Lindja dhe Edukimi

 

Sejjid ‘Abdul-Husein Sherafuddīni, Allahu ia zgjastë hijen, lindi në Kādhimijje më 1290/1874, nga prindër të mirë të lidhur me njëri tjetrin përmes fisnisë dhe të bashkuar nga një peme familjare e rrënjëve fisnike. Babai i tij qe i virtytshmi Jūsuf ibn Sherif Xhevād, bir i të fismit Ismā‘īl. Nëna e tij qe e virtytshmja Zehrā bint Sejjid Hādī ibn Muhammed ‘Alī dhe përfundonte në farefisni të afërt me Sherafuddīnin, një nga të nderuarit e shquar të kësaj dere të mirë. 

       Ai u rrit në një shtëpi, për të cilën trasetë e shkëlqimit në dije ishin shtruar dhe shtyllat e së cilës ishin ngritur mbi fisnikë të shquar të një nami të mirë, dobia dhe shërbesat e të cilëve janë shpallur e çmuar përgjatë mbarë dār ul-Islāmit. 

       Ai u rrit në atë shtëpi të ngritur, i ushqyer në kopshtet e dijes dhe etikës, duke ngjitur majat e dinjitetit. Kur arriti rininë e njomë ai ishte njohur plotësisht me kauzat e mirësisë, pasimi i të cilave e bëri atë mishërimin e virtytit. Pas hedhjes së hapit të parë të madh në jetën akademike, ai u shqua për suksese dhe arritje të jashtëzakonshme. Studentët dhe admiruesit i qëndronin gjithnjë përkrah. Zëri i tij kumboi në qendrat e dijes së Samārrasë dhe el-Nexhef ul-Eshrefit, ku arriti të shquhej. 

       Që atëherë, ylli i tij ka vazhduar të shkëlqejë në qarqet e dijes, drita e tij s’ka reshtur së shtriri në largësi dhe gjerësi, ndërkohë që dija e tij zgjerohet gjithnjë e më tej. Ai përparoi nëpër shkallët e suksesit gjersa jeta skolastike iu kultivua në duart e shumë gjenive në mesin e shtyllave të dijes në el-Nexhef ul-Eshref e Samārra, si: et-Tabātabā’ī, el-Khurasānī, Fet’hullāh el-Isfahānī, Shejh Hasan el-Kerbelā’ī dhe të tjerë viganë të shquar të fesë e imamë të dijes.

 

Në ‘Āmile

 

  

Kur pjekuria e tij mori dhenë dhe ylli i tij në qarqet kërkimore dhe takimet e debatit e të mësimit filloi të shkëlqejë, ai, në moshën tridhjetëedyvjeçare, u kthye në malin e ‘Āmilit (Libani jugor), i nderuar, i mirënjohur, i kënaqur, premtues, i shquar, flakërues në shkëlqim. Dita e mbërritjes së tij ishte e paharrueshme. ‘Āmili i nisi bijtë e vet t’i uronin mirëseardhjen mbërritjes së tij, aq ndriçuese ndër stere e qiej, duke e mirëpritur me manifestime që përfshinin njerëz të dijes dhe udhëheqjes së vendit, deri në kufijtë e malit nga rruga e Sirisë, duke festuar si të ishte bajram.

 

Reformat e Tij

 

Një jetë e re filloi në ‘Āmile me synim zbatimin e fesë, përmirësimin e sjelljes, forcimin e së drejtës me të fortën, mirësinë ndaj të dobtëve, urdhërimin e së mirës dhe ndalimin e së keqes, përkrahjen e prijësve të fesë dhe përulësinë ndaj njerëzve të dijes.

 

Gojtaria e Tij

 

Ligjëratat e tija elokuente dhe metodat udhëzuese ekspresive patën meritën më të madhe në arritjen e reformës së shumëdëshiruar. Kjo s’është për t’u habitur kur dimë se Sejjidi zotëronte një gojtari të atillë të fjalës, që e bënte atë zilinë e oratorëve të mbarë Arabisë. Feja, dija dhe etika krenohen të gjitha për të.

       Krahas elokuencës, ai ishte i madh edhe në të zgjedhurit e xhevahirëve të mendimeve të tija, si dhe veshjeve të opinioneve të veta të cilat ai i përshtati dhe i organizoi mjeshtërisht, duke i dhënë jetë çdonjërit prej argumenteve, shpjegimeve, logjikës, shpalosjeve përshkruese e shtesave sqaruese që dëshironte, si dhe në të gjitha punimet e tija që janë organizuar përmes harmonisë dhe ekuilibrit.  

 

Shërbesat e Tij

 

Sa i përket ndihmesës së tij në përpjekjen kundër kolonializmit të huaj, mund të flasësh sa të ka ënda. Kjo ndërmarrje megjithatë nuk na lejon t’i qasemi një nisme të tillë në imtësi; prapëseprapë, mund ta përmbledhim në një fjali të vetme: Shërbesat e tij të mëdha gjatë regjimit turk, pastaj pushtimit francez e më tej pas pavarësisë, ishin thjesht tejzgjatje të lëvizjeve për çlirim. Ai ua ngriti atyre nivelin e efikasitetit dhe i drejtoi ato drejt objektivave fisnike të sigurimit të drejtësisë dhe stabilitetit, duke u sjellë kështu shpresa të freskëta masave. Mirëpo, të gjitha autoritetet përgjatë këtyre regjimeve nuk kursyen asnjë mjet për t’iu kundërvënë dhe për t’ia minuar planet, përmes mbjelljes së lloj lloj kurtheve, persekutimeve dhe masave ndëshkuese që mund të sajonin.

