HYRJE & KUSHTIM

 

 

       Këto faqe nuk janë shkruar sot dhe këto mendime s’kanë lindur së fundmi: ato u bashkërenditën për mëse një çerek shekulli dhe mund të ishin shtypur më herët, duke duruar rrethanat dhe fatkeqësitë armiqësore, që i nxorën pengesa të furishme gjatë rrugës. Kështu që atyre iu desh të prisnin, për të mbledhur çdo gjymtyr që iu dëmtua dhe çdo pjesë që humbën, sepse ngjarjet që ua shtynë botimin, njëkohësisht ua ndryshuan edhe organizimin.

 

       Sa për idenë e [shkruarjes së] librit, ajo i ka paraprirë me kohë debateve të tij. Ajo më ndriçoi brenda kraharorit që prej ditëve të rinisë, mu si një rrufe, që shkëlqen mes reve dhe ziu në gjakun tim plot entuziazëm, duke kërkuar një shteg të drejtë për t’i ndalur muslimanët në një pikë, që do t’i jepte fund kaosit të tyre dhe do ua ngrinte perden nga të parit, që ata të mund ta shikojnë jetën më seriozisht e t’u rikthehen rrënjëve të fesë së tyre, siç janë urdhëruar të bëjnë.1 Vetëm atëherë ata do të mund të hedhin hapat e tyre të mëdhenj për ta mbajtur Litarin e Allahut të gjithë së bashku, nën flamurin që i thërret ata t’i edukojnë vetet e tyre dhe të sillen si vëllezër të dëgjueshëm, që forcojnë njëri tjetrin.

 

       Por të pamurit e këtyre vëllezërve, të cilët janë të lidhur me njëri tjetrin nga një parim dhe një besim, ka qenë fatkeqësisht një polemikë që nxehet gjatë debatesh, porsi populli injorant që hidhet në ekstreme, aq shumë sa të dukej sikur grindja në metodat e kërkimit të dijes ishte etiketë në diskutim, apo mjet përfundimtar. Kjo është vërtet arsye e mjaftueshme për t’u shqetësuar, që thërret për të rënë në mendime. Ajo padyshim fton mjerim, agoni dhe pikëllim; cila është zgjidhja, pra? Ç’duhet bërë? Këto rrethana na kanë molepsur për qindra vjet dhe këto fatkeqësi na kanë vënë në rrezik nga para e prapa, djathtas dhe majtas. Ajo është një penë e përdredhur me shterpësi një herë dhe e cunguar nga smira një tjetër; një rast ajo shtyhet nga ithtarizmi e një tjetër i lejon vetes t’u dorëzohet ndjenjave dhe midis kësaj e asaj ka arsye për të ardhur turp; prandaj, çfarë duhet të bëjmë? Cila është zgjidhja?

 

       Jam ngopur gjer në grykë me të gjitha këto dhe pikëllimi i thellë më ka drobitur zemrën; ndaj, mbërrita në Egjipt nga fundi i 1329-ës, duke shpresuar të arrija pikësynimin tim. Isha i frymëzuar nga shpresa se do ia dilja të kënaqja të paktën një pjesë së dëshirës sime e të kontaktoja drejtpërsëdrejti dikë, me të cilin të shkëmbeja pikëpamjet. Shpresoja se duke diskutuar këshilla të dobishme, Allahu mund të na ndihmonte në arritjen e objektivave tona në tokën e Kanānit dhe ta shëronte lëngatën e pasosur, që rrezikonte t’i shqyente muslimanët copash dhe t’ua molepste grupet me përçarje. Kam mundur, el-hamdu li’l-Lāh, ta arrij këtë qëllim, sepse Egjipti është një vend që mbjell dije dhe ajo rritet në të e ushqyer nga sinqeriteti e përulja ndaj së Vërtetës, së rrënjosur thellë përmes fuqisë së dëshmive. Kjo e shquan Egjiptin dhe e vendos madje mbi të gjitha meritat e tij unike. 

 

       Atje, me rrethana të mira, mendje të qetë e shpirt të mahnitur, pata fatin e madh të takohem me njërin nga më të shquarit e personaliteteve të tij të famshëm, i cili zotëronte mendje të gjerë, sjellje të njerëzishme, zemër të butë, dije të pamatë dhe nderim të lartë të cilin ai e gëzonte me të drejtë falë cilësisë së aftësisë së tij për të prirë në fe.

       Sa të mirë janë shpirtrat për të cilët njerëzit e dijes janë të njohur, sa të pranueshme thëniet dhe sa profetike mirësjellja e tyre! Për sa kohë një ‘alim është i stolisur aq bukur, ai do të mbetet përherë i mirë dhe i mbarë, njerëzit do të gëzojnë siguri e begati dhe askush nuk do të ngurrojë ta shqiptojë me zë opinionin e vet, apo t’ia shpalosi mendimin që ka.

