LETRA  9

Dhu’l-Ki’de 1329

 

 

Kërkesa për të Tjera Tekste Relevante

 

Mos e përkulni penën dhe mos u shqetësoni se më mërzisni. Po ju dëgjoj plot ëndje dhe me kraharorin hapur; në të mësuarit nga ju zemrën e kam në rehati dhe shpirtin në paqe e qetësi. Të gjitha provat dhe argumentet që parashtruat më kanë bërë edhe më tepër entuziast, duke ma hequr kështu pengesën e mërzisë. Dërgomëni, pra më nga të folurit tuaj magjepsës dhe shpalosjet e gjeniut tuaj të urtë. Në fjalën tuaj gjej kërkimin e të mençurit e kësisoj ajo është më ngopëse për zemrën time sesa uji i freskët i kthjellët si kristal; ndaj jepmëni prapë, Allahu jua bekoftë babain e paqja qoftë me ju.  

 

Sinqerisht,

S

 


LETRA 10

Dhu’l-Ki’de 1329

 

 

Një Grimcë Tekstesh të Mjaftueshme

 

Nëse ju jeni gëzuar duke marrë letrën time e nëse i jeni qasur asaj me kënaqësi, atëherë unë shpesh e kam vendosur mbi ju shpresën për fitore dhe e kam përfunduar me sukses përpjekjen time. Kush synon mirë, duke përvetësuar qëndrim të vyer në të qenit i përulur, i përzemërt, i nderuar, i stolisur me dije dhe i edukuar me durim, vërtet meriton të jetë i besuar në atë që thotë e shkruan, ndërkohë që paanshmëria e ndershmëria janë në dorën dhe gjuhën e tij. 

       Juve jua detyroj falënderimet kur kërkuat për më, sepse kush tjetër mund të jetë më i hijshëm, më i dashur e më i përulur? Për t’jua kënaqur kërkesën dhe freskuar sytë, do të dëshiroja të pohoj:

       Si Mu‘xhem ul-Kebīr-i i Taberānīut, ashtu dhe Musned-i i Rāfi‘īut, transmetojnë nga Ibn ‘Abbāsi se: “Resulullahi (s) tha: ‘Kushdo që është i kënaqur të jetojë si unë, të vdesë si unë e të banojë në Kopshtin e Parajsës që ka kultivuar Zoti im, le të marrë ‘Alīun si udhëheqës (walī) pas meje dhe t’i bindet kujtdo që ai i vë në krye; e le të ndjekë shembullin e Ehl ul-Bejtit tim pas meje, sepse ata janë pasardhësit e mi: janë krijuar nga balta ime dhe janë bekuar me të kuptuarit e dijen time. Mjerë ata që i refuzojnë dhe më ndajnë prej tyre! Allahu mos ua dhashtë ndërmjetësimin tim’!”

(Ky është hadīthi 3819 në Kenz ul-‘Ummāl, f. 217, vëll. VI. Ai citohet edhe në Muntekheb ul-Kenz; ndaj referojuni tekstit të këtij të fundit në fillim të shënimit të f. 94, vëll. V i Musned-it të Ahmedit, ndonëse autori shkruan: “u pajisën me të kuptuarit tim”, pa e përmendur dijen. Kopjuesi mund të ketë gabuar. Kjo përmendet nga Hāfiz Ebū Na‘īmi në veprën e tij Hiljet ul-Eulijā’ [vëll. I, f. 84], e cituar edhe nga Ibn Ebī’l-Hadīd el-Mu‘tezilī në f. 450, vëll II i veprës së tij të Sherh Nehxhul Belāgha, botimi i Egjiptit. Ai citon diçka të ngjashme në faqe 449 nga Ebū ‘Abdullāh Ahmed ibn Hanbeli, si në Musned ashtu edhe në librin e tij me titull Menākib ‘Alī ibn Ebī Tālib)

 

       El-Matīri, el-Bārudi, Ibn Xherīri, Ibn Shahīni dhe Ibn Munde kanë përcjellë të gjithë nga Is‘hāku, i cili citon Zijād ibn Metrefin duke thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) të thotë: ‘Kushdo që dëshiron të jetojë jetën time, të vdesi vdekjen time e të hyjë në Xhennetin që Zoti im më premtoi: Kopshtin e Përjetësisë, le të marrë ‘Alīun dhe pasardhësit e vet pas tij si udhëheqësa, sepse ata nuk do ju nxjerrin kurrë nga udhërëfimi dhe as do ju lënë të rrëshqisni’.”

