FJALIMI I FAMSHËM I NJOHUR ME EMRIN DIJBAXH

 

 

I falënderuar qoftë krijuesi i krijesave dhe i mëngjesit, gjallëruesi dhe dhënësi i jetës së të vdekurve, ringjallësi i banuesve të varrezave! Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, se është Tek, nuk ka ortak as ndihmës dhe se, Muhamedi (s.a.a.) është robi dhe i dërguari i Tij! O robërit e Allahut, mjetet ndërmjetësuese më të larta të cilat i përqafojnë ata, që i drejtohen Allahut, të pastër nga të gjitha atributet e mangëta, janë:  

- Besimi ndaj Allahut, ndaj të dërguarit të Tij dhe ndaj shpalljeve që u janë dhënë të dërguarve nga ana e Allahut;

- Xhihadi - lufta në rrugën ndaj Allahut; xhihadi është kështjella më e lartë e Islamit;

- Pranimi i njësisë së Allahut (duke deklaruar La ilahe illallah ); kjo është nga natyra burimore e njeriut (fitret);

- Falja e namazit; namazi është pjesa e fesë;

- Dhënia e zeqatat; edhe ky është një obligim;

- Agjërimi i muajit të Ramazanit; është një mburojë e sigurt;

- Shkuarja në haxh dhe umre; e anulojnë skamjen dhe varfërinë, i fshijnë dhe i mbulojnë mëkatet dhe inkurajojnë hyrjen në xhenet;

- Mirëmbajtja e lidhjeve familjare me të afërmit; është mjet për shtimin e pasurisë dhe për zgjatjen e jetës;

- Dhënia e sadakasë në mënyrë të fshehtë; është mjet për faljen e mëkateve dhe mënjanimin e zemërimit të Allahut;

- Dhënia e sadakasë në mënyrë publike; i largon vdekjet e shëmtuara, dhe

- Bamirësia ndaj të tjerëve, të ruan nga fatkeqësitë dhe incidentet e ndryshme.

 

Përkujtojeni shumë Allahun; kjo është prej përkujtimeve më të bukura; kjo të mbron prej mosmarrëveshjeve, të shpëton prej zjarrit  dhe Allahu do të të përkujtojë ty gjatë ndarjes së nafakës. Zëri i atij që e përkujton Allahun do të arrijë deri tek Arshi. Mundohu që të fitosh atë çka u është premtuar atyre që përmbahen; premtimi i Allahut është premtimi më i sigurt sa i përket realizimit të tij. Çdo gjë që është premtuar, do të realizohet në formën që është premtuar. Përmbajuni Hz Resulullahut (s.a.a.), sepse udhëzimi i tij është udhëzimi në i epërm.

Përmbajuni traditës së tij, sepse tradita e tij është ndër më të bukurat. Lexojeni Kuranin, sepse përmban fjalët më të bukura dhe këshillat më të përkryera. Kuptojeni Kuranin, sepse është pranvera e shpirtit. Gjeni shërim me dritën e Kuranit, sepse Kurani është shërim për sëmundjet shpirtërore. Kuranin lexojeni në mënyrë të bukur, ngase është ndër tregimet më të bukura. Dhe kur lexohet Kurani, dëgjojeni atë dhe heshtni, ndoshta do të jeni të mëshiruar (Araf, 204).

 

Kur ta përvetësoni diturinë e Kuranit, veproni sipas njohurive të tij në mënyrë që të arrini shpëtimin. O robërit e Allahut, dijeni që një dijetar që nuk vepron sipas diturisë së tij, i përngjan një të padijshmi që nuk ka mundësi të shpëtojë prej paditurisë së tij dhe qëndron si i habitur dhe i shastisur. Madje, prova kundër tij është më e madhe. Ky dijetar që ka devijuar nga dituria, do të diskreditohet edhe para Allahut dhe përmallimi i tij do të jetë më i madh sesa i të padijshmit që rri si i habitur dhe i shastisur ndaj paditurisë së tij. Në të vërtetë, këta të dy, kanë pësuar një nxitje devijuese dhe të çoroditur; ai që ka pësuar këtë nxitje është i shkatërruar; rrugët i ka të zbrazëta dhe të kota, dhe veprat i ka të pavlefshme.

 

O robërit e Allahut, mos shkoni mbas iluzioneve të kota, sepse do të vini në dyshim; kur të dyshoni, do të bëheni jobesimtarë; nëse bëheni jobesimtarë, do të pendoheni; nëse i thjeshtësoni çështjet e fesë dhe ia jepni rastin egos tuaj, atëherë do të bëheni lajkatar; një dhënie e rastit të tillë ndaj egos do t ju shpie në rrugën e të padrejtëve dhe të atyre që janë shkatërruar.

