FJALIMI I MBAJTUR NË LIDHJE ME SHPREHJEN E KUNDËRSHTIMEVE ME RASTIN E NDARJES SË PRESË SË LUFTËS (GANIMET)  

 

O njerëz, ne e falënderojmë Furnizuesin dhe Adhuruesin tonë për dhuntitë e fshehta dhe të qarta të cilat na i ka dhënë për të na sprovuar përmes tyre dhe të cilat i pranojmë pa zotëruar ndonjë fuqi dhe forcë nga ana jonë për përvetësimin e tyre. Allahu ia shton dhuntinë atij që falënderon dhe e ndëshkon atë që nuk është falënderues. Dëshmoj se nuk ka adhurues të denjë përveç Allahut, i Cili nuk ka shok dhe ortak, është tek dhe mbështetje për ata që janë në nevojë. Dhe, dëshmoj se Muhamedi (s.a.a.) është robi dhe i dërguari i Tij. Atë e ka dërguar si mëshirë për të gjithë njerëzit, vendbanimet dhe kafshët. Është mirësi dhe mirënjohje dhuntia e Tij që ia fal ndokujt. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Resulullahun dhe Ehli Bejtin e tij!

 

O njerëz, vlerën më të madhe tek Allahu e ka ai që i zbaton më së shumti urdhrat e Allahut, që i nënshtrohet më së shumti Atij dhe traditës së Hz Resulullahut (s.a.a.) dhe ai që tregon më së shumti përpjekje në gjallërimin e Librit të Allahut. Asnjëri nuk ka ndonjë përparësi nga ne përveç atij që i bindet Allahut, të Dërguarit të Tij dhe traditës së të Dërguarit të Tij. Kjo është rruga shpirtërore e Librit të Allahut që ndodhet para syve tanë, dhe të Dërguarit që ndodhet në mesin tanë. Vetëm injoranti, kundërshtuesi dhe ai që e ka kthyer kokën nga Allahu është i painformuar dhe nuk ka dijeni për këto gjëra. Në lidhje me barazinë e njerëzve dhe në lidhje me ndasitë, Allahu ka urdhëruar: O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet veti, e s'ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat) (Huxhurat, 13) Atëherë, bëhuni të ndershëm, të vlefshëm dhe dashamirë, ruajuni nga Allahu. Të tillë janë ata që i nënshtrohen Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

 

Allahu thotë: Thuaj: "Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t'ju dojë, t'ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë (Ali Imran, 31) dhe, në vazhdim thotë: Thuaj: Binduni Allahut dhe të dërguarit, e nëse ata refuzojnë, atëherë Allahu nuk i do të  pabesueshmit ! (Ali Imran, 32) Pastaj, me një zë të lartë vazhdoi: O ju bashkësia e Muhaxhirëve dhe Ensarëve, dhe o ju mysliman! - A po e favorizoni veten para Allahut dhe të Dërguarit të Tij, vetëm duke thënë se jeni bërë Myslimanë? - Nëse e flisni të vërtetën (nëse jeni myslimanë të vërtetë), për këtë duhet ta falënderoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ata janë dhurues. Pastaj tha: Dijeni që, ai që e kthen fytyrën kah kibla jonë, që ha mish të kafshës të cilën e kemi prerë ne, që deklaron se Allahu është adhuruesi i tij i vetëm dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij, ndaj të tillëve, ne do të zbatojmë gjykimet e Kuranit dhe do t u japim pjesën e tyre nga Islami (bejtul malli dhe preja e luftës). Askush nuk ka epërsi mbi tjetrin, përveç në devotshmëri dhe nënshtrim ndaj Allahut. Allahu na bëftë ndër miqtë e Tij që përmbahen, që nuk kanë frikë dhe pikëllime.

 

Dijeni që, nuk është shtëpia juaj kjo botë, të cilën dëshironi ta përvetësoni, e pëlqeni dhe që ju bën si cak të shigjetave të brengave përkundër kalueshmërisë dhe ndryshueshmërisë së saj; as nuk jeni të krijuar që të qëndroni në të dhe as nuk jemi të thirrur për të. Dijeni që ajo nuk është e përhershme për ju dhe nuk do të mbeteni aty përgjithmonë. Mos t ju mashtrojë kjo botë përmes kënaqësive dhe pasurive që përvetësohen dhe që dalin nga dora shumë lehtë, sepse, juve ju kanë përshkruar dhe jua kanë tërhequr vërejtjen për të dhe, ju vetë e keni përjetuar atë përmes përvojës dhe nuk ju ka pëlqyer. Atëherë, mëshira e Allahut qoftë për ju, vraponi mbas atyre shtëpive pas së cilave jeni lëshuar rregullimin e tyre; shtëpi të tilla që mbas rregullimit nuk do të shkatërrohen asnjëherë dhe do të qëndrojnë në këmbë deri në pafundësi. Allahu ju nxit dhe ju fton në ato shtëpi, dhe është vendosur që shpërblimin do ta pranoni në ato shtëpi.

O ju bashkësia e Muhaxhirëve dhe Ensarëve dhe o ju pjesëtarët e fesë! - Shikoni se, cilësitë me të cilat jeni përshkruar në Kuran, pozitat që i keni fituar para Hz Resulullahut (s.a.a.) dhe luftërat në rrugën e Allahut me të cilat jeni nderuar, a i keni fituar përmes epërsisë së fiseve apo me vepra dhe bindje? Mëshira e Allahut qoftë për ju, arrini përfundimin e dhuntive që ju ka dhënë Allahu përmes durimit dhe respektit ndaj atyre që janë të obliguar në mbrojtjen e Librit (Ehli Bejti). Dijeni që, nuk do të dëmtoheni nga asgjësimi i gjërave që i takojnë kësaj bote, nëse i mbroni këshillat e Allahut dhe devotshmërinë; nëse e humbni devotshmërinë me të cilën jeni ngarkuar, nuk do të keni dobi fare nga mundi juaj për ta mbrojtur mallin e kësaj bote. Atëherë, o ju robërit e Allahut, dorëzojuni Allahut, pranoni ndodhitë (dhe caktimin), dhe tregohuni të durueshëm ndaj tundimeve.

 

Por, sa i përket presë së luftës, asnjëri nuk ka epërsi ndaj tjetrit në këtë çështje. Allahu i ka ndarë ato; këto janë nga pasuria e Allahut, ndërsa ju jeni robërit që janë dorëzuar Allahut. Ky është Libri i Allahut, të cilin e pranojmë të gjithë, dëshmojmë për vërtetësinë e tij dhe dorëzohemi para tij; premtimi i Pejgamberit gjendet ende në mesin tonë. Mëshira e Allahut qoftë për ju, dorëzojuni Librit të Allahut dhe traditës së Pejgamberit. Ai që nuk është i kënaqur me ndarjen në pjesë të barabarta, lirisht mund ta kthejë fytyrën sipas dëshirës, sepse, nuk ka frikë ai që vepron me urdhrin e Allahut dhe që gjykon me gjykimin (ligjin) e Allahut. Ata janë që nuk kanë frikë dhe nuk pikëllohen . Ata janë që kanë shpëtuar dhe kanë arritur dëshirat e tyre . Dëshiroj që Allahu të na bëjë ndër ata që nënshtrohen dhe të na shtohet interesimi për ato gjëra që janë afër Tij. Këto janë fjalët e mia, kërkoj falje nga Allahu për mua dhe për ju.