LETRA 11

Dhu’l-Ki’de 1329

 

 

I       Admirimi i Teksteve Tona të Qarta,

II Përpjekja e Pajtimit të Tyre me Bindjet e Shumicës,

III Kërkesa për Shenja të Qarta nga Libri. 

 

1) Jam nderuar shumë me marrjen e letrës tuaj aq të çmuar, të cilën e zbulova të vërtetësishme në boshtin e saj, të qartë. E keni mbushur shportën gjer në grykë. Rrëkeja vërshuese e gojtarisë suaj ka mposhtur majat më të larta. E shkoqita letrën tuaj me shumë kujdes dhe e gjeta largpamëse, të patundur, të fuqishme në prova, të çiltërt.

 

2) Pasi shqyrtova hollësisht argumentet e juaja dhe gërmova thellë në provat tuaja, e pashë veten në një situatë shumë të rrezikshme: Kur vështroj provat tuaja, i gjej bindëse. Kur shqyrtoj argumentet tuaja, i shoh vërtetues. Kur shikoj Imamët e ‘Itre-s së Pastruar, gjej Allahun dhe të Dërguarin e Tij të lavdërojnë statusin e tyre, tek theksojnë madhështinë dhe prestigjin që kanë. Pastaj, kur vështroj shumicën e muslimanëve, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të ummet-it, i gjej të ndryshojnë nga Ehl ul-Bejti, në kundërshtim me obligimin e atyre provave. Tani e shoh veten të ndarë në dy pjesë: njëra i lëshohet provave, ndërsa tjetra kërkon strehë me shumicën e muslimanëve. Jua kam dorëzuar të parën juve ta udhëhiqni: është e tëra në duart e juaja, ndërsa tjetra ju ka refuzuar kokëfortësisht.  

 

3) A do të mundnit pra, ju lutem, ta mposhtni kokëfortësinë e kësaj të fundit me prova bindëse nga Libri, të cilat e përkulin dhe e shmangin nga të nënshtruarit bindjeve të rëndomta? Paqja qoftë me ju. 

 

Sinqerisht,

S

 


LETRA 12

Dhu’l-Ki’de 1329

 

 

 

 Prova Kur’anore

 

Ju, falë Allahut, e keni studiuar Librin në tërësi, duke u njohur si me kuptimet e tij të qarta ashtu edhe me të aluduarat. A lavdërohet njeri aty si ‘Itreti i Pastruar? A përshkruajnë ajetet e tij të përkryera ndokënd si {të pastruar nga çdo papastërti} (Siç gjykohet nga thënia e Allahut: {Allahu dëshiron të largojë të gjithë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, o’ Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm} (33:33).)

përveç tyre? A është shpallur vargu i Pastrimit në nderim të ndonjë tjetri (Kurrsesi! Askush tjetër s’mund ta pretendojë këtë aspak. Ata janë të zgjedhurit për këtë; prandaj, askush s’mund të ngjisë rangun e tyre dhe as të ëndërrojë arritjen e meritave të tyre ) dhe a ka obliguar shpallja e përsosur dashuri për tjetërkënd? (Jo! Allahu i ka përzgjedhur ata për këtë dhe i ka pëlqyer mbi të gjithë të tjerët, duke thënë: {Thuaj: ‘Nuk kërkoj prej jush asnjë shpërblim, veç dashurisë për të afërmit (e mi)’, dhe kushdo që arrin një vepër të mirë (duke qenë i dashur ndaj tyre), Ne patjetër do t’ia rrisim të mirat; vërtet, Allahu është Falës (ndaj atyre që janë të dashur me ta), Vlerësues (i një dashurie të tillë)} (42:23).)

 

A e solli Xhibra’īli ajetin e Mubāhile-s në lavdërim të ndokujt tjetër? (Jo, pra! Ajeti i Mubāhiles u shpall enkas në lavdërim të tyre. Allahu, më i Mirësishmi, thotë: {Thuaj: ‘Le të sjellim bijtë tanë dhe bijtë tuaj...} (3:61).)

 

A u zbrit Hal-atā në lavdërim të tjetërkujt? Jo! Betohem me Zotin, të Drejtin e të Butin, që e përdori për ta siç duhet. (Kjo i referohet shpalljes së ājet ul-asr (76:8) lidhur me ta dhe armiqtë e tyre, dhe kushdo që dëshiron të njihet me këtë çështje që shtrohet në ajetin e pastrimit, ajetin e mubāhile-s, ajetin që urdhëron dashuri ndaj farefisit të Profetit dhe ajetin e kohës, duhet t’i referohet pohimit tonë në fjalë, sepse ai është ilaç për çdo lëngatë. Ai i sjell armiqtë në vete dhe siguron dije për ata që s’kanë, we’l-hamdu li’l-Lāh. )   

 

A s’janë ata ‘Litari i Allahut’ për të cilët Ai thotë: {Dhe kapuni të gjithë pas Litarit të Allahut e mos u përçani!} (3:103)? (Në zbërthimin e kuptimit të këtij ajeti në Tefsīr ul-Kebīr, Imam Tha‘lebīu citon Aban ibn Taghlībin që raporton se Imam Xha‘fer es-Sādiku ka thënë: “Ne jemi litari i Allahut për të cilin Ai ka thënë: {Dhe kapuni pas litarit të Allahut të gjithë së bashku, e mos u përçani}.” Ibn Haxheri e ka përfshirë këtë varg mes atyre të zbritur në nderim të tyre, duke qenë i pesti në serinë e ajeteve që ai rradhit në Kreun XI të es-Sawā‘ik ul-Muhrike.  Duke ia shpjeguar kuptimin, ai citon Tha‘lebīun, si më lart, që citon Imam Sādikun. Imam Shāfi‘īu citohet në Rushfetul Sādi nga Ebū Bekr ibn Shibahud-Dīni: 

 

Kur pashë njerëzit tek hidheshin detërave të çorientimit

dhe injorancës - nga fraksionet e kokëshkretëve,

Unë hipa, me Emrin e Zotit, në Barkën e Shpëtimit:

Ehl ul-Bejtin e të Zgjedhurit, Vulës së profetëve.

Dhe u kapa pas Litarit të Allahut, që është të bindurit atyre,

siç na ka urdhëruar Ai të kapemi pas Litarit të tyre.)

 

Dhe ‘të Besuarit’ për të cilët Ai tha {Jini me të Besuarit!} (9:119); (Të ‘Besueshmit’ këtu janë i Dërguari i Allahut dhe Imamët e pasardhjes së tij të pastruar, sipas sahīh-ëve tanë mutewātir, dhe siç mbështetet nga Hāfiz Ebū Na‘īmi dhe Muwefek ibn Ahmedi, dhe siç përcillet nga Ibn Haxheri në shpjegimin e tij të Kreut V, kaptinës 11, të el-Sawā‘ik ul-Muhrike, f. 90, i cili citon Imam Zejnul ‘Ābidīnin në pohimin e përfshirë më lart (Letra 6).)