       I tillë ishte i nderuari famëmadh dhe Imam i Egjiptit e të tilla ishin takimet tona, për të cilat falënderuam Allahun, pa ndonjë cak ose kufi.

 

       Iu ankova atij për shqetësimet e mia dhe ai m’u ankua për shqetësime e zor të ngjashëm dhe kish ardhur vakti i duhur për të dy ne që të thelloheshim mbi atë që, me dëshirën e Allahut, do na bashkonte neve dhe ummetin tonë. Që andej, ne ramë dakort se të dyja grupet - shī‘itët dhe sunnitë, janë muslimanë që ndjekin fenë e drejtë të Islamit, se të gjithë ata pajtohen njëzëri me mesazhin e Profetit (s), se nuk ekziston asnjë ndryshim thelbësor midis tyre në çështjet themelore i cili do e cungonte të përmbajturit e tyre ndaj parimeve famëlarta të Islamit, se në të vërtetë nuk ekziston debat ndërmjet tyre, përveç atij që zhvillohet natyrshëm midis muxhtehīd-ëve në lidhje me rregulla të veçanta, si pasojë e të nxjerrit të këtyre nga Libri i Allahut ose Sunneti i Profetit (s), konsensusi, apo prova e katërt; dhe se kjo nuk e përligj kurrsesi një hendek të tillë të pamatë apo pus pa fund si ky. Ç’e shkaktoi atëherë gjithë atë debat, shkrepëtimat e të cilit kanë shkëndisur qysh kur lindën dy emra: “sunni” dhe “shī‘a”?

 

       Nëse e shkoqisim historinë e Islamit dhe shqyrtojmë bindjet, pikëpamjet dhe rregullat që lindën përgjatë, do mësojmë se faktori shkaktar i kësaj përçarjeje është agjitimi për një bindje të veçantë, mbrojtja e një teorije, apo mbështetja e verbër e një opinioni, dhe se debati më i madh në gjirin e ummetit është ai mbi Imametin, pasi kurrë s’janë zhveshur më shumë shpata për një parim islam, sesa për Imametin. Çështja e Imametit pra, ka qenë ndër faktorët më të drejtpërdrejtë që e shkaktuan këtë ndarje. Brezat e ndryshëm që dalluan mes tyre lidhur me Imametin u mësuan të krenoheshin me këtë fanatizëm e një ithtarizëm i tillë u krijua pa kujdesin dhe përfilljen e duhur.2 Sikur çdo grup t’i kishte shikuar shpjegimet e tjetrit me sy mirëkuptues e jo në atë të një antagonisti mallkues, e vërteta do të ishte bërë shumë e qartë dhe drita e mëngjesit do ishte vërejtur nga të gjithë ata që kanë sy.

(Autori aludon mjeshtërisht në thënien 169 të Imam ‘Alīut në Nehxh ul-Belāgha: “Agimi ka zbardhur për këdo që i ka sytë.” )

 

       E ngarkuam veten të merremi me këtë çështje, duke shikuar argumentet e të dyja palëve për t’i kuptuar ato plotësisht, pa u motivuar nga animet vetjake të formuara nga mjedisi, zakoni apo tradita. Përkundrazi, duhet të zhvishemi nga tërë emocionet dhe fanatizmi e të synojmë arritjen e së vërtetës përmes rrugës së saj të njohur nga të gjithë dhe të ecim mbi të. Kjo mund të tërheqë vëmendjen e muslimanëve, të sjellë paqe për mendjen me faktet e saj të vendosura nga ne për ta dhe inshā Allah ta mbyllë këtë temë përgjithmonë.

 

       Prandaj, vendosëm që ai t’i paraqiste pyetjet e tij me shkrim, që unë ta pajisja me përgjigjen time të shkruar, duke shprehur kushtet e sakta dhe duke i mbështetur ato ose me anë të arsyes ose citimeve të vërtetuara nga të dyja palët.

       Kështu u zhvilluan debatet tona, me ndihmën e Allahut, të Madhërishmit dhe Fuqiplotit. Pastaj, ne vendosëm t’i botonim që të mund të shijonim frytet e mundit tonë, duke synuar pastërtisht kënaqësinë e Allahut - të Madhëruarit dhe të Lartësuarit, por ditë mizore e rrethana penguese na dekurajuan dhe mbase kjo, në fund të fundit, ishte për më mirë.

