PJESA E DYTË

Imameti i Përgjithshëm

Khilāfeti i Profetit (s)

LETRA  19

5 Dhu’l-Hixhe 1329

 

 

1. Asnjë Gjykues i Ndershëm s’do i Quante Devijues Pasuesit e Ehl ul-Bejtit,

2. Ndjekja e Medhhebit të Tyre është Kryerje Detyre,

3. Mund të Thuhej se Ata kanë Përparësinë për të Prirë,

4. Kërkesa për Tekste Relevante rreth Khilāfetit.

 

1) Jo, asnjë gjykues i ndershëm s’do t’i etiketonte kurrë ata që janë kapur pas litarit të Ehl ul-Bejtit dhe që pasojnë gjurmët e tyre, si “devijues” e as që janë ata kurrsesi inferiorë ndaj Imamëve të tjerë. 

 

2) Të përmbajturit medhhebit të tyre i obligon ata dhe ua pastron ndërgjegjen, mu si ndjekja e cilitdo prej katër medhhebeve; mbi këtë nuk ka kurrfarë dyshimi.

 

3) Mund të thuhet se Dymbëdhjetë Imamët tuaj janë edhe më të denjë të ndiqen sesa katër Imamët, a kushdo tjetër, ngase të gjithë ata ndjekin një medhheb të cilin e kanë shoshitur e mbi të cilin janë pajtuar njëzëri.

   

       (Taberānīu transmeton në Mu’xhem ul-Ewset, vëll. I, f. 56 se: ‘Alī ibn Ebī Tālibi e pyeti Profetin (s): “O i Dërguari i Allahut! A është Mehdīu prej nesh (Ehl ul-Bejtit)?” Profeti (s) u përgjigj: “Ai është padyshim prej nesh. Zoti do ta mbyllë me ne ashtu siç e filloi me ne.”)

 

Përkundrazi, mospërputhjet e katër Imamëve me njëri tjetrin janë të pranishme në të gjitha fushat e jurisdiksionit, duke i lënë burimet e tij përjashtuese, të paverifikuara. Dihet fare mirë që nëse dikush verifikon diçka, përpjekja e tij s’mund të barazohet me atë të dymbëdhjetë Imamëve. Kjo është e qartë për çdo njeri të paanshëm dhe nuk i lë shteg asnjë të padrejti. Por, nāsibītë mund të debatojnë të referuarit tuaj Imamëve të Ehl ul-Bejtit, e unë mund t’ju kërkoj më vonë, ta vërtetoni gabimin e tyre.

 

4) Hëpërhë, kërkoj nga ju të vazhdoni e të tregoni ato që thoni të jenë pohime që e emërojnë Imamin ‘Alī ibn Ebū Tālib si khalīf të Profetit (s). Nxirrini argumentet nga burime sunnite, Wesselām.

 

Sinqerisht,

S

 


LETRA 20

9 Dhu’l-Hixhe 1329

 

 

I Referim i Përgjithshëm ndaj Teksteve,

II Referim ndaj Shtëpisë në Ditën e Paralajmërimit,

III Raportuesit Sunni të Këtij Hadīthi.

 

1) Kushdo që njihet me biografinë e Profetit (s), veçanërisht nëse ia ka hetuar sjelljen gjatë hedhjes së themeleve të Shtetit Islam dhe sistemit të tij ligjor, vendosjes së rrënjëve të tij, nxjerrjes së kodeve dhe organizimit të çështjeve të tij në emër të Allahut..., do e gjejë ‘Alīun të jetë veziri i Profetit (s), mbështetësi i tij kundër armiqve, rojtari i dijes së tij, trashëguesi i qeverisjes së tij, zëvendësi i tij dhe udhëheqësi pas tij. Cilido që heton pohimet dhe veprimet e Profetit (s), në shtëpi a në udhëtim, do i gjejë ato të njëpasnjëshme në këtë drejtim, që nga fillimi i Thirrjes e gjer në vdekjen e tij (s).