(Ky është hadīthi 2578 në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, f. 155. Citohet edhe në Muntekheb ul-Kenz; prandaj, referojuni këtij të fundit dhe lexoni rreshtin mbyllës të fusnotës së f. 32, vëll. V, në Musned-in e Ahmedit. Ai gjithashtu citohet i përmbledhur nga Ibn Haxher ‘Askalānī, në biografinë e Zijād ibn Metrefit në Pj. I të el-Isābeh, ku ai shton: “Ky hadīth citohet nga Jahjā ibn Ja‘lī el-Muhārbī, një muhadīth i dobët.” Kjo është vërtet e çuditshme nga ana e dikujt si ‘Askalānīu, sepse Jahjā ibn Ja‘līu, sipas konsensusit të dijetarëve të hadīthit, është krejt i besuar (thikah). Në Sahīh-un e tij, Bukhārīu ia citon hadīthet mbi marrëveshjen e Hudejbijes, siç bën Muslimi në Sahīh (Kitāb ul-huhud). Ai i mësoi hadīth Muslim Gajlān ibn Xhāmi’ut. Për më tepër, Dhehebīu në el-Mizān e merr ndershmërinë e këtij burri për fakt të mirëqenë, aq sa Imam el-Kejserānī dhe shumë autoritete të tjerë e konsiderojnë ndër ata që mbahen të besuar nga të dy Shejhët, si dhe të tjerë.)

 

       Po kështu, Zejd ibn Arkami citohet në një hadīth duke thënë: “I Dërguari i Allahut (s) ka thënë: ‘Kushdo që dëshiron të jetojë si unë, të vdesë si unë dhe të banojë Kopshtin e Përjetshëm që më është premtuar nga Zoti im, le të marri ‘Alīun si udhëheqës, sepse ai nuk do ju nxjerrë kurrë nga udhërrëfimi e as do ju lërë të rrëshqisni’.”

(Kjo citohet nga Hākimi në fund të f. 128, vëll. III, i Sahīh ul-Mustedrek. Ai shton: “Ky është një hadīth i saktë me isnad, por dy Shejhët nuk e cituan.” Ai përcillet nga Taberānīu në Xhāmi’ ul-Kebīr, dhe nga Ebū Na‘īmi në Fada’il es-Sahābe. Është hadīthi 2577 në Kenz ul-‘Ummāl, f. 155, vëll. VI. Autori po ashtu e citon atë në Muntekheb ul-Kenz; prandaj, referojuni fusnotës në f. 32, vëll. V, i Musned-it. 

 

       Gjithashtu, merrni parasysh këtë hadīth të transmetuar nga ‘Ammār ibn Jāsiri: “I Dërguari i Allahut, bekime pastë mbi të dhe familjen e tij, ka thënë: ‘E paralajmëroj këdo që ka besuar në mua e më ka mbajtur për të drejtë, të pranojë autoritetin e ‘Alī ibn Ebī Tālibit, sepse cilido që e pranon atë si sundimtar, më pranon mua si të tillë; dhe kushdo që e do atë më do dhe mua, e kushdo që më do mua do Allahun. Cilido që e urren atë, më urren mua, e kushdo që më urren mua urren Allahun, të Lartësuarin e të Madhëruarin.”

(E citon Taberānīu në Xhāmi’ ul-Kebīr dhe Ibn ‘Asākiri në Tarīkh. Ai është hadīthi 2571 në Kenz ul-‘Ummāl, në fund të f. 154, vëll. VI. )

 

‘Ammāri citon të tjerë që përcjellin këtë hadīth: “O Zot! Kushdo që besoi në mua dhe më mbajti për të drejtë, le të marri ‘Alīun si udhëheqës të tij, sepse qeverisja e tij është edhe imja, kurse e imja është ajo e Allahut, Fuqiplotit.”

(E citon Taberānīu në Xhāmi’ ul-Kebīr siç transmetohet nga Muhammed ibn Ebū ‘Ubejde ibn Muhammed ibn ‘Ammār ibn Jāsir, i cili citon të atin, që e përcjell nga gjyshi i tij, ‘Ammāri. Është hadīthi 2576 nga të përfshirët në Kenz ul-‘Ummāl, f. 155, vëll. VI. Ai gjithashtu citohet në Muntekheb ul-Kenz.)

