LETRA 101

10 Rebī’ul-Thāni 1330

 

 

Përse Nuk i Citoi Imami Hadīthet mbi Khilāfetin dhe Wisājetin Ditën e Sakīfes?

 

E vërteta e shpalosi veten; el-hamdu li’l-Lāhi Rabb’il-‘alemīn. Mbetet vetëm një çështje e fundit, natyra e së cilës duket e maskuar dhe e mbështjellë në paqartësi. Ju lutem shkoqiteni, që t’i hiqet perdja e t’i njihet sekreti. Bëhet fjalë për faktin se gjatë incidentit të sakīfes, Imami nuk ia citoi asnjërin prej teksteve mbi khilāfet-in dhe wisājet-in - të cilave ju i kushtoni kaq vëmendje - es-Siddīkut dhe bejatit të tij; a jeni ju, pra, më i njohur me tekste të tilla se vetë ai? Wesselam.

 

Sinqerisht,

S

 


LETRA 102

11 Rebī’ul-Ewwel 1330

 

 

1. Përse u Përmbajt Imami Ditën e Sakīfes nga Citimi i Teksteve të Tilla,

2. Referim ndaj Argumenteve të Tij dhe Pasuesve të Tij Megjithë Pengesat.

 

1) Të gjithë e dinë se as Imami e as cilido prej përkrahësve të tij nga hāshimitë dhe të tjerët, nuk ishin të pranishëm në atë bejāt, e ata as që shkuan në sakīfe atë ditë. Ata ishin të shkëputur prej saj dhe çdo gjëje që ndodhi aty. Ata ishin totalisht të preokupuar nga fatkeqësia e tyre e jashtëzakonshme: vdekja e të Dërguarit të Allahut, dhe kryerja e pregatitjeve të duhura për xhenazen e tij (s), duke mos i kushtuar vëmendje asgjëje tjetër. Sapo e përfunduan varrimin në vendin e tij të shenjtë të prehjes, personat në sakīfe e kishin filluar aktin e tyre, kryer bejātin dhe lidhur mirë nyjën për vete, duke u treguar jashtëzakonisht të kujdesshëm për të ndaluar çfarëdo bisede apo veprimi që do ta dobësonte bejātin e tyre, që do të trazonte ujdinë e tyre, apo mërziste të rëndomtët nga ata; ku ishte pra Imami gjatë ngjarjeve të sakīfes, ku u dha e u mor betimi ndaj es-Siddīkut, që të mund të diskutonte me ta? Si mund të pritet që ai apo kushdo tjetër të debatonte kur betimi tashmë ishte marrë dhe ata që kishin fjalën i kishin marrë masat? A mundet ndokush sot të ndeshet me autoritetet, t’ua çrrënjosë atyre pushtetin e t’ua anullojë qeverinë? A do ta linin ata një person të tillë të qetë nëse do ta provonte këtë? E pamundur. Ndaj, krahasojeni të kaluarën me të sotmen, sepse as njerëzit e as kohërat s’kanë ndryshuar fort.

       Gjithsesi, ‘Alīu nuk priste që argumentet e tij ndaj tyre të shkaktonin tjetërgjë pos trazisë. Ai parapëlqeu ta humbiste atë që ishte e tija karshi marrjes së saj në rrethana të tilla. Ai druhej se një trazi si kjo mund ta dëmtonte Islāmin dhe kelīmen, siç shpjeguam më lart, duke thënë se ato ditë ai qe kapluar më shumë se kushdo tjetër nga dy katastrofa: Nga njëra anë khilāfeti, në tekstet dhe testamentet e tija, që po e thërriste dhe po e luste me një rënkim që do ta bënte zemrën të pikonte gjak, dhe trazia tirane nga ana tjetër, e paralajmëruan atë për një trazi në gadishull, një rebelim të mundshëm të arabëve që do ta fshinte Islamin nga faqja e dheut, duke e kërcënuar me hipokritët e Medines të cilët ishin mësuar me hipokrizi, të mbështetur nga beduinët të cilët, sipas tekstit kur’anor [9:101], janë hipokritë, jo madje, edhe më të këqinj në mosbesim dhe hipokrizi, saqë do të ishte më mirë të mos i dinin kufijtë e asaj që i kishte shpallur Allahu të Dërguarit të Tij [9:97]. Këta kishin marrë forcë nga kalimi i Profetit (s) dhe muslimanët u bënë si gjedhët e frikësuara në një natë dimri, të rrethuar nga çakejtë grabitqarë dhe bishat e egra. Musejleme el-Kedhābi, komplotuesi Talha ibn Khuwejlid dhe magjistarja Sexhā bint Harīth, krahas mashtruesve e rrugaçëve të tyre, që po përpiqeshin të gjithë me sa fuqi kishin që ta shfarosnin Islamin e t’i shtypnin muslimanët. Shtoji këtyre faktin se romakët, pasuesit e Kisras e Çezarit, krahas shumë të tjerëve, po komplotonin kundër muslimanëve. Shtojini përsëri këtyre elementët e tjerë plot mëri ndaj Muhammedit, familjes dhe shokëve të tij, dhe urrejtje të plotë ndaj mesazhit islam. Të gjitha këto palë donin të çrrënjosnin themelet e Islamit. Ata ishin aktivë për këtë, duke shpejtuar hapat, pasi panë se era më në fund po frynte në drejtimin e tyre, dhe me nisjen e Profetit (s) te Shoku i tij i Lartë, rasti ishte shfaqur; kështu, ata donin ta shfrytëzonin këtë rast para se Islami të rimerrte fuqinë dhe të rivendoste rregullin. ‘Alīu ishte i vetëdijshëm për të dyja rreziqet, dhe ishte e natyrshme që ai do ta flijonte të drejtën e tij në altarin e sakrificës për hir të Islamit.

