LETRA 33

25 Dhu’l-Hixhe 1329

 

 

Kur u Përshkruan ‘Alīu e Harūni si Dy Yjet?

 

Nuk është qartësuar akoma pohimi juaj se ai, bekime pastë mbi të e familjen e tij, i përgjasonte ‘Alīun e Harūnin me dy yjet Farkadejn që janë të ngjashëm; kur e bëri ai këtë?

 

Sinqerisht,

 


LETRA 34

27 Dhu’l-Hixhe 1329

 

 

1. Rasti i Shabarit, Shubejrit dhe Mushbirit,

2. Rasti i Vëllazërimit,

3. Rasti i Mbylljes së Dyerve.

 

Studiojeni biografinë e Profetit (s) dhe do ta gjeni atë t’i përgjasojë ‘Alīun e Harūnin si dy yjet e ndritshëm në zemër të qiejve dhe sytë përmbi fytyrë, asnjeri prej tyre s’dallon nga tjetri në ummetin e vet. 

 

1) A e patë se si ai, bekime pastë mbi të dhe familjen e tij, kishte këmbëngulur që ‘Alīu t’i emëronte fëmijët mu siç bëri Harūni, duke i quajtur ata Hasan, Husein e Muhsin? Ai tha: “I quajta ata sipas bijve të Harūnit: Shabar, Shubejr e Mushbir”, (Kjo citohet nga muhadīthët sipas burimeve të tyre të vërtetësishme të traditave të të Dërguarit të Allahut (s). Drejtojuni faqeve 265 e 168, vëll. III i Mustedrek-ut, dhe do ta gjeni tekstin e këtij hadīthi të cilësohet i vërtetë sipas mbështetjes së të dy Shejhëve. Imam Ahmedi, po ashtu, e ka cituar atë nga hadīthi i ‘Alīut në f. 98, vëll. I i Musned-it. Ibn ‘Abd el-Berri, gjithashtu, citon biografinë e nipit të Profetit (s), Hasanit, në el-Istī‘āb; madje edhe Dhehebīu e citon atë në Telkhīs, duke ia marrë vërtetësinë për të mirëqenë, megjithë fanatizmin dhe shmangien e tij nga Harūni i këtij ummeti dhe nga Shabari e Shubejri i tij. Ai citohet edhe nga Begewīu në Mu‘xhem dhe ‘Abdul-Gānīu në Īdāh, siç regjistrohet në f. 115 të es-Sawā‘ik ul-Muhrike nga Selmāni, teksti i të cilit është thuajse i njëjtë, dhe gjithashtu nga Ibn ‘Asākiri.) duke dashur që me këtë të theksojë ngjashmërinë midis tij e Harūnit dhe duke e përgjithësuar një ngjashmëri të tillë në të tëra fushat e aspektet.

 

2) Për të njëjtën arsye, ‘Alīu i kishte dhënë jetë dëshirës së të vëllait dhe e kishte preferuar atë përmbi të gjithë të tjerët, duke arritur kështu qëllimin e përgjithësimit të ngjashmërisë së të dy Harūnëve ndaj vëllezërve të tyre përkatës, duke u siguruar se nuk do të kishte asnjë ndryshim midis tyre. Ai, paqe pastë mbi të dhe pasardhësit e tij, lidhi vëllazëri midis shokëve të tij, siç u tha më lart, duke e bërë, në rastin e parë, Ebū Bekrin vëllain e ‘Umerit dhe ‘Uthmānin vëllain e ‘Abdur-Rahmān ibn ‘Aufit. Në vëllazërimin e dytë, Ebū Bekri u bë vëllai i Hārixhe ibn Zejdit e ‘Umeri u bë vëllai i ‘Atbān ibn Mālikut. Megjithatë, në të dyja rastet, ‘Alīu u bë vëllai i të Dërguarit të Allahut (s), siç e mësuat tashmë.

       S’ka vend këtu për të cituar të gjitha tekstet e verifikuara që citojnë Ibn ‘Abbāsin, Ibn ‘Umerin, Zejd ibn Arkamin, Zejd ibn Ebū ‘Aufen, Enes ibn Mālikun, Hudhejfe ibn Jemānīun, Mehdūxh ibn Jezīdin, ‘Umer ibn el-Khattābin, el-Berā’ ibn ‘Āzibin, ‘Alī ibn Ebī Tālibin dhe të tjerët që e rrëfejnë këtë hadīth. I Dërguari i Allahut (s) i ka thënë gjithashtu ‘Alīut: “Ti je vëllai im në këtë jetë dhe tjetrën.”