Kur t ju prezantohet e vërteta, mos bëni lajka kompromisi dhe mos kërkoni kompromis, sepse do të përjetoni humbje dhe dëm. O robërit e Allahut, ruajtja nga Allahu është nga zotërimi i vizionit për të ardhmen. Mosmashtrimi nga mëshira e shumtë e Allahut është nga përvetësimi i masave mbrojtëse. O robërit e Allahut, ai që i do më së shumti të mirën vetes nga mesi i njerëzve, është ai që i bindet më së shumti Zotit prej të tjerëve. Dhe, më së shumti që e mashtron veten, është ai i cili bën padrejtësi ndaj Allahut. 

 

O robërit e Allahut, ai që i nënshtrohet Allahut, fiton siguri dhe e arrin lumturinë; ai që e kundërshton Allahun, kaplohet nga humbja e shpresës, nga pendimi dhe nuk mund ta arrijë shpëtimin. O robërit e Allahut, kërkojini bindjen e sigurt nga Allahu, sepse bindja e sigurt është koka e fesë. Kërkoni shëndet nga Ai, sepse shëndeti është një dhunti e madhe dhe kuptojeni shëndetin si një pre të kësaj dhe botës tjetër. Kërkojini arritjen e suksesit nga Allahu, sepse suksesi është një themel i fortë.

Dijeni që vetia më e bukur që mund të fitojë zemra është bindja e sigurt; më e bukura e bindjes së sigurt është devotshmëria. Më e mira ndër punët e drejta, është puna më e sigurt; ndër punët më të këqija janë gjërat e reja. Çdo gjë e re që del është shpifje (bidat); bidati është devijimi nga rruga dhe ajo që e asgjëson traditën. I mashtruar është ai që është mashtruar në fenë e tij. Ajo që lakmohet dhe që dëshirohet është bindja e bukur dhe feja e sigurt. Fatlumë është ai që merr mësim nga të tjerët; fatkeq është ai që mashtrohet nga dëshira e tij.

 

O robërit e Allahut, dijeni që edhe hipokrizia më e vogël është politeizëm (shirk); sinqeriteti në vepër është bindja e sigurt; pasionet e egos dhe dëshirat e çojnë njeriun në zjarr; shoqërimi me ata që shkojnë pas epsheve bën që ta harrosh Kuranin dhe të afron te shejtani. Nesij-i (lëvizja dhe ndërrimi i muajit të Haxhit sipas kalendarit lunar) e shton pabesimin. Veprat e atyre që e ushtrojnë dhunën bëhen shkaktarë për përfitimin e zemërimit të Allahut të Gjithëmëshirshëm, ndërsa zemërimi i Allahut të çon në zjarr. Biseda e kotë me gratë bëhet shkak për ndonjë bela dhe e devijon zemrën. Shikimi i grave me syrin e epshit, e shuan dritën e syrit të zemrës.

Edhe hedhja e një shikimi të shkurtër ndaj personit namahrem (personi me të cilin është e ndaluar martesa), është njëri prej kurtheve të shejtanit. Shoqërimi i vazhdueshëm me sulltanin, e flakëron zjarrin e xhehenemit. O robërit e Allahut, flisni të vërtetën; Allahu është me ata që e flasin të vërtetën. Largohuni nga gënjeshtra, ajo është e kundërta e imanit.

Ai që e flet të vërtetën, është në majën e madhështisë dhe të shpëtimit; ndërsa gënjeshtari është në pragun e humnerës. Flisni të drejtën, që të njiheni përmes drejtësisë. Veproni sipas drejtësisë, që të bëheni të drejtë. Ktheni amanetin pronarit të tij. Vendosni kontakte me të afërmit që i kanë ndërprerë ato. Ndihmojuni atyre që ju kanë lënë në pozitë të keqe.

Qëndroni besnikë ndaj marrëveshjes. Mbajeni drejtësinë gjatë gjykimit. Duroni ndaj zullumit. Falini ata që ju bëjnë keq; falni gabimet, sepse edhe ju keni dëshirë që t ju falen gabimet. Mos u lavdëroni me baballarët tuaj. 

 

Mos i ngjitni njëri-tjetrit llagape (të këqija)! Pas besimit është shumë keq vënia e llagapit të keq (Huxhurat, 11). Mos bëni shaka. Mos u zemëroni dhe mos tregoni mendjemadhësi ndaj njëritjetrit. Mos e përgojoni njëri-tjetrin. A mos ndonjëri nga ju dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? (Huxhurat, 12). Mos ia keni zilinë njëri-tjetrit, sepse zilia e ha imanin siç e ha zjarri drurin. Mos shfaqni armiqësi ndaj njëri-tjetrit, sepse armiqësia i asgjëson të mirat dhe e largon bereqetin. Jepini selam çdokujt; ktheni përgjigje ndaj selamit të dhënë në mënyrën më të bukur.

Le t ju dhimbsen gratë e veja dhe fëmijët jetimë. Ndihmojuni të pafuqishmëve, të shtypurve, luftëtarëve në rrugën e Allahut, ata që kanë mbetur në rrugë, lypësve, skllevërve, skllevërve që kanë arritur marrëveshje me pronarët e tyre për çlirimin e tyre nga skllavëria dhe nevojtarëve. Jepini përkrahje të shtypurit. Jepuni të drejtat që u takojnë. Luftoni kundër egos në rrugën e Allahut, sepse dënimi nga Allahu është i rëndë. Luftoni në rrugën e Allahut.

