FJALIMI QË SHPJEGON THEMELET E BESIMIT (IMAN)  DHE TË PABESIMIT (KUFR)

  

 

Padyshim që të gjitha punët i filloi Allahu; atë që e pëlqeu (zgjodhi) për Vete, zgjodhi, dhe atë që e deshi, ndau për Vete. Imanin e pëlqeu, atë e solli në ekzistencë prej emrit të Tij (Këtu është fjala për emrin e Allahut Mumin) dhe ia dhuroi robit të dashur. Shpjegoi se çka është imani, që të mund të përfitojnë më lehtë ata që ishin të etshëm për të. I lehtësoi ligjet e tij. I përforcoi themelet e atyre që dëshironin të largoheshin prej tij. Atë e bëri vend të sigurt, për ata që hynë brenda dhe një mjet lartësues për ata që e bartin atë.

 

Atë e caktoi si udhëzues për ata që i nënshtrohen; stoli për ata që dëshirojnë të zbukurohen; fe për besimtarët; strehë për ata që strehohen; litar për ata që e përqafojnë; dëshmi për ata që flasin për vendimet e tij; nder për ata që kuptojnë; urtësi për ata që flasin për të; dritë për ata që dëshirojnë të ndriçohen me të; argument për ata që debatojnë; fitore për ata që vijnë në përfundim; dituri për ata që e mbajnë në mend; rrëfim për ata që e transmetojnë; vendim për ata që padisin; pjekuri për ata që i studiojnë thëniet e të Dërguarit (s.a.a.); mendje për ata që mendojnë dhe janë të kujdesshëm; mirëkuptim për ata që mendojnë; bindje të sigurt për ata që kuptojnë me mend; mendjemprehtësi për ata që duan t ia nisin një pune; shenjë për ata që duan të zbulojnë rrugën e drejtë; mësim për ata që kërkojnë të pranojnë këshilla; shpëtim për besimtarët; mjet i miqësisë me Allahun për të sinqertit; mjet afrues tek Allahu për ata që vrojtojnë; siguri për ata që mbështeten; rehati për ata që punët ia lënë Allahut dhe të cilëve u mjafton kënaqësia e Allahut; gjallëri për të mirët; mbarësi për ata që garojnë; mburojë për ata që durojnë; rroba për të devotshmit; pastërti për ata që gjenden në rrugën e drejtë; siguri për Myslimanët dhe shëndet për të drejtët.  Imani është themeli i të vërtetës.

Rruga e këtij themeli është rruga e drejtë; atributi i tij është mirësia; krenaria e tij është maturia. Imani është një rrugë e ndritshme; është drita e pishtarit; pishtari i tij është vepra e mirë; llamba e tij është nderi. Zotëruesi i imanit synon qëllimin e lartë dhe është fituesi i garës. Në arenën e imanit, kuajt garues janë të gatshëm për garë; shpërblimi është një vlerë që lakmohet; mjetet garuese janë prezentë prej kohërave të lashta; pika përfundimtare e kësaj gare është vdekja; vendi përgatitës është dynjaja; vendtubimi i vrapuesve është kiameti; çmimi i fituesve është xheneti; ndëshkimi për ata që kanë mbetur mbrapa është xhehenemi. Mjeti garues është devotshmëria, kuajt janë fisnikëria dhe garuesit janë ata që kryejnë vepra të mira. Përmes imanit dallohen punët e pastra; punët e pastra gjallërojnë me diturinë e fesë; përmes diturisë së fesë arrihet frika nga vdekja; me vdekje përfundon dynjaja dhe ahireti ia ka zënë vendin kundrejt dynjasë.(Në Nehxhu-ul Belaga shkruan: Ahireti fitohet përmes dynjasë)

 

Në ditën e Kiametit do të afrohet xheneti; xheneti do të jetë përmallimi i atyre të xhehenemit, ndërsa xhehenemi është këshillë për të devotshmit; devotshmëria është e ngjashme me dhurimin.(Në Kafi shkruan: Devotshmëria është esenca e imanit) Devotshmëria është një cak i tillë, që ata që shkojnë mbas saj nuk do të shkatërrohen; ata që veprojnë sipas saj, nuk do të pendohen; ata që kanë arritur lumturinë, e kanë arritur devotshmërinë; ata që e kanë arritur zhgënjimin, e kanë arritur duke bërë mëkate; njerëzit e mençur duhet të ruhen prej mëkateve dhe zotëruesit e devotshmërisë duhet t i pranojnë këshillat.  