 

       Ai, paqja qoftë mbi të dhe pasardhjen e tij, mbajti një herë një fjalim në të cilin tha: “O njerëz! Përparësitë, nderet, prestigji dhe qeverisja janë për të Dërguarin e Allahut (s) dhe pasardhësit e tij, ndaj të mos ju shmangë e gënjeshtërta.”

(Citohet nga Ebū’l-Shejhu në një hadīth të gjatë, që e përcjell Ibn Haxheri në fund të meksed-it 4 të veprës së tij Mekāsid kur shpjegon, në f. 105 të el-Sawā‘ik ul-Muhrike, ajetin që urdhëron mirësi ndaj të afërmve të Profetit (s) pasi e ka shqyrtuar në hollësi, dhe në meksed-in suprem të librit të tij Gājet ul-Merām. Mos e kapërceni pohimin e tij: ‘Mos i shoqëroni shkelësit.’)

 

Ai, paqe pastë mbi të dhe familjen e tij, tha: “Në çdo brez të ummetit tim ka anëtarë të Ehl ul-Bejtit të cilëve vetëm unë u jam i barabartë dhe të cilët e ruajnë këtë fe nga shtrembërimi i ekstremistëve dhe interpretimi i injorantëve. Dijeni se Imamët tuaj janë mëkëmbësit tuaj te Allahu, prandaj kujdes se kë i dërgoni Atij si mëkëmbësa.”

(Kjo citohet nga el-Mellai në Sīre, si dhe Ibn Haxheri në shpjegimin e ajetit {Ndalini, se do të merren në përgjegjësi} (37:24) në f. 90 të el-Sawā’ik ul-Muhrike. [E transmeton dhe el-Kundūzī el-Hanefī në Jenābi ul-Muwedde, ff. 226, 236, 327 dhe Muhibb et-Taberīu në Dhekhā’ir ul-Ukbe, f. 17 nga ‘Umeri, ku shtohet fraza ‘pretendimet e gënjeshtarëve’.)

 

Ai, paqja qoftë mbi të dhe pasardhësit e tij, ka thënë gjithashtu: “Mos ecni përpara tyre, përndryshe do mbaroni, e as mos u mbetni prapa sepse do të merrni fund. Mos i mësoni ata, sepse janë më të ditur se ju.”

(E transmeton Taberānīu tek hadīthi i Dy Gjërave me Peshë, dhe e citon Ibn Haxheri te shpjegimi i ajetit: {Ndalini, se do të merren në përgjegjësi}, që është i katërti nga të shtjelluarit në Kreun XI të es-Sawā‘ik ul-Muhrike, f. 89. [E transmeton edhe Sujūtīu në Durr ul-Menthūr, vëll. II, f. 60; el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. I, f. 168; Ibn ul-‘Athīri në ‘Usd ul-Ghābeh, vëll. III, f. 137.])

 

Ai, bekime pastë mbi të e familjen e tij, ka thënë: “Konsiderojeni Ehl ul-Bejtin tim mes jush ashtu siç konsideroni kokën për trupin dhe sytë për kokën, sepse koka udhëhiqet nga sytë.”

(E citojnë shumë autorë të librave të hadīthit nga Ebū Dheri, dhe e transmeton Imam es-Sabbāni kur numëron epërsitë e Ehl ul-Bejtit në veprën e tij Is‘āf ur-Rāghibīn, Shejh Jūsuf el-Nabhānī në f. 31 të Sheref ul-Mu‘ebbed. Ai citohet nga shumë transmetues të besuar dhe përbën një nass që obligon prijësinë e tyre dhe nënkupton se udhërrëfimi mund të arrihet vetëm përmes tyre.)

 

Ai, bekime pastë mbi të e familjen e tij, tha: “Kapuni pas dashurisë ndaj nesh, Ehl ul-Bejtit, sepse ai që del para Allahut duke na dashur neve, do të hyjë në Xhennet me ndërmjetësinë tonë. Betohem në Atë në duart e të Cilit ndodhet shpirti im se veprat e mira të besimtarit nuk do i vlejnë kurrë, veçse duke na i njohur të drejtat neve.”

