Çështja e bashkimit të dy namazeve

 

Një prej mënyrave të diskreditimit të Shiitëve nga ana e Ehli Sunnetit është edhe çështja e bashkimit të namazit të drekës dhe të iqindisë dhe të akshamit e të jacisë. Duke i kritikuar Shiitët në lidhje me këtë temë, Sunnit-ët thonë se ata janë duke e ruajtur namazin, sepse Allahu në Kuran thotë:

“Me të vërtetë, të falurit është caktuar për besimtarët në kohë të caktuar.” (Nisa, 103)

Para se të vijmë në një gjykim përfundimtar pro apo kundër kësaj çështjeje, duhet së pari t’i dëgjojmë të dy anët dhe t’i analizojmë të gjitha provat dhe detajet e saj.

 

Ehli Sunneti është unanim në lidhje me “xhemi takdim”, që është bashkimi i namazit të drekës dhe të iqindisë në Arefe, dhe “xhemi tahir” bashkimi i namazit të akshamit dhe i jacisë në Muzdelife;-të dyja këto namaze që falen gjatë kryerjes së haxhit dhe këtë e kanë gjykuar si të lejuar. Madje, këtu janë unanim edhe të gjitha mez-hebet dhe grupazhet Islame, pa përjashtim. Mosmarrëveshja në mes Sunnit-ëve dhe Shiitëve ka të bëjë me lejueshmërinë e bashkimit të të dy namazeve të drekës dhe të iqindisë si dhe të akshamit dhe të jacisë gjatë çdo dite të vitit. Hanefitë thonë se bashkimi i namazeve nuk është i lejuar as gjatë udhëtimit, ku posaçërisht një bashkim i tillë i namazeve është lejuar përmes vendimeve të prera (nass) dhe të qarta, duke e kundërshtuar në këtë mënyrë edhe lejimin e gjithë Ummetit Islam, si të Shiitëve ashtu edhe Ehli Sunnetit. Malikitë, Shafitë dhe Hanbelitë lejojnë bashkimin e namazeve gjatë udhëtimit, ndërsa nuk janë unanimë në lidhje me bashkimin e tyre në rastet e ndryshme si frika, sëmundja, shiu i madh, shembja e dheut, etj.

 

Duke u bazuar në rrëfimet e Imamëve (a.s.) të Ehli Bejtit, Shiitët besojnë se është i lejuar bashkimi i dy namazeve gjatë rasteve të tilla si, udhëtimi, sëmundja, shiu, frika si dhe pa pasur ndonjë arsye të veçantë. Kur të polemizojmë me dijetarët Shiitë në lidhje me këtë, duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi të bëjmë me dyshimin dhe problemin që përmbahet në vetveten tonë. Sepse, kur të përgjigjen Shiitët ndaj argumenteve të Ehli Sunnetit, mu ata janë që i refuzojnë përgjigjet. Ndërsa, ata kanë marrë mësim prej Imamëve (a.s.) të Ehli Bejtit dhe po këta Imamë (a.s.) u kanë qartësuar atyre shumë çështje të vështira. Ata janë mburrur me Imamët e Ehli Bejtit, duke i pranuar ata si pasues të Kuranit dhe të Traditës.

Kurrë nuk do të harroj ditën kur për herë të parë e fala bashkë namazin e drekës me atë të iqindisë, duke u falur mbas Shehid Muhammed Bakir es-Sadrit. Përderisa isha në Nexhef, e falja ndaras namazin e drekës dhe të iqindisë. Atë ditë të fatlumët ndodhesha në shtëpinë e Muhammed Bakir es-Sadrit, dhe nga atje shkuam në xhami ku ua falte si imam namazin e përbashkët atyre që e imitonin (mukallid). Në shenjë respekti, ata më caktuan vendin për falje menjëherë mbas Muhammed Bakir es-Sadrit. Kur e fala namazin e drekës, desha të ngrihem dhe të ndahem prej xhematit, por mbeta aty për dy arsye. E para ishte madhështia e Sadrit ajo që më bëri të ndalem, sepse e falte namazin aq këndshëm dhe devotshëm, sa që dëshiroja ta zgjas atë edhe pakëz. Dhe, e dyta, mbasi që isha shumë afër tij, e ndieja se po më tërheq një forcë tërheqëse ndaj tij dhe më pengonte të ndahem prej tij. Kur e falëm namazin e-iqindisë, njerëzit e rrethuan atë duke i parashtruar pyetje të shumta dhe unë gjendesha mbrapa tij. Përveç disa pyetjeve që i pyetnin me zë të ulët, i dëgjoja të gjitha pyetjet e njerëzve dhe përgjigjet e Sadrit. Pastaj më shpiu në shtëpinë e tij për të drekuar.

