DISA KËSHILLA TJERA TË HZ RESULULLAHUT (S.A.A.)

 

 

Për arsye të ndryshme, po vërej se, shumica e njerëzve janë të preokupuar me këtë botë! Sikur të jetë e caktuar vdekja për ndokënd tjetër dhe të nënshtruarit ndaj së vërtetës i është urdhëruar tjetërkujt. Aq më tepër, njohuria e tyre lidhur me gjendjen e atyre që kanë vdekur më herët, u duket atyre se ata janë vetëm udhëtarë që do të kthehen shumë shpejt në vendlindjen e tyre. Për ata, të varrosurit e të vdekurve dhe trashëgimi i pasurive të tyre, nuk ndikon aspak; atyre u duket se do të jetojnë përgjithmonë në këtë botë. Vaj halli i tyre! Vaj halli i tyre! Athua, ata që vijnë mbas tyre nuk marrin këshillë për gjendjen e tyre, prej atyre që kanë ardhur para tyre? Për çdo këshillë të Kuranit bëhen sikur nuk po e vërejnë dhe e harrojnë; e ndiejnë veten të sigurt nga çdo përfundim i dhimbshëm i sherrit, me të cilin atyre u tërhiqet vërejtja; nuk frikohen as nga zbritja e fatkeqësive dhe as nga përfundimet trishtuese të ngjarjeve të ndryshme.  

 

Lum për atë që i jep përparësi frikës nga Allahu, sesa frikës nga njerëzit! Lum për atë që e ka fitimin e pastër, të brendshmen e ndershme, të jashtmen e mirë dhe moralin e drejtë! Lum për atë që e shpërndan tepricën e mallit dhe që heq dorë prej fjalës së panevojshme! Lum për ata që tregohen modestë për shkak të Allahut, që nuk e kthejnë fytyrën nga syneti (traditës) im, që nuk e lidhin zemrën e tyre ndaj kënaqësive të lejuara dhe begative të kësaj bote, që heqin dorë nga stolitë e kësaj bote, që pasojnë të zgjedhurit e Ehli Bejtit tim, që rrinë dhe bashkëpunojnë me njerëzit e urtësisë dhe të ligjit fetar (fikhut) dhe që ka mëshirë ndaj të varfëve!

 

Lum për ata që përfitojnë në mënyrë të lejuar, pa u afruar te gjynahu; që harxhojnë në rrugën që nuk është gjynah dhe që u ndihmojnë të varfërve! Lum për ata që rrinë larg nga ata që tregojnë mendjemadhësi ndaj të tjerëve, që bëjnë shpifje (bidat) në fe duke treguar interesim të jashtëzakonshëm për këtë botë dhe që veprojnë me gjërat që janë në kundërshtim me traditën time! 

Lum për ata që sillen me një moral të bukur kundrejt popullit, që nuk e parandalojnë ndihmën time ndaj tyre dhe e keqja e të cilit nuk ndikon tek ata!