(E citon Taberānīu në el-Ewset. Transmetohet nga Sujūtīu në Ihjā’ ul-Mejjit [f. 114]; nga el-Nabhānīu në el-Arba’īn ul-Arba’īn; nga Ibn Haxheri në kreun e Sawā‘ik ul-Muhrike që diskuton të urdhëruarit e dashurisë ndaj tyre, krahas shumë autoriteteve të tjera të shquara; vëreni pra, pohimin e tij: “Askujt nuk do i vlejnë veprat e mira, veç nëse bëjnë kujdes ndaj të drejtave tona”; tregomëni, atëherë, se cilat janë këto të drejta, që Allahu i konsideroi si parakushte të pranimit të veprave të mira. A nuk është bindja ndaj tyre dhe arritja e kënaqësisë së Allahut Fuqiplotë përmes pasimit të Rrugës së tyre të Drejtë? Ç’urdhëresë tjetër, nëse jo profetësia e khilāfeti kanë rëndësi kaq të madhe? Por ne thjesht jemi molepsur me njerëz që nuk thellohen, ndaj {Të Allahut jemi dhe Atij i kthehemi}.

 

Ai, bekime pastë mbi të e pasardhësit e tij, po ashtu ka thënë: “Këmbët e cilitdo robi të Allahut nuk do lëvizin në Ditën e Gjykimit, gjersa të pyetet për katër gjëra: si e harxhoi jetën, pse e lodhi trupin, si e fitoi dhe e shpenzoi pasurinë dhe dashurinë ndaj nesh, Ehl ul-Bejtit.”

(Kjo për faktin se Allahu u ka dhuruar atyre status të veçantë që obligon bindjen ndaj tyre; kësisoj, dashuria për ta shpërblehet. Ky hadīth citohet nga Taberānīu prej Ibn ‘Abbāsit marfū‘ dhe transmetohet nga Sujūtīu në Ihjā ul-Mejjit e Nabhānīu në Arba‘īn, krahas shumë autoriteteve të tjera të shquara. [p.sh. Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VII, f. 212; Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. X, f. 346]  )

 

       Ai, paqe pastë mbi të e familjen e tij, ka thënë: “Nëse një njeri qëndron në lutje mes Ruknit e Mekāmit duke i urryer pasardhësit e Muhammedit, ai do të hyjë në Zjarr.”

(Kjo citohet nga Taberānīu e Hākimi dhe gjendet po ashtu në el-Arba‘īn të Nabhānīut, Ihjā’ ul-Mejjit të Sujūtīut e shumë libra të tjerë. Ky hadīth është i afërt me atë që tashmë e keni dëgjuar: “Pasha Atë, në duart e të Cilit është jeta ime, askujt nuk do i vlejnë veprat e mira pa na e njohur hakun ne.” Nëse të urresh ata nuk është si të urresh Allahun dhe të Dërguarin e Tij, veprat e mira të atyre që i urrejnë ata nuk do të shkonin kot edhe po ta kalonin jetën midis Ruknit e Mekāmit duke u falur e lutur. Të mos ishte për faktin se përfaqësojnë të Dërguarin (s), ata s’do gëzonin një pozitë të tillë. Hākimi, Ibn Hibbāni në Sahīh, Nabhānīu në el-Arba‘īn dhe Sujūtīu në Ihjā’ ul-Mejjit citojnë nga Ebū Sa‘īdi se i Dërguari i Allahut (s) ka thënë: “Pasha Atë që ka në dorë shpirtin tim, s’ka njeri që të na urrejë neve, Ehl-i Bejtin, e të mos përfundojë në Zjarr.” Taberānīu, Nabhānīu në el-Arba‘īn dhe Sujūtīu në Ihjā’ ul-Mejjit transmetojnë se Imam Hasani, nipi i Pejgamberit (s) i tha njëherë Mu‘āvije ibn Khadīxhit: “Ruaju nga urrejtja ndaj nesh, Ehl ul-Bejtit, sepse i Dërguari i Zotit (s) ka thënë: ‘Kushdo që na urren ose smiron do të shtyhet nga Haudi me kamxhikë zjarri’.” I Dërguari i Allahut (s), mbajti njëherë një fjalim, ku tha: “O njerëz! Kushdo që na urren neve, Ehl-i Bejtin, do ringjallet në Ditën e Gjykimit si çifut.” Këtë e citon Taberānīu në el-Ewset siç pohon Sujūtīu në Ihjā’ ul-Mejjit, Nabhānīu në Arba’īn ul-Arba’īn etj.)