 

2) Drejtojuni pohimeve të tilla në agimin e Shpalljes, para se Islami të predikohej haptas në Mekë, kur Fuqiploti i shpalli ajetin: {Dhe tërhiqja vërejtjen farefisit tënd më të afërt} (26:214). Ai i ftoi në shtëpinë e xhaxhait të vet, Ebū Tālibit. Ata ishin afro dyzet vetë, midis të cilëve xhaxhallarët e tij: Ebū Tālibi, Hamzai, ‘Abbāsi dhe Ebū Lehebi. Ky hadīth është përcjellë mutewātir nga sunnitë. Në mbyllje të fjalës së tij drejtuar atyre, i Dërguari i Allahut (s) tha:

 

O pasardhës të ‘Abdul-Muttalibit. Betohem në Allahun se nuk njoh ndonjë të ri ndër arabë që t’i ketë sjellë popullit të vet diçka më të mirë se ç’ju kam sjellë unë. Ju kam sjellë më të mirën e kësaj jete e të asaj që vjen dhe Zoti më ka urdhëruar t’ju ftoj për tek Ai. Prandaj, cili nga ju do më mbështesë në këtë çështje e të bëhet vëllai (akhī), i porosituri (wasijjī) e zëvendësi im (khalīfetī)?  

 

Të gjithë dëgjuesit, përveç ‘Alīut, që ishte më i riu ndër ta, heshtën. ‘Alīu u përgjigj duke thënë: “Unë, o i Dërguari i Allahut, jam gati të jem veziri yt në këtë çështje.” Atëherë, i Dërguari i Allahut (s) e kapi ‘Alīun për qafe e tha: “Ky është vëllai, i porosituri dhe khalīfi im; ndaj dëgjojeni e bindjuni.” Të pranishmit qeshën e i thanë Ebū Tālibit: “Allahu të ka urdhëruar ta dëgjosh tët bir dhe t’i bindesh!”

 

3) Shumë prej atyre që e kanë mësuar trashëgiminë profetike përmendësh e kanë raportuar hadīthin e mësipërm fjalë për fjalë. Mes tyre janë: Ibn Is’hāku, Ibn Xherīri, Ibn Ebū Hātimi, Ibn Mardaweji, Ebū Na‘īmi, Bejhekīu në Delā‘il, Tha‘lebīu e Taberīu në zbërthimin e Sures Shu‘arā’ në Tefsīr-ët e tyre dhe vëll. II e Tarīkh ul-Umam we’l-Mulk të Taberīut. Ibn Athīri e ka raportuar si fakt të padiskutueshëm në vëll. II të Tarīkh el-Kāmil kur ai përmend se si e urdhëroi Allahu të Dërguarin e Vet t’ia shpallte publikut thirrjen e tij; Ebū’l-Fidā në vëll. I në Tarīkh, kur diskuton se kush e përqafoi i pari Islamin; Imam Ebū Xha‘fer el-Iskāfī el-Mu‘tezilī në librin e tij Nekd ul-Uthmānijje, ku ia deklaron saktësinë;

(Siç tregohet në f. 263, vëll III, i Sherh Nehxhul Balāgah nga Ibn Ebū’l Hadīdi, botimi i Egjiptit. Sa për librin Nekd ul-‘Uthmānijje, ai është një punim unik që meriton vëmendje nga çdo kërkues i së vërtetës. Ai ndodhet në f. 257-281, vëll. III i Sherh-ut, në fund të komentit të mbylljes së hytbes Kāsi’e.)

 

Halebīu në kreun e tij mbi fshehjen e Profetit (s) në shtëpinë e Arkamit, në Sīre-n e tij të njohur.