 

Imani mbështetet në katër shtylla: Durimi; bindja e sigurt; drejtësia dhe lufta në rrugën e Allahut.  

-Durimi mbështetet në katër themele:

- Dëshira; frika; asketizmi dhe vëzhgimi. Ai që e dëshiron xhenetin, heq dorë nga epshi i tij. Ai që frikohet prej xhehenemit, ruhet nga e ndaluara; ai që është asket në këtë botë, vështirësitë e kësaj bote i duken të lehta; ai që e vëzhgon vdekjen, vrapon mbas punëve të mbara. -Bindja e sigurt mbështetet në katër themele:

 

- Mendjemprehtësia; të qenët i kujdesshëm gjatë komentimit dhe analizës së urtësisë; marrja e mësimit nga e kaluara dhe njohja e traditës së të kaluarve. Zotëruesi i mendjemprehtësisë e mban syrin e hapur dhe,  njeh dhe i komenton detajet e urtësisë. Ai që mund ta shpjegojë urtësinë, ai e njeh mirë atë nga i cili mund të marrë mësim. Ai që e njeh mirë atë prej të cilit mund të marrë mësim, ai e di sunetullahin. (Ligjet hyjnore që zbatohen për shoqërinë ). Ai që e di sunetullahin, ai bëhet i njëjtë me ata që kanë jetuar me popujt e mëhershëm.

 

-Drejtësia mbështetet në katër themele: Perceptimi i thellë; thellësia e diturisë; mbërritja deri te vendimi përmes gjykimeve të qarta dhe të qenët i qëndrueshëm në maturi. Zotëruesi i perceptimit të thellë i interpreton të gjitha dituritë (zhytet në thellësitë e saj). Ai që e njeh gjykimin, nuk devijon prej tij. Ai që është i matur, nuk kalon kufirin gjatë kryerjes së punës dhe jeton në mesin e njerëzve duke qenë i lëvduar nga ata.  

 

-Edhe lufta në rrugën e Allahut mbështetet në katër themele: - Urdhërimi i së mirës; ndalimi i së keqes; të qenët i drejtë në momentet e vështira; ushqimi i armiqësisë ndaj ngatërrestarëve. Ai që e urdhëron të mirën; do t ua shtojë fuqinë besimtarëve. Ai që e ndalon të keqen, do t i thyejë hundët e jobesimtarëve dhe do të llogaritet se e ka kryer obligimin gjatë momenteve të vështira. Ai që ushqen armiqësi ndaj ngatërrestarëve do të zemërohet vetëm për hir të Allahut. Këto janë të vërtetat, themelet dhe pjesët e imanit. 

                                                

Edhe pabesimi mbështetet në katër shtylla: - Ngatërresa; tejkalimi i kufirit; mëdyshja (shek) dhe dyshimi. (Dallimi në mes të mëdyshjes (shek) dhe dyshimit është se pasiguria është gjendja në të cilën assesi nuk mund të vendosim në lidhje me ndonjë çështje, ndërsa dyshimi ka të bëjë me përzierjen e së vërtetës (hak) dhe të të pavërtetës (batil))

