KËSHILLAT DHËNË ZIJAD IBNI NAZRIT, TË CILIN E CAKTOI SI KOMANDANT DHE E DËRGOI NË SIFIN  

 

Frikohu nga Allahu në çdo mëngjes, në çdo mbrëmje, dhe ruaju nga Ai; ki kujdes të të mos  kaplojë mburrja dhe mos u bën i sigurt në asnjë gjendje nga sprova e epshit tënd (mos u bën i pavetëdijshëm prej tij). Dije që, nëse nuk e mban epshin tënd larg nga gjërat që i dëshiron, këto dëshira do të të shpijnë deri te dëmi dhe në fund do të detyrohesh të largohesh prej tyre. Prandaj, pengoje epshin tënd dhe mos lejo që të teprojë në kalimin e kufijve, në padrejtësi, devijim dhe agresivitet. Ty të caktoi për komandant të ushtrisë; mos i përbuz ata dhe mos u trego i rëndësishëm përpara tyre. Më i vlefshmi ndër ju është më i devotshmi prej jush.

 

Merr mësim prej dijetarëve dhe mësoji të paditurit, fali ata që janë të pamendët. Mund të fitosh të mbarat vetëm me dritën e diturisë duke u ruajtur nga padituria dhe torturimi. Pastaj, Imami ia dorëzoi një letër që i përmbante disa urdhra dhe ndalesa: Dije që ushtarët e pararojës janë sytë e ushtrisë dhe sytë e tyre janë rojtarët. Mos u mërzit nga dërgimi i pararojës në çdo vend, në pyll, në lumë dhe në të gjitha vendet e fshehta dhe të hapura kur të afrohesh afër armikut, sepse, armiku mund t ju befasojë me ndonjë sulm të papritur ose t ju zërë në ndonjë pritë. Përgatiti dhe ushtroji ushtarët përmes manovrave të ndryshme për rastet e shfaqjes së ndonjë gjendjeje të papritur apo ndonjë ngjarjeje të paparashikueshme; përveç në rastet e tilla, mos i vë në lëvizje ushtarët prej mëngjesit deri në mbrëmje.

 

Kur të ballafaqoheni me armikun ose armiku të takohet me ju, kampet tuaja i ndërtoni në vendet e larta ose në rrëzën e ndonjë mali ose afër brigjeve të ndonjë lumi nga i cili nuk mund të kalohet, në mënyrë që të bëhet një ndihmesë dhe një mburojë kundrejt armikut. Në këtë mënyrë do të luftoni me armikun, qoftë në një drejtim apo në dy drejtime. Që të jeni të sigurt prej sulmit të befasishëm të armikut dhe që të jeni të rehatshëm prej frikës, vendosini rojet në maje të maleve, në vendet e larta dhe mbi lumenjtë. Kur të vendoseni ndokund, atëherë  vendosi edhe këta njëkohësisht dhe kur të lëvizni, lëvizni të gjithë njëkohësisht. Cakto rojet rreth e përqark kampit ushtarak ku do ta kaloni natën, të cilët do të jenë të armatosur me shtiza dhe mburoja. Po ashtu, vendosi edhe gjuajtësit e shigjetave afër tyre, në mënyrë që të mbroheni nga të qenët pre e lehtë për armikun.

 

Ti, si komandant i ushtrisë, je ngarkuar personalisht me mbrojtjen dhe ruajtjen e ushtrisë. Mos fli deri në mëngjes ose fli shumë pak; nëse fle, gjumi yt le të jetë për aq sa e shpërlan gojën me ujë. Përderisa e takon armikun, gjendja dhe programi yt le të jenë të tilla. Gjatë luftimit bëhu dinjitoz dhe serioz. Mos nxito, përveç nëse të shfaqet ndonjë rast për të korrë fitore ndaj armikut. Mos ia nis luftës pa sulmuar armiku ose pa marrë urdhër nga unë. Mëshira dhe paqja e Allahut qoftë për ty!