LETRA 49

11 Muharrem 1330

 

 

1. Pranimi i Meritave të ‘Alīut,

2. Merita të Tilla s’e Bëjnë Domosdoshmëri Khilāfetin e Tij.

 

1) Imam Ebū ‘Abdullāh Ahmed ibn Hanbeli ka thënë: “Asnjë nga shokët e të Dërguarit të Allahut nuk ka zotëruar aq shumë virtyte sa ‘Alī ibn Ebū Tālibi.” (Hākimi e ka cituar në f. 107 të Sahīh ul-Mustedrek-ut. Dhehebīu nuk e komentoi në Telkhīs ul-Mustedrek)

 

Ibn ‘Abbāsi ka thënë: “Nuk kanë zbritur ajete të Librit të Allahut për asnjeri [veç Profetit] sa ç’kanë zbritur për nder të ‘Alīut.”(Ibn ‘Asākiri, si dhe shumë autorë të librave të hadīthit, e kanë cituar atë.)

 

Në një rast tjetër ai ka thënë: “Aq sa treqind vargje të Kur’anit Famëlartë, janë shpallur për nder të ‘Alīut”; dhe në një tjetër rast ai ka thënë: (Nga një hadīth i cituar nga Taberānīu, Ibn Ebū Hātimi, e shumë autorë të tjerë të librave të traditës. Ai përcillet nga Ibn Haxheri i cili gjithashtu citon tre hadīthet që i praprijnë në Pj. 3, Kr. IX, f. 76, es-Sawā‘ik ul-Muhrike.)

“Kurdo që Allahu shpall {O ju që besuat..} ‘Alīu nënkuptohet si prijësi dhe i pari i tyre; Allahu madje i qortoi sahabët e të Dërguarit të Allahut, bekime pastë mbi të e pasardhjen e tij, në shumë raste në Librin e Tij të lartë, por duke e lavdëruar gjithnjë ‘Alīun.” ‘Abdullāh ibn Ajjāsh ibn Ebū Rabī’e ka thënë: “‘Alīu ishte shumë i mprehtë në dije, ai zotëron përparësinë në përqafimin e Islamit, ai është dhëndri i të Dërguarit të Allahut (s) dhe fekīh-u i Sunne-tit të tij, shpresa për fitore gjatë luftës e më bujari për të dhënë.”

(Këtë e citon Ibn ‘Ajjāshi prej historianëve dhe autorë të sunen-eve, dhe ai ndodhet aty ku tashmë i jemi referuar në es-Sawā‘ik ul-Muhrike.)

 

Imam Ahmed ibn Hanbelin e pyetën njëherë për ‘Alīun e Mu’āvijen. Ai tha:

(Siç citon el-Selefīu në Tajjūrijjāt, dhe përcillet nga Ibn Haxheri po aty.)

“Alīu kishte shumë armiq. Armiqtë e tij kërkuan diçka me të cilën t’i gjenin ndonjë të metë. Duke mos gjetur asnjë, ata erdhën tek një njeri [Mu‘āvija] që e kishte luftuar e vrarë atë, dhe e lavdëruan vetëm nga urrejtja e tyre për ‘Alīun.” Kadi Ismā‘īli, Nesā‘īu, Ebū ‘Alī el-Nisabūrīu e shumë të tjerë kanë thënë se askush, ndër tërë sahabët e Profetit, s’u lavdërua sa ‘Alīu.

 

2) Nuk ka asnjë kundërshtim mbi pikën që shtruat, megjithatë një argument ngrihet nëse ju pohoni se Profeti (s), gjatë jetës së tij, i kishte premtuar atij khilāfetin. Të gjitha këto tekste nuk janë prova bindëse për ta mbështetur një pohim të tillë; ato thjesht radhisin cilësitë dhe virtytet e Imamit, dhe numri i teksteve të tilla është me të vërtetë i madh. Ne besojmë se ai, Allahu ia ndriçoftë fytyrën, ishte i denjë për të gjitha ato e madje edhe më shumë, dhe unë jam i sigurt se ju jeni ndeshur me shumëfishin e këtyre teksteve të cilat sugjerojnë emërimin e tij për khilāfet. Mirëpo, emërimi nuk është njëlloj si betimi detyrues për khilāfet, siç e dini, Wesselām. 

 

Sinqerisht,

S

 


LETRA 50

13 Muharrem 1330

 

 

Përse të Interpretohen Tekstet si Tregues të Imametit të Tij

 

Kujtdo si ju, që është i thellë në mendim, i dhuntisur me shikimin që depërton larg, autoritet i burimeve dhe rrjedhimeve gjuhësore, i vetëdijshëm për kuptimet e konotacionet, që e nxjerr udhërrëfimin nga i Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të e familjen e tij, besues i urtisë dhe i profetësisë së tij vulosëse, çmues i veprave e pohimeve të tij që {nuk flet nga mendja e tij} (53:3), me siguri nuk i shpëton dot kuptimi i teksteve të tilla e as që i mbeten sekret përfundimet e tyre, të nxjerra nga arsyeja dhe logjika.

Nuk është e mundur që ju, si autoritet i spikatur (thebet) i arabishtes që jeni, të mos kuptoni se ato tekste i kanë dhënë ‘Alīut pozitë shumë sublime të cilën Allahu Fuqiplotë dhe profetët e Tij s’ia dhurojnë kujt përveç zëvendësve të atyre profetëve, personave që u besojnë më tepër për marrjen në dorë të fesë së tyre, rojtarëve të besimit. Nëse nuk e tregojnë haptazi khilāfetin e ‘Alīut, ato patjetër e aludojnë atë, duke çuar medoemos tek ai përfundim. Një detyrim i tillë është fare i qartë nga kuptimi i tyre preciz. Kreu i Profetëve (s) qëndron përmbi të dhënit e një statusi të tillë kujtdo tjetri përveç zëvendësit dhe mëkëmbësit të tij.

 

Gjithsesi, kushdo që i shkoqit thellë tekstet e ‘Alīut dhe shqyrton me shumë kujdes e ndershmëri rrjedhimet e tyre, do shohë se shumica e tyre dërrmuese synon te mbështetja e Imametit të tij, duke qenë tregues të tij ose përmes shpalljesh eksplicite si të cituarat më lart dhe Betimi i Gadīrit ose përmes domosdoshmërisë, si ato të cituara në Letrën 48. Merrni për shembull, pohimet e tij: “‘Alīu është me Kur’anin dhe Kur’ani është me ‘Alīun; ata s’do të ndahen nga njeri tjetri gjersa të më takojnë te Haudi”;

(Këtë e citon Hākimi në f. 124, vëll. III i Mustedrek-ut, si dhe Dhehebīu në Telkhīs ul-Mustedrek. Të dy autorët ia konfirmojnë vërtetësinë. Ai është një nga pak hadīthet e shkoqitura. Kushdo që s’e njeh faktin që ‘Alīu është me Kur’anin dhe Kur’ani është me ‘Alīun, pasi të studiojë hadīthet e sakta mbi Dy Gjërat me Peshë, dm.th Kur’anin dhe ‘Itre-n, duhet t’i drejtohet asaj që kemi cituar lidhur me këtë në Letrën 8 e t’ia njohë të drejtat Imamit të Pasardhësve të Profetit dhe kryetarit të tyre të padiskutuar e të padyshimtë.)

 

“‘Alīu është për mua si koka për trupin”

(Këtë e citon Khātibi tek hadīthet e përcjella nga el-Berā’i dhe Dejlemīu mes të transmetuarave prej Ibn ‘Abbāsit. Atë e raporton Ibn Haxheri në f. 75 të es-Sawā‘ik ul-Muhrike; drejtojuni, pra hadīthit 35 nga dyzet hadīthet që ai i citon në Pj. 2, Kreu IX i es-Sawā‘ik ul-Muhrike)

 

dhe pohimin e tij, sipas hadīthit të përcjellë nga ‘Abdur-Rahmān bin ‘Aufi:

(Është hadīthi 6133, f. 405, vëll. VI në Kenz ul-‘Ummāl. Ju mjafton si provë se vetja e ‘Alīut është e ngjashme me atë të Profetit (s) të studioni aje mubāhile sipas shpjegimit të Rāzīut në Tefsīr Mefātih ul-Ghajb, f. 288, vëll. II, dhe asaj që kemi thënë ne lidhur me këtë varg kur’anor.)

 

“Betohem me Atë që më mban jetën, do t’ju duhet të falni namazin e jepni zekatin, ose do ju dërgoj një njeri nga unë (ose si unë) atëherë Profeti (s) kapi dorën e ‘Alīut dhe tha: Ky është ai!”; gjer në fund të teksteve të tilla të panumërta. Kjo është një mirësi e qartë ndaj së cilës po tërheq vëmendjen e të gjithë kërkuesve të së vërtetës, e cila zbulon të paqartën dhe thellohet në kërkim të pavarur. Ai (s) vetëm ka ndjekur atë që ka kuptuar nga obligimet morale të teksteve të tilla të shenjta, pa u mposhtur nga emocionet e animet personale, Wesselam.

 

Sinqerisht,

Sh