 

‘Rruga e Allahut’ për të cilët Ai thotë: {Mos ndiqni rrugë të tjera se do ju shmangin nga Rruga e Tij} (6:153), (Imamët el-Bākir dhe es-Sādik thonin gjithmonë: “Rruga e Drejtë këtu është Imami, prandaj mos ndiqni të tjera rrugë (imamët e çorientimit), se ju shmangin nga Udha e Tij.”)  të {ngarkuarit me autoritet ndër ju} (4:59),

(Në librin e tij autentik, autoriteti i besuar i muslimanëve Thikatul-Islam Muhammed ibn Ja‘kūb el-Kulejnī, ka cituar Burejd el-‘Axhlīun duke thënë: “E pyeta Ebū Xha’ferin (Imamin Muhammed el-Bākir) për ajetin: {Bindjuni Allahut, të Dërguarit, dhe të ngarkuarve me autoritet mes jush} (4:59) dhe ai m’u përgjigj: ‘A s’i ke parë ata (çifutët) të cilëve iu dha një pjesë e Librit? Ata u ftuan në Librin e Allahut që ai të gjykojë për ta, pastaj një grup prej tyre ia ktheu shpinën e u zmbraps’ (3:23), se si besojnë në magjistarët dhe tiranët në vend të tij e u thonë të pafeve se janë më pranë Rrugës së Drejtë se Besimtarët? Ata u thanë imamëve të devijimit dhe thirrësve për në Zjarr se udhërrëfimi i tyre është më i saktë se ai i familjes së Muhammedit; {A nuk i patë ata të cilëve iu dha një pjesë e Librit? Ata besojnë në idhuj e perëndi të rreme dhe thonë për të pafetë: Ata janë më të udhëzuar sesa besimtarët. Ata janë që Allahu i mallkoi dhe për atë që mallkon Allahu s’do të gjeni asnjë ndihmës. Apo mos vallë gëzojnë ndonjë pjesë të Mbretërisë? Por atëherë ata s’do u jepnin njerëzve as një thërmijë mbi gur} (4:51-53) e as do të zotërojnë gjë nga zona e Allahut, d.m.th. Imameti dhe Khilāfeti, {apo ua kanë zili njerëzve për mirësitë që ua dhuroi Allahu} (4:54)? Ne jemi të lakmuarit për shkak të Imametit që Allahu na dhuroi para kujtdo tjetri ndër krijesat e Tij: {Ne u dhuruam pasardhësve të Ibrāhīmit Librin dhe Urtinë e u siguruam një mbretëri të madhe} (4:54), me kuptimin se Ai i bëri disa prej tyre të dërguar, profetë e imamë; pra, si mund ta njohin ata ekzistencën e tij për pasardhësit e Ibrāhīmit, por t’ua mohojnë atë pasardhësve të Muhammedit?” {Disa prej tyre i besuan e disa prej tyre e refuzuan. Për ta mjafton tmerri i Skëterrës} (4:55). )

 

‘kujdestarët e Shpalljes’ për të cilët Ai thotë: {Pyetni kujdestarët e Shpalljes nëse nuk dini!} (21:7), (Duke shpjeguar këtë kaptinë, Tha‘lebīu citon Xhābirin në Tefsīr ul-Kebīr me fjalët: “Kur u shpall kjo sure, ‘Alīu tha: ‘Neve jemi ehl ul-dhikr’, dhe kjo vlen për të gjithë Imamët e udhëzuar.” ‘Alāme Bahrānīu ka cituar në Kreun XXXV [të Gājet ul-Merām], mëse njëzet hadīthe që mbartin këtë kuptim.) ‘besimtarët’ për të cilët Ai thotë: {Kush i kundërvihet të Dërguarit, pasi i është bërë e qartë udha, duke ndjekur rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne do ta lëmë atë në rrugën që ka zgjedhur dhe do e vendosim në Xhehenem;ç’përfundim i keq është ai} (4:115) (Ibn Mardawejhi, në shpjegimin e tij të kësaj sureje, ka theksuar se {...i kundërvihet të Dërguarit} në këtë kontekst d.t.th. të polemizojë me të lidhur me ‘Alīun, dhe udhëzimi i përmendur në ajet {...pasiqë iu është bërë e qartë udha} është udhërrëfimi i siguruar nga ‘Alīu, paqe pastë me të. Në Tefsīr-in e tij, ‘Ajjashi pohon diçka të ngjashme, dhe sahīh-ët nga pasardhësit e pastruar janë mutewātir që “udha e besimtarëve” është udha e tyre, paqe pastë mbi ta.) e ‘udhërrëfyesit’ për të cilët Ai thotë: {Ti je paralajmërues, e për çdo popull ka një udhërrëfyes} (13:7)? (Duke shpjeguar këtë ajet në Tefsīr ul-Kebīr, Tha‘lebīu citon Ibn ‘Abbāsin që thotë: “Kur zbriti ky ajet, i Dërguari i Allahut (s) vuri dorën mbi gjoks e tha: ‘Unë jam paralajmëruesi dhe ‘Alīu është udhërrëfyesi, e nëpërmjet teje, o ‘Alī, arrihet udhërrëfimi’.” )

 

A s’janë ata prej njerëzve që Allahu u derdhi bekimet e Tij dhe të cilëve Ai iu referua në Fātiha duke thënë: {Udhëzona në Rrugë të Drejtë, Rrugën e atyre që ke bekuar}, (Në zbërthimin e Sures Fātiha, Tha‘lebīu citon në Tefsīr ul-Kebīr Ebū Burejden, që thotë se “el-sirāt ul-mustekīm është rruga e Muhammedit (s) dhe pasardhësve të tij.” Duke interpretuar këtë sure, Waki ibn ul-Xherīre citon Sufjān el-Thewrīun me një zinxhir përcjellësish që përfshin Sa‘dīun, Ashtin e Muxhāhidin, të cilët citojnë Ibn ‘Abbāsin duke thënë: “′Udhëzona në Rrugë të Drejtë′ d.t.th. ‘Udhëzona në dashurinë për Muhammedin e familjen e tij’.”)

e Ai gjithashtu ka thënë: {Të tillët janë me ata që Allahu i bekoi nga profetët, besnikët, dëshmorët dhe të mirët} (4:69)? (Imamët nga Ehl ul-Bejti (‘a) janë pa asnjë kundërshtim udhëheqësit e siddīk-ëve, shehīd-ëve dhe ewlijā-ve. ) 

 

       A nuk u ka dhuruar Ai atyre autoritet të gjithanshëm? A nuk e kufizoi Ai atë vetëm për ata, pas Profetit? Shihni: {Kujdestari juaj është Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët që falin namazin dhe japin zekatin duke bërë ruku’; kush merr për kujdestar Allahun e të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, atëherë pala e Allahut është vërtet ngadhënjyesja} (5:55-6).

(Mufesīrët pohojnë njëzëri, siç e pranon el-Keushexhī, imam i esh‘arīve në kreun e tij mbi Imametin në Sherh ul-Texhrīd, se ky ajet u shpall për nder të ‘Alīut kur ai dha lëmoshë dukë qenë në ruku’ gjatë lutjes. Në Sahīh-un e vet, Nesā‘īu citon ‘Abdullāh ibn Selāmin që dëshmon për shpalljen e tij në nder të ‘Alīut. Ky mendim mbështetet nga autori i el-Xhāmi’ Bejnel-Sihāh us-Sitte në shpjegimin e Sures el-Mā’ide. Tha‘lebīu ka theksuar shpalljen e tij për nder të Prijësit të Besimtarëve në Tefsīr ul-Kebīr, siç do shpjegojmë kur ta diskutojmë.)

 

A nuk e ka bërë Ai shpëtimin e atyre që pendohen dhe bëjnë punë të mira të varet nga pranimi i tyre si autoritete të udhëzuara, duke thënë: {Unë i fal ata që pendohen, bëjnë punë të mira e përqendrohen në udhë të drejtë} (20:82)?

(Në kreun XI, Pj. 1-rë e veprës së tij es-Sawā’ik ul-Muhrike, Ibn Haxheri pohon: “Udhërrëfimi i përmendur në Surën 8 që thotë: {Unë jam Falës për ata që pendohen, besojnë, bëjnë punë të mira e pastaj kërkojnë udhëzim}, sipas Thābit el-Bannīut, d.t.th. kërkim i udhërrëfimit nga njerëzit e shtëpisë së Profetit.” Kjo transmetohet edhe nga Ebū Xha‘fer es-Sādiku. Ibn Haxheri ka paraqitur shumë hadīthe që dëshmojnë shpëtimin e atyre që kërkojnë dhe veprojnë sipas udhëzimit të tyre, paqe pastë me ta. Ai gjithashtu i referohet asaj që citon nga pohimi i Imamit el-Bākir, lidhur me bisedën e tij me Hārith ibn Jahjain, ku Imami thotë: “O Hārith! A nuk e pe se si Allahu e bëri të qartë se pendimi, besimi dhe punët e mira nuk mjaftojnë pa kërkuar udhërrëfim nga autoriteti ynë?” Pastaj ai, paqe pastë me të, citon gjyshin e tij, Prijësin e Besimtarëve, duke thënë: “Për Allah! Nëse dikush pendohet, beson dhe bën vepra të mira, por nuk e kërkon udhërrëfimin nga autoriteti ynë e as nuk na i njeh të drejtat, të gjitha do t’i shkojnë kot’.” Hāfiz Ebū Na‘īmi citon Aun ibn Ebū Xhehufen, që citon babain e tij duke transmetuar një thënie të ngjashme nga ‘Alīu. Hākimi ka botuar hadīthe të ngjashme nga Imam Bākiri e Sādiku, dhe nga Thābit el-Bannīu e Enes bin Māliku.)

