LETRA 1

6 Dhu’l Ki’de 1329 H.

 

 

1. Përshëndetjet ndaj Debatuesit,

2. Kërkimi i Lejes për të Debatuar.

 

1. Paqja e mëshira me bekimet e Allahut qofshin mbi të nderuarin e shumëditur, Shejh ‘Abdul-Husein Sherafuddīn el-Mūsawī.

       Unë s’jam njohur ende me ndërgjegjen e shī‘itëve e as ua kam provuar mirësjelljen, sepse nuk kam patur shoqëri me asnjërin prej tyre e as kam mundur t’ua njoh zakonet. Por kam qenë gjithmonë i ethshëm të diskutoj me dijetarët e tyre të shquar dhe i ankthshëm të rri me njerëzit e tyre të thjeshtë, për t’ua shoshitur trasetë dhe përpjekur të njihem me prirjet që kanë, gjersa Allahu më ndihmoi të qëndroj buzë bregut të gjerë të oqeanit tuaj të dijes dhe ju më lejuat të shijoj nga kupa juaj e mbushur gjer në grykë; Allahu më lejoftë të shuaj etjen! Betohem me Qytetin e dijes së Allahut - gjyshin tuaj të përzgjedhur (Mustafā) dhe Portën e tij - paraardhësin tuaj të pëlqyer (Murtedā) se kurrë nuk kam shijuar asgjë kaq kënaqëse për të eturin dhe aq shëruese për të sëmurin, sa lumi juaj vërshues. Unë kisha dëgjuar se ju shī‘itët preferoni t’u shmangeni vëllezërve tuaj, sunnive dhe se u qëndroni larg; që gjeni prehje në vetmi e strehë në izolim dhe kështu e ashtu. Por te ju zbulova njeriun mahnitës në butësi, të mprehtë në debatim, të njerëzishëm në sjellje, të fortë në argument dhe të këndshëm në humor; të ndershëm në duel, të çmuar në keqkuptim e të shtrenjtë në konkurrim. Prandaj, shī‘itët i gjeta aromën kundërmuese të bisedave dhe dëshirën e çdo njeriu të letrave.

 

2. Duke qëndruar buzë bregut të detit tuaj gumëzhitës, kërkoj lejen tuaj të notoj në të dhe të kridhem në kërkim të margaritarëve të tij. Nëse ma dhuroni lejen, ne do të gërmojmë thellë për shkaqet rrënjësore të hollësirave dhe paqartësive, që më kanë trazuar për një kohë kaq të gjatë; nëse jo, është krejtësisht në dorën tuaj. Në të shtruarit e pyetjeve të mia, unë nuk kërkoj gabim apo të metë dhe as që kundërvihem a përgënjeshtroj; përkundrazi, kam vetëm një qëllim: kërkimin e së Vërtetës. Kur e Vërteta shpaloset qartë, ajo meriton të pasohet patjetër; ndryshe s’jam veçse si [poeti] që tha:

                

      Ne me atë që kemi dhe ju me atë që ofroni

      Jemi të gjithë të kënaqur, madje dhe kur pikëpamjet tona dallojnë

 

      Unë, nëse më lejoni, do ta kufizoj debatin me ju në dy tema: njëra ka të bëjë me Imametin e medhhebit, në rrënjët dhe degët e tij,1 ndërsa tjetra me Imametin e përgjithshëm, d.m.th. pasuesinë (khilāfeh) e Profetit të Allahut, bekime pastë mbi të dhe pasardhjen e tij. Nënshkrimi im në fund të të gjitha parashtrimeve të mia do të jetë “S” dhe le të jetë i juaji “Sh”.

       Që më përpara, lus faljen tuaj për çdo gabim dhe paqja qoftë me ju. 

 

Sinqerisht

 


LETRA 2

6 Dhu’l Ki’de 1329 H.

 

 

I Përshëndetjet të Ndërsjella,

II Leja për të Debatuar e Dhënë.

 

1) Paqja e Allahut qoftë me Meulana Shejhul-Islamin, mëshira dhe bekimet e Tij.

       Letra juaj shumë e këndshme ka dhuruar e derdhur mbi mua kaq shumë mirësi, për të cilat gjuha zor se mund t’ju falënderojë mjaftueshëm e as të përmbushë dot një pjesëz të detyrimit të saj, madje edhe për një jetë të tërë.

       Ju i keni vendosur shpresat tuaja mbi mua dhe më keni sjellë kërkesën tuaj, kur jeni ju shpresa e kujtdo që kërkon dhe streha e cilitdo që synon strehim. Unë vetë, kam ardhur tek ju që nga Siria që të shijoj dijen tuaj e të kërkoj nderet tuaja dhe jam i sigurt se do t’ju lë të fortë në optimizëm, veç nëse Allahu dëshiron ndryshe.

 

2) Ju kërkuat leje për të folur. E keni ju të drejtën të lejoni dhe të ndaloni. Thoni çfarë të dëshironi: ju keni përparësinë; gjykimi juaj është përfundimtar, vendimi juaj i ndershëm dhe paqe pastë me ju.

 

Sinqerisht,

Sh 

 

_______________________

           Pas së kërkuarit leje për debat, ai fillon të shpjegojë temën e diskutimit, duke shpalosur kështu arritjet dhe shkëlqyeshmërinë e tij morale, përsa u takon normave të debatit. Përdorimi i inicialeve “S” e “Sh” është padyshim mjet i përshtatshëm për ta vazhduar një diskutim të tillë, ngaqë “S” shënon emrin e tij Selīm dhe të qenit e tij sunni, ndërsa “Sh” tregon emrin e autorit Sherafud-Dīn dhe të qenit e tij shī‘i.