KËSHILLAT KUSHTUAR KUMEJL B. ZIJADIT

 

 

O Kumejl, zemrat tona janë sikur enët. Ena më e mirë është ajo që ruan më së miri atë që ka brenda dhe që e ka rrethojën më të gjerë. Mos e harro këtë fjalë timen. Njerëzit ndahen në tri grupe:

- Dijetari i dhënë mbas diturisë ndaj Zotit; ata që janë duke kërkuar rrugën e shpëtimit dhe grupi i tretë, ku hyjnë të krisurit (ahmakët) që shkojnë mbas çdo fjale që dëgjojnë dhe pas çdo puhize që fryn; rruga e tyre nuk është e ndriçuar që të mund ta gjejnë atë, dhe nuk mbështeten në ndonjë mbështetëse të sigurt që të mund të shpëtojnë.

O Kumejl, ditura është më e mbarë se pasuria dhe malli. Dituria të mbron ty, ndërsa mallin e mbron ti. Me dhënie, malli harxhohet ndërsa dituria shtohet. Me dituri gjykon, ndërsa për mall gjykohet (Për mallin vendoset me anë të diturisë).

O Kumejl, një parim që mbështetet në nënshtrim dhe në shpërblim, është dashuria ndaj dijetarit. Në këtë jetë, njeriu do të fitojë shkallën e nënshtrimit ndaj Allahut përmes diturisë; mbas vdekjes, përmes një gjurme të mirë që ka lënë. Ndërsa, dobia e mallit do të humbasë me daljen e tij nga dora. Ata që e grumbullojnë mallin nëpër depo, edhe kur janë në këtë jetë janë të vdekur, ndërsa dijetarët janë të përjetshëm, përderisa të ekzistojë bota. Edhe nëse trupat e tyre zhduken, veprat e tyre jetojnë nëpër zemra. Pastaj bëri me shenjë kah gjoksi dhe vazhdoi: Këtu ka  dituri të thellë dhe të gjerë; por nuk mund ta gjejë personin e denjë të cilit mund t'ia përcjellë atë. Ata që i gjej, e kanë fjalën e shpejtë dhe nuk mund të mbështetesh tek ata: fenë e përdorin si vegël për plotësimin e dëshirave të kësaj bote, i përdorin argumentet dhe provat e Allahut për t i paditur dhe për t i nënçmuar të afërmit e Allahut, dhe për ta kundërshtuar Allahun përmes dhuntive të Tij.

Të tjerët i respektojnë ata që e bartin të vërtetën por, mbasi që nuk mund t i kuptojnë hollësitë e së vërtetës, menjëherë do të bëhen të pavendosur me dyshimin e parë që përballen dhe në zemrat e tyre do të vendoset pasiguria. Në të vërtetë, as të parët as të dytët nuk janë të denjë për një dituri të tillë. Ose kaplohen prej lezeteve të kësaj bote dhe shkojnë mbas pasioneve, ose janë të dhënë mbas mbledhjes së pasurisë. Asnjëri prej tyre nuk jenë të aftë që ta mbrojnë fenë, nuk janë zotërues të perceptimit dhe të bindjes së sigurt. Këta i përngjajnë më tepër shtazëve që kullosin. Në këtë mënyrë, dituria do të vdesë me vdekjen e atyre që janë të denjë për dituri. Por, sipërfaqja e Tokës nuk do të mbetet e zbrazët nga njëri që do të qëndrojë në këmbë (Kaim) për Allahun, përmes argumentit dhe udhëzimit, por, ose do të jetë i dukshëm për të gjithë, ose do të jetë i fshehur.

 

Ai fshihet, sepse frikohet që të mos zhduken argumentet e qarta të Allahut dhe njerëzit që i shpjegojnë librin popullit. Ku janë ata? - Numri i tyre është i vogël, por vlera e tyre është shumë e madhe. Allahu do të vazhdojë për t i mbrojtur argumentet e Tij përmes tyre, duke përcjellë amanetin prej zemrës së njërit deri te zemra e tjetrit që është e ngjashme me të parin. Dituria i udhëzon ata deri tek e vërteta e imanit; bindja e sigurt e ka perceptuar shpirtin e tyre për së afërmi. Gjërat që u duken të vështira atyre që janë të dhënë mbas kësaj bote, këta i zgjedhin shumë lehtë, i përshëndesin dhe i pranojnë ato; gjërat prej të cilëve ikin të padijshmit dhe i shohin si përbuzëse, për ata janë të këndshme. Shpirtrat e tyre janë të lidhur me botën e shpirtrave (melekut) ndërsa trupat e tyre jetojnë në këtë botë. O Kumejl, këta janë njerëzit e sigurt në mesin e krijesave të Allahut; te këta mund të mbështetesh dhe këta janë mëkëmbësit (kalif) e tokës dhe dritat e vendbanimeve. Këta janë thirrësit e popullit në fenë e Allahut. Ah, sa i përmalloj t i shikoj ata! Kërkoj falje nga Allahu për mua dhe për ty.