 

 

A s’është wilājeti i tyre pjesë e ‘amanetit’ për të cilin Allahu thotë: {Ne ua ofruam amanetin qiejve, tokës dhe maleve, por ata s’deshën ta merrnin përsipër nga frika e madhe, por njeriu e mori mbi vete: vërtet ai u tregua i padrejtë, i paditur} (33:72)?

(Referojuni kuptimit të këtij ajeti në Tefsīr es-Sāfi, dhe në Tefsīrin e ‘Alī ibn Ibrāhīmit, si dhe hadītheve të transmetuara nga sunnitë në shpjegimin e tij, të mbledhura prej ‘Alāme Bahrānīut në Kreun 115 të veprës Gājet ul-Merām.)

 

       A nuk janë ata paqja në të cilën Allahu urdhëroi të hynin të gjithë, duke thënë: {O ju që besuat! Hyni në paqe të gjithë, e mos ndiqni Shejtanin} (2:208)?

(Në kreun 224 të Gājet ul-Merām, dijetari bahreinas citon dymbëdhjetë hadīthe nga sahīh-ët tanë në dëshmi të faktit se ky ajet zbriti lidhur me qeverisjen e ‘Alīut dhe atë të Imamëve nga pasardhësit e tij, duke mbajtur prijësinë e njëri tjetrit. Në Kreun 223, ai pohon se el-Isfahānī el-Emāwī transmeton të njëjtën për ‘Alīun, duke cituar burime të ndryshme.)

 

A s’janë ata mirësia, lidhur me të cilën Allahu i Lartësuar ka thënë: {Atë Ditë do të pyeteni për Mirësinë} (102:8)?

(Në kreun 48 të Gājet ul-Merām, el-Bahrānī citon tre hadīthe të përcjella nga sunnitë në dëshmi të faktit se ‘bekim’ këtu është ajo me të cilën Allahu i bekoi njerëzit përmes qeverisjes së të Dërguarit të Tij (s), asaj të Prijësit të Besimtarëve e Ehl ul-Bejtit. Në Kreun 49, ai citon dymbëdhjetë hadīthe nga sahīh-ët tanë që pasqyrojnë po këtë; prandaj, nëse dëshironi, referojuni atij.)

 

A nuk u urdhërua i Dërguari t’i shpallte këto të gjitha? A nuk e theksoi Allahu shpalljen e tyre me një gjuhë që tingëllonte si kërcënim, kur tha: {O i Dërguar! Përcille atë që të është zbritur, e nëse nuk e bën, atëherë s’do ta kesh përcjellë shpalljen. Zoti do të të mbrojë nga njerëzit} (5:67)?

(Vetëm një fekīh sunni mes autorëve të librave të hadīthit, e ky është Imam el-Wāhidīu, duke komentuar Suren el-Mā’ide në Asbāb un-Nuzūl, citon Ebū Sa‘īd el-Khudrīun, me fjalët: “Ky ajet u shpall ditën e Gadīr Khummit për nder të ‘Alī ibn Ebī Tālibit.” Imam Tha‘lebīu e përfshin në Tefsīr nga dy burime; el-Hamawejnī el-Shāfi‘ī në Ferā’id nga burime të ndryshme prej Ebū Hureires dhe ai përcillet nga Ebū Na‘īmi e el-A’meshi, ku që të dy citojnë ‘Atijjen. Në Gājet ul-Merām, ka nëntë hadīthe nga sunnitë e tetë të saktë nga shī‘itët që përcjellin të njëjtin kuptim; prandaj referojuni Kreut 37 dhe 38.)

 

A s’e përcolli ai Ditën e Gadīrit, pasi mbërriti atë pellg dhe e shpalli Mesazhin, me ç’rast Allahu zbriti këtë ajet përgëzues: {Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova dhuntitë e Mia ndaj jush dhe zgjodha fe për ju Islamin} (5:3)?

(Ky tekst u tha nga Imami Ebū Xha‘fer el-Bākir, pasuar nga Imami Ebū ‘Abdullāh es-Sādik. Sipas transmetimeve sahīh, sunnitë kanë përfshirë gjashtë hadīthe në librat e tyre të hadīthit, të cilat në fund citojnë të Dërguarin e Allahut, bekime pastë mbi të dhe familjen e tij, i cili e thekson fare qartë këtë çështje. Shpjegimi i saj ndodhet në Krerët 39 dhe 40 të librit Gājet ul-Merām.) 

 

       A e patë ç’bëri Zoti juaj me personin që e mohoi haptas autoritetin e tyre, duke thënë: “O Allah! Nëse ky mesazh është vërtet prej Teje, atëherë hidh gurë mbi ne (Imam Tha‘lebīu ka dhënë një shpjegim të hollësishëm të kësaj çështjeje në Tefsīr ul-Kebīr, e ajo transmetohet nga dijetari egjiptian el-Shiblenxhī i cili jep një biografi të imtësishme të ‘Alīut në librin e tij Nūr ul-Absār, f. 171, ku edhe e shpjegon atë në detaje. Halebīu e përmend këtë në fund të kreut të tij “Hixhetul Wadā’”, në vëll. III [f. 275] të librit të tij Sīre Halebīje. Hākimi e tregon atë në “Tefsīr ul-Me‘ārixh” në librin e tij el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. II, f. 502.) si shiu nga qiejt, ose bëj të na godasë një tmerr i rëndë”? Allahu hodhi një gur Sixhxhīli mbi të, siç pat bërë me Ushtrinë e Elefantit. Me atë rast Ai zbriti këto ajete: {Një person të pyeti për dënimin e pashmangshëm mbi jobesimtarët, dënim që s’mund të ndalet: nga Allahu, Zoti i Shkallëve të Ngjitjes} (70:1-2). 

 

       Njerëzit do pyeten patjetër mbi atë autoritet kur të ringjallen, siç tregohet në shpjegimin e vargut: {Pasoni pra, gjurmët e tyre, sepse ata janë autoriteti} (37:24).

(El-Dejlemīu, siç thuhet edhe në shpjegimin e këtij ajeti në es-Sawā‘ik ul-Muhrike, pohon se Ebū Sa‘īd el-Khudrīu citon hadīthin: “Pasoni gjurmët e tyre, sepse ata janë të përgjegjshëm ndaj wilājet-it të ‘Alīut.” El-Wāhidīu, ashtu si Ibn Haxheri, e shpjegon këtë ajet kështu: “Është transmetuar lidhur me fjalën e Allahut: {Pasoni gjurmëve të tyre, sepse ata janë përgjegjës...} se përgjegjësia e përmendur këtu është qeverisja e ‘Alīut dhe e Ehl ul-Bejtit,” duke shtuar: “Sepse Allahu e urdhëroi Profetin (s) e Tij për t’i ndërgjegjësuar njerëzit mbi faktin se ai (s) nuk kërkon prej tyre kurrfarë shpërblimesh për shpalljen e mesazhit të Tij përveç dashurisë ndaj farefisit të vet..., d.m.th. ata do të merren në pyetje nëse iu nënshtruan si duhet wilājet-it të tyre siç ishin këshilluar nga Profeti (s), apo e kishin humbur dhe shpëfillur atë, e Allahu do u kërkojë llogari për pasojat e asaj shpërfilljeje.” Ibn Haxheri e përfshin në Kreun XI të Sawā‘ik ul-Muhrike mes vargjeve të shpallura në lavdërim të tyre, duke qenë i katërti ajet në rradhë, dhe e shkoqit mjaft hollësisht atë.)

 

S’ka më vend për habi pra, sidomos kur dallojmë faktin se autoriteti i tyre u është urdhëruar njerëzve nga Allahu përmes profetëve të Tij, duke sjellë prova e argumente për këtë, siç thuhet në shpjegimin e ajetit: {E ti pyeti të dërguarit që nisëm para teje} (43:45).