 

Mu atëherë e ndjeva veten si një mysafir nderi. Duke e shfrytëzuar këtë rast të volitshëm, vendosa ta pyes për bashkimin e dy namazeve: “Zotëri, athua në rastet e vështirësive njeriu mund t’i falë të dy namazet njërin pas tjetrit?” - Ai m’u përgjigj: “Edhe nëse nuk ka ndonjë vështirësi, mund t’i falësh bashkë të dy namazet”. Unë e pyeta: “A keni ndonjë argument në lidhje me këtë?” Ai u përgjigj: “Hz Resulullahu (s.a.a.) i ka falur në këtë mënyrë namazet në Medinë pa pasur ndonjë vështirësi si, shiu, frika, udhëtimi apo ndonjë tjetër. Këtë e ka bërë vetëm me qëllim të sigurimit të lehtësimit ndaj nesh. Falënderimet qofshin për Allahun, kjo çështje është qartësuar përmes Imamëve (a.s.) të Ehli Bejtit. Edhe për ju është e qartësuar kjo çështje”. Mua më erdhi shumë e pazakonshme kjo përgjigje. Si mund të jetë e qartësuar kjo për ne? Unë deri në atë kohë nuk kisha dëgjuar një gjë të tillë dhe nuk kam parë asnjë person prej Ehli Sunnetit që të veprojë në këtë mënyrë. Përkundrazi, sipas tyre është i pavlefshëm namazi i falur i jacisë dhe i iqindisë nëse falet edhe një minutë para ezanit, e lëre më të lejohet falja e namazit disa orë më herët. Sadri e vërejti habinë time dhe i pëshpëriti në vesh diçka njërit prej të pranishmëve. Ai u ngrit dhe i solli dy libra. E vërejta se ato ishin “Sahih”- u i Buharit dhe “Sahihu”-u i Muslimit. Sadri dëshironte të më tregojë për hadith-et në lidhje me bashkimin e dy namazeve. Dhe, unë vetë i lexova hadith-et në lidhje me faljen e përbashkët të drekës me iqindinë dhe akshamit me jacinë nga ana e Hz Resulullahut (s.a.a.). Madje te “Sahih”-u i Muslimit lexova që Hz Resulullahu (s.a.a.) i falte këto namaze edhe pa hasur në ndonjë vështirësi. Më shumë se kjo, aty e pashë edhe një kapitull të ndarë në lidhje me faljen e namazit të përbashkët të drekës me iqindinë dhe të akshamit me jacinë. Edhe pse më sillej vërdallë një pyetje, se mos ndoshta ky libër është ndonjë libër i falsifikuar nga ana e Shiitëve, prapëseprapë nuk mund ta fshihja habinë time. Dhe, vendosa që sapo të mbërrijë në Tunis t’i lexoja librat e Buhariut dhe të Muslimit.

Më pyeti Sadri: “Çfarë pikëpamje ke tani mbas këtyre argumenteve?” I thashë: “Ju keni të drejtë. Fjala juaj është e vërtetë, por kam edhe një pyetje”. E ai më tha: “Urdhëro”.

Unë: “Sipas pikëpamjes sime, nëse personi lcthehet në mbrëmje nga udhëtimi, i fal bashkërisht namazet e drekës, iqindisë, akshamit dhe jacisë, si namaze të kaluara (kaza). A është e lejuar një gjë e tillë?”

Ai: “Nuk është e lejuar”.

Unë: “Pak më herët thatë që Hz Resulullahu (s.a.a.) i ka falur namazet edhe bashkërisht, edhe ndaras. Në këtë mënyrë, Hz Resulullahu (s.a.a.) dëshiroi të na bëjë me dije në lidhje me kohët e namazeve me të cilat është i kënaqur Allahu”.

Ai: “Namazi i drekës dhe i iqindisë kanë një kohë të përbashkët (mushterek): Fillon me fillimin e kohës së namazit të drekës dhe vazhdon deri te perëndimi i diellit. Edhe namazi i akshamit dhe ai i jacisë e kanë kohën e përbashkët që fillon pak mbas perëndimit të diellit dhe vazhdon deri te gjysma e natës. Ndërsa, namazi i sabahut e ka kohën e posaçme dhe fillon me fillimin e agut (fexhri sadik) deri te lindja e diellit. Ai që del jashtë këtyre kohëve, ai e ka kundërshtuar ajetin e 103-të të sures Nisa:

“Me të vërtetë, të falurit është caktuar për besimtarët në kohë të caktuar. ”

 

Sikur që nuk mund ta falim namazin e sabahut para agut apo mbas lindjes së diellit, ashtu edhe drekën bashkë me iqindinë nuk mund ta falim para dreke apo mbas perëndimit të diellit, dhe akshamin bashkë me jacinë nuk mund ta falim para perëndimit të diellit dhe mbas gjysmës së natës”

E falënderova për përgjigje. Sado që isha bindur në lidhje me këtë, prapëseprapë sapo mbërrita në Tunis vendosa që ta hulumtoj çështjen deri në detaje dhe ta zbuloj të vërtetën dhe deri sa të bindem në saktësinë e saj, nuk do t’i fal namazet të bashkuara.

