LETRA 103

12 Rebī’ul-Thāni 1330

 

 

Kërkimi i Argumenteve të Tija dhe të Pasuesve të Tij.

 

Kur e bëri Imami këtë? Dhe kur e bënë familja dhe përkrahësit e tij këtë? Lutemi të na njihni me një pjesë të saj, Wesselam.

 

Sinqerisht,

S

 


LETRA 104

15 Rebī’ul-Thāni

 

 

1. Disa Incidente në të Cilat Imami Debatoi,

2. Argumenti i Fātime ez-Zehrāsë.

 

1) Imami u tregua i qetë në përhapjen e teksteve rreth tij, duke mos i përdorur ato për përfitim personal ndaj kundërshtarëve, falë shqetësimit të tij për sigurinë e Islamit dhe ruajtjen e fuqisë së muslimanëve. Ai shpesh e mbronte heshtjen e tij dhe ngurrimin për ta kërkuar atë [të drejtë] në rrethana të tilla, duke thënë: “Një njeri nuk fajësohet nëse tregon durim në marrjen e asaj që i takon; faji është mbi atë që merr çfarë s’i takon.”

(Ky është një pohim i shkurtër që ka të bëjë me objektivin e tij fisnik, dhe përfshihet në Nehxhul Belāga. Drejtojuni asaj që ka shkruar dijetari mu‘tezilī gjatë shpjegimit të tij në f. 324, vëll. IV i Sherh Nehxhul Belāgës.)

 

Ai përdori disa metoda të stolisura me urti të shkoqur në përhapjen e teksteve për të.

 

      A e patë se si veproi ai në incidentin e Rahbes, kur ishte khalīf, tek i mblodhi njerëzit për të përkujtuar Ditën e Gadīrit? Ai u tha atyre: “Po i kërkoj çdo muslimani nga ju i cili e dëgjoi se çfarë tha i Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, Ditën e Gadīrit, të ngrihet e të dëshmojë atë që dëgjoi. Askush nuk duhet të çohet përveç atyre që e panë vetë atë.” Tridhjetë sahabë, duke përfshirë dymbëdhjetë luftëtarë të Bedrit, e dëshmuan atë që kishin dëgjuar nga hadīthi i Gadīrit, siç ju kemi treguar në Letrën 56. Ky ishte maksimumi që ai mund të bënte nën rrethana të tilla kritike për shkak të vrasjes së ‘Uthmānit, dhe turbullirës së Basras e Sirisë. Kjo, me të vërtetë, është maja e urtisë për publicitetin e atyre ditëve, dhe ç’përpjekje e lavdërueshme që e ringjalli hadīthin e Gadīrit nga varri dhe e solli në jetë pasi ishte groposur thuajse përjetë! Turmat e njerëzve në Rahba të kujtonin ata që e panë Profetin ditën e Gadīr Khummit ta merrte ‘Alīun në dorën e tij të nderuar e t’u drejtohej njëqindenjëzet mijë vetëve nga ummeti i tij për t’ua përcjellë mesazhin se ai do të ishte mëkëmbësi i tij (s). Kështu, hadīthi i Gadīrit është njëri prej më të besueshmëve nga hadīthet mutewātir; vështrojeni atëherë urtinë e Profetit (s) kur e shoqëroi atë përpara turmave gëluese, dhe ndërgjegjësohuni për mençurinë e wasi-ut të tij në atë xhuma kur i kërkoi atyre të dëshmonin, duke e ndriçuar të vërtetën në një mënyrë të qetë që diktohej nga rrethanat, dhe me metodën e paqtë që Imami parapëlqente. E tillë ishte metoda e tij në përhapjen e zotimit dhe publikimin e hadīthit. Ai ishte një njeri që e tërhiqte vëmendjen e të pavëmendshmit me metoda që nuk kërkonin shumë zhurmë e që nuk krijonin ndjenja mospëlqimi ndër njerëz.

 