(Referojuni asaj që ka cituar Hāfiz Ebū Na‘īmi në librin e tij Hiljet ul-Ewlijā’, asaj që është regjistruar nga Tha‘lebīu, Nisabūrīu dhe el-Barkī lidhur me kuptimin e tij në tefsīr-ët e tyre dhe asaj që kanë thënë Ibrāhīm ibn Muhammed Hamawejnī e sunni të tjerë. Po ashtu referojuni asaj që ka thënë Ebū ‘Alī et-Tabarsī që ia shpjegon kuptimin në librin e tij Muxhma’ ul-Bejān fī Tefsīri’l-Kur’ān, duke cituar Prijësin e Besimtarëve. Ajo që pohojnë krerët 44 e 45 të Gājet ul-Merām-it në këtë kuptim, është diçka që largon çdo dyshim. )

 

Jo, Allahu madje bëri për këtë një zotim në Ditën e Dëshmisë nga shpirtrat e krijesave të Tij, ende pa ua krijuar trupat, siç tregon ajeti: {Kur Zoti yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë, duke i pyetur: ‘A nuk jam Zoti juaj?’ Ata thanë: ‘Po, dëshmojmë!’ Që të mos thoni Ditën e Kijametit: ‘Për këtë nuk dinim gjë’} (7:172).

(Vetë diskutimi ynë për Ehl ul-Bejtin (‘a), gjatë shpjegimit të këtij vargu, dëshmon për këtë fakt.)

 

Përmes ndërmjetësimit të tyre i dha Allahu falje Ademit, që i mësoi fjalët e pendimit të përmendura në 2:37.

       {Allahu nuk ia nënshtron ata dënimit} (8:33),

(Drejtojuni es-Sawā‘ik ul-Muhrikes nga Ibn Haxheri që interpreton vargun e të Madhërishmit: {Allahu s’do t’i dënojë ata...} si ajeti i shtatë prej të shpallurve në nder të tyre, siç shënohet në Kreun XI të librit, ku autori konfirmon pikëpamjen e shtruar këtu nga ne) sepse ata janë siguria e banorëve të tokës dhe mjeti i njerëzimit drejt Tij. Ata janë për të cilët njerëzit ndiejnë zili dhe për të cilët Allahu thotë: {A ua kanë zili atyre njerëzit pse Allahu u dha mirësitë e Tij?} (4:54)

(Kjo pranohet nga Ibn Haxheri, i cili e radhit këtë varg mes ajeteve të zbritura për nderin e tyre, duke e renditur të gjashtin në Kreun XI të Sawā‘ik ul-Muhrike. Ibn Meghāzīlī el-Shāfi‘ī, siç tregohet në shpjegimin e këtij vargu në es-Sawā‘ik ul-Muhrike, citon Imam Bākirin me fjalët: “Për Allah, ne jemi të lakmuarit.” Në krerët 60 e 61 të Gājet ul-Merām, janë regjistruar madje tridhjetë hadīthe të sakta me këtë kuptim. )

 

Ata janë ‘të thelluarit në dije’, për të cilët Ai thotë: {Ata që janë thelluar në dije thonë: ‘Ne besojmë!’} (3:7, të shihet edhe 4:162).

(Kjo citohet nga Thiketul-Islām Muhammed ibn Jakūb el-Kulejnī, i cili përcjell një hadīth të saktë nga Imam Sādiku që thotë: “Ne jemi njerëz bindja ndaj të cilëve është urdhëruar nga Allahu, i Lartësuari dhe i Madhëruari; ne jemi të rrënjosurit thellë në dije dhe ne jemi të lakmuarit. Allahu Fuqiplotë thotë: {Apo t’ua kenë zili njerëzve për atë që Allahu u dhuroi nga mirësitë e Tij?}” E citon edhe el-Shejhu në Tahdhīb, që citon po ashtu Imam Sādikun.)

 

Ata janë as‘hābi A’rāf që do rrinë lartësive e që Allahu u referohet kur thotë: {Mbi A’rāf janë burra që i njohin (njerëzit) nga shenjat e tyre} (7:48).

(Duke shpjeguar këtë ajet në Tefsīr, Tha‘lebīu citon Ibn ‘Abbāsin: “A’rāfi është një pjesë e ngritur e Sirāt-it ku ‘Abbāsi, Hamzai, ‘Alīu dhe Xha‘feri i dy krahëve i njohin ata që i duan nga shenja e bardhësisë së fytyrës, ndërsa ata që i urrejnë nga nxirja e saj.” Hākimi, gjithashtu, ka cituar ‘Alīun duke thënë: “Ditën e Gjykimit ne do të qëndrojmë mes Parajsës dhe Ferrit, do i njohim ata që na mbështesin nga shenja e tyre e do t’u lejojmë të hyjnë në Xhennet, e gjithashtu do t’i njohim ata që na urrejnë nga shenjat e tyre.” Selmān Farsīu citohet me fjalët: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, bekime pastë mbi të e pasardhësit e tij, duke thënë: ‘O ‘Alī! Ti dhe wasi-të nga pasardhësit e tu jeni mbi A’rāf.’” Kjo mbështetet nga hadīthi që citon Dār Kutnīu në mbyllje të Pj. 2, Kreu IX, i es-Sawā‘ik ul-Muhrike që tregon se ‘Alīu u mbajti një fjalim të gjatë 5 njerëzve të caktuar nga ‘Umeri me shūra, ku ai tha: “Po ju pyes në Emër të Allahut nëse ndonjërit prej jush i është thënë ndonjë gjë e ngjashme nga i Dërguari i Allahut (s) me atë që më është thënë mua: ‘O ‘Alī! Ti je ai që do t’i tregojë pozicionin çdo personi Ditën e Gjykimit: ose në Parajsë ose në Ferr’?” Ata u përgjigjën: “Vërtet, jo.” Ibn Haxheri pohon: “Kuptimi i hadīthit është ajo që përcjell Antareh nga Imami ‘Alī er-Ridā, që citon Profetin (s) duke i thënë ‘Alīut: ‘O ‘Alī! Ti je ai ai që do t’i caktojë njerëzit ose në Xhennet ose në Ferr Ditën e Gjykimit, duke i thënë Ferrit cili është i tiji e cili jo’;” “Ibn Sammāku tregon se Ebū Bekri i tha ‘Alīut, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, ‘E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) të thotë: Askush s’mund ta kalojë Sirātin përveç atyre që lejon ‘Alīu’.” )

 

Ata janë burrat e Hakkut, për të cilët Ai thotë: {Mes besimtarëve ka burra që e përmbushën besën e dhënë Allahut; disa prej tyre kanë kaluar e të tjerë presin dhe s’kanë ndryshuar aspak.} (33:23).

(Në kaptinën tre, Kreu IX, i es-Sawā‘ik ul-Muhrike, Ibn Haxheri, duke diskutuar vrasjen e ‘Alīut, thekson se kur ‘Alīu ishte në minberin e Kūfas, atij i kërkuan të shpjegonte ajetin ku ndodhet fraza: {Burra që i qëndruan besnikë premtimit ndaj Allahut}, e ai u përgjigj duke thënë: “O Zot, fali ata! Ky ajet zbriti për nderin tim, xhaxhait tim dhe kushëririt tim ‘Ubejde ibn Hārith ibn el-Muttelib. ‘Ubejde ra shehīd në Bedr; Hamzai në Uhud; ndërsa unë po pres vdekjen më të mundimshme, kur kjo do të kullojë nga gjaku i kësaj,” duke treguar me dorë mjekrën dhe kokën e tij. “Është premtim i vërtetë nga i dashuri im Ebū’l-Kāsim, paqe pastë mbi të e pasardhësit e tij.” Hākimi, duke zbërthyer këtë ajet - siç shkruan Tabarsīu në Muxhma’ul-Bejān fī Tefsīri’l Kur’ān - citon ‘Umer ibn Thābitin që përcjell nga Ebū Is’hāku që citon ‘Alīun duke thënë: “Për ne u zbrit ajeti: {Burra që i qëndruan besnikë premtimit të tyre ndaj Allahut} dhe për Allah, unë po pres dhe s’kam ndryshuar aspak.”)