Kjo ishte ngjarja që kishte ndodhur në mes meje dhe Sejjid Muhammed Bakir es-Sadrit. Qëllimi i regjistrimit të kësaj ngjarjeje në këtë libër është tërheqja e vëmendjes ndaj vëllezërve të Ehli Sunnetit në lidhje me trashëgimtarët e diturisë dhe moralit të Pejgamberit, si dhe të mos informimit të tyre në lidhje me hadith-et e vërteta që përmbahen në përmbledhjet burimore të tyre dhe njëkohësisht akuzimi i palës tjetër në lidhje me të njëjtat.

Ahmed Ibn Hanbeli në “Musned”-in e tij ka regjistruar një hadith, i cili thotë:

“Hz Resulullahu (s.a.a.) i falte ne Medinë tetë ose shtatë reqate, pa hasur në ndonjë vështirësi dhe pa qenë mysafir”.

(Musnedi i Ahmed Ibni Hanbelit, v.l, f.221)

 

Imam Maliku në “El Muvata”-në e tij transmeton një hadith nga Ibni Abbasi, ku thotë:

“Hz Resulullahu (s.a.a.) e fali namazin e drekës bashkë me atë të iqindisë dhe namazin e akshamit bashkë me atë të jacisë, pa ndier ndonjë frikë dhe pa qenë udhëtar”.

(Imam Maliku në “El Muvatta”, kapitulli “Sherh-ul Havalik”, v. 1 f. 161)

 

Muslimi në “Sahih”-un e tij, te kapitulli “Falja e dy namazeve bashkë, pa qenë udhëtar”, transmeton një hadith nga Ibni Abbasi, ku thotë:

“Hz Resulullahu (s.a.a.) e fali namazin e drekës bashkë me atë të iqindisë dhe namazin e akshamit bashkë me atë të jacisë, pa ndier ndonjë frikë dhe pa qenë udhëtar”.(Sahihi Muslim, v.2, f. 151)

 

Në një hadith tjetër të Ibni Abbasit thuhet:

“Hz Resulullahu (s.a.a.) e fali namazin e drekës bashkë me atë iqindisë dhe namazin e akshamit bashkë me atë të jacisë, pa ndier frikë apo pa rënë shi”. Rrëfyesi thotë: “E pyetën Ibni Abbasin se pse vepronte në këtë mënyrë dhe ai u përgjigj: ‘Për të mos i ardhur rëndë Ummetit të tij”. 

(Sahihi Muslim, v.2,f,152.)

 

Ky është një prej argumenteve që vërteton se vepra e tillë ishte e përhapur në pikëpamjen e sahabeve dhe se ata e aplikonin atë. Rrëfyesi thotë:

“Një ditë Ibni Abbasi na mbajti një fjalim mbas namazit të iqindisë. Përkundër perëndimit të diellit dhe paraqitjes së yjeve, ai vazhdoi fjalimin. Njëri prej masës së tubuar që i takonte fisit Beni Temim filloi t’i bërtasë ‘Namazi, namazi’. Ibni Abbasi i tha: ‘O i mjerë! - Athua ti po më mëson mua traditën’, dhe pastaj shtoi: “Unë e kam parë Hz Resulullahun (s.a.a) duke e falur bashkë namazin e drekës me atë- të iqindisë dhe namazin e akshamit bashkë me namazin e jacisë’. Në një rrëfim tjetër thuhet: ‘O i mjerë! - A do të na mësosh namazin neve? Ndërsa, ne në kohën e Resulullahut i falnim dy namaze bashkërisht".(Sahihi Muslim, v.2, f. 153,)

 

Te kapitulli: “Koha e namazit të akshamit” i “Sahih”-ut të Buahriut, është regjistruar një hadith ku Ibni Abbasi thotë:

“Hz Resulullahu (s.a.a.) i falte bashkë shtatë (akshami dhe jacija) dhe tetë (dreka dhe iqindija) reqate”.