       Merrni në shqyrtim atë që kanë cituar muhadīth-ët nga hadīthi i përcjellë prej tij, gjatë ngjarjes së darkës së organizuar nga i Dërguari i Allahut (s) në shtëpinë e xhaxhait të tij, njeriut më të respektuar në Mekë, kur ai (s) ua tërhoqi vërejtjen të afërmve. Ai është hadīth i gjatë dhe i shenjtë të cilin njerëzit e kanë konsideruar ngaheri si një nga provat e profetësisë dhe mrekullive të Islamit falë përfshirjes në të të mu’xhizes së ushqimit të një numri të madh njerëzish me fare pak ushqim. Ne e cituam atë në Letrën 20. Ai përfundon duke thënë se i Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të e pasardhjen e tij, e kapi ‘Alīun për qafe dhe tha: “Ky është vëllai im, i porosituri im dhe zëvendësi im; ndaj, dëgjojeni dhe bindjuni atij!” Mjaft shpesh, ai tregonte se si i Dërguari i Allahut (s) i thonte: “Ti je wali-u i çdo besimtari pas meje,” dhe ai gjithashtu e citonte shpesh këtë pohim të Profetit: “Statusi yt ndaj meje është si ai i Harūnit ndaj Mūsait, veçse nuk do të ketë profet pas meje”, dhe, duke kujtuar Gadīr Khummin: “A s’kam unë më tepër autoritet mbi besimtarët se vetë ata?” Ata thanë: “Vërtet, po.” Atëherë ai tha: “Kujtdo që i kam qenë wali, ky i është wali” sipas fjalëve të Ibn Ebū ‘Āsimit, siç shpjeguam në fund të Letrës 23, krahas shumë teksteve të tilla të pakundërshtueshme. Ato janë publikuar nga muhadīthët më të besuar e më të besueshëm. Kjo ishte e tëra që ai mund të bënte në ato rrethana. {Urti e përsosur; por qortimet s’kanë dot vlerë!} (54:5)

 

       Ditën e Shūres, ai e përmbushi përgjegjësinë e tij dhe i paralajmëroi të tjerët, pa kursyer asnjërën prej cilësive a bëmave të tija pa e përdorur si argument. Gjatë ditëve të khilāfetit, ai u ankua shpesh për padrejtësinë e madhe që i qe bërë, duke e shpallur plot dhimbje ankesën e tij nga minberi, me fjalët: “Për Allah, i biri i Ebū Kuhāfes e veshi khilāfetin për vete, kur e dinte mirë se pozita ime ndaj këtij ishte si ajo e boshtit ndaj mullirit: prej meje vërshon rrëkeja e ujit dhe zogjtë nuk ngjiten lart sa unë; prapseprapë, unë ngrita një perde ndaj tij dhe i ndejta larg. Pastaj nisa të mendoj nëse duhej të sulmoja me dorën e cunguar apo të duroja me qetësi errësirën e verbër, në të cilën të rriturit plaken dhe të rinjtë thinjen, e besimtari djersit fort gjersa ta takojë Zotin e vet. Pashë se durimi në një situatë tillë ishte më i urtë; ndaj bëra durim, ndonëse kisha një gjëmb në sy e një halë në fyt, tek shihja trashëgiminë time të grabitej”, deri në fund të ligjëratës shikshikije, që është e treta në Nehxhul Belāghe, f. 25, vëll. I. Ai shpesh thoshte: “O Zot, kërkoj ndihmën Tënde ndaj kurejshëve dhe mbështetësve të tyre, sepse ata më mohuan (të drejtat mbi) farefisninë, ma ulën statusin dhe u bashkuan për të m’u kundërvënë në atë që është e imja, e pastaj thanë: ‘Hak për ta marrë e kemi ne, kurse ti për ta braktisur.” Drejtojuni hytbes 167 ose f. 103, vëll. II i Nehxhul Belāgës. Në po atë hytbe, dikush i tha: “Dukesh shumë i etshëm për këtë çështje (khilāfetin).” Imami u përgjigj: “Për Allah, jo; por përkundrazi, ju jeni të etshëm për të ndonëse më të largët, ndërkohë që unë jam më i përshtatshëm dhe më i afërt. Unë e kërkova si një të drejtë timen, ndërsa ju qëndruat mes meje dhe tij.” Ai ka thënë po ashtu: “Për Allah, qëkur Profeti (s) vdiq e deri më sot, më kanë përzënë nga e drejta ime dhe sakaq kanë preferuar të tjerët para meje,” siç shkruhet në hytben 5, f. 36, vëll. I i Nehxhul Belāgës. 

 

       Ai, paqe pastë mbi të, tha njëherë: “Ne kemi një të drejtë ... nëse nuk na e lejojnë, atëherë do na duhet të hypim në bisht të devesë, ndonëse udhëtimi mund të jetë i gjatë.”

(Ky pohim është fjala e urtë 21 në Nehxhul Belāga. Sejjid Razīu i ka bërë një koment shumë me vlerë, e po kështu Shejh Muhammed ‘Abduhu. Që të dy meritojnë vëmendjen e dijetarëve.)