 

Ata janë, që e madhërojnë Allahun pa pushim e për të cilët Ai thotë: {Ai madhërohet herët në mëngjes e natën, nga njerëz që nuk shpërqëndrohen - as nga tregtia e largët as nga shitblerja në vend - nga të përmendurit e Allahut, falja e namazit e dhënia e zekatit: ata i frikësohen Ditës kur zemrat dhe shikimet do të rrokullisen} (24:37).

(Muxhāhidi dhe Ja‘kūb ibn Sufjāni citojnë komentin e Ibn ‘Abbāsit për ajetin {E kur shohin tregti apo zbavitje, ata vrapojnë drejt saj, duke të lënë në këmbë} (62:11): “Dahije el-Kalbī erdhi njëherë nga Siria një të premte me mallra plot ushqime dhe mbërriti te vendi i quajtur Ahxher ul-Zejt ku njoftoi praninë e tij duke i rënë lodrave për t’i ftuar njerëzit drejt vetes. Kështu, ata vrapuan tek ai duke e lënë Profetin (s) në këmbë mbi minber duke i predikuar vetëm ‘Alīut, Hasanit, Huseinit, Fātimes, Selmānit, Ebū Dherit e Mikdādit. Atëherë, Profeti tha: ‘Allahu i hodhi një sy xhamisë time në xhumā, e të mos ishte për praninë e këtyre njerëzve, Ai do ta kishte ndezur qytetin në zjarr dhe hedhur gurë mbi banorët e tij, ashtu siç bëri me njerëzit e Lūtit.’ Allahu shpalli për nder të atyre që qëndruan me të Dërguarin e Allahut (s) në xhami, ajetin që thotë: {Duke e madhëruar Atë, natën dhe herët në mëngjes, njerëz të cilët as tregtia e as shitblerja s’mund t’i shpërqëndrojë}.” )

 

       Shtëpitë e tyre janë ato që përmenden në ajetet e Allahut, kur thotë: {Nëpër shtëpi që Allahu lejoi të lartësohet dhe emri i Tij të përmendet} (24:36).

(Tha‘lebīu, duke komentuar këtë ajet në Tefsīr ul-Kebīr, citon Enes bin Mālikun dhe Burejden me fjalët: “I Dërguari i Allahut (s) lexoi njëherë ajetin {në shtëpi që Allahu dëshiroi të ngrihen dhe Emri i Tij të përmendet}, kur Ebū Bekri u ngrit e tha: ‘O i Dërguari i Allahut! A është kjo shtëpi (duke treguar nga shtëpia ku jetonin ‘Alīu e Fātimeja) mes tyre?’ Profeti u përgjigj: ‘Po; nga më të zgjedhurat’.” Kreu 12 i Gājet ul-Merām përmban 9 hadīthe të sakta përmes të cilave drita e agimit shkëlqen qartë. )

 

Allahu e ka bërë kamaren e tyre, në Sūre en-Nūr,

(Ky është aludim për ajetin: {Shembulli i dritës së Tij është një kandil..}. Ibn Meghāzīlī el-Shāfi‘ī ka cituar ‘Alī ibn Xha‘ferin në Menākib-in e tij, duke thënë: “E pyeta Ebū Hasanin (Imam Kādhimin, paqe pastë mbi të) për ajetin që thotë: {..si një kamare ku një kandil..} e ai u përgjigj: ‘Kamarja është Fātimeja, kandili simbolizon Hasanin e Huseinin, dhe {qelqi si një yll vezullues} tregon se Fātimeja shndriti si një yll mes tërë grave të botës, duke u ndezur nga një pemë e bekuar, pema e Ibrāhīmit {as e lindjes, as e perëndimit}: as çifute, as kristiane, {vaji i së cilës thuajse ndriçon (vetë)} tregon se dija gati flet vetë edhe pse nuk e prek flaka, {dritë mbi dritë} ku një Imam vjen pas një tjetri, {Allahu udhëzon atë që do në Dritën e Tij} nënkupton se Allahu udhëzon në wilājet-in tonë kë të dojë’.” Mjafton një interpretim i tillë që vjen nga një anëtar i shtëpisë ku zbriti shpallja.) shembull të vetë Dritës së Tij:

 

Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës. Shembulli i Dritës së Tij është një kamare, brenda së cilës është një fitil: fitili është i futur brenda një qelqi; qelqi shndrit si të ishte yll shkëlqyes, i ndezur nga një dru i bekuar peme ulliri - as i lindjes, as i perëndimit - vaji i të cilit ndriçon fort, ndonëse zjarri thuajse nuk e prek: Dritë mbi Dritë! Allahu e udhëzon atë që do në Dritën e Tij: Allahu sjell shembuj për njerëzit dhe Allahu di gjithçka fort mirë.

 

Ata janë të parët në pranimin e fesë dhe zbatimin e saj, dhe më të afruarit te Zoti, siç thotë Ai në Sure el-Wāki’e, 10-11.

(El-Dejlemīu, ashtu si hadīthi 29, Pj 2, Kreu IX i Sawā‘ik ul-Muhrike nga Ibn Haxheri citon ‘Aishen; Taberānī e Ibn Mardawejhi citojnë Ibn ‘Abbāsin që tregon se Profeti (s) tha: “Të parët në të besuarit profetëve janë tre: Jūsha ibn Nūni që i besoi i pari Mūsait; i përmenduri në Suren Jāsīn që i besoi i pari profetit; dhe i pari që i besoi Muhammedit që është ‘Alī ibn Ebī Tālibi.” Kjo citohet nga Muweffek ibn Ahmedi dhe fekīhu Ibn el-Meghāzīlī el-Shāfi‘ī, që të dy nga Ibn ‘Abbāsi. )

 

Ata janë që dëshmojnë për vërtetësinë e Profetit (4:69).

(Ibn Nexhāri, si dhe hadīthi 30 në Sawā‘ik ul-Muhrike citon Ibn ‘Abbāsin që tregon se i Dërguari i Allahut (s) ka thënë: “Siddīk-ët janë tre: Ezekieli, i cili qe i pari që besoi midis pasardhësve të Faraonit; Habīb el-Nexhāri që përmendet në Suren Jāsīn, dhe ‘Alī ibn Ebū Tālibi.” [E përcjellin edhe Fakhr er-Rāzīu në Tefsīr; Imam Tha‘lebīu në Tefsīr; Sujūtīu në Xhāmi’, vëll. II, f. 83; Ahmedi në Menākib, ff. 194, 239; Dejlemīu në el-Firdews; Ibn Ebī’l-Hadīdi në Sherh Nehxhul-Belāgha, vëll. II, f. 451 dhe Ibn Meghāzilī el-Shāfi‘ī në Menākib, f. 245] Ebū Na‘īmi e Ibn ‘Asākiri, si dhe hadīthi 31 në es-Sawā‘ik ul-Muhrike citojnë Ibn Ebū Lejlen që tregon se i Dërguari i Allahut (s) tha: “Siddīk-ët janë tre: Habīb el-Nexhāri - besimtari i cituar në Suren Jāsīn që tha: {O populli im, ndiqni të Dërguarit}; Ezekieli, që besoi i pari nga pasardhësit e Faraonit, i cili tha: {A po e vret këtë njeri vetëm pse thotë se Zoti i tij është Allahu?} dhe ‘Alī ibn Ebī Tālibi, që është më i miri ndër ta’.” [Po ashtu, el-Muttekī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. V, f. 31; el-Kundūzī në Jenābī ul-Muwedde, kr. XLII, f. 126, nga Ahmedi; el-Khawārīzmī në Menākib, nga Ebū Lejla e Ebū Ejjūb Ensārīu; el-Genxhī el-Shāfi‘ī në Kifājet ut-Tālib, kr. XXIV.] Sahīh-ët janë mutewātir në të pohuarit se ai është siddīku më i madh dhe farūku i ummetit. )

 

Ata janë dëshmorët dhe të virtytshmit. Për ta dhe ndjekësit e tyre ka thënë Allahu: {E ndër ata që krijuam, ka njerëz që ftojnë në udhëzimin e drejtë përmes së Vërtetës dhe janë më të drejtit në të vepruarit me të} (7:181).

