FJALËT QË KANË TË BËJNË ME DITURINË, MENDJEN DHE PAVËMENDJEN

 

 

Përfitoni diturinë, sepse të mësuarit e diturisë është një vepër që ka shpërblim dhe leximi i saj është përkujtim për Allahun. Kërkimi i diturisë është xhihad, të mësuarit e atij që nuk ka dituri, është sadaka dhe dorëzimi i diturisë atij që është i denjë për të, do të thotë të afruarit ndaj Allahut. Sepse, dituria është rruga e njohjes së hallallit dhe haramit; kërkuesin e tij e shpie në drejtim të rrugëve të xhenetit; është shok në vetmi dhe mik në kurbet; udhërrëfyes në vështirësi; armë kundër armiqve dhe stoli në sytë e miqve. Allahu e lartëson diturinë dhe disa njerëz të zgjedhur; këta njerëz i cakton si liderë që duhet të pasohen në punët e mbara; ata janë liderë të tillë, që engjëjt dëshirojnë të bëhen miq me ata. Dituria është jetë dhe gjallëri për zemra, është një nur (dritë e pastër) që e parandalon verbërinë e syve dhe një forcë që e parandalon dobësinë e trupit.

 

Zotëruesit të diturisë, Allahu Teala ia cakton vendin në rendin e të afërmve të tij dhe ia mundëson që të bashkëjetojë me të mirët në këtë dhe në botën e ardhshme. Me dituri i bëhet ibadet (adhurim) dhe nënshtrim Allahut. Me dituri njihet Allahu dhe besohet në njësinë e Tij. Me dituri mbahen lidhjet familjare, dallohet hallalli nga harami dhe dituria i paraprin mendjes. Allahu Teala, ua frymëzon diturinë njerëzve fatlumë dhe ua pamundëson njerëzve fatkëqij. Tiparet e njeriut të mençur janë këto: Sillet but ndaj të paditurit që e injoron atë, e fal atë që i bën padrejtësi, sillet në mënyrë modeste ndaj atyre që janë nën nivelin e tij, garon në mirësi me ata që janë mbi të, dhe mendon para se të flas; nëse është diçka e mirë ajo që dëshiron të flasë, e flet atë dhe përfiton dobi prej saj; nëse është e keqe, hesht dhe shpëton. Kur të përballet ne ndonjë nxitje, mbështetet tek Allahu.

 

E ruan dorën dhe gjuhën prej nxitjes. Kur të vëren një virtyt, mundohet që ta përvetësojë atë duke e konsideruar atë si një begati. Nuk ndahet nga turpi. Lakmia nuk mund të vërehet tek ai. Njeriu i dijes njihet përmes këtyre karakteristikave. Shenjat e xhahilit janë këto: Bën padrejtësi ndaj atyre me të cilët ndodhet në raporte të dyanshme dhe ndaj atyre që janë nën të. I kundërshton ata që janë mbi nivelin e tij. Flet pa menduar. Kur të flasë, hyn në gjynah dhe kur të heshtë, shtiret i pavëmendshëm. Kur të përballet me ndonjë nxitje, vrapon pas tij dhe shkatërrohet. Kur të vëren një virtyt, kthen kokën prej tij. Nuk frikohet prej mëkateve të së kaluarës dhe nuk heq dorë prej mëkatit në pjesën e mbetur të jetës së tij. Tregon plogështi ndaj punëve të mbara. Nuk i jep rëndësi të mbarave që i humb ose i lëshon prej dorës. Këto janë dhjetë karakteristikat e atij, të cilit i është pamundësuar begatia e mendjes.