Po ashtu, në përmbledhjen e njëjtë të Buhariut, te pjesa “Koha e namazit të iqindisë”, Ebu Umame transmeton një hadith:

“Mbasi që e falën namazin e drekës me Ymer Ibni Abdul Azizin dhe shkuam të Enes Ibni Maliku, e pamë që ai e falte namazin e iqindisë. Unë e pyeta: ‘O axhë, cili namaz është ky namaz që e fale?’, ai m’u përgjigj: ‘Është namazi i iqindisë. Kur e falnim në kohën e Resulullahut, e falnim në këtë mënyrë”.(Sahihi Buhari. v.l. f. 138,)

 

Përkundër qartësisë së hadith-eve, do të vëresh se në çdo kohë do të ekzistojnë ata që i kundërshtojnë Shiitët. Do t’ju tregoj një shembull nga vendi ku jetoj: Në qytetin Kafsa të Tunisit, një imam i një xhamie u ngrit në foltore për të folur keq për namazin e Shiitëve, dhe duke u drejtuar kah xhemati tha: A po e shihni këtë fe të re që na kanë sjellë? Sapo e falin namazin e drekës, ata e falin namazin e iqindisë. Kjo është një fe e re, nuk është feja e Hz Muhammedit (s.a.a.). Me këtë, ata po e kundërshtojnë ajetin

“Me të vërtetë, të falurit është caktuar për besimtarët në kohë të caktuar.”(Nisa, 103)

 

Duke e shfrytëzuar këtë çështje si shkas, ai flet çka do që i vjen në gojë ndaj nesh që e kemi parë të vërtetën. Një i ri i kulturuar dhe i dijshëm, erdhi dhe më informoi për fjalët e imamit. Unë ia dhashë atij “Sahih”-in e Buhariut dhe “Sahih”-un e Muslimit. Dëshiroja t’i bëja me dije imamit se falja e namazit të përbashkët është në përputhje me traditën e Hz Resulullahut (s.a.a.), sepse unë personalisht nuk kisha dëshirë të polemizoj me atë imam. Edhe më herët jam munduar t’i flas me gjuhë të ëmbël por ai gjithmonë ma kthente me fjalë të pahijshme dhe shpifje. Shoku im vazhdonte të falej mbas tij. Njëherë tjetër, kur imami filloi të mbajë ligjërata mbas faljes së namazit, shoku im i parashtroi pyetje në lidhje me bashkimin e dy namazeve të obliguara. Imami iu përgjigj se kjo ka të bëjë me shpitjet e Shiitëve. Atëherë shoku im i tha: “Por kjo është përmendur edhe në “Sahih”-un e Buhariut”. Imami iu përgjigj: “Kjo nuk është e vërtetë”. Shoku ia qiti përpara “Sahih”-un e Buhariut dhe “Sahih”-un e Muslimit, dhe kërkoi prej Imamit ta lexojë kapitullin për bashkimin e namazeve. Shoku im më tregoi në këtë mënyrë: “Mbas leximit të atij kapitulli përpara xhematit dhe mbas kuptimit të së vërtetës, imami e mbylli librin dhe i tha shokut tim: ‘Kjo ka të bëjë me H!z Resulullahun (s.a.a.). Edhe ti nëse e arrin gradën e tij, atëherë edhe ti mund ta bësh të njëjtën’. Shoku im më tha se atë ditë kishte kuptuar se ai është një fanatik dhe xhahil.

(Sipas një rrëfimi, dy shokë kishin shkuar në gjueti dhe prej së largu e kishin parë një hije. Njëri tha se ajo është sorra ndërsa tjetri tha se është dhia. Të dytë insistonin në mendimin e tyre. Kur u afruan, e panë se ajo ishte një sorrë e cila prej frikës fluturoi dhe iku. Ai që thoshte se ajo hije është sorra i tha shokut tjetër: “A nuk të thashë se është sorra. A u binde tani?”. Ndërsa ky ia ktheu: “Subhanallah, edhe dhia po fluturuaka”)

 

Pastaj, shokut tim ia tregova se kështu falej edhe Ibni Abbasi, Enes Ibni Maliku dhe shumë sahabe të tjerë dhe se deklarata e atij Imami është e pabazë. Dhe, veçmas, a nuk është vetë Hz Resulullahu (s.a.a.) një shembull i bukur për ne? Shoku im hoqi dorë prej kësaj pune duke thënë: “Po të vinte edhe vetë Hz Resulullahu (s.a.a.), ndoshta edhe atëherë nuk do të bindej”.

Falënderuar qoftë Allahu! Shumë të rinj kur kuptuan se është i lejuar bashkimi i dy namazeve, filluan ta falin namazin përsëri pasi që e kishin lënë atë më herët, sepse, nuk kanë mundur t’i falin me kohë namazet dhe janë detyruar t’i falin gjatë natës të gjitha namazet. Kjo ia mundonte shpirtin e tyre. Dhe, në këtë mënyrë e kuptuan më mirë urtësinë e faljes së dy namazeve bashkërisht. Në bazë të këtij gjykimi, kanë mundur t'i falin me kohë namazet e tyre: zyrtari, nxënësi dhe të gjitha shtresat e popullit.