(Më i shquari mes Imamëve sunni - Muweffek ibn Ahmedi, citon Ebū Bekr ibn Mardawejhin që citon ‘Alīun duke thënë: “Ky ummet do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe; me përjashtim të njërit, të gjithë të tjerët do të shkojnë në Xhehenem; ky grup janë ata për nder të të cilëve Allahu, i Lartmadhëruari e i Gjithdijshmi, ka thënë: {Mes krijesave Tona është një grup që udhëzon drejt mirësisë dhe (vetëm) përmes mirësisë e arrijnë ata drejtësinë} dhe këta përfshijnë mua dhe shī‘itët e mi.” )

 

Gjithashtu Allahu thotë për palën e tyre dhe armiqtë e tyre: {Banuesit e Zjarrit s’janë të barabartë me ata të Xhennetit: banuesit e Xhennetit janë fitimtarët} (59:20).

(Në veprën Amālī, Shejh et-Tūsī citon saktë Prijësin e Besimtarëve që thotë se i Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të e familjen e tij, kishte recituar njëherë ajetin: {Njerëzit e Zjarrit s’janë të barabartë me njerëzit e Xhennetit} e pastaj kishte shpjeguar: “Njerëzit e Xhennetit janë ata që më ndoqën mua dhe pranuan autoritetin e ‘Alī ibn Ebī Tālibit pas meje.” Ai u pyet: “Po për njerëzit e Zjarrit?” Profeti (s) u përgjigj: “Aty përfshihen ata që s’ishin të kënaqur me qeverisjen e tij, ata që do të thyejnë betimin dhe do të luftojnë kundër tij pas vdekjes sime.” Ky hadīth citohet nga Shejh es-Sadūku prej ‘Alīut. Ebū el-Mu‘ejjed Muweffek ibn Ahmedi citon Xhābirin duke thënë se i Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të e pasardhësit e tij, ka thënë: “Për Atë në Duart e të Cilit është shpirti im, ky ‘Alī dhe shī‘itët e tij janë fitimtarët në Ditën e Gjykimit.” )

 

Ai ka thënë për dy palët: {A mos do t’i barazojmë ata që besuan dhe bënë vepra të mira me ata që bënë shkatërrime në tokë, apo t’i trajtojmë njëlloj të ruajturit (prej të këqijave) me të shfrenuarit?} (38:28).

(Referojuni kuptimit të këtij vargu në Tefsīr-in e ‘Alī ibn Ibrāhīmit nëse dëshironi, ose krerëve 81 dhe 82 të Gājet ul-Merām.)

 

Për këto dy palë Ai gjithashtu ka thënë: {A pandehin ata që kryejnë vepra të këqija se do i trajtojmë si ata që besuan dhe bënë punë të mira, në jetë e në vdekje? I lig është ai gjykim i tyre!} (45:21).

(Ky varg zbriti për nder të Hamzasë, ‘Alīut dhe ‘Ubejdes të cilët u dolën në mejdan ‘Utbes, Shejbes dhe el-Walīdit. Besimtarët janë Hamzai, ‘Alīu dhe ‘Ubejde, ndërsa ata që vepruan keq janë ‘Utbe, Shejbe dhe el-Walīdi. Ka shumë hadīthe të sakta që e mbështesin këtë argument.)

 

Për ta dhe përkrahësit e tyre, Ai ka thënë: {Ata që besuan dhe bënë vepra të mira janë më të mirët e krijimit} (98:7).

(Mjafton për ju si provë, fakti se Ibn Haxheri e ka pranuar shpalljen e tij për nder të tyre, duke e përfshirë mes vargjeve në lavdërim të tyre, duke e rradhitur të 11-in në Pj. 1, Kr I, i veprës es-Sawā‘ik ul-Muhrike, ndaj referojuni asaj për të parë ajetet që cituam lidhur me të, në kreun që merret me sunnitë që i konsiderojnë të besuar shī‘itët, në librin tonë Fusūl ul-Muhimme. )

 

       Për ta dhe kundërshtarët e tyre Allahu ka thënë: {Këta janë dy kundërshtarë që dalluan lidhur me Zotin: ata që nuk besuan do të mbështillen me rroba zjarri, lëng përvëlues do u derdhet mbi koka} (22:19).

(Bukhārīu, në shpjegimin e tij të Sures Haxh, në f. 107, vëll. III i Sahīh-ut, citon ‘Alīun me fjalët: “Unë jam i pari që gjunjëzohet për t’i paraqitur ankesën Allahut Ditën e Gjykimit.” Bukhārīu pastaj citon Kejsin duke thënë: “Për ta u shpall ky varg: {Ata janë dy kundërshtarë që e sollën çështjen e tyre përpara Allahut.} Ata janë personat që dolën në Bedr të luftojnë ‘Alīun dhe dy shokët e tij Hamza e ‘Ubejde, pra Shejbe ibn Rabī’e dhe dy shokët e tij ‘Utbe ibn Rabī’e dhe el-Walīd ibn ‘Utbe.” Në të njëjtën faqe, ai citon Ebū Dherin duke thënë se ai betohej me ajetin mbi dy kundërshtarët që debatuan për Zotin e tyre që u shpall për nder të ‘Alīut dhe dy shokët e tij, dhe për ‘Utben me dy shokët e tij kur dolën për duel në Bedr.)

 

Lidhur me ta dhe armiqtë e tyre, Allahu ka zbritur ajetet: {A mos është ai që ishte besimtar njësoj si ai keqbërësi? Jo! Ata s’janë të barabartë. Sa për ata që besuan e bënë punë të mira, vendpritja e tyre është Xhenneti, shpërblim për veprat e tyre. E ata që bënë ligësinë, vendqëndrim i tyre është zjarri; sa herë të duan të dalin prej tij, kthehen në të dhe u thuhet: ‘Shijoni dënimin e zjarrit që e konsideronit gënjeshtër’} (32:18-20).

(Ky ajet u shpall për Prijësin e Besimtarëve kundrejt el-Welīd ibn ‘Ukbe ibn Ebū Ma‘ītit, pa kurrfarë diskutimi. Kjo konfirmohet nga muhadīthët dhe pohohet nga mufessirët. Imam Ebū’l-Hasan ‘Alī el-Wāhidī, kur e diskuton këtë ajet në librin e tij Asbāb un-Nuzūl [f. 263], citon Sa‘īd ibn Xhubejrin nga Ibn ‘Abbāsi, që thotë se el-Walīd ibn ‘Ukbe ibn Ebū Ma‘īti i tha njëherë ‘Alī ibn Ebī Tālibit: “Unë jam më i fortë se ti; fjala ime është më elokuente, dhe jam më i shpejtë se ti në ngritjen e një ushtrie.” ‘Alīu tha: “Mos fol më gjatë, se ti s’je veçse një i shthurur,” rast me të cilin u shpall ajeti {A është ai që është besimtar i ngjashëm me atë që është i shthurur? Ata me siguri s’janë njëlloj}, duke e quajtur besimtar ‘Alīun dhe të shthurur el-Welīd ibn ‘Ukben.)

 

       Për ta dhe personat që krekoseshin se u sillnin ujë haxhijve e se kujdeseshin për Mesxhīdu’l-Harāmin, Allahu shpalli vargun: {A e mbani dhënien e ujit haxhijve dhe kujdestarinë e Xhamisë së shenjtë, sa (vlerën e) atyre që besuan në Allah dhe Ditën e Fundit, dhe që luftuan në Rrugën e Tij? Jo, ata nuk janë të barabartë tek Allahu dhe Allahu nuk i udhëzon keqbërësit} (9:19).

