhu sikur nuk po i vëren gabimet e shokut për shkak të ardhjes së ditës kur do të vijë armiku yt për të të mposhtur. Është i gjatë pikëllimi i atij që nuk ka forcë për t'i bërë dëm atij që e urren dhe shpirti i tij do të jetë në dhimbje.

Ai që frikohet nga Allahu, përmbahet nga përdorimi i dhunës. Ai që nuk mund ta dallojë të mirën nga e keqja, është në nivelin e kafshës. Asgjësimi i furnizimit është shkatërrim. Vështirësitë e kësaj bote janë shumë të vogla në krahasim me varfërinë e madhe të ditës së nesërme. Të gjitha mosmarrëveshjet rrjedhin nga mëkatet dhe mosdëgjimi jote. Është shumë afër rehatia nga vështirësitë dhe shqetësimi nga qetësimit.

 

E keqja mbas së cilës vjen xheneti, nuk është e keqe; e mira mbas së cilës vjen xhehenemi, nuk është e mira. Përveç xhenetit, të gjitha dhuntitë tjera janë të parëndësishme. Përveç zjarrit të xhehenemit, të gjitha mundimet tjera janë të lehta. Kur njeriu dëshiron ta rregullojë të brendshmen e tij, atëherë do t i dalin në shesh shumë mëkate. Pastrimi i veprës është më i rëndë se vetë vepra. Pastrimi i qëllimit të atyre që bëjnë ngatërresa është më i vështirë sesa zgjatja e xhihadit. Sikur të mos ishte frika nga Allahu, do të isha bërë më dinaku nga arabët. Ruaju nga Allahu haptas dhe fshehtas, thuaje të vërtetën në gjendjen e haresë dhe të zemërimit; mbaje mesataren në varfëri dhe në pasuri; sillu në mënyrë të drejtë ndaj mikut dhe armikut; mundohu të veprosh në gjendjen e haresë dhe të lodhjes dhe mundohu të jesh i kënaqur në gjendjen e bollëkut dhe fukarallëkut. Ai që flet shumë, do të gabojë shumë; ai që gabon shumë, do t i pakësohet turpi; atij që i pakësohet turpi, i pakësohet të përmbajturit; atij që i pakësohet të përmbajturit, i vdes zemra; atij që i vdes zemra, do të hyjë në xhehenem. Ai që mendon, do ta marrë mësimin; ai që e merr mësimin do të tërhiqet në vetmi; ai që tërhiqet në vetmi, mbetet i shëndoshë.

 

Ai që heq dorë nga epshet dhe pasionet, do të bëhet i lirë. Ai që e braktis zilinë, do të bëhet i dashuri i njerëzve. Madhështia e besimtarit qëndron në moshapjen e dorës ndaj njerëzve. Modestia është një mall që nuk harxhohet kurrë. Ai që e përmend shumë vdekjen, kënaqet me një hise të vogël të botës. Ai që e di se edhe fjala e tij llogaritet si vepër, do t i pakësojë fjalët dhe do ta thotë vetëm fjalën e dobishme. Çuditem me atë njeri që nuk frikohet nga dënimi dhe nuk përmbahet nga mëkatet, dhe që është në kërkim të sevapit por që nuk pendohet. Të menduarit sjell dritën e pastër; pavëmendja sjell dhunën; padituria sjell devijimin.

I lumtur është ai që merr mësime nga të tjerët. Edukata është trashëgimia më e mirë. Morali i bukur është shoku më i mirë. Nuk ka bereqet në ndërprerjen e marrëdhënieve miqësore dhe nuk ka pasurim përmes ngatërresave.  O biri im, rehatia përbëhet prej dhjetë pjesëve, nëntë prej tyre e përbëjnë heshtjen (përveç të kujtuarit e Allahut) dhe njëra pjesë është ndeja me njerëzit e pamend. Pjesa më kryesore e diturisë është sjellja e mirë, ndërsa shkatërrimi i saj është vrazhdësia dhe ashpërsia. Durimi ndaj vështirësive, dhe rrjedh nga thesaret e imanit.

 

Ndershmëria është zbukurimi i varfërisë. Falënderimi është zbukurimi i pasurisë. Takimet e shumta janë të mërzitshme. Të besuarit në ndokënd është në kundërshtim me largpamjen. Pëlqimi i vetvetes është shenjë e mendjes së vogël. Mos ia humb  shpresën mëkatarit, sepse, sa e sa mëkatarë kanë përfunduar në mënyrë të lumtur dhe sa e sa prej atyre që kanë bërë vepra të mira janë drejtuar në xhehenem për shkak të ngatërrimit në punë të dëmshme.

Është një përgatitje e keqe për Ahiretin shkelja e të drejtës së robit. Lum për atë që për hir të Allahut e pastron veprën, diturinë, urrejtjen, marrjen, heqjen dorë, heshtjen, punën dhe fjalën.  Asnjëri nuk mund të bëhet mysliman pa u larguar nga mëkatet dhe gjërat e dyshimta dhe asnjëri nuk mund të bëhet asket, nëse nuk përmbahet nga mëkateve dhe nga gjërat e dyshimta. Nuk mund të bëhesh asket pa u bërë largpamës dhe nuk mund të bëhesh largpamës pa u bërë i dijshëm. Njeriu i dijshëm është ai që është i vetëdijshëm për urdhrin e Allahut dhe që punon për ahiretin. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi Të Dërguarin (s.a.a.) dhe mbi Ehli Bejtin e tij!