LETRA 7

13 Dhu’l-Ki’de 1329 H.

 

 

1. Kërkesë për Prova nga Fjala e Allahut dhe e Dërguarit të Tij (s),

2. Provat nga Ehl ul-Bejti janë Dredhi.

 

 

1) Sillni prova nga fjala e Allahut dhe ajo e të Dërguarit të Tij (s), që dëshmojnë të përmbajturit e detyrueshëm ndaj Imamëve të Ehl ul-Bejtit ekskluzivisht dhe lijini mënjanë fjalët e kujtdo tjetri rreth kësaj, përveç atyre të Allahut dhe të Dërguarit të Tij (s).

 

2) Pohimet e Imamëve tuaj nuk mund të shërbejnë si argument kundër rivalëve të tyre dhe një argumentim i tillë, siç e dini, krijon një qark (të mbyllur) logjik; dhe paqja qoftë me ju.

 

Sinqerisht

S

 


LETRA 8

Dhu’l Ki’de 1329 H.

 

 

1. Mosvënia Re e Pohimeve Tona të Mësipërme,

2. Gabimi në të Konsideruarit e Rrethit Logjik,

3. Hadīthi i dy Gjërave me Peshë,

4. Tewātur-i i Tij, 

5. Ata që s’i Përmbahen ‘Itres do të Jenë të Humbur,

6. Gjasimi i Tyre me Barkën e Nuhit, Portën e Pendimit dhe Sigurinë ndaj Përçarjeve Fetare,

7. Çfarë nënkuptohet me Ehl ul-Bejt në Këtë Rast,

VIII Arsyet për Gjasimin me Barkën e Nuhit dhe Portën e Pendimit.  

 

1) Ne nuk e mospërfillëm të nxjerrit e provave tona nga traditat e Profetit, bekimet e Allahut qofshin mbi të e pasardhësit e tij. Në të vërtetë, ne iu referuam atyre në fillim të letrës sonë, e cila pohonte qartë se ndjekja e Imamëve të Ehl ul-Bejtit është e detyrueshme. Këtë e bëmë kur pohuam se ai, bekime pastë mbi të e pasardhjen e tij, i krahasoi me Librin Famëlartë, duke i veçuar si modele për të pajisurit me intelekt dhe barazuar me Barkën e shpëtimit, sigurinë e ummetit, Portën e pendimit - të gjitha sipas Kur’anit e hadītheve të qarta, të mirënjohura në librat sahīh. Ne gjithashtu thamë se ju do të mjaftoheshit me aludimet, në vend të hollësive, pa nevojën për shkoqitje të mëtejshme.

 

2) Pohimet e Imamëve tanë pra, siç e kemi shpjeguar, janë vërtet të përshtatshme për argument ndaj kundërshtarëve të tyre, dhe të përdorurit e tyre në mënyrë të atillë nuk mund të konsiderohet si qark vicioz, siç e dini vetë.

 

3) Merrni, për shembull, pohimet e Profetit, bekimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të dhe pasardhësit e tij, të cilave iu referuam dhe me anë të të cilave ai kalli tmerr në zemrën e injorantit, duke i thërritur moskokëçarësit, siç transmeton Tirmidhīu dhe Nesā‘īu që përcjellin nga Xhābiri e këta, nga ana e tyre, citohen nga el-Muttekī el-Hindī në fillim të kreut mbi ata që kapen pas Librit e Sunnetit, në veprën e tij Kenz ul-‘Ummāl, vëll. I, f. 44, duke thënë:

 

“O njerëz! Po lë me ju Librin e Allahut dhe pasardhësit e mi (‘Itre) - Ehl ul-Bejtin tim. Përderisa t’u përmbaheni atyre, kurrë nuk do të shmangeni.” 

 

Ai (s) gjithashtu ka thënë:

 

“Kam lënë me ju atë që, për sa kohë t’i përmbaheni, nuk do ju lërë kurrë të humbisni pas meje: Librin e Allahut, që është si një litar që zgjatet nga Qielli në tokë, dhe pasardhësit (‘Itre) e mi, Ehl ul-Bejtin tim. Këta të dy nuk do të ndahen kurrë nga njëri tjetri gjersa të më arrijnë buzë Haudit; ndaj, kujdes si më pasoni mua në të trajtuarit e tyre.”