(Ky varg zbriti për nder të ‘Alīut, xhaxhait të tij el-‘Abbās, dhe Talha ibn Shejbes që filloi të krekosej: “Unë jam i ngarkuari për Qa‘ben; kam çelësat e saj dhe e imja është pëlhura që e mbulon.” ‘Abbāsi tha: Unë jam i ngarkuari i sikāje-s dhe mirëmbajtjes.” ‘Alīu tha: “S’e di ç’po flisni ju të dy, por unë kam recituar lutjet në shoqërinë e atij që udhëheq xhihādin (s) gjashtë muaj para kujtdo tjetri”, kur Allahu zbriti ajetin në fjalë. Këtë e pohon Imam Wāhidīu në shpjegimin e këtij vargu në Asbāb ul-Nuzūl duke cituar Hasan el-Basrīun, el-Shabīun dhe Kurtubīun. Ai citon Ibn Sīrīnin dhe Murreh Hamadānīun që përcjellin se ‘Alīu i tha njëherë ‘Abbāsit: “A s’po migron e i bashkohesh të Profetit të Zotit (s)?” Ai u përgjigj: “A nuk kam një përgjegjësi më të madhe se migrimi? A nuk u siguroj ujë haxhijve të Shtëpisë së Allahut dhe mirëmbaj Haremin e saj?” me ç’rast u shpall ky ajet.[Shih Durr ul-Menthūr nga Sujūtīu, Tefsīr Mefātih ul-Ghājb nga Fakhr er-Rāzīu, Tefsīr Xhāmi’ ul-Bejān nga Taberīu, dhe Tefsīr Gharaīb ul-Kur’ān nga el-Nisābūrīu.]) 

 

       Për ngadhënjimin e tyre në shumë sprova dhe forcën e durimit të tyre, Fuqiploti thotë: {Ka nga njerëzit, i cili flijon veten për kënaqësinë e Allahut; e Allahu është Mëshirplotë ndaj robërve të Tij} (2:207).

(Në f. 4, vëll. III i Mustedrek-ut, Hākimi citon Ibn ‘Abbāsin duke thënë: “‘Alīu e ka këmbyer jetën e tij dhe me të vërtetë ka veshur mantelin e të Dërguarit.” Hākimi ia dëshmon vërtetësinë këtij hadīthi sipas kriterit të të dy Shejhëve, ndonëse këta nuk e transmetuan. Në Telkhīsul-Mustedrek, Dhehebīu pranon të njëjtën, duke cituar Imam ‘Alī ibn Huseinin që thotë: “I pari që e këmbeu jetën e tij me kënaqësinë e Allahut është ‘Alī ibn Ebū Tālibi i cili fjeti në shtratin e të Dërguarit të Allahut (s)”, pastaj ai citon ca vargje poeme që i atribuohen ‘Alīut, të cilat fillojnë kështu:

 

Unë e ruajta me jetën dhe forcën time të hekurt

Atë që është më i miri mbi faqen e dheut

E ndonëse i vetëm, rreth Shtëpisë së Lashtë

Asaj dhe Gurit të Zi përreth i rashë.)

 

Lidhur me përpjekjen dhe sfilitjen e tyre në rrugë të Tij, Ai thotë: {Allahu bleu shpirtrat dhe pasurinë e besimtarëve me Xhennet: luftojnë në rrugën e Allahut dhe vrasin ose vriten. Premtim i Tij i vërtetë në Teurat, Ungjill dhe Kur’an: e kush e përmbush më mirë premtimin se Allahu? Gëzojuni, pra, ujdisë tuaj me Të; kjo është fitorja e madhe. Ata që pendohen, që e adhurojnë dhe e lartësojnë, që agjërojnë, që bëjnë ruku‘ dhe bien në sexhde, urdhërojnë të mirën e ndalojnë të keqen dhe i ruajnë kufijtë e vendosur nga Allahu (janë në Xhennet). Përgëzoji, pra me sihariqe besimtarët} (9:111-2). {Ata që pasurinë e shpenzojnë (në bamirësi) natën dhe ditën, fshehurazi e haptazi e kanë shpërblimin te Zoti i tyre: për ta nuk ka as frikë as pikëllim} (2:274).

(Muhadīthët, mufesīrët, dhe autorët që kanë shkruar për shkaqet e shpalljes së Kur’anit Fisnik kanë cituar të gjithë Ibn ‘Abbāsin duke shpjeguar ajetin: {Ata që e shpenzojnë pasurinë për bamirësi natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi}, me fjalët: “Ky varg u shpall për nder të ‘Alī ibn Ebī Tālibit, i cili njëherë kishte katër dirhemë; njërin e shpenzoi në rrugën e Allahut natën, njërin gjatë ditës, njërin në fshehtësi dhe të fundit në publik; prandaj ky ajet u shpall për të vlerësuar atë që ai bëri.” Imam el-Wāhidī po ashtu, e ka cituar këtë hadīth të Ibn ‘Abbāsit në librin e tij Asbāb un-Nuzūl. Ai citon gjithashtu Muxhāhidin që e përcjell atë, dhe ai e transmeton më hollësisht nga el-Kalbī.)

 

       Ata padyshim flasin veçse të vërtetën. Vetë Hakku, i lartësuar qoftë Emri i Tij, ka dëshmuar për këtë: {Ai që solli të vërtetën dhe ai që e dëshmoi atë, janë pa dyshim të ruajturit} (39:33).

(Ai që solli të vërtetën është i Dërguari i Allahut (s) dhe ai që besoi në të është Emīr ul-Mu’minīni, sipas hadīthit të Imam Bākirit, Sādikut, Kādhimit, Ridāit, paqe pastë mbi ta, si dhe Ibn ‘Abbāsit, Ibn el-Hanefijjes, ‘Abdullāh ibn el-Hasanit, Shehid Zejd ibn ‘Alī ibn Huseinit dhe ‘Alī ibn Xha‘fer es-Sādikut. Prijësi i Besimtarëve e kishte zakon ta përdorte këtë ajet si dëshmi. Ibn el-Meghāzīlīu citon Muxhāhidin në el-Menākib [f. 369, hadīthi 317] duke thënë: “Ai që solli të vërtetën është Muhammedi (s), dhe ai që i besoi atij është ‘Alīu.” Të dy hafizët, d.m.th Ibn Mardawejhi [në el-Menākib] dhe Ebū Na‘īmi [në el-Hiljet ul-Ewlijā’] e kanë cituar këtë, e po kështu edhe të tjerë. )

 

Ata janë të afërmit besnikë të Profetit të Allahut (s), farefisi i tij, që Allahu e zgjodhi për kujdesjen dhe vëmendjen e Tij të mrekullueshme, duke thënë: {Dhe tërhiqja vërejtjen farefisit më të afërt} (26:214). Ata janë të afërmit e tij dhe {të afërmit kanë përparësinë sipas Librit të Allahut} (8:75, 33:6). Ditën e Kijametit, ata do të ngrihen në rangun e tij dhe do t’i bashkangjiten në kopshtet e përjetshme të lumturisë, siç dëshmohet nga fjala e Allahut:

 

Ata që besuan dhe familjet e të cilëve i pasuan në besim, atyre Ne do t’ua shoqërojmë familjet dhe s’do u pakësojmë asgjë nga veprat e tyre. Secili është peng i asaj që ka punuar. (52:21)

(Në zbërthimin e Sures et-Tūr, në f. 468, vëll II, i Mustedrek-ut të tij të saktë, Hākimi citon Ibn ‘Abbāsin duke shpjeguar ajetin: {Atyre që besuan e që edhe pasardhësit e tyre i pasuan në besim, Ne do ua shoqërojmë familjet dhe s’do t’ua pakësojmë asgjë nga veprat e tyre. Secili është peng i asaj që ka punuar} me fjalët: “Allahu do e lartësojë pozitën e pasardhësve të besimtarit ashtu që ata të mund t’i bashkangjiten atij në Xhennet, edhe pse mund të jenë në një shkallë më të ulët”, pastaj ai e recitoi ajetin përsëri dhe tha: “Allahu thotë se Ai nuk do ia zvogëlojë aspak shpërblimet atyre.” )

 

Ata kanë pjesën e merituar, siç tregon Kur’ani: {E jepja të afërmit në fis pjesën që i takon} (17:26); dhe një të pestën (khums), askujt nuk do i hiqet përgjegjësia gjersa ta japë atë: {Dijeni se: një e pesta e asaj që fituat nga ndonjë send, i takon Allahut, të Dërguarit dhe të afërmve të tij} (8:41). Mbi ta janë derdhur mirësitë e Allahut, siç tregon ajeti: {Atë që prej tyre Allahu ia dhuroi të Dërguarit të Tij e për këtë ju s’i ngatë kuajt e as devetë, po Allahu i bën mbizotërues të dërguarit e Tij mbi kë të dëshirojë e Allahu ka fuqi mbi çdogjë} (59:6).