 

Ai, bekime pastë mbi të e familjen e tij, ka thënë gjithashtu: “Kushdo që vdes për dashurinë e tij ndaj familjes së Muhammedit vdes shehīd. Kushdo që vdes për dashurinë ndaj familjes së Muhammedit vdes mu’min. Kujtdo që vdes për dashurinë e fëmijëve të Muhammedit do t’i jepet sihariqi i hyrjes në Xhennet nga engjëlli i vdekjes, pastaj nga Munkiri e Nekīri. Kushdo që vdes për shkak të dashurisë ndaj pasardhësve të Muhammedit do të merret në Xhennet siç merret një nuse në shtëpinë e dhëndrit. Kush vdes duke e dashur familjen e Muhammedit do të ketë dy dyer në varr me fytyrë nga Xhenneti. Allahu do e bëjë varrin e cilitdo që vdes për dashurinë e fëmijëve të Muhammedit vend vizite për melekët e mëshirës. Kush vdes për dashurinë e pasardhësve të Muhammedit vdes i kapur pas Sunnetit e ixhmā-së. Cilido që vdes duke i urryer pasardhësit e Muhammedit do të vijë Ditën e Gjykimit me fjalët: ‘të mos presë mëshirë nga Allahu’ të vulosura mes syve”, gjer në fund të fjalimit të tij të pashok, (Kjo citohet nga Imam Tha‘lebīu në shpjegimin e tij të ajetit që urdhëron dashurinë e Ehl ul-Bejtit në Tefsīr ul-Kebīr, nga Xherīr ibn ‘Abdullāh el-Bexhlī prej të Dërguarit të Allahut (s). Zemakhsherīu e merr vërtetësinë e tij për të mirëqenë në zbërthimin e tij të të njëjtit në el-Keshshāf; ndaj, referojuni atij.) me të cilin ai deshi të shuante animet dhe tekat.

 

       Përfundimi është se të gjitha këto hadīth-e janë pranuar njëzëri, veçanërisht të përcjellat me autoritetin e ‘Itre-s së pastruar. Statusi i tyre nuk do ishte vërtetuar sikur ata të mos ishin Provat e sigurta të Allahut dhe burimi i Sherī‘a-tit të Tij, ata që e përfaqësojnë të Dërguarin e Allahut në të urdhëruarit a ndaluarit, zëvendësit e tij më të prerë. Secili që i do ata, pra do gjithashtu Allahun dhe të Dërguarin e Tij; kushdo që i urren ata është armiku i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij. Ai, bekime pastë mbi të dhe familjen e tij, ka thënë: “Neve (Ehl ul-Bejtin) s’na do veçse besimtari i sinqertë e nuk na urren veçse hipokriti i lig.”

(El-Mellai e ka shënuar atë në meksed-in e dytë të ajetit 14, Kreu XI i es-Sawā‘ik ul-Muhrike. [Muhibb et-Taberīu e sjell nga Xhābir ibn ‘Abdullāhi në Dhekhā’ir ul-‘Ukbe, f. 18.]   )

 

Këto janë arsyet që poeti el-Ferezdek thuri këto vargje në lavdi të tyre:

 

Ju jeni ata dashuria ndaj të cilëve është besim,

   dhe urrejtja poshtërim;

Vërtet të kapurit pas jush është ngadhënjim

    dhe afria shpëtim.

Nëse numërohen të devotshmit, Imamët e tyre

          jeni ju;

                 E nëse pyetet “Më të mirët ndër njerëz kush janë?’

 Përgjigja është se jeni ju!

 

Prijësi i Besimtarëve, paqe pastë mbi të, thoshte:

 

Unë dhe të zgjedhurit nga pasardhësit e mi jemi më të sjellshmit në rini e më të diturit në pleqëri. Nëpërmjet nesh Allahu fshin gënjeshtrat dhe përmes nesh ia mpin dhëmbët dhelprës së egër. Me ne Allahu shëron shterpësinë, e përmes nesh ju emancipon juve. Me ne Allahu fillon dhe mbaron [çdo gjë].