(Hākimi e citon atë në f. 14, vëll. III i Mustedrek-ut siç transmeton Ibn ‘Umeri prej dy burimeve të sakta dhe mbështetet nga dy Shejhët. Dhehebīu e ka cituar në Telkhīs, duke ia marrë vërtetësinë për të mirëqenë. Tirmidhīu, po ashtu, e citon siç ndodhet në f. 72 të es-Sawā’ik ul-Muhrike; ndaj, drejtojuni hadīthit të shtatë prej të përfshirëve në kaptinën e dytë, Kreu IX i es-Sawā’ik ul-Muhrike. Të gjithë muhadīthët dhe historianët që e kanë shqyrtuar hadīthin e vëllazërisë, e kanë pranuar pa e diskutuar. [Po ashtu, Nesā‘īu në Khasā‘is, f. 5; el-Kundūzī el-Hanefī në Jenābi’ ul-Muwedde, ff. 57, 61; Ibn el-Meghāzilī el-Shāfi‘ī në Menākib, f. 37, etj])

 

 

Në Letrën 20, ne ju treguam se si ai e kapi ‘Alīun për qafe, duke i thënë: “Ky është vëllai, trashëguesi dhe zëvendësi im ndër ju; prandaj dëgjojeni dhe bindjuni.” Ai, paqe pastë mbi të dhe familjen e tij, doli t’i takonte shokët e tij me një buzëqeshje të gjerë në fytyrë. ‘Abdur-Rahmān ibn ‘Aufi e pyeti përse ishte gëzuar aq shumë. Ai (s) u përgjigj: “Për shkak të lajmit të mirë që sapo mora nga Zoti im lidhur me vëllain dhe kushëririn tim dhe vajzën time. I Larti zgjodhi ‘Alīun si burrin e Fātimesë.” Kur Zonja e tërë grave në Xhennet u martua me Prijësin e familjes së Profetit, i Dërguari tha: “O Ummi Ejmen, sillma tim vëlla!” Ajo pyeti: “Ai është vëllai yt e ti do ta martosh me tënd bijë?!” Ai tha: “Po, o Ummi Ejmen.” Ajo e thirri ‘Alīun brenda.

(Kjo citohet nga Hākimi në f. 159, vëll. III i Mustedrek-ut. Edhe Dhehebīu e ka cituar në Telkhīs, duke ia pranuar vërtetësinë. Ibn Haxheri e kopjon në Kreun XI të es-Sawā‘ik ul-Muhrike. Të gjithë ata që kanë shkruar mbi martesën e Fātime ez-Zehrāsë, e kanë përmendur atë pa përjashtim.)

 

       Shumë herë Profeti (s) i drejtohej ‘Alīut dhe thoshte: “Ky është vëllai, kushëriri e dhëndrri im, dhe babai i pasardhësve të mi.”

(Kjo përfshihet nga Shīrāzīu në kreun e tij të mbiemrave dhe nga Ibn al-Nexhxhāri që citon Ibn ‘Umerin. El-Muttekī el-Hindī e transmeton në Kenz ul-‘Ummāl dhe Muntekheb të cilin ai ia ngjit shënimeve të Musned-it; referojuni, pra rreshtit të dytë të shënimit në f. 32, vëll. i V i këtij të fundit.)

 

Ai i foli njëherë atij: “Ti je vëllai dhe shoku im.” Një rast tjetër, ai i tha: “Ti je vëllai, shoku dhe shoqëruesi im në Xhennet.” Njëherë, ai iu drejtua për një çështje mes tij, të vëllait Xha‘fer dhe Zejd ibn Hārithit, duke i thënë: “O ‘Alī! Ti vërtet je vëllai im dhe babai i pasardhësve të mi. Ti je nga unë e për mua.”

(Hākimi e citon atë në f. 217, vëll. III, i Mustedrek-ut, vërtetësinë e transmetuesve të të cilit e mbështet Muslimi. Dhehebīu e ka pranuar po këtë hadīth në Telkhīs. )

 

Ai bëri një zotim me të njëherë, duke i thënë: “Ti je vëllai dhe viziri im; ti plotëson fenë time, përmbush premtimin tim, m’i paguan borxhet e ma pastron ndërgjegjen.