 

Respektojeni mysafirin. Abdesin kryeni bukur. Falini të pesë namazet ditore në kohën e duhur; këto namaze kanë një shkallë të lartë përpara Allahut. Mos i braktisni namazet vullnetare (nafile). Dhe kush bën ndonjë vepër të mirë, vullnetarisht, po Allahu është me të vërtetë mirënjohës dhe i dijshëm (Bekare, 158). Ndihmojeni njëri-tjetrin në bamirësi dhe devotshmëri dhe mos ndihmoni në mëkat dhe armiqësi! (Maide, 2). O besimtarë, frikësojuni Allahut me devotshmëri të vërtetë; assesi mos vdisni ndryshe, përveç si myslimanë (Ali Imran, 102)

O robërit e Allahut, dijeni që dëshirat e bllokojnë mendjen, ia hapin rrugën e përgënjeshtrimit të premtimeve (premtimi për shpërblimin dhe dënimin në Ditën e Ringjalljes), inkurajojnë moskokëçarjen dhe shkaktojnë lakminë, prandaj, përgënjeshtrojini dëshirat, sepse dëshirat janë gjëra mashtruese dhe pronari i tij është mëkatar. Kryejini veprat për hir të Allahut me frikë dhe me shpresë.

 

Nëse u është dhënë diçka që keni kërkuar, falënderojuni dhe pasi që ta përvetësoni dhuntinë vendosni për vete një shpresë të re, sepse, Allahu u ka bërë të ditur myslimanëve se: ata që gjenden në mirësi, do të shpërblehen dhe do t'ua shtojë dhuntinë e atyre që falënderojnë . Dijeni që, nuk kam parë ndonjë shkujdesje tek ai që e kërkon xhenetin dhe tek ai që ikën nga xhehenemi, si dhe nuk kam parë një tregtar më të leverdishëm sesa ai që punon për ditën kur do të mbrohen furnizimet dhe kur e pavërteta do të bëhet e qartë për të gjithë. Dijeni që, ai që nuk pajtohet me dobinë që e ka dhënë Allahu, do të pësojë dëm. 

 

Personin që udhëzimi nuk mund ta drejtojë në rrugën e drejtë, do ta dëmtojë devijimi, dhe ai që është i privuar nga dobia e bindjes së sigurt, do të dëmtohet nga dyshimi. Juve u është urdhëruar që të shpërnguleni dhe u është treguar rruga e përfitimit të furnizimit. Dijeni që, më së shumti frikohem për ju në lidhje me këto dy gjëra: Dhënia pas dëshirave të pafundme dhe pas epsheve. Dijeni që, bota jua ka kthyer shpinën dhe ju ka të bërë të njohur se është kalimtare. Me të vërtetë ahireti na është drejtuar kah ne dhe na ka bërë të njohur se është duke u afruar kah ne. Dëgjoni dhe dijeni se, sot është dita e përgatitjes dhe nesër është dita e garës. Shpërblimi i fituesit të garës është xheneti, ndërsa humbësve u takon xhehenemi.

Dëgjoni dhe dijeni se, ju jeni duke jetuar ditët e numëruara dhe të afatizuara. Mbas saj, do të vijë vdekja me një shpejtësi. Kush, brenda këtyre ditëve të numëruara, gjendet në robërim të sinqertë ndaj Allahut dhe gjendet në punë të mbara, do të përfitojë nga vepra e tij dhe vdekja nuk do ta dëmtojë atë. Kush bën ndonjë gabim gjatë robërimit dhe nuk gjendet në punë të mbara, vdekja do t'i vijë e rëndë dhe nuk do të ketë dobi nga vepra e tij.

 

O robërit e Allahut, nxitoni në përforcimin e fesë duke e falur namazin me kohë; duke e dhënë zeqatin me kohë; duke i bërë lutje Allahut; duke vendosur marrëdhëniet me të afërmit dhe miqtë; duke u frikësuar nga Dita e Gjykimit; duke e ndihmuar nevojtarin; duke trajtuar me respekt të pafuqishmin; duke lexuar dhe vepruar sipas Kuranit; duke folur të vërtetën; duke mbetur besnik ndaj premtimit dhe marrëveshjes dhe duke ia kthyer amanetin pronarit. Frikohuni nga dënimi i Allahut duke treguar interesim për sevapin e Allahut. Luftoni me shpirt dhe me pasuri drejt rrugës së Allahut. Nga bota merrni aq furnizim, vetëm sa ju duhet për ta shpëtuar shpirtin tuaj nga rreziku. Kryeni punë të mbara, që të shpërbleheni me të mbara, në Ditën në të cilën çdokush ka dërguar paraprakisht të mbarën. Duke e folur këtë fjalë, kërko falje nga Allahu.