(Kjo citohet nga ‘Abdul-Ganī ibn Sa‘di në veprën e tij Idāh ul-Ishkāl. Është hadīthi 6050 në Kenz ul-‘Ummāl, në fund të faqes 396, vëll. VI. )

 

Mjafton për t’i preferuar ata përmbi të tjerët fakti se Allahu, s.w.t, i ka preferuar ata mbi të gjithë, duke e bërë dërgimin e salavāteve për ta pjesë të faljeve të detyrueshme, qoftë ai që falet një Siddīk apo Farūk, me një, dy, apo shumë drita. Jo, pra! Kushdo që e adhuron Allahun duke kryer detyrat ndaj Tij gjithashtu e adhuron Atë duke i dërguar bekime atyre, mu ashtu siç e adhuron Atë kur dëshmon dy pjesët e shehādetit. Ky pra, është vërtet një status karshi të cilit kokat e ummetit janë ulur, dhe përballë të cilit sytë e kujtdo që ju përmendët nga imamët, janë nënshtruar. Imam el-Shāfi‘īu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë:

(Këto dy kuplete të el-Shafi‘īut janë shumë të famshme dhe gjerësisht të njohura. Shumë autoritete të besuara e kanë cilësuar këtë një fakt të sigurt, duke treguar se ai është personi që i thuri ato. Mes tyre është Ibn Haxheri që i citon kur shpjegon ajetin {Allahu dhe engjëjt lusin bekime mbi Profetin} (33:56), në faqe 88 të el-Sawā‘ik ul-Muhrike; Nabhānīu në faqe 99 të el-Sheref ul-Mu’ebbed, Imam Ebū Bekr ibn Shihab ed-Dīni në Rushfetul Sādi [f. 80] e shumë të tjerë [el-Shiblenxhī el-Shāfi‘ī në Nūrul-Absār, f. 104; Hāfiz Xhemāl ud-Dīn Zerendīu në Mi‘rāxh ur-Resūl, Shejh ‘Abdullāh Shabrawīu në Kitāb ul-Ittihāf bi Hubb’il-Ashrāf, f. 29; Ibn Sabbāni në Is‘āf ur-Rāghibīn, f. 119... Imam Shāfi‘īu aludon për faktin se namazi i një besimtari nuk pranohet pa dërguar selāme e salavāte mbi Profetin dhe familjen e tij. Dār Kutnīu përcjell në Sunen, f. 136, nga Ebū Mes‘ūd el-Ensārī: “I Dërguari i Zotit (s) ka thënë: ‘Kushdo që fal namaz dhe nuk dërgon salavāt mbi mua dhe Ehl ul-Bejtin tim, namazi i tij nuk do të pranohet’!” Të shihen shënimet 6, 49, 50 tek Letra 12.

       Disa prej atyre që e kanë theksuar se dërgimi i përshëndetjeve dhe bekimeve mbi Profetin (s) dhe familjen e tij është një nga shtyllat e namazit, janë: Rāzīu në Tefsīr, vëll. VII, f. 391; Hākimi në Mustedrek, vëll. I, f. 269; M. Taberīu në Dhekhā’ir ul-‘Ukbe, f. 19; el-Nabhānī në Enwār ul-Muhammedijje, f. 422; Dehlanī në Sīre Nebewijje (në margj. e Sīre Halebījje), vëll. III, f. 332 etj.])

 

O Ehl ul-Bejt i të Dërguarit! Dashuria ndaj jush është obligim

Që Allahu e urdhëroi në Kur’anin e Tij të Lartësuar;

Mjafton për ju nderimi që nëse dikush s’ju dërgon bekim

Atëherë për të është sikur namaz të mos ketë kënduar 

 

Le të mjaftohemi tani me kaq nga Sunne-ti i shenjtë në dëshmi të faktit se të ndjekurit e shembullit të tyre është i detyrueshëm, e po kështu është edhe imitimi i tyre. Në Librin e Allahut Fuqiplotë, të Madhëruarit e të Lartësuarit, ka po ashtu vargje të qarta që e bëjnë këtë të detyrueshme. Është ndaj këtyre ajeteve që do të dëshironim të tërhiqnim vetëdijen tuaj të ndërgjegjshme dhe arsyen tuaj të ndjeshme. Ju mund të kënaqeni me një aludim tregues, dhe një sinjal mjafton për t’jua tërhequr vëmendjen; lavdi Zotit të botëve.  

 

Sinqerisht,

Sh