(Taberānīu e ka cituar atë në el-Kebīr nga Ibn ‘Umeri, dhe ai përcillet nga el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl e Muntekheb; drejtojuni, pra Muntekheb-it për të shikuar shtesën e shënimit në f. 32, vëll. V i Musned-it.)

 

Kur iu afrua vdekja, u flijofshin të dy prindërit e mi për të, ai tha: “Më sillni vëllain.” Ata thirrën ‘Alīun. Ai i tha: “Eja pranë meje.” ‘Alīu u afrua. Ai vazhdoi t’i pëshpëriste në vesh gjersa dha shpirt. ‘Alīut madje i ra pak nga pështyma e Profetit (s).

(7Këtë e citon Ibn Sa‘di në f. 51, Pjesa 2, vëll. II në Tabakāt si dhe f. 55, vëll. IV, në Kenz ul-‘Ummāl.)

 

       I Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të dhe familjen e tij, ka thënë gjithashtu: “Në Portën e Xhennetit shkruhet: ‘Nuk ka zot përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut, ‘Alīu është vëllai i të Dërguarit të Allahut’”.

(E citon Taberānīu në el-Ewset, el-Khātibi në el-Muttefek we’l-Mufterek dhe e transmeton autori i Kenz ul-‘Ummāl-it; prandaj, drejtojuni Muntekheb-it dhe shihni shënimin e f. 32, vëll. V i Musned-it të Ahmedit. Ai përcillet po ashtu edhe nga Ibn ‘Asākiri në shënimin e tij të faqes 46.)

 

Kur Profeti la ‘Alīun të flinte në shtratin e tij teksa armiqtë ishin përjashta duke komplotuar për ta vrarë, Fuqiploti iu drejtua Xhibra’īlit dhe Mikaīlit me fjalët: “Unë lidha vëllazëri mes ju të dyve dhe e bëra jetën e njërit prej jush më të gjatë se të tjetrit. Cili prej jush dëshiron që jeta e tjetrit të jetë më e gjatë se e tija?” Secili prej tyre çmoi jetën e vet më tepër. I Larti u tha: “Pse s’mund të jeni si ‘Alī ibn Ebī Tālibi të cilin e vëllazërova me Muhammedin e ai zgjodhi të flejë në shtratin e Muhammedit duke ofruar të flijojë jetën për të vëllain? Zbritni në tokë dhe mbrojeni atë nga armiqtë.” Ata zbritën të dy. Xhibra’īli i qëndroi ‘Alīut te koka, ndërsa Mikaīli i qëndroi te këmbët. Xhibra’īli thirri: “Përgëzime! Përgëzime! Kush mund të jetë si ti, o Ibn Ebī Tālib? Edhe Allahu u mburret melekëve për ty!” Lidhur me këtë ngjarje u shpall ajeti {Ka nga njerëzit i cili e flijon veten për kënaqësinë e Allahut} (2:207).

(Kjo citohet nga autorët e librave të hadīthit në punimet e tyre përkatëse, dhe përmendet rrëshkitazi nga Imam Fakhr ed-Dīn Rāzīu kur e zbërthen këtë ajet të Sures Bekare, në f. 189, vëll. II, i Tefsīr ul-Kebīr. )

 

       Vetë ‘Alīu citohet duke thënë: “Unë jam robi i Allahut dhe vëllai i të Dërguarit të Tij. Unë jam siddīku më i madh i Profetit (s). Asnjë tjetër s’mund ta thotë këtë veçse gënjeshtari.”

(Kjo citohet nga Nesā‘īu në el-Khasā’īs ‘Alī dhe Hākimi në fillim të faqes 112, vëll. III i Mustedrek-ut, nga Ebī Shejbe e Ibn Ebū ‘Āsimi në el-Sunneh, si dhe Ebū Na‘īmi në Ma’rife. Ai po ashtu përcillet nga el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl dhe Muntekheb ul-Kenz. Drejtojuni këtij të fundit dhe lexoni atë që ka përfshirë Ahmedi në shënimin e tij të f. 40, vëll. V i Musned-it.)