 

       Fatkeqësitë si ato nga të cilat vuajti ky imam i madh, në përpjekje për ta lumturuar popullin e tij, nuk janë përballuar veçse nga udhëheqësit dhe prijësit më të shquar arabë, që luftuan heroikisht dhe vuajtën rëndë gjatë tyre.

       S’ka nevojë të thellohem në surprizën që autoritetet pushtuese franceze i kishin pregatitur kur ai ua solli në majë të hundës. Ata urdhëruan disa nga katilët e tyre xhelatë që ta vrisnin. Ibn ul-Hallāxhi i hyri me forcë në shtëpi, kur ai bashkë me pjesëtarët e familjes dhe fisit të tij nuk kishin asnjë nga mbështetësit e tyre përrotull. Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar kishte dëshiruar të kundërtën e dëshirës së tyre. Ai e mbajti ligësinë e tyre larg prej tij dhe ata u tërhoqën të poshtëruar, duke u rrëzuar në dështimin dhe turpin e tyre. Porsa lajmi i këtij sulmi të papritur u përhap në ‘Āmile, turma të tëra vërshuan me nxitim për në Sūr, nga të gjitha anët, për t’u vënë nën urdhrat e prijësit të tyre, që të ndërmerrnin diçka rreth incidentit. Mirëpo, pasi i falënderoi, Sejjidi i shpërndau ata, duke i këshilluar që thjesht ta kapërcenin. 

 

       Ky incident u pasua nga shumë e shumë të tjerë të ngjashëm. Hendeku u bë më i gjërë dhe përplasja shpërtheu gjersa në fund, Sejjidit bashkë me farefis mes prijësve të ‘Āmiles iu desh të kërkonte strehim në Damask, ku ai mbërriti megjithë përpjekjen e ushtrisë franceze për t’ia mbyllur rrugën para këmbëve. Autoritetet xhelate po e ndiqnin me disa nga trupat e tyre të armatosura për ta ndaluar të arrinte Damaskun. Kur humbën shpresën e fundit për ta kapur, ata u kthyen për t’i vënë flakën shtëpisë së tij në Shahūr, duke e lënë në shkrumb e hi të shkërmoqur në ajër; pastaj zaptuan banesën e tij në Sūr pasiqë lejuan duart mëkatare ta plaçkisnin dhe grabisnin, derisa nuk lanë gjë të çmuar apo një send të vetëm në të. Humbja dhe dëmi më i madh në atë tragjedi qe djegia e bibliotekës së Sejjidit me tërë librat e saj të çmuar e veprat më të shkëlqyera, duke përfshirë nëntëmbëdhjetë nga të tijat, ende në dorëshkrim.

 

       Pastaj ai udhëtoi për në Egjipt, gjatë kulmit të kryengritjeve që mbërthyen zonën. Kur mbërriti atje, egjiptianët e mirëpritën ngrohtësisht dhe e njohën, megjithë maskimin e tij nën një kafijje dhe ikal, veshje të zakonshme të beduinëve të shkretëtirës. Në Egjipt ai mbajti qëndrime të caktuara, të cilat tërhoqën vëmendjen e elitës mes shkollarëve të dijes, shtyllave të letërsisë dhe njerëzve të politikës, sipas kërkesave të personalitetit të tij të nderuar.

 

       Kjo s’ishte vizita e tij e parë në Egjipt. Egjipti e kish njohur atë tetë vjet më parë, kur ai e pat vizituar në mbyllje të 1329, duke qëndruar aty deri më 1330, gjatë një udhëtimi në kërkim të dijes. Atëherë ai u takua me hulumtuesit dhe kryemendjet e ndritura të egjiptianëve të dijshëm. Pas kësaj, ai dhe Shejh Selīm el-Bishrī, rektori i atëhershëm i el-Ez‘herit, u takuan dendurazi e shkëmbyen mendime rreth çështjeve të rëndësishme të kelām-it dhe usūl-it. Ndër frytet e atyre takimeve të bekuara qe libri el-Murāxha‘āt, me të cilin kemi të bëjmë këtu.     

 

Kërkimi prej Tij i Dijes

 

Duke vështruar parathënien e mësipërme, në fillim mund t’ju krijohet përshtypja se problemet shoqërore që e rrethuan e kanë zhvendosur vëmendjen e tij nga ndjekja e dijes duke e mbajtur larg nga puna letrare. Në të vërtetë, kushdo që është goditur ashtu siç u godit Sejjidi ynë, normalisht shmanget nga dija dhe autorësia e arritshme. Problemet që e rrethonin do t’ia kishin kufizuar vërtet mundësitë për t’i hedhur një sy ndonjë libri në bibliotekë apo shkruar ndonjë faqe në shtëpi. Por e vërteta është se koha e tij është e bekuar, zemra e tij e gjerë dhe mendja e tij e fuqishme.

 

       Në të njëjtën kohë që ia dilte mbanë me sukses problemeve që ndeshte, ai gjithashtu shuante etjen e tij për dije. Ai mori nga biblioteka e vet pjesën e dijes që jeta e tij praktike kërkonte. Qëkur la Nexhefin e ndershëm, ai vazhdoi të hulumtonte, lexonte, shkruante dhe të debatonte pareshtur. Gjatë orëve të pushimit, ai shkonte përditë në bibliotekën e tij për të gjetur qetësinë e mendjes në çështjet e veta dhe harruar gjithçka që jeta e zënë dhe dërrmuese shtrinte përtej mureve të saj.