 

       Ata janë Ehl ul-Bejti, të cilëve Allahu i drejtua me: {Allahu ka për qëllim të largojë gjithë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, o’ Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të përkryer} (33:33). Ata janë familja e Jasīnit, të cilët Allahu i përshëndet në Kur’anin Famëlartë me fjalët: {Paqja qoftë mbi familjen e Jasīnit} (37:130).

(Ky është ajeti i tretë i të përfshirëve nga Ibn Haxheri në Kreun XI të el-Sawā‘ik ul-Muhrike, f. 88. Autori vazhdon e thotë se një grup mufesīrësh kanë cituar Ibn ‘Abbāsin duke thënë: “Kuptimi i këtij ajeti është: Paqja qoftë mbi familjen e Muhammedit (s).” Ibn Haxheri thotë se edhe el-Kalbi i ka dhënë të njëjtin kuptim atij, pastaj shton: “Fakhr el-Rāzī ka pohuar se Ehl ul-Bejti janë të barabartë me Profetin (s) në pesë virtyte: i) Në selam. Allahu e ka përshëndetur atë me fjalët: {Paqja qoftë me ty, O i Dërguar}, {Paqja qoftë mbi familjen e Jāsīnit} (37:130); ii) në dërgimin e salavāteve mbi atë dhe ata në teshehhud (Allāhume sali’..); iii) në pastërti (tāhire), kur Fuqiploti thotë: {Tāha} (20:1), d.m.th. {O i pastër} e {t’ju pastrojë juve me një pastrim të skajshëm} (33:33); iv) në ndalimin sadakasë për ta; v) si dhe në dashurinë për ta, kur thotë: {Ndiqmëni mua që t’ju dojë Allahu} (3:31), e po ashtu: {Thuaj: Nuk kërkoj nga ju asnjë shpërblim përveç dashurisë ndaj të afërmve} (42:23).” )

 

Ata janë familja e Muhammedit, salavāti e selāmi mbi të cilët është urdhëruar nga Allahu, i Cili thotë: {Vërtet, Allahu dhe engjëjt e Tij derdhin bekime mbi Profetin: O ju që besuat! Lutni bekime mbi të dhe përshëndeteni me një përshëndetje të denjë} (33:56).

(Bukhārīu ka cituar në Kitāb tefsīr, vëll. III i Sahīh-ut të tij, në një kaptinë që merret me ajetin {Allahu dhe engjëjt e Tij derdhin bekime mbi Profetin}, në zbërthimin e Sures Ahzāb. Kjo citohet edhe nga Muslimi në një kaptinë mbi dërgimin e salavāteve mbi Profetin, në Kitāb us-salāt, vëll. I i Sahīh-ut të tij, dhe citohet prej të gjithë muhadīthëve nga Ka’b ibn ‘Axhrah.)

 

       Disa e pyetën Profetin, paqja qoftë mbi të e familjen e tij, “O i Dërguari i Allahut! Ne e dimë si të të përshëndesim, po si të lusim bekime mbi ty?” Ai, paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij, u përgjigj: “Thoni: ‘Allahumme sali ‘alā Muhammed we āl-i Muhammed...’”, sipas hadīthit. Atëherë u kuptua që përshëndetja e tyre ishte pjesë e faljeve që urdhërohej nga ky ajet. Ja përse gjithë ata dijetarë e përfshinë atë mes shumë të tjerëve të shpallur në lavdërim të tyre. Ibn Haxheri e radhiti në Pj. XI të es-Sawā‘ik ul-Muhrike me ajetet e shpallura në lavdërim të tyre, (Referojuni të dytit nga këto ajete në faqe 87. ) paqja qoftë mbi ta. {Përfundim dhe shpërblim i mirë për ta: xhennetet e Adnit me portat e hapura kapak për t’i mirëpritur} (38:49-50).

(Tha‘lebīu, duke diskutuar kuptimin e tij në Tefsīr ul-Kebīr, citon hadīthe ku i Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të e familjen e tij, thotë: “Tūba është një pemë në Xhennet rrënjët e së cilës janë shtëpia ime dhe degët e së cilës u bëjnë hije banuesve të Parajsës.” Disa e pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Ne të kemi pyetur më parë dhe ti the që rrënja e saj është në shtëpinë e ‘Alīut dhe se dega e saj është mbi banorët e Xhennetit”, me çka ai, paqja qoftë mbi të e pasardhësit e tij, tha: “A s’është shtëpia ime e njëjtë me atë të ‘Alīut?” )

 

                           E kush mundet që me ta të konkurojë?

 Në diellin përvëlues përgjigjen ta kuptojë -

                           Përcëllues e detyrues për çdo njeri

                           që të matet me ta mund të guxojë.

 

Allahu i ka zgjedhur ata për mirësitë e Tij, e ata janë më të parët në kryerjen e veprave të mira; ata janë që e trashëgojnë Librin e Allahut; për ta ka thënë Ai në të se: {Mes njerëzve ka që i bëjnë padrejtësi vetes, dhe ka prej tyre që kërkojnë udhërrëfimin e drejtë, e ai që me Vullnetin e Allahut është i pari në punë të mira: ky pra është ajo mirësia e madhe e Allahut} (35:32).

(Thiketul-Islām el-Kulejnī ka cituar në një hadīth të saktë Sālimin, duke thënë se ai e pyeti një herë Ebū Xha‘ferin (Imam Bākirin) rreth kuptimit të vargut: {Ne pastaj u lejojmë atyre që kemi zgjedhur në mesin e robërve Tanë ta trashëgojnë Librin}. Imami, paqe pastë mbi të, e shpjegoi atë kështu: “Ai që nxiton për të kryer vepra të mira është Imami; i maturi është ai që ia njeh vlerën Imamit; kurse ai që i bën padrejtësi vetes është i pandërgjegjshmi mbi rëndësinë e Imamit.” Diçka e ngjashme me këtë citohet nga Imamët Ebū ‘Abdullāh es-Sādik, Ebū’l-Hasan el-Kādhim dhe Ebū’l-Hasan er-Ridā, paqe pastë mbi ta, të cilët citohen nga Shejh es-Sadūku e shumë muhadīthë tanë të tjerë. Ibn Mardawejhi citon Imam ‘Alīun duke e shpjeguar ajetin kështu: “Të nënkuptuarit në këtë varg jemi ne”, dhe hollësirat e tij ndodhen në librin tonë Tenzīl ul-Ajāt, si dhe Gājet ul-Merām të el-Bahranīut. )

 

       Këto ajete që tregojnë virtytet dhe meritat e Imamëve duhet të mjaftojnë. Ibn ‘Abbāsi ka thënë: “Vetëm në lavdërim të ‘Alīut janë shpallur treqind ajete.”

(Këtë e citon Ibn ‘Asākiri prej Ibn ‘Abbāsit, siç pohon dhe Pjesa e tretë, Kreu IX, f. 76 e librit es-Sawā‘ik ul-Muhrike të Ibn Haxherit.)

 

Të tjerë thonë se një e katërta e Kur’anit është shpallur në lavdërim të tyre. Kjo nuk është për t’u çuditur, kur marrim parasysh faktin se ata dhe Kur’ani janë binjakë që nuk ndahen nga njëri tjetri.

       Kënaquni, hëpërhë, me çka pohuam këtu prej vargjeve të përsosura të Kur’anit. Merrini shtruar e mirë, duke arritur rrezet e mëngjesit, qetë dhe bukur, në falje dhe prehje, nga një që njihet mirë me to, sepse askush nuk mund t’ju tregojë më mirë se ai që është dhuntisur me përvojë; dhe paqe pastë me ju. 

 

Sinqerisht, 

Sh