 

Ai po ashtu ka thënë: “Për Allah, unë jam vëllai dhe wali-u i tij, kushëriri i tij dhe trashëguesi i dijes së tij; kush tjetër është më i denjë për të se unë?”

(Drejtojuni f. 126, vëll. III i Mustedrek-ut. Ai citohet nga Dhehebīu në Telkhīs, ku autori nuk ia diskuton aspak vërtetësinë. )

 

Ditën e Shūras ai i tha ‘Uthmānit, ‘Abdur-Rahmānit, Sa‘dit e Zubejrit: “A njihni ndokënd ndër muslimanë, përveç meje, me të cilin i Dërguari i Allahut (s) lidhi vëllazëri?” Ata u përgjigjën: “Dëshmojmë se jo.”

(Kjo citohet nga Ibn ‘Abd ul-Berri në biografinë e ‘Alīut në el-Istī‘āb, krahas shumë autoriteteve të tjera të besuara.)

 

Kur ‘Alīu doli në duel me Walīdin në Luftën e Bedrit, ky e pyeti: “Kush je ti?” ‘Alīu u përgjigj: “Unë jam robi i Allahut dhe vëllai i të Dërguarit të Tij.”

(Kjo citohet nga Ibn Sa‘di gjatë diskutimit të fushatës së Bedrit në Tabakāt, f. 15, Pjesa 1, vëll. II.)

 

Kur ‘Umeri ishte khalīf, ‘Alīu e pyeti: “Sikur të të vinin disa hebrej dhe njëri prej tyre të të thoshte se është kushëriri i Mūsait, a do të përfitonte ai trajtim më të veçantë se të tjerët?” ‘Umeri u përgjigj: “Padyshim.” ‘Alīu tha: “Unë, për Allah, jam vëllai i të Dërguarit të Zotit dhe kushëriri i tij.” ‘Umeri hoqi mantelin e vet dhe e shtroi që ‘Alīu të ulej, duke thënë: “Për Allah, nuk do të ulesh kund tjetër përveç mantelit tim, gjersa secili nga ne të shkojë në punë të vet.” ‘Alīu u ul, ndërsa ‘Umeri u kënaq nga gjesti i respektit për vëllain dhe kushëririn e të Dërguarit të Allahut (s), për sa kohë qëndroi me të.

(Siç e citon Dār Kutnīu në meksedin e pestë të Mekāsid-it të ajetit që urdhëron dashuri për farefisin e Profetit (s), dhe ai është ajeti 14 i përfshirë nga Ibn Haxheri në Kreun XI të es-Sawā‘ik ul-Muhrike; ndaj, drejtojuni faqes 107 të es-Sawā‘ik ul-Muhrike.)    

 

3) Mesa duket, më doli pena nga dora. Profeti, paqe pastë mbi të e familjen e tij, urdhëroi që dyert e shtëpive të shokëve të tij të cilat shikonin nga xhamia, të mbylleshin përgjithmonë, si masë mbrojtëse për ruajtjen e shenjtërisë së xhamisë nga papastërtia, por ai lejoi që dera e ‘Alīut të mbetej e hapur, duke e lënë të kalonte nëpër oborrin e xhamisë edhe duke qenë xhunūb, ashtu siç qe lejuar Harūni, duke ofruar një tjetër provë për ngjashmërinë e pozitave të atyre dyve, paqe pastë mbi ta, në fenë dhe kombin e tyre. Ibn ‘Abbāsi ka thënë: “I Dërguari i Allahut (s), urdhëroi që të gjitha dyert e shokëve të tij të mbylleshin përveç asaj të ‘Alīut, i cili hynte xhunūb, pa patur rrugë tjetër.”

(Ky hadīth është mjaft i gjatë, dhe përmban dhjetë merita ekskluzive të ‘Alīut, dhe ne e cituam atë në Letrën 26.)

 

‘Umer ibn el-Khattābi përcjell një hadīth të saktë që ndodhet në të dy Sahīh-ët, ku ai thotë: “‘Alī ibn Ebī Tālibit i janë dhënë tre shenja prestigji; sikur të kisha veç njërën prej tyre, do të ishte për mua më e dashur se tërë devetë e kuqe: e shoqja Fātime, bija e të Dërguarit të Allahut; banesa e tij në xhami ngjitur me të Dërguarin e Allahut (s) dhe të ndjerit në të si në shtëpi të vet; dhe flamuri në Betejën e Khajberit.”