 

Ai, paqe pastë mbi të, thotë në një letër drejtuar të vëllait, ‘Akīlit: “Ai që ndan drejtësinë ma marrtë hakun ndaj Kurejshëve, që ma shpërfillën farefisninë e më privuan nga mbështetja e tim vëllai”, siç pohohet në Letrën 36, f. 67, vëll. III i Nehxhul Belāgës. Ai, paqe pastë mbi të, thoshte shpesh: “Unë kërkova dhe pashë se nuk kisha mbështetës tjetër përveç familjes, ndaj u përmbajta nga hedhja e tyre drejt vdekjes. I mbylla sytë ndonëse kisha dhé në to, e u kapërdiva ndonëse kisha halë në fyt. Bëra durim duke e mbajtur zemërimin ndonëse ishte më i hidhur se shajtimi”, siç thuhet në hytben 25, f. 62, vëll. I i Nehxhul Belāgës. 

 

       Njëri nga shokët e tij e pyeti njëherë: “Si qëndruat ju larg atij posti kur e meritoni më shumë se kushdo tjetër?” Ai, siç thuhet në ligjëratën 157 të Nehxhul Belāgës, f. 79, vëll. II, u përgjigj: “O vëlla i Beni Esedit! T’u lirua rrypi dhe e lëshove keq. Megjithatë, ti gëzon farefisninë tonë dhe të drejtën për të pyetur, e meqë pyete, tani dëgjo. Sa i përket shtypjes tonë nga disa njerëz në këtë çështje, kur ishim ne ata që gëzonim epërsi në prejardhje dhe afri më të fortë ndaj të Dërguarit, ajo erdhi nga egoizmi i disave që u mbështetën nga ca të tjerë. Pushteti është i Allahut dhe te Ai është kthimi në Ditën e Kijametit, prandaj mos pyet për këtë uzurpim mbi të cilin u gjëmua poshtë e lart..” Ai, paqe pastë mbi të, ka thënë gjithashtu: “Ku janë ata që pretenduan se ishin të thelluarit në dije, kundrejt nesh? Kjo është një gënjeshtër dhe shkelje ndaj nesh, sepse Allahu na ngriti lart ne e i mbajti poshtë ata; Ai na dhuroi neve ndërsa ata i privoi, dhe Ai na e lejoi neve hyrjen (në fortesën e dijes), por i mbajti jashtë ata. Përmes nesh i nxori ata nga verbëria e errësirës në udhërrëfimin e dritës. S’ka dyshim se Imamët nga Kurejshët janë mbjellë përmes Hāshimit. Imameti s’i shkon përshtat askujt tjetër e po kështu as qeverisja...” deri në fund të hytbes 143, f. 36, vëll. II i Nehxhul Belāgës. 

 

       Shqyrtoni pohimin e tij në njërën prej ligjëratave të tija: “Kur i Dërguari i Allahut (s), ndërroi jetë, disa njerëz ia kthyen shpinën [zotimit të tyre ndaj tij], duke synuar t’i hynin të tjera rrugëve, duke u mbështetur në dredhi e favorizuar ata që s’ishin fis i tij, duke braktisur rrugën që ishin urdhëruar të ndiqnin për ta kënaqur atë, teksa i lëviznin themelet e Islamit nga vendi i tyre dhe përdorur lëndët e tyre mëkatare në ngritjen e ndërtesës. Ata u futën në Islam nga dyert e atyre që ndjekin teket e veta, duke shkuar në ekstreme në çoroditjen e tyre, të shushatur si pijanecët, tek ndjekin sunne-tin e pasardhësve të Faraonit, adhuruesve të kësaj jete, që e braktisën me qëllim fenë e tyre.” Drejtojuni këtij pohimi, të cituar në fillim të f. 25, vëll. I; ai mbyll ligjëratën 2 të Nehxhul Belāgës, e cila u mbajt pas marrjes së bejatit, sepse është një nga më mbresëlënëset. Në të, ai thotë: “Askush nuk mund të krahasohet me pasardhësit e Muhammedit, nga të gjithë anëtarët e këtij umme-ti, dhe askush s’mund të barazohet me ata që morën bekimin e tij. Ai që ishte nën urdhrin e tyre s’mund të njësohet me ta. Ata janë themelet e fesë dhe shtyllat e besimit. Përmes tyre moderohet ekstremisti dhe me ta afrohet ai që ka mbetur pas. Ata zotërojnë cilësitë e mëkëmbësve, e tek ata ndodhet testamenti dhe pasuesia. Tani e drejta i është kthyer të zotit dhe është rivendosur në vendin e vet.” Shtojini këtyre pohimin e cituar në ligjëratën 84, f. 145, vëll. I i Nehxhul Belāgës në të cilin ai çuditet për ata që iu kundërvunë: “Sa habitem me gabimin e hapët të këtyre grupeve që polemizojnë me njëri tjetrin për fenë e tyre, pa pasuar as gjurmët e Profetit (s), as shembullin e wasi-ut të tij...!”