-Ngatërresa përbëhet prej katër pjesëve: Vrazhdësia dhe jobesnikëria; verbëria e zemrës; pavëmendja dhe kalimi i kufirit duke u bërë kryelartë. Njeriu i vrazhdë e ofendon besimtarin, zemëron dijetarët e fesë dhe insiston në prishjen e marrëveshjes. Ai që e ka të verbër syrin e zemrës, harron përkujtimin (e Allahut dhe të Hz Resulullahut s.a.a.), i keqësohet morali, bën padrejtësi ndaj Allahut dhe shejtani e bezdis atë. Ai që është i pavëmendshëm, bën krim ndaj vetvetes; kthehet mbrapa; devijimin e konsideron si rrugë të drejtë; dëshirat e mashtrojnë atë dhe kur të kryhet puna dhe të largohet perdja para syve, do të pendohet kur ta shohë atë (dënimin) që nuk e ka pritur prej Allahut. Ai që bëhet kryelartë dhe del prej urdhrit të Allahut, do të bie në dyshim. Allahu do ta poshtërojë me fuqinë e Tij atë që bie në dyshim, kryen mëkate dhe që mashtrohet nga afati i dhënë nga ana e Tij; në të njëjtën kohë, do ta përulë me madhështinë e Tij.

 

-Tejkalimi i kufirit përbëhet prej katër pjesëve:

- Zhytja në thellësi; (Zhytja në temat dhe idetë shpirtërore që shkaktojnë humbjen e stabilitetit shpirtëror ) grindja për të vërtetën; devijimi nga rruga e drejtë; formimi i ndasive dhe grupeve. Ai që zhytet në thellësi në ato çështje që nuk ka kapacitet për të bartur, nuk do ta arrijë asnjëherë realitetin. Përpjekja e tij nuk do vlejë asgjë dhe do të përfundojë me fundosjen në vorbullën e habisë dhe devijimit. Pa shpëtuar nga një nxitje, do të shkojë mbas tjetrës dhe gjithmonë do të vrapojë mbas ideve të ndërlikuara që e hutojnë. Si pasojë e grindjes në mes të personit grindavec dhe të të tjerëve, do të hyjë ndasia në mes tyre dhe si pasojë e inatit të vazhduar, punët e tij do të asgjësohen. Kush devijon nga rruga e drejtë, gjithçka e mirë, atij do t i duket e keqe; e keqja do t i zbukurohet dhe do të dehet nga devijimi. Ai që shkon mbas ndasive dhe mosmarrëveshjeve, në jetën e tij do të përballet me ngecje; punët do t i vështirësohen dhe rruga e shpëtimit do t i ngushtohet. Çdokush që kalon në vartësinë e ndonjë rruge tjetër, jashtë rrugës së besimtarëve, si pasojë do të ketë humbjen e fesë. 

                                                 

-Mëdyshja përbëhet prej katër pjesëve: Ngurrimi (hezitimi); frika; pavendosmëria dhe dorëzimi ndaj rrjedhës së ndodhive(Në një vend tjetër thuhet: Dorëzimi kundrejtë paditurisë). Në lidhje me cilën dhunti të Allahut dyshojnë dyshuesit?

 

- Kush frikohet prej rrezikut që i kanoset, do të kthehet prapa. Kush ngurron në fenë e tij, vazhdimisht do të numërojë në vend; ata që janë përpara tij do ta lënë mbrapa dhe ata që janë mbrapa tij do ta arrijnë. Një i tillë do të shtrydhet nga ana e shejtanit. Ai që dorëzohet ndaj rreziqeve të kësaj dhe të botës tjetër (që nuk mendon fare për një rrugëdalje), do të shkatërrohet në të dy botët. Prej kësaj mund të shpëtojë vetëm përmes dritës së bindjes së sigurt.

 

-Dyshimi bazohet në katër gjëra: Ndjenja e kënaqësisë prej stolive; mashtrimi i epshit; komentimi i të shtrembërve dhe përzierja e së vërtetës me të pavërtetën. Ndjenja e kënaqësisë prej stolive bën që njeriu të heqë dorë nga dëshmitë. Mashtrimi i epshit shkakton shkuarjen mbas kënaqësive. Lëvizja e shtrembër është shkaktare e devijimit të shumtë. Përzierja e së vërtetës me të pavërtetën është prej errësirave që bien njëra mbi tjetrën.  