(Tirmidhīu e citon këtë në Sunen [nga Zejd ibn Arkami: Kitāb ul-menākib, vëll. II, f. 308, hadīthi 3720. Për hadīthin e sipërm nga Xhābiri, Tirmidhīu pohon se edhe Ebū Dheri, Ebū Sa‘īd el-Khudrīu, Hudhejfe ibn Useidi dhe Zejd ibn Arkami kanë transmetuar atë që përputhet me këtë]. Është hadīthi 874, f. 44, vëll I, i Kenz ul-‘Ummāl-it [vëll. I, f. 173 e formatit të ri, Bejrut, bot. 5-të, 1405/1985. Hadīthi paraprirës ndodhet në f. 172 të të njëjtit]. )

 

Ai, paqja qoftë mbi të e pasardhjen e tij, ka thënë gjithashtu:

 

“Po lë mes jush dy khalīfe: Librin e Allahut - një litar që zgjatet nga qiejt në tokë (ose ‘midis qiejve dhe tokës’) dhe pasardhësit e mi (‘itre) nga familja ime (Ehl ul-Bejt); ata s’do të ndahen kurrë nga njëri tjetri gjersa të më arrijnë buzë Haudit.”

(Imam Ahmedi e përfshin me hadīthet e përcjella prej Zejd ibn Thābitit nga dy burime, njëri prej të cilëve shënohet në fillim të faqes 182 e tjetri në mbyllje të faqes 189, vëll. V; po ashtu nga Ibn Ebī Shejbe, Ebū Ja‘līu e Ibn Sa‘di, që e transmetojnë prej Ebū Sa‘īdit. Është hadīthi 945 në f. 47, vëll I, i Kenz ul-‘Ummāl [vëll. I, f. 185 i formatit të ri, Bejrut: 1405/1985, bot. 5-të].)

 

Ai, paqe pastë mbi të dhe pasardhësit e tij, gjithashtu ka thënë:

 

“Po lë mes jush Dy Gjëra me Peshë (thekalejn): Librin e Allahut dhe Ehl ul-Bejtin tim; ata nuk do ndahen kurrë nga njëri tjetri, gjersa të më arrijnë tek Haudi (i Keutherit).”

(Ky përfshihet nga Hākimi në f. 148, vëll. III i el-Mustedrek us-Sahīhejn. Autori komenton: “Ky është një hadīth transmetuesit e të cilit janë besnikë sipas të dy Shejhëve (Bukhārī e Muslim), ndonëse këta nuk e përcollën atë.” Dhehebīu e përfshin në Telkhīs ul-Mustedrek, duke ia pranuar vërtetësinë sipas kriterit të dy Shejhëve [Taberānīu e sjell në Kebīr nga Zejd ibn Thābiti].)

 

Ai, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

 

“Më duket se [shpejt] do të thirrem e do t’i përgjigjem thirrjes; po lë mes jush Dy Gjëra me Peshë (thekalejn): Librin e Allahut të Madhëruar dhe pasardhësit e mi, Ehl ul-Bejtin tim. I Lartësuari dhe i Gjithdijshmi më ka informuar se ata nuk do të ndahen kurrë nga njëri tjetri, gjersa të më takojnë buzë Haudit; prandaj, kujdes si më pasoni mua në të trajtuarit e tyre.”

(Përfshirë nga Imam Ahmedi në hadīthin e transmetuar nga Ebū Sa‘īd el-Khudrī prej dy burimeve, njëri nga të cilët përmendet në f. 17 dhe tjetri në fund të f. 26, vëll. III i Musned-it. Atë e citojnë edhe Ibn Ebī Shejbe, Ebū Ja‘līu e Ibn Sa‘di, prej Ebū Sa‘īdit. Është hadīthi 944, f. 47, vëll. I, i Kenz ul-‘Ummāl [vëll. I, f. 185 i formatit të ri, Bejrut, 1405/1985, bot. i 5-të].)

 

           Gjatë kthimit nga Haxhi i Lamtumirës, ai, paqe pastë mbi të e pasardhjen e tij, fushoi në Gadir Khumm dhe urdhëroi që trualli nën disa pemë të mëdha të pastrohej e pastaj tha në ligjëratën e tij:

 

“Me sa duket do të thirrem dhe do t’i përgjigjem thirrjes; po lë me ju Dy Gjëra me Peshë, njëra nga të cilat është më e madhe se tjetra: Libri i Allahut Fuqiplotë dhe Ehl ul-Bejti im; prandaj, kujdes se si më pasoni në të trajtuarit e tyre, sepse ata nuk do të ndahen kurrë nga njëri tjetri gjersa të më takojnë tek Haudi.”

