PËRSHKRIMI I BOTËS NGA ANA E HZ ALIUT (A.S.) KUSHTUAR TË DEVOTSHMËVE

 

Xhabir bin Abdullah Ensariu rrëfen: Ishim bashkë me Udhëheqësin e Besimtarëve në luftën e Basrës. Në orët e vona të natës kur e korrëm fitoren kundër atyre që e kishin filluar luftën (Talha, Zubejri dhe Aisheja) ishim duke biseduar në mes veti, kur erdhi dhe na pyeti për temën e bisedës që ishim duke bërë. Unë i thashë se po bëjmë fjalë në lidhje me fajësimin e kësaj bote. Ai tha: Ja Xhabir, pse po e fajësoni këtë botë ?

- Pastaj, e falënderoji Allahun dhe vazhdoi: Pse një grup po e fajëson këtë botë dhe mëton se është duke bërë asketizëm në të? Bota është vendi i drejtësisë për ata të drejtët dhe shtëpia e shpëtimit për ata që kuptojnë. Për ata që mbledhin furnizim është vendi i pasurimit. Është vendi i sexhdes për profetët. Është vendi i zbritjes së shpalljes dhe vendi ku engjëjt bëjnë adhurim. Është vendbanimi i miqve të Allahut. Vendi i tregtisë për të afërmit e Allahut. Aty përfitojnë mëshirën dhe xhenetin. O Xhabir, bota të tregon haptas për vdekjen, për ndarjen nga ajo dhe për shkatërrimin e saj; kush është ai që e fajëson dhe e kritikon atë?

 

Banorit të saj, kjo botë i tregon për brengat e botës së ardhshme përmes brengave të saj; i nxit ata për gëzimin e përhershëm përmes gëzimit të kalueshëm. Me qëllim të frikësimit nga dënimi i Allahut dhe të nxitjes kah dhuntia e përhershme, netët i sjellin fatkeqësi dhe mëngjeset lindin lehtësim dhe begati. Këtë botë e fajësojnë ata që pendohen për shkak të mëkatit të kryer (ndërsa të tjerët do ta lëvdojnë atë në Ditën e Ringjalljes)(Pjesa brenda kllapave përmendet në Nehxh ul Belaga. Kjo është shtuar këtu sepse, kuptimi i fjalëve të ardhshme është i lidhur me këtë fjali. ) sepse, bota u ka shërbyer atyre në mënyrë  besnike. Bota u ka shpjeguar atyre përfundimin dhe ata e kanë kuptuar; u ka dhënë këshilla atyre dhe ata i kanë pranuar ato. I ka frikësuar ata prej xhehenemit dhe ata janë frikësuar; i ka nxitur ata për xhenet dhe ata e kanë pëlqyer atë.  O ti që të mashtroi kjo botë dhe që e fajëson atë, kur e meritoi bota fajësimin tënd, kur të mashtroi ty kjo botë?

Përmes vendeve të shkatërruara të baballarëve tuaj që u janë kalbur eshtrat e tyre nën tokë, apo përmes vendeve të nënave tuaja që janë të shtrira nën tokë? Sa të sëmurë i ke shërbyer përmes duarve tuaj? Sa njerëzve të gjymtë u ke shërbyer; ke kërkuar ilaçin e tyre; ke shkuar mbas mjekëve për t i shëruar ata dhe nuk ke mundur t u gjesh qare; nuk ke mundur t ua plotësosh nevojën? Bota të dha një shembull përmes tyre: të tregoi gjendjen tënde përmes gjendjes së tyre (përmes vdekjes së tyre, të tregoi për vdekjen tënde). Nesër nuk do të ketë dobi nga miqtë dhe zëri yt nuk do të mbërrijë askund. Në kohën kur sëmundja do të të informojë për vdekjen tënde dhe pikëllimi e dhembja të shtohen, vajtimi nuk do të të sjellë asnjë dobi për ty; vajtimi me zë nuk do ta parandalojë vdekjen.

 

Kur të ngushtohet gjoksi dhe të shtrëngohet fyti, nuk do të dëgjosh asnjë zë dhe nuk do të frikësohesh prej britmës. Sa i gjatë është pikëllimi gjatë momenteve të vdekjes! Pastaj e vendosin atë në tabut dhe e çojnë te varrezat. Katër duar e shtrijnë atë në një vend të ngushtë, ku do të qëndrojë për një kohë të gjatë. Pasuria veç ka dalë nga dora, jeta është harxhuar, miqtë e afërt do ta braktisin atë, ata që sillen me mëshirë, do ta ndërprenë marrëdhënien me të dhe të afërmit nuk do t i afrohen. Mysafirët nuk do ta vizitojnë dhe shtëpia e tij nuk do të rregullohet. Nuk do të gjejë shenjë nga asnjë anë dhe nuk do të pranojë lajm nga asnjë anë. Trashëgimtarët do të nxitojnë për t ia ndarë pasurinë dhe malli i mbetur do të ndahet; ndërsa këtij do t i mbetet mëkati dhe gabimi i tij dhe mëkatet do ta rrethojnë atë. Nëse ka kryer ndonjë punë të mbarë, fitimi i tij do të jetë i pastër.

 

Por, nëse ka bërë ndonjë mëkat, do të përfundojë me shkatërrim. Çfarë dobie mund të ketë për atë që do të përjetojë vetëm disa ditë në këtë botë, kur fundi i jetës së tij është vdekja dhe vendi i vizitës së tij do të jetë varri. Kjo këshillë mjafton për ata që pranojnë këshilla. O Xhabir, mjaft më, eja me mua! Xhabiri tha: Bashkë me Imamin shkuam te varrezat. Imami iu drejtua atyre me zë të lartë: O ju që jeni të shtrirë në tokë dhe që jeni në kurbet! Në shtëpitë tuaja jetojnë të tjerët, pasuria juaj është ndarë dhe gratë tuaja janë martuar. Ky është lajmi ynë për ju. Cili është lajmi juaj ? - Pasi që heshti për një çast, e ngriti kokën dhe tha: Betohem në Allahun që e ngriti qiellin dhe e shtroi tokën, se sikur të kishit leje, do të kishit dëgjuar këto fjalë: Ne kemi parë se pajisja dhe furnizimi më i mbarë është devotshmëria . Pastaj tha: O Xhabir, nëse dëshiron kthehu !