(Ai ndodhet në f. 125, vëll. III i Mustedrek-ut. Ai citohet nga Ebū Ja’līu, siç pohohet në pjesën 3, Kreu IX, i es-Sawā‘ik ul-Muhrike; prandaj, drejtojuni faqes 76 të këtij libri. Ai citohet në po këtë kuptim, me formulim thuajse të njëjtë, edhe nga Ahmed ibn Hanbeli kur citon hadīthet nga ‘Umeri dhe i biri ‘Abdullāhi e shumë muhadīthë të tjerë të besuar përmes rrugësh të ndryshme [si: el-Balkhī el-Hanefī në Jenābi’ ul-Muwedde, kr. 56, f. 210; el-Khawārizmī, Ibn Haxheri, Sujūtīu dhe Ibn ‘Athīr Xhezirī.] )

 

       Sa‘īd ibn Māliku, siç citon një hadīth i saktë, përmendi njëherë disa merita unike të ‘Alīut, dhe tha: “I Dërguari i Allahut i nxori të gjithë nga xhamia, përfshi xhaxhain e tij ‘Abbās e të tjerët. ‘Abbāsi e pyeti: ‘Përse po na nxjerr jashtë e po mban ‘Alīun?’ Ai (bekime pastë mbi të e familjen e tij) u përgjigj: “Nuk jam unë ai që ju nxori juve e mbajti ‘Alīun. Është Allahu Ai që ju nxori juve dhe e mbajti atë’.”

(Siç pohohet në fillim të f. 17, vëll. III i Mustedrek. Ky hadīth përfshihet në librat sunni të traditave e citohet nga shumë autoritete të besuara sunnite.)

 

Zejd ibn Arkami tha: “Disa shokë të të Dërguarit të Zotit i kishin dyert me fytyrë nga xhamia. Atëherë ai (s) tha: ‘Mbyllini të gjitha këto dyer, përveç asaj të ‘Alīut.’ Disave nuk u pëlqeu kjo dhe filluan të pëshpërisnin. Ndaj, i Dërguari i Allahut u ngrit një ditë, falënderoi Fuqiplotin e tha: ‘Kam urdhëruar që të mbyllen këto dyer përveç asaj të ‘Alīut, e disa prej jush s’e pëlqyen këtë. Unë as kam mbyllur, as kam hapur ndonjë derë, e as që kam dhënë ndonjë urdhër, veçse pasi të jem urdhëruar për këtë nga Zoti’.”

(Siç tregon për të Ahmedi, në f. 389, vëll. IV i Musned-it. Ai citohet po ashtu nga el-Dijāi, siç pohohet në Kenz ul-‘Ummāl dhe Muntekheb; drejtojuni, pra Muntekheb-it, për të parë atë që përfshihet në shënimin e faqes 29 të vëllimit të pestë të Musned-it.)

 

       Duke cituar Ibn ‘Abbāsin, Taberānīu ka thënë se i Dërguari i Allahut u ngrit njëherë e tha: “Nuk ju kam nxjerrë duke vepruar sipas dëshirës time, dhe as që e kam lënë të hapur një derë nga pëlqimi vetjak. Unë vetëm ndjek frymëzimin që marr nga Zoti im.”

(Siç e citon el-Muttekī në fund të shënimit të faqes së lartpërmendur. )

 

Po ashtu, i Dërguari i Allahut i tha njëherë ‘Alīut: “O ‘Alī! S’i lejohet askujt përveç teje që të gjendet në xhami xhunūb.”

(Siç citohet nga Tirmidhīu në Sahīh, dhe citohet prej tij nga el-Muttekī el-Hindī, siç pohuam kur iu referuam Muntekheb-it. Ai po ashtu citohet nga el-Bezzāzi prej Sa’dit, siç tregon hadīthi 13 i atyre që përfshin Ibn Haxheri në Pjesën 2, Kreu IX, i el-Sawā‘ik ul-Muhrike; drejtojuni, pra faqes 73 së të njëjtit.)