       Unë nuk pretendoj se këto faqe kufizohen në tekstet e hartuara nga ne asëmoti, apo që cilido prej pohimeve vijuese nuk është shkruar nga pena ime. Rrethanat që ua shtynë botimin ua ndryshuan edhe organizimin, siç u tha më lart. Por sesionet lidhur me çështjet e debatuara nga ne janë përfshirë këtu shprehimisht, me disa shtesa të domosdoshme të nevojitura nga këshillimi dhe udhëzimi, ose të shkaktuara nga vijimësia e diskutimit, pa shkelur marrëveshjen tonë të ndërsjelltë.

 

       Unë kam sot të njëjtën dëshirë që kisha dhe dje: që ky libër të sjellë reformë dhe mirësi. Nëse ai fiton vëmendjen dhe pranimin e muslimanëve, atëherë kjo është mëshirë nga Zoti im dhe ja ç’i uroj punës sime: s’dua gjë tjetër veçse reformë, me sa të mundem dhe suksesi im varet tek Allahu; Atij i besoj dhe Atij do t’i kthehem.

       Ia paraqes librin tim çdo njeriu të arsyes që gjurmon diturinë, hulumtuesit të mprehtë që është në dijeni të fakteve të ndërlikuara lidhur me kërkimin e dijes dhe dijetarit zemërhapur e të mirë, fjalët e të cilit janë autoritet në thëniet e praktikat e Profetit (s); filosofit që ka mjeshtëruar shkencën e fjalës dhe çdo të riu të arsimuar që është i lirë nga tërë zinxhirët e prangat dhe tek i cili mund të mbështetesh për jetën e re të lirisë: nëse të gjithë këta e pranojnë, duke e kuptuar mirësinë që buron prej tij, atëherë do të jem më se i kënaqur.

 

       E kam nxjerrë këtë libër me kujdes të madh, duke ia siguruar përgjigjet në mënyrën më të mirë në çdo aspekt dhe synuar që me anë të kësaj të frymëzoj njerëzit e paparagjykuar, me mendimin dhe shijen e tij, përmes faktesh që nuk përjashtojnë asnjë mundësi e argumentesh që s’lejojnë asnjë të çarë. I kam kushtuar vëmendje të veçantë teksteve evidente të vërtetësishme dhe Sunne-tit të Profetit (s), një përkujdesje që e ka bërë këtë punim të mjaftojë për një librari të tërë, të mirëpajisur plotësisht me veprat më të çmuara mbi teologjinë, hadīthin, jetëshkrimet e të ngjashme. Këto kanë të bëjnë të gjitha me temën tonë aq të rëndësishme. Kam zbatuar së këtejmi një filosofi që është shumë e barazpeshuar dhe autentike, si dhe metoda të cilat e detyrojnë këdo që njihet me libra të tillë ta ndjekin pas këtë libër, ndërkohë që të dashuruarit pas së vërtetës janë pasuesit e tij që nga fillimi gjer në rreshtin e fundit. Nëse pra, libri im pranohet nga lexuesit e paanshëm, atëherë kjo është pikërisht ajo çka dëshiroj dhe për të cilën falënderoj Allahun.

 

       Sa për mua, jam më se i lumtur me këtë vepër, i kënaqur me jetën time pas saj. Ai, besoj është një punim që duhet të më bëjë të harroj gjithçka që më ka dëshpëruar: barrat e rënda të jetës, hallet dërrmuese të kohës dhe hasmi për të cilin i ankohem veçse Allahut të Lartë; vetëm Ai është gjykues i tij e Muhammedi kundërshtues. Pa përmendur plaçkitjen e urdhëruar në vetë qarqet e tij... Kam duruar gjithashtu fatkeqësitë që vërshuan si përmbytje nga çdo anë, me parandjenja brengosëse mbi shpinë, të kombinuara me shqetësim e mjerim. Por jeta ime, që do të bëhet e pavdekshme përmes këtij libri, është ajo e mëshirës në këtë jetë e në atë që vjen; brenda tij shpirti im është kënaqur dhe ndërgjegja ime e lehtësuar. Ndaj, e përgjëroj Allahun të pranojë mundin tim e të m’i falë lëshimet e gabimet; shpërblimi im për këtë libër insha Allāh do të jetë përfitimi dhe udhëzimi i besimtarëve:

{Ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira: Zoti i tyre i udhëzon me besimin e tyre; lumenj rrjedhin nën ta te Kopshtet e Përjetësisë, ku lutja e tyre është: ‘O Zot, i Madhëruar qofsh!’ dhe përshëndetja e tyre ka paqen. Ata i përfundojnë lutjet me ‘Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!’} (10:9-10)

 

 

Sejjid ‘Abdul-Husein Sherafuddīn 

                                                                          el-Mūsawī el-‘Āmilī