(Ai, paqe pastë mbi të, e ka deklarur këtë në një letër që i dërgoi popullit të Egjiptit përmes Mālik el-Eshterit kur e ngarkoi atë me qeverisjen e tyre. Ai tha në të: “Allahu i Lartë e dërgoi Muhammedin (s) si tërheqës vërejtjeje për të gjitha botërat dhe dëshmues të të gjithë profetëve. Kur ai u nis [nga kjo botë] muslimanët u grindën midis tyre [për pushtetin] pas tij. Wallāhi, as nuk më kishte shkuar ndërmend e as nuk e përfytyroja që arabët do ta hiqnin atë përgjegjësi nga Ehl ul-Bejti i tij, dhe as që do ta largonin atë prej meje pas tij, por ajo që më alarmoi më shumë ishte animi i tyre për t’i dhënë betimin atij personi; ndaj, unë u përmbajta gjersa pashë se njerëzit po devijonin nga Islami dhe po i ftonin të gjithë për ta zhdukur dīnin e Muhammedit. Atëherë u frikësova se po të mos i mbroja Islamin e muslimanët tek shihja ndërtesën e tij të çahej apo të rrënohej, katastrofa që do të binte mbi mua do të ishte shumë më e madhe se humbja e pushtetit, që s’është gjë tjetër veçse shijim i përkohshëm për t’u zhdukur si mirazhi, apo shkrirë si retë e verës.” Ai, pra, u ngrit gjatë atyre ngjarjeve deri sa keqbërja u largua dhe dīni i nguli rrënjët thellë e u stabilizua. Drejtojuni këtij pohimi në Letrën 62 të Nehxhul-Belāgës.) 

 

 

       Por ai gjithashtu donte ta ruante të drejtën e tij për khilāfet dhe t’i debatonte ata që u shmangën prej tij në një mënyrë që as nuk do lëndonte muslimanët, e as nuk do të shkaktonte trazi mes tyre, dhe as t’i jepte zemër armikut për ta shfrytëzuar këtë. Ai, atëherë, qëndroi në shtëpi për sa kohë u ndje i obliguar, e jo i detyruar, për të dalë prej saj. Sikur të ishte turrur tek ata, ai s’do të kishte patur asnjë argument e as përkrahësit e tij nuk do të kishin asnjë provë; por, duke mbajtur një qëndrim të tillë, ai siguroi si mbrojtjen e dīnit, ashtu edhe ruajtjen e të drejtës së tij për t’i prirë muslimanët. Kur pa se asokohe ruajtja e Islamit dhe përgjigjja ndaj komploteve të armiqve vareshin nga paqja e qetësia, ai e shtroi vetë rrugën drejt qetësisë, duke parapëlqyer paqe me ata që kishin fjalën vetëm për të mbrojtur ummetin dhe nga shqetësimi i tij për dīnin, duke u shqetësuar për fenë dhe preferuar të mirën e ardhshme ndaj asaj të çastit, duke zbatuar obligimin e tij ligjor dhe moral - në preferim të më të rëndësishmes ndaj të rëndësishmes, edhe pse duke qëndruar kundërshtues, pasi rrethanat nuk i lejonin as të përdorte forcën e as të përgjigjej me një argument apo një tjetër.

 

2) Megjithë tërë këtë, ai dhe pasardhësit e tij (‘a), krahas të diturve nga pasuesit e tij, e kishin zakon të ndiqnin urtinë kur përmendnin testamentin, duke i përhapur tekstet e tija të qarta, siç e dinë mirë ata që hulumtojnë.

 

Sinqerisht,

Sh