LETRA 27

18 Dhu’l-Hixhe 1329

 

 

Ngritja e Dyshimit për Hadīthin e Pozitës

 

“Hadīthi i pozitës” është i saktë e i mirënjohur, por Āmidīu, i cili ka verifikuar dhe konfirmuar hadīth, dhe që mbahet si mjeshtër i usūl-it, ia ka dyshuar burimet e është mëdyshur mbi transmetuesit. Debatuesi juaj mund të mbështesë pikëpamjen e Āmidīut; si do e vërtetonit ju, atëherë, gabimin e tij? Wesselām.  

 

Sinqerisht,        

S

 


LETRA 28

19 Dhu’l-Hixhe 1329

 

 

1. Hadīthi i Pozitës Qëndron mbi Truall të Fortë,

2. Prova Bindëse,

3. Transmetuesit e Tij Sunni,

4. Përse e Dyshon Āmidīu Atë.

 

1) Āmidīu s’i ka bërë kujt padrejtësi veç vetes duke hedhur dyshim mbi vërtetësinë e këtij hadīthi, që është një nga sunen-et më të sakta dhe një trashëgimi mëse e fortë.

 

2) Askush tjetër nuk e ka dyshuar saktësinë e tij, e as që ka guxuar ndokush t’ia diskutojë bazueshmërinë. Edhe Dhehebīu madje, që është një muhadīth tepër i paragjykuar, ia ka pranuar saktësinë në Telkhīs ul-Mustedrek.

(Letra 26 përmban pranimin e vërtetësisë së tij nga ai.)

 

Ibn Haxher el-Hejthemī, megjithë qëndrimet e tija antagoniste të mishëruara në es-Sawā‘ik ul-Muhrike, e ka cituar këtë hadīth në kreun e tij mbi el-Shubuhāt, duke cituar pohime nga transmetuesit më të shquar të hadīthit, që ia dëshmojnë saktësinë; drejtojuni, pra atij libri. Sikur ky hadīth të ishte i pasaktë, Bukhārīu nuk do ta kishte përfshirë në Sahīh, megjithë paragjykimin e tij kur vjen puna për të numëruar meritat e ‘Alīut dhe ato të Ehl ul-Bejtit.

       Mu‘āvija i priu bandës tirane. Ai u armiqësua ndaj Prijësit të Besimtarëve, e luftoi atë, e mallkoi nga minberet dhe u urdhëroi njerëzve të bënin po ashtu. Prapëseprapë, megjithë armiqësinë e tij të paturp, ai s’e vuri kurrë në dyshim hadīthin e pozitës. E as nuk e teproi Sa‘d ibn Ebī Wakkāsi kur, sipas Muslimit, ai u pyet nga Mu‘āvija përse ngurroi të mallkonte Ebū Turābin dhe iu përgigj:

(Kjo ndodhet në kreun mbi virtytet e ‘Alīut në fillim të f. 324, vëll. II i Sahīh-ut të tij.)

 

“Më kujtohen tre hadīthe të të Dërguarit të Allahut (s), që i kam dëgjuar me veshët e mi, për të cilat nuk do ta mallkoj kurrë atë. Sikur të kisha vetëm një nga meritat e tija të veçanta, do të kishte qenë për mua më e çmuar se tufa me devetë e kuqe të zgjedhura. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s), tek shoqërohej nga disa njerëz që morën pjesë në një nga fushatat e tija, t’i thonte ‘Alīut: ‘A s’je i kënaqur që statusi yt ndaj meje është si ai i Harūnit ndaj Mūsait, vetëm se nuk do ketë profet pas meje’?”

(Hākimi, po ashtu, e citon atë në fillim të f. 109, vëll. III, i Mustedrek-ut të tij, duke ia pranuar saktësinë falë mbështetjes së tij nga Muslimi.)

 

Mu‘āvija mbeti i shushatur e s’mundi të nxirrte asnjë fjalë apo ta kërcënonte Sa‘din.  

      Përveç kësaj, vetë Mu‘āvija e ka transmetuar këtë hadīth. Ibn Haxheri thotë në Sawā‘ik ul-Muhrike: (Kjo ndodhet në meksedin e pestë të el-Mekāsid kur autori shqyrton ajetin 14 në Kreun I, f. 107 e es-Sawā‘ik ul-Muhrike.)

“Ahmedi ka thënë se njëherë dikush i bëri një pyetje Mu‘āvijes dhe ai u përgjigj: ‘Kaloja pyetjen tënde ‘Alīut, pse ai është më i dituri.’ Mirëpo ai tha: ‘Përgjigja jote mbi këtë çështje është më e dashur për mua se e ajo e ‘Alīut.’ Mu‘āvija u zemërua dhe tha: ‘Ç’fjalë të keqe ke shqiptuar! Ti mospëlqen atë që i Dërguari i Allahut (s) e mbushte me dije? Ai madje i tha atij se statusi i tij për të ishte si ai i Harūnit për Mūsain, veçse nuk do ketë profet pas tij (s)? Saherë që ‘Umeri ishte konfuz për ndonjë çështje, ai kërkonte këshillën e ‘Alīut’...”