 

Sa‘d ibn Ebū Wakkāsi, el-Berā’ ibn ‘Āzibi, Ibn ‘Abbāsi, Ibn ‘Umeri, dhe Hudhejfe ibn el-Jemānī kanë thënë: “I Dërguari i Allahut doli një herë nga xhamia e tha: ‘Allahu e frymëzoi profetin e Tij Mūsain t’i ndërtonte Atij një xhami në të cilën s’do të jetonte askush përveç Mūsait e Harūnit. Allahu më frymëzoi të ndërtoj një xhami të shenjtëruar ku vetëm mua e vëllait tim ‘Alī na lejohet të flejmë’.”

(Siç citohen nga ‘Alī ibn Muhammed el-Khātibi, fekīhu shāfi‘ī që njihet më mirë si Ibn el-Meghāzīlī, në librin el-Menākib prej burimeve të ndryshme, dhe siç transmetohet nga studiuesi i besuar Sulejmān el-Balkhī el-Hanefī në Kreun XVII të Jenābi’ ul-Muweddeh. )

    

       Nuk ka vend këtu për të parashtruar të gjitha tekstet sahīh të përcjella nga Ibn ‘Abbāsi, Ebū Sa‘īd el-Khudrī, Zejd ibn Arkami, një sahab nga fisi i Hathemit, Esmā’ bint ‘Āmisi, Ummi Selemja, Hudhejfe ibn Asīdi, Sa‘d ibn Ebū Wakkāsi, el-Berā’ ibn ‘Āzibi, ‘Alī ibn Ebū Tālibi, ‘Umer ibn el-Khattābi, ‘Abdullāh ibn ‘Umeri, Ebū Dher el-Gifārīu, Ebū Tufejli, Burejde el-Eslemī, Ebū Rāfi’u, robi i liruar i të Dërguarit të Allahut (s), Xhābir ibn ‘Abdullāh el-Ensārīu, dhe të tjerë, që e kanë rrëfyer këtë hadīth. Është gjithashtu fakt i mirënjohur që i Dërguari i Allahut (s), iu lut njëherë Allahut me fjalët: “O Zot! Vëllai im Mūsai T’u pat lutur: {O Zot! Zgjeroma kraharorin, lehtësoma punën, zgjidhe gjuhën time që njerëzit të ma kuptojnë fjalën, dhe më cakto një vizir nga familja ime: Harūnin, vëllain tim; që të më përforcojë në punën time e të marrë pjesë në të} (20:25-32). E Ti, o Zot, iu përgjigje: {Ne do të të përforcojmë me vëllain tënd e do t’ju dhurojmë pushtet të madh} (28:35). O Zot! Unë jam robi Yt Muhammedi; ndaj po të lutem të ma largosh zorin nga kraharori, të ma lehtësosh nismën që të mund ta kryej, e të më japësh vëlla nga familja ime ‘Alīun’.”

(Kjo citohet nga Imam Ebū Is‘hāk Tha‘lebīu prej Ebū Dher el-Gifārīut në komentin e ajetit 55, Sure el-Mā’ide: {Padyshim, wali-u juaj është: Allahu, i Dërguari i Tij, dhe besimtarët...} në Tefsīr ul-Kebīrin e tij, ngjashëm me çka transmeton Musned-i i Imam Ahmedit prej studiuesit hanefī nga Balkhi.) 

 

       El-Bezzāzi ka treguar po kështu se i Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të dhe familjen e tij, mori dorën e ‘Alīut e tha: “Mūsai iu pat lutur Zotit ta pastronte xhaminë e tij nëpërmjet Harūnit e unë iu luta Zotit ta pastronte timen përmes teje.” Atëherë, ai i dërgoi një lajmëtar Ebū Bekrit duke e urdhëruar ta mbyllte derën e vet që shihte nga xhamia dhe Ebū Bekri u bind duke shprehur dëshirën e tij për të nderuar urdhrin e Profetit (s). Pastaj ai dërgoi edhe një lajmëtar te ‘Umeri të bënte ashtu dhe një tjetër te ‘Abbāsi, me po atë qëllim. Atëherë, ai (s) tha: “S’jam unë ai që i mbylli dyert tuaja, e as s’e mbajta të hapur derën e ‘Alīut nga vetja; përkundrazi, është Allahu Ai që ia hapi derën atij dhe jua mbylli juve.”

       Kaq duhet të mjaftojë për të vërtetuar ngjashmërinë e ‘Alīut me Harūnin në të gjitha rrethanat dhe kushtet, paqe pastë me ju.

 

Sinqerisht,

Sh