 

Pastaj, ai (s) shtoi:

 

“Allahu, i Madhëruari e i Lartësuari, është Kujdestari im e unë jam kujdestari i çdo besimtari.” Pasi tha këtë, ai mori dorën e ‘Alīut dhe tha: “Kujtdo që i kam qenë kujdestar, ky ‘Alī i është kujdestar. O Allah! Bëhu mik i atij që miqëson ‘Alīun dhe bëhu armik i cilitdo që i kundërvihet atij... !”

(E citon me gjithë sened Hākimi nga Zejd ibn Arkami në f. 109, vëll. III, i el-Mustedrek. Autori shton: Ky hadīth është sahīh sipas dy Shejhëve, të cilët nuk e transmetuan në tërësinë e tij.” Ai e citon atë nga një tjetër burim prej Zejd ibn Arkamit në f. 533, vëll. III, i Mustedrek-ut të tij, duke shtuar: “Ky hadīth përcillet nga transmetues të besueshëm, edhe pse ata (dy Shejhët) nuk e botuan vetë.” Dhehebīu e përfshin në Telkhīs, duke ia pranuar vërtetësinë.)

 

‘Abdullāh ibn Hantābi ka thënë: “I Dërguari i Allahut (s) na mbajti një fjalim në Xhuhfe, ku na pyeti: ‘A nuk kam unë autoritet mbi vetet tuaja më shumë se ç’keni ju vetë?’ Të pranishmit u përgjigjën: ‘Vërtet po, o i Dërguari i Allahut!’ Pastaj ai tha: ‘Atëherë unë do ju kërkoj llogari për këto të dyja: Kur’anin dhe pasardhësit e mi’.”

(Taberānīu e ka përfshirë, siç përmendet në el-Arba’īn ul-Arba’īn të Nabhānīut dhe Ihjā’ul-Mejjit të Sujūtīut. Ju jeni të ndërgjegjshëm për faktin se hytbja e tij, paqe pastë mbi të e pasardhësit e tij, nuk u kufizua në veç kaq, se asnjeri që transmeton vetëm kaq s’mund të pretendojë se e ka dëgjuar vetë atë. Por politika kyçi gjuhët e muhadīthëve e ua lidhi penat shumë historianëve. Pavarësisht nga të gjitha këto, mjafton kjo pikëz nga oqeani, el-hamdu li’l-Lāh.)

 

4) Librat sahīh që e bëjnë të detyrueshme ndekjen e Dy Gjërave me peshë janë mutewātir nga mëse njëzet sahabë, që puqen të gjithë njëzëri lidhur me këtë. I Dërguari i Allahut, bekime pastë mbi të e pasardhjen e tij, i ka theksuar këto gjëra në raste të shumta: Ditën e Gadīr Khummit, ditën e ‘Arafātit në Haxhin e Lamtumirës, pasi la Tāifin, nga minberi në Medine dhe në dhomën e tij të bekuar, gjatë sëmundjes, kur ajo ishte plot me sahabë. Në këtë incident, ai tha: “O njerëz! E ndjej se së shpejti do të vdes dhe edhe më parë ju kisha njoftuar siç e kam detyrë ta bëj, për të mos lënë justifikime për ju, se: po lë me ju Librin e Allahut, të Lartit e Fuqiplotit, dhe ‘Itren time: Ehl ul-Bejtin tim.” Pasi përfundoi, ai kapi dorën e ‘Alīut dhe e ngriti lart, duke thënë: “Ky ‘Alī është me Kur’anin dhe Kur’ani është me ‘Alīun: ata s’do të ndahen kurrë nga njëri tjetri, gjersa të më takojnë rrëzë Haudit.”

(Referojuni kësaj në mbyllje të Pj. 2, Kreu IX i es-Sawā‘ik ul-Muhrike nga Ibn Haxheri, pas dyzet hadītheve të përmendura në atë kaptinë, faqe 57. )

 