 

2) Zehrā’ja, paqe pastë me të, parashtroi argumente shumë të urta lidhur me këtë. Dy nga pohimet e saja u bënë aq të njohura mes pasuesve të Ehl ul-Bejtit, saqë ata ua kërkonin fëmijëve t’i mësonin përmendësh, ashtu si Kur’anin Fisnik. Ato flasin për ata “që i luajtën themelet e fesë nga vendi” dhe i ndërtuan gjetkë. Ajo tha:

 

“Si guxojnë ata, vallë? Ku po e çojnë atë,4a teksa po e ndërtojnë tjetërkund nga votra e Shpalljes, themelet e profetësisë, vendit ku zbret shpirti besnik, që është autoriteti i çështjeve fetare dhe sekulare? Kjo, padyshim, është një shkarje e hapët. Përse e urrejnë Ebū’l-Hasanin kaq shumë? Për Allah, ata urrejnë fuqinë e shpatës së tij, forcën dhe veprat e tij mahnitëse dhe përpjekjen e tij të pamatë në mbështetjen e fesë së Allahut. Për Allah, sikur t’i ishin nënshtruar udhëheqjes së tij, (Frenat që ia kaloi atij i Dërguari i Allahut (s) janë ato të qeverisjes së ummetit në të gjitha çështjet e lidhura me fenë dhe jetën e përditshme. Kuptimi i saj është se sikur ata t’i ishin nënshtruar njëzëri asaj qeverisjeje, duke iu dorëzuar një udhëheqësi të tillë, ata do të ishin mbrojtur nga dëmi.) ai do t’i kishte çuar në rrugën e dlirë, pa lënduar asnjërin. Ai do t’i kishte sjellë te një shatërvan gufues mirësie, do i kishte këshilluar në fshehtësi e në publik, as duke mbushur barkun me rriskun e tyre, e as duke shuar etjen me mundin e tyre. Porta e mëshirës së qiejve dhe tokës do të ishin hapur për ta kapak. Allahu do t’i dënojë ata për gjynahet që punuan; prandaj, ejani dhe dëgjojeni historinë, e, për sa të jeni gjallë, mahnituni; dhe kur mahniteni, ju zbaviteni me skandalin... Ku shkuan ata, dhe pas cilit kolltuk janë kapur? Ç’kujdestar të keq kanë marrë, e ç’bandë mizore! Sa i keq është fundi i tiranëve që ndërruan kofshët për thundrat dhe vithet për gjoksin! Të pluhrosura janë, pra, hundët e atyre që kujtojnë se ia dolën; ata janë që mbushin botën me shthurje pa e ditur këtë. Mjerë ata! {A më mirë të shkohet pas atij që udhëzon për tek e vërteta, apo pas atij që nuk udhëzon (sepse s’mund të udhëzojë as veten) gjersa ta udhëzojë dikush tjetër? Ç’është me ju? Si gjykoni?}”(Kur’an, 10:35)

(Kjo citohet nga Ebū Bekr Ahmed ibn ‘Abdul-‘Azīz el-Xheuheri në librin e tij el-Sakīfe nga një zinxhir autorësh që përfshin Muhammed ibn Zekerijāin, Muhammed ibn ‘Abdur-Rahmān el-Muhalebīun, ‘Abdullāh ibn Hammād ibn Sulejmānin i cili citon të atin, ‘Abdullāh ibn el-Hasanin që citon të ëmën Fātime bint Husein, duke përfunduar me Zehrā’në, paqe pastë mbi të. Ajo citohet edhe nga Imam Ebū’l-Fadl Ahmed ibn Ebū Tāhiri (vd. 280), në f. 23 të librit Belagāt un-Nisā’ prej Harūn ibn Muslim ibn Sa’dānit, prej Hasan ibn Alwānit, prej Atijje el-‘Aufit që e ka përcjellë këtë hytbe nga një zinxhir që përfshin ‘Abdullāh ibn el-Hasanin nga e ëma Fātime bint Husein, nga gjyshja e saj Zehrā’, paqe pastë mbi të. Njerëzit tanë e përcjellin këtë hytbe nga Suwejd ibn Gafle ibn Ausexhe el-Xhu’fi prej Zehrāsë, paqe pastë mbi të. Tabarsīu e ka cituar në Ihtixhāxh dhe Mexhlīsīu në librin e tij Bihār ul-Enwār e ai përcillet nga shumë transmetues të tjerë të besuar.)

 

gjer në fund të ligjëratës së saj që është shembull i të folurit të pasardhësve të pastruar lidhur me këtë çështje, dhe ju mund t’i gjykoni të tjerat me anë të saj, Wesselām.

 

Sinqerisht,

Sh