(Ai thotë se të tjerët e kanë cituar dhe se disa i shtuan “Ngrihu, Allahu mos të lejoftë të ngrihesh kurrë”; dhe emri i tij është hequr nga diwān-i, gjer në fund të citimit në f. 107 të es-Sawā‘ik ul-Muhrike. Kjo provon se një grup muhadīthësh të mëvonshëm krahas Ahmedit, e cituan hadīthin e pozitës nga Mu‘āvija.)

Pra, hadīthi i pozitës vlerësohet - sipas konsensusit të të gjithë muslimanëve, pavarësisht nga medhhebet apo animet e tyre - i vërtetë.

 

3) Autorët e el-Xhāmi’ Bejnul Sihāh us-Sitte dhe el-Xhāmi’ Bejne Rixhāl ul-Sahīhejn e kanë cituar dhe ai përfshihet nga Bukhārīu në kreun e Betejës së Tebūkut, nga Muslimi në kreun mbi meritat e ‘Alīut, nga Ibn Māxhe në kreun mbi cilësitë e shokëve të Profetit (s) në Sunen dhe nga Hākimi në kreun mbi meritat e ‘Alīut në Mustedrek. Imam Ahmed ibn Hanbeli e ka cituar në Musned nga mjaft raportues të ndryshëm. Ibn ‘Abbāsi, Esmā’ bint ‘Āmisi, Ebū Sa‘īd el-Khudrī, Mu‘āvije ibn Ebū Sufjāni (Siç e përmendëm në fillim të kësaj Letre, duke cituar meksedin e pestë të Mekāsid-it të ajetit 14 nga të shqyrtuarit në Kreun XI, f. 107 të es-Sawā‘ik ul-Muhrike.) e shumë sahabë të tjerë e përcjellin, siç tregohet në musned-e. Taberānīu e citon nga Esmā’ bint ‘Āmisi, Ummi Seleme, Habīs ibn Xhenede, Ibn ‘Umeri, ‘Alī ibn Ebī Tālibi (Siç përshkruan Ibn Haxheri në të parin prej dyzet hadītheve që ai i diskuton në pjesën e dytë të Kreut IX, f. 72 e es-Sawā‘ik ul-Muhrike. Sujūtīu ka pohuar si vijon duke diskutuar ‘Alīun në kreun e tij mbi kalifët e drejtë: “Taberānīu e ka cituar këtë hadīth nga tërë këta burra, duke u shtuar atyre Esmā’ bint Kejsin.”) e shumë të tjerë. El-Bezzāzi e përfshin në Musned, sikurse Tirmidhīu në Sahīh, nga Ebū Sa‘īd el-Khudrī. Në Istī‘āb, kreu mbi ‘Alīun, autori komenton: “Ky është një nga hadīthet më të besuar e më të saktë të transmetuar nga Sa‘d ibn Ebī Wakkāsi.” Burimet e Sa‘dit janë të shumta dhe numërohen nga Ibn Ebū Khejtheme e të tjerë. Ibn ‘Abbāsi, Ebū Sa‘īd el-Khudrīu, Ummi Selemja, Esmā’ bint Āmīsi, Xhābir ibn ‘Abdullāhi dhe muhadīthë të shumtë e kanë përcjellë.” Ç’është e vërteta, kushdo që heton Betejën e Tebūkut dhe u drejtohet librave të hadīthit e të jetëshkrimeve do të shohë se ata e përmendin këtë hadīth. Ata që kanë bërë jetëshkrimin e ‘Alīut, nga autorët e enciklopedive të së kaluarës e së tashmes, pavarësisht nga animet a pëlqimet medhhebore, e kanë cituar që të gjithë këtë hadīth. Ai po ashtu citohet nga cilido që shkruan për meritat e Ehl ul-Bejtit, apo të shokëve të Profetit (s) nga imamët e dijes si Ahmed ibn Hanbeli dhe të tjerë para e pas tij. Ai hadīth merret si i mirëqenë nga tërë brezat e shkuar.

 

4) S’ka ndonjë mësim për t’u nxjerrë nga dyshimi i hedhur prej Āmidīut mbi këtë hadīth në el-Musned, sepse ai nuk di asgjë për shkencën e hadīthit, dhe dija e tij mbi musned-et dhe transmetuesit është ajo e popullit të thjeshtë që s’ia di kuptimin hadīthit. Në të vërtetë, dija e tij e gjerë në shkencën e usūl-it është arsyeja pse ai ka rënë në një mëdyshje të tillë. Sipas normave të usūl-it, atij iu duk hadīth i saktë, të cilin s’mund ta hiqte qafe veçse duke ia dyshuar isnād-in, duke menduar se kjo do t’ishte e mundur. Vërtet, kjo s’qe tjetër veçse dëshira e tij e parealizueshme, dhe paqe pastë me ju.

 

Sinqerisht,

Sh