Këto janë pjesët dhe themelet e pabesimit.   

Grindja mbështetet në katër shtylla: Nënshtrimi ndaj epshit dhe pasioneve; plogështia në fe; zemërimi dhe lakmia.  

 

-Nënshtrimi ndaj epshit dhe pasionit mbështet në katër gjëra: Mizoria; agresioni; kënaqësia; kundërshtimi. Ai që bën mizori do të dëmtohet dhe do të shkatërrohet shumë; do të mbetet vetëm dhe të tjerët do të bashkohen kundër tij. Fundi i atij që kryen agresion nuk është i sigurt dhe zemra nuk i mbetet e shëndoshë. Ai që nuk mund ta shpëtojë veten nga kënaqësitë, do të fundoset në vorbullën e përmallimit të dëshirave. Ai që kundërshton me vetëdije, do të devijojë nga rruga e drejtë pa argument dhe pa arsyetim.  

 

-Plogështia në fe përbëhet prej katër pjesëve:

- Frika; mashtrimi; lajkatimi dhe dëshira. Frika e largon njeriun prej të vërtetës. Mashtrimi ndaj botës është shkak për mosdhënien e rëndësisë ndaj botës së ardhshme. Lajka e çon njeriun drejt humnerës së pafundme. Sikur të mos kishte qenë dëshira, njeriu do të dinte ta vlerësojë gjendjen e tij aktuale dhe, sikur të kishte ditur njeriu gjendjen e tij aktuale, menjëherë do të vdiste nga frika dhe nga egërsia.  

 

-Edhe zemërimi përbëhet prej katër pjesëve: Kryelartësia; lëvdimi; mburrja dhe fanatizmi. Ai që e mban veten kryelartë do të mbetet i prapambetur; ai që lëvdohet, kryen mëkat. Nëse kaplohet nga mburrja do të insistojë në punët e gabuara. Fanatiku kryen zullume. Ai që shkon prapa, që kryen mëkate dhe ngatërresa, është në një gjendje shumë të shëmtuar.

 

-Lakmia i ka katër pjesë: Hareja; krenaria; inati dhe madhështia. Hareja për bukuritë e kësaj bote është vepër e papëlqyeshme tek Allahu. Krenaria është egoizëm. Inati është një tundim që të çon zvarrë deri te mëkati. Madhështia është një lojë, zbavitje, preokupim dhe ndërrimi i së mirës me të keqen.  

Këto janë pjesët dhe themelet e grindjes.  Allahu dominon mbi robërit e tij; është i fortë; bereqetin e ka të bollshëm; urtësinë e ka të qartë; argumenti i Tij është i epërm; fenë e ka të dëlirë; fjalën e ka të vërtetë; mirësia i paraprin dënimit; është i zgjedhuri (për lartësim) nga ana e krijesave. Njësia matëse e Tij është drejtësia; mesazhet i ka të transmetuara dhe rojet i ka të gatshme. Pastaj, Allahu ka caktuar të keqen si mëkat, mëkatin si nxitje dhe nxitjen si ndyrësi. Të mirën e ka caktuar si begati dhe pendimin si pastrim dhe si mjet për të qenë i kënaqur me robërit e Tij.

Ai që pendohet, do të udhëzohet; ai që shkon mbas nxitjeve, do të mbetet i devijuar përderisa nuk drejtohet kah Allahu, nuk pranon mëkatin e bërë dhe nuk i dëshmon premtimet e dhëna ndaj Allahut. Do të shkatërrohet ai që e meriton dënimin e Allahut. Tek Allahu mund të gjeni falje për pendim, mëshirë, sihariq dhe urtësi me bollëk. Dhe, dënimi, zjarri, epërsia, fuqia dhe zbatimi i pamëshirshëm i dënimit është shumë frikësuese. Ai që e ka arritur nënshtrimin ndaj Allahut, ai e ka zgjedhur madhështinë e Tij; ai që kryen pandërprerë mëkate, do ta shijojë dënimin e vrullshëm. Ajo është shtëpia e fundit.