        Një grup i shquar dijetarësh nga shumica e ka pranuar këtë. Edhe Ibn Haxheri madje, pasi citon hadīthin e Dy Gjërave me Peshë, thotë: “Ta dini, pra se hadīthi që thërret për t’u kapur pas të dyjave ka ardhur përmes rrugësh të shumta dhe është përcjellë nga mëse njëzet sahābë.” Më tej ai thotë: “Lind një dyshim këtu se kur e tha ai (s) atë. Disa muhadīthë pohojnë se ai (s) e tha në ‘Arafāt gjatë Haxhit të Lamtumirës e të tjerë se ai e shqiptoi në Medine gjatë sëmundjes, kur dhoma e tij ishte plot me sahabë. Një grup tjetër thotë se ai (s) e bëri këtë pohim në Gadir Khumm dhe një tjetër se e tha duke predikuar, pasi kish lënë Tāifin, siç u përmend më lart.” “...Nuk ka kundërshtí këtu, sepse s’ekziston asnjë objeksion që ai ta ketë përsëritur pohimin në ato vende e gjetkë, falë kujdesit të tij për Librin e pacenueshëm dhe ‘Itren e Pastruar...” gjer në fund.

 

(Referojuni kësaj në zbërthimin e ajetit të katërt: {Dhe ndaloji ata, sepse do të meren në pyetje} (37:24), që citohet në kaptinën 1, Kreu XI i es-Sawā‘ik ul-Muhrike, në mbyllje të faqes 89. )

   

 

        Mjafton fakti për Imamët nga Pasardhja e Pastruar se rangu i tyre tek Allahu ngjan me atë të Librit, të cilit e pavërteta s’mund t’i afrohet as nga para as nga pas. Kaq duhet të mjaftojë si dëshmi që i kap njerëzit për qafe dhe i detyron t’i përmbahen medhhebit të atyre. Muslimani i vërtetë nuk pranon asnjë zëvendës për Librin e Allahut; si mundet ai atëherë të shmanget nga udha e atyre që janë shoqëruesit e tij të vetëm?

 

5) Thelbi i thënies së tij “Po ju lë atë që, për deri sa t’i përmbaheni, nuk do ju lërë kurrë të humbisni: Librin e Allahut dhe ‘Itre-n time” është se kushdo që nuk kapet pas të dyjave, do të humbasë në fund vetvetiu. Kjo mbështetet nga thënia e tij, bekime pastë mbi të e familjen e tij, në hadīthin e Dy Gjërave me Peshë, transmetuar nga Taberānīu: “Mos ecni përpara tyre, ndryshe do mbaroni e mos i mësoni ata sepse janë më të ditur.” Ibn Haxheri thotë: “Pohimi i tij, ‘Mos u dilni atyre përpara, përndryshe do të merrni fund e mos i mësoni sepse janë më të ditur,’ është provë se çdonjëri prej tyre u ngrit në rangje e pozita fetare të larta dhe duhet parapëlqyer mbi të gjithë të tjerët,” gjer në fund të pohimit të tij.

(Referojuni kësaj në kreun që merret me testamentin e Profetit (s), në f. 135 të es-Sawā‘ik ul-Muhrike, pastaj pyeteni pse preferoi të ndiqte Esh‘arīun në parimet e fesë dhe katër juristët në degët e saj dhe si mundi të mbajë për të epërm ndaj tyre në transmetim hadīthesh njerëz si ‘Umrān ibn Hattāni e soji i tij nga khawarīxhët, duke pëlqyer mbi ta në tefsīr Mukātil ibn Sulejmānin, murxhi‘ītin që beson se Allahu ka trajtë fizike; dhe duke preferuar mbi ta në shkencat e etikës, edukatës, sjelljes dhe psikologjisë Ma‘rūfin dhe sojin e tij; dhe si e shpërfilli vëllain e wali-un e Profetit (s) dhe ekzekutuesin e vetëm të testamentit të tij. Pastaj pyeteni se si ndodhi që ai preferoi mbi pasardhësit e të Dërguarit të Allahut, bekime pastë mbi ta, pasardhësit e frikacakëve. Ç’do të bënte ai që u kthen shpinën pasardhësve të pastruar së Muhammedit (s) në tërë ato rangje aq të larta e obligime fetare, dhe pason gjurmëve të atyre që i kundërvihen atyre, me sahīh-ët e Dy Gjërave me Peshë dhe të ngjashmit me to? Dhe si mund të pretendojë se u përmbahet pasardhësve të pastruar, se hipën në barkën e tyre dhe se hyn në Portën e tyre të Pendimit?)

 

 

6) Ajo që e bën të detyrueshme të ndjekurit dhe të referuarit Ehl ul-Bejtit është ky hadīth i Profetit të Allahut, bekime pastë mbi të e familjen e tij: “Gjasimi i familjes sime për ju është barka e Nuhit: kushdo që hip në të është i shpëtuar, dhe kushdo që i mbetet pas, fundoset” (Hākimi e citon nga Ebū Dheri në faqe 151, vëll III, i veprës së tij Sahīh ul-Mustedrek.

[Ai përcillet edhe nga ‘Abdullāh ibn Zubejri, të cilin e citon Ibn Haxheri në el-Sawā‘ik ul-Muhrike dhe ndodhet në vëll. IX, f. 155 të Xhāmi’ us-Seghīr. Ebū Bekr Shihabuddīn Husejnī el-Shāfi‘ī thotë: “Dijetarët islamë kanë pohuar se Profeti (s) e krahasoi Ehl ul-Bejtin e tij të nderuar me Barkën e Nuhit, sepse gjithkush që hyri në të shpëtoi nga frika e stuhisë. Po kështu, ai që ndjek Ehl ul-Bejtin e Profetit (s) dhe përfiton nga drita e udhërrëfimit të tyre, siç na kanë bindur hadīthet të veprojmë, është i shpëtuar nga errësira e shkarjes dhe kërkon ndihmën e ndërmjetësve më të mirë te Zoti. Në të kundërt, ai që s’i ndjek dhe nuk e pranon statusin e tyre mbytet në oqeanet e humbjes dhe është i destinuar për në Skëterrë.” (c.n. Rushfet ul-Sadi min Bahr Fadā’il Beni el-Nebī el-Hadī, Matba’eh ul-‘Ilmijje, Egjipt, 1303, f. 80).

 si dhe pohimi i tij: “Gjasimi i familjes sime midis jush është ai i barkës së Nuhit: kush hip në të ka shpëtuar e kushdo që i mbetet pas fundoset. Dhe gjasimi i familjes sime midis jush është Porta e Izraelitëve: kushdo që hyn në të është i falur.”

 

(Taberānīu e citon në el-Ewset nga Ebū Sa‘īdi. Është hadīthi 18 nga i 25-ti Arba’īn i veprës el-Arba’īn ul-Arba’īn, f. 216. [Po ashtu Hejthemīu në Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. IX, f. 168; Sujūtīu në Tarīkh ul-Khulefā’ e Xhāmi’ us-Seghīr, vëll. II, f. 22. Ky hadīth përcillet edhe në Musned el-Firdeusī nga Ebū Sa‘īdi, me shtesën: ‘Ndaj, pas meje, kapuni për Ehl ul-Bejtin; pasuesit e së vërtetës. Me siguri ata nuk do të shmangen kurrë’.)

 

Merrni parasysh, gjithashtu, pohimin e tij: “Yjet i mbrojnë banorët e tokës nga mbytja dhe Ehl ul-Bejti im e mbron ummetin tim nga mosmarrëveshjet. Nëse një fis nga arabët dallon (rreth urdhëresave të Allahut, të Lartësuarit e Fuqiplotit) prej tyre, atëherë të gjithë ata do të dallojnë dhe bëhen pala e Shejtanit.”

(Kjo citohet nga Hākimi në Mustedrek, f. 149, vëll. III, nga Ibn ‘Abbāsi. Hākimi shton: “Ky është një hadīth sahīh ndonëse (Bukhārīu e Muslimi) nuk e transmetuan.” )

 

Kjo është krejtësisht e mjaftueshme ta obligojë ummetin t’i ndjekë ata dhe ta mbrojë ndaj të dalluarit prej tyre. Nuk mendoj se ka gjuhë më të qartë njeriu se ky hadīth për ta mbështetur argumentin tim.

 

7) Ajo që nënkuptohet nga fjala e tij, bekime pastë mbi të dhe pasardhësit e tij, ‘Ehl ul-Bejt’ është tërësia e tyre, bashkarisht, në të qenit Imamë të tyre, jo thjesht tërësia e tyre inkluzivisht, sepse ky status nuk është veçse dëshmi për Provat e Allahut - veçanërisht ata që nënkuptojnë Argumentet e Tij - siç do të gjykonin arsyeja e dija. Një grup dijetarësh të shquar nga shumica e kanë pranuar këtë, si p.sh. Ibn Haxheri në es-Sawā‘ik ul-Muhrike. Disa prej tyre kanë thënë se ajo që nënkuptohet me ‘Ehl ul-Bejt’ të cilët përbëjnë siguri, janë dijetarët e tyre, sepse janë ata që qëndrojnë si yje udhërrëfyese, që kur të humbin, banorët e tokës do pësojnë atë ndaj së cilës u paralajmëruan ogurzisht. Ibn Haxheri thotë: “Kjo do të ndodhë kur të shfaqet Mehdīu; hadīthi tregon se ‘Īsai do të falet pas tij dhe Dexhāli do të vritet gjatë kohës së tij. Pastaj, ngjarje të pazakonta do pasojnë njëra tjetrën...” gjer në fund, tek zbërthimi i ajetit 7, Kreu XI, f. 91 në es-Sawā‘ik ul-Muhrike. Gjetkë ai tregon se i Dërguari i Allahut, bekime pastë mbi të dhe familjen e tij, u pyet njëherë: “Si do të jetojnë njerëzit pas tyre?” e ai u përgjigj: “Si një gomar, të cilit i është thyer shpina.”

(Referojuni mbylljes së kreut të tij mbi parashikimet e Profetit të shenjtë (s) për kohërat e vështira që do pasonin vdekjen e tij, pranë fundit të faqes 143 në Sawā’ik ul-Muhrike. E pyesim Ibn Haxherin: “Meqë ky është statusi që gëzojnë dijetarët e Ehl ul-Bejtit, përse atëherë ju ua kthyet shpinën?”)

 

8) Ju e dini që të ngjasuarit e tyre me barkën e Nuhit implikon se kushdo që mbështetet tek ata në çështjet e besimit, duke i mësuar rrënjët dhe degët e fesë nga Imamët e tyre të virtytshëm, me siguri do të shpëtojë nga Skëterra dhe kushdo që u mbetet pas është si ai që kërkoi strehë në mal gjatë përmbytjes, për ta shpëtuar nga vendimi i Allahut, por në fund ai u mbyt në ujë, (Referencë e hollë e autorit ndaj ajetit 11:43) ndërkohë që i dyti do të flaket në Zjarr, Allahu na ruajtë prej tij.

        Arsyeja pse ata, paqe pastë mbi ta, krahasohen me Portën e Pendimit është se Allahu e ka bërë atë simbol të përuljes përpara Madhështisë së Tij dhe nënshtrim ndaj Gjykimit të Tij; prandaj ajo bëhet sebep për falje. Kjo është arsyeja për gjasimin. Ibn Haxheri, në zbërthimin e ajetit 7 nga Kur’ani Fisnik, në Kreun XI, f. 91, të veprës së tij es-Sawā‘ik ul-Muhrike, e pranon këtë kur, pas citimit të këtij hadīthi dhe të tjerëve si ai, thotë: “Arsyeja e përngjasimit të tyre me Barkën është se ai që i do dhe i respekton vërtetësisht ata si mjete për të falënderuar Atë që u dhuroi atyre favore, duke ndjekur udhërrëfimin e dijetarëve të tyre, do shpëtojë nga errësira e përçarjes; dhe kushdo që u mbetet prapa fundoset në detin e mosmirënjohjes dhe do të shuhet në shtigjet e tiranisë.” Pastaj, ai shton: “Sa për Portën e Pendimit (duke nënkuptuar ngjashmërinë e tyre me të) Allahu e ka bërë të hyrit në atë portë, që me sa duket duhet të jetë ajo e Shittīmit në Jerusalem, në përulje e kërkim faljeje - arsye për shpëtim, ndaj Ai e bëri dashurinë e Ehl-i Bejtit arsye për shpëtimin e ummetit.”

(Merreni parasysh këtë pohim të tijin dhe tregomëni pse nuk ndoqi ai udhërrëfimin e Imamëve të tyre në degët dhe shtyllat e besimit, apo në parimet dhe bazat e jurisprudencës, ose në shkencat e hadīthit dhe Kur’anit, apo gjithçka tjetër lidhur me etikën, sjelljen dhe realizimin e brendshëm; dhe përse mbeti mbrapa duke u fundosur në oqeanet e atyre që mohojnë mirësitë e Allahut, duke rendur rrugëve të zullumit. Allahu e faltë për të gënjyerit ndaj nesh dhe të sulmuarit e pandershëm të bindjeve tona.)

     

 

Librat sahīh pohojnë mutewātir se ndjekja e Ehl-i Bejtit është e detyrueshme, sidomos duke cituar ‘Itre-n e pastruar. Sikur të mos e përkulja penën nga frika se mos ju mërzis, do ta kisha shkoqitur në hollësi, por kaq sa shënova këtu duhet të mjaftojë për çështjen, Wesselam.

 

Sinqerisht,

Sh