(Drejtojuni faqes 4 të atij kreu, ose faqes 381 të vëll. I të Sīre Halebijje. Kryeneçësia e Ibn Tejmijjes është e paudhë dhe gjykimi i tij është për shkak të fanatizmit të tij të mirënjohur. Ky hadīth citohet nga sociologu egjiptian Muhammed Husein Hejkal; drejtojuni kolonës së dytë në faqe 5 të numrit 2751 të gazetës së tij el-Sijāse, datë 12 Dhu’l-Ki’de 1350, dhe do ta gjeni atje të shkoqitur në hollësi. Nëse i referoheni kolonës së katërt në f. 6 të numrit 2785 të së njëjtës, ju do e shihni autorin ta citojë këtë hadīth nga Sahīh-u i Muslimit, Musned-i i Ahmedit, Zijadet ul-Musned-i i ‘Abdullāh ibn Ahmedit, Xhāmi’ ul-Ferā’id i Ibn Haxher el-Hejthemīut, ‘Ujūn ul-Akhbār i Ibn Kutejbes, el-‘Ikd ul-Ferīd i Ahmed ibn Bahr el-Xhāhizit në risālen e tij mbi pasardhësit e Hāshimit dhe Tefsīr-i i Imam Tha‘lebīut. Ky hadīth citohet edhe nga autori britanik Georges në librin e njohur A Treatise on Islam, përkthyer në arabisht nga një ateist me prindër protestantë që e quan veten Hāshim el-Arabī. Ju mund ta gjeni hadīthin edhe në faqe 79 të versionit arabisht të punimit, bot. i 6-të. Falë famës që ky hadīth gëzon, disa autorë joarabë e kanë përfshirë në librat e tyre, veçanërisht në frëngjisht, anglisht e gjermanisht. Në librin On Heroes & Hero Worship, Thomas Carlyle e citon shkurtimisht.)

 

       Ky hadīth, në kontekst të njëjtë e trajtë thuajse identike, është raportuar nga shumë mjeshtër të hadīthit dhe autoritetet më të besuara sunnite si: Tahāwīu, Dijā’ el-Mekdisīu në el-Mukhtāra dhe Sa‘īd ibn Mensūri në Sunen. Drejtojuni asaj që ka regjistruar Ibn Hanbeli nga hadīthet e ‘Alīut në f. 111 e 159 të vëll. I në Musned. Ai po ashtu thekson në fillim të f. 331 të vëll. I, një hadīth shumë domethënës nga Ibn ‘Abbāsi që përmban dhjetë veçori me të cilat ‘Alīu është dalluar nga gjithë të tjerët. Ai ndodhet edhe te Nesā‘īu, në f. 6 të Khasa‘īs ‘Alī si dhe në f. 132, vëll III i el-Mustedrek-ut të Hākimit. Edhe Dhehebīu e përcjell në Telkhīs, duke ia garantuar vërtetësinë. Shihni Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, që i përmban të gjitha hollësitë.

(Drejtojuni hadīthit 6008 në f. 392, dhe do ta gjeni të cituar nga Ibn Xherīri, ndërsa hadīthi 1045 në f. 396 citohet nga Musned-i i Ahmedit, nga el-Mukhtāra i Dijā el-Mekdisīut, dhe Tahāwīu. Ibn Xherīri e ka konfirmuar atë. Po ashtu, drejtojuni hadīthit 6056 në f. 397 dhe do ta gjeni të cituar nga Ibn Is’hāku, Ibn Xherīri, Ibn Ebū Hātimi, Ibn Mardawejh, Ebū Na‘īmi, Bejhekīu te degët e besimit dhe në Delā’īl; hadīthit 6102 në f. 401 që do ta gjeni të cituar nga Ibn Mardawejhi; hadīthit 6155 në f. 408 që e gjeni të cituar nga Musned-i i Ahmedit dhe nga el-Dijā fi’l-Mukhtāra e Ibn Xherīrit. Kushdo që e studion Kenz ul-‘Ummāl-in do ta gjejë këtë hadīth në shumë vende përgjatë tërë librit. Nëse shihni faqen 255, vëll III i Sherh Nehxhul Belāga nga Imami mu‘tezilī Ibn Ebī’l-Hadīd el-Shāfi‘ī, apo fundin e shpjegimit të hytbes kāsi’e në të, do ta gjeni këtë hadīth në tërësinë e tij.)

 

Shihni edhe Muntekheb ul-Kenz, që citohet në shtesën e Musned-it të Imam Ahmedit; referojuni shënimit në f. 41 e 43 të vëll. V, ku do t’i gjeni të gjitha hollësitë. Kjo, besojmë, mjafton për të shërbyer si provë e lavdishme dhe paqe pastë me ju.

 

Sinqerisht,

Sh