LETRA 41

3 Muharrem 1330

 

 

“Mu’minīn” është Shumës; Pse të Zbatohet ai mbi Njëjësin?

 

Në të kundërshtuarit e vërejtjes suaj, mund të thuhej se fraza {mu’minët që falin namazin dhe japin zekatin duke qenë në ruku’} përdoret në shumës; përse atëherë të zbatohet ai mbi Imamin, Allahu ia lartësoftë fytyrën, i cili është njëjës? Cila është përgjigja juaj nëse ju pyesin kështu?

 

Sinqerisht,

S

 


 

LETRA 42

4 Muharrem 1330

 

 

1. Arabët i Referohen Njëjësit duke Përdorur Shumësin,

2. Dëshmitë,

3. Citimi i Imam et-Tabarsīut, 

4. Citimi i el-Zemakhsherīut,

5. Ajo që Kam Pohuar.

 

1) Përgjigja ndaj pyetjes suaj është se arabët përdorin numrin shumës kur i drejtohen një individi, për shkak të efektit të bukur që ai shkakton [d.m.th. respekt].

 

2) Një dëshmi e këtij fakti është ajo që Fuqiploti thotë në Suren Āl-i ‘Imrān:

 

{Atyre që disa njerëz u thanë: ‘Një ushtri e madhe është ngritur kundër jush; prandaj kijani frikën’, kjo vetëm ua rrit imanin dhe ata thanë: ‘Allahu na mjafton e te Ai mbështetemi më shumë’} (Kur’an, 3:173)

 

Personi i nënkuptuar në këtë ajet të Āl-i ‘Imrān s’është tjetër veçse Na‘īm ibn Mes’ūd el-Ashxha’i, sipas konsensusit të dijetarëve të tefsīr-it, hadīthit dhe historisë. E megjithatë, Allahu Fuqiplotë e ka përdorur shumësin për atë, vetëm për të shprehur respekt ndaj atyre që nuk ia vunë veshin fjalëve të tij e as që iu bindën thirrjeve të tija shkurajuese. Ebū Sufjāni i kishte dhënë atij dhjetë deve për t’i demoralizuar e frikësuar muslimanët me fuqinë e politeistëve, dhe ai bëri pikërisht këtë. Kështu, një nga pohimet e tij qe: “Njerëzit kanë mbledhur alamet ushtrie për t’ju sulmuar; ndaj frikësohuni për jetët tuaja.” Shumë muslimanëve s’u pëlqeu ideja e të luftuarit kundër asaj fuqie vetëm nga fjalët e tij, por i Dërguari i Allahut, bekime pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, doli i shoqëruar me shtatëdhjetë kalorës për t’u përballur me ta, dhe të gjithë u kthyen shëndosh e mirë nga mejdani, me ç’rast u shpall ky ajet në lavdërim të shtatëdhjetë besimtarëve që dolën me Profetin (s), pa ia vënë veshin demoralizimit të atyre që donin t’i trembnin. 

 

       Duke përdorur fjalën ‘njerëz’ vetëm për një individ, arrihet një pikë e bukur hyjnore që lavdëron shtatëdhjetë burrat që dolën me Profetin. Kjo padyshim tingëllon më elokuente kur përdoret ashtu e është më mirë se sa të thuhet: “Ata të cilëve një njeri u tha se një ushtri e madhe ishte ngritur..” siç vetkuptohet. Ka shumë ajete në Kur’an të ngjashëm me këtë, si dhe në gjuhën arabe në përgjithësi. Allahu Fuqiplotë thotë: {O besimtarë! Kujtojini bekimet e Allahut ndaj jush kur disa njerëz deshën t’i shtrinin duart mbi ju dhe Ai ju mbrojti nga e keqja e tyre} (5:11). Në fakt, personi që desh të vinte duart e tij të liga mbi ta dhe t’i lëndonte ishte një burrë nga fisi i Muhāribit, me emrin Gawrath - të tjerë thonë se ishte ‘Amr ibn Xhahshi i Benī Nedīrit - i cili zhveshi shpatën dhe e ngriti për t’i rënë Profetit (s), por Allahu, i Madhëruari e i Larti, ia prishi planet, sipas rrëfimit të regjistruar nga muhadīthët, historianët e mufesīrët dhe të transmetuar nga Ibn Hishami në fushatën e Dhāt ul-Rikā’së, vëll. III i Sīre en-Nebī. Allahu e ka përdorur shumësin e përbashkët ‘njerëzit’ (kawm) për këtë person të vetëm thjesht për të shprehur bekimet e Tij - të Butit, Fuqiplotit - mbi muslimanët, të shpalosura në sigurinë e Profetit (s). Në āje mubāhile (3:61) Ai ka përdorur si njëjësin ashtu dhe shumësin për “bijtë”, “gratë” dhe “vetet” për Hasanin e Huseinin, Fātimenë e ‘Alīun përkatësisht, vetëm për të nderuar pozitën e tyre të lartë, Allahu qoftë razi me ta. Shembuj të zbatimit të shumësit te njëjësi sa herë që është e nevojshme, janë të panumërt dhe e vërtetojnë lejen e përdorimit të shumësit kur flitet për individin, kurdo që kjo jep efekt të bukur elokuent.

 

3) Në interpretimin e tij të këtij ajeti, në Mexhma’ ul-Bejān fī Tefsīril-Kur’ān, Imam Tabarsīu e komenton përdorimin e shumësit në referim të Emīr ul-Mu’minīnit, si shenjë respekti e nderimi, duke pohuar se leksikografët flasin për njëjësin duke përdorur shumësin për të treguar respekt dhe nderim. Ai thotë: “Një përdorim i tillë është tepër i mirënjohur që të kërkojë prova.”

 

4) Në Tefsīr ul-Keshshāf, Zemakhsherīu nënvizon një tjetër pikë të bukur kur thotë: “Nëse habiteni si mund të jetë e saktë të përdoret shumësi për ‘Alīun, po ju them se atij i drejtohet në shumës, edhe pse është vetëm një person, që njerëzit të ndjekin shembullin e tij e të fitojnë shpërblime si të tijat, dhe që Allahu të theksojë faktin se sjellja e besimtarit duhet të jetë si ajo e ‘Alīut, d.m.th. të jetë i ethshëm për të bërë vepra të vyera dhe mirësi duke u kujdesur për të varfrin, aq sa edhe kryerja e diçkaje që nuk lejon asnjë vonesë si namazi, s’duhet t’i bëjë ata t’i shtyjnë ato gjersa të përfundojnë.”

 

5) Unë personalisht kam një pikë më të bukur për të theksuar. Kur Fuqiploti përdori shumësin e jo njëjësin, siç bëjnë shumë njerëz, ata që e urrenin ‘Alīun si dhe ata që i kishin zili dhe i konkurronin Beni Hāshimët, s’do mund të duronin ta dëgjonin atë në njëjës, sepse atëherë s’do të mund ta fshihnin të vërtetën ose ta mbulonin atë. Për shkak të dëshpërimit të tyre, ata mund t’i bënin një dëm mjaft të madh Islamit. Është krejt e mundshme se mu për këtë arsye ajeti u shpall në shumës ndonëse zbatohet mbi njëjësin: për të shmangur dëmin e sjellë nga poshtërimi i atyre njerëzve. Vargjet që pasojnë ndryshojnë në formë dhe status, duke i përgatitur ata pak e nga pak për wilājet-in, gjersa Allahu e përsosi fenë e Vet dhe i plotësoi bekimet e Tij, siç bënte ai (s) dhe i urti gjithmonë, në arritjen e asaj që përndryshe është mjaft e vështirë për t’u arritur. Sikur ajeti të zbriste në njëjës, atëherë ata njerëz do të kishin vënë gishtërinjtë në veshë, do ishin mbuluar me rrobat e tyre dhe do të ishin bërë kokëfortë, arrogantë e të pabindur.

(Referencë e hollë e autorit ndaj ajetit 7 të Sures Nuh.)

 

Kjo është urtia sublime e shpalosur në tërë vargjet e Kur’anit Fisnik që u shpallën për të ndriçuar cilësitë e Emīr ul-Muminīnit dhe ato të familjes së tij të pastër, siç është fare e qartë. Ne i kemi shpjeguar ato e kemi sjellë prova të pakundërshtueshme dhe dëshmi të sigurta në librat tanë Sebīl ul-Mu’minīn dhe Tenzīl ul-Ajāt, falënderimi i takon Allahut për udhërrëfimin dhe mbështetjen e Tij